Nëse do të shkruash një reportazh nga jeta e maleve shqiptare, harroje se atje do të gjesh njerëz. Jo, kanë ikur të gjithë. Udhëton njëqind kilometra, nëpër kreshtat e Matit, deri lart në Macukull dhe në kulla të tëra nuk do të takosh një njeri, për të ndërruar dy fjalë me të. Kemi mbërritur në Lis, aty ku dikur ka qenë një dioqezë e vjetër, por rruga deri në Shën Trini, ku ngrihet obelisku i Formulës së Pagëzimit, është si në “qiell”, në ca shkrepa të lartë, që na i tregon me dorë një djalosh, që ka ndaluar makinën e tij, për të na drejtuar ne andej nga duhet të vemi. “Kur të shkoni në Vig, merrni djathtas”, mbajmë mend fjalinë e fundit të tij. Dihet se në fshtarat tanë të thellë nuk ka asnjë tabelë që mund të ndihmojë, vetëm në qëlloftë ndonjë kafene që ta ketë shkruar emrin e fshatit. I them atij djalit se ky zotëria në timon është ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Gjergj Meta, që mbulon dhe Matin e Dibrën, dhe se po shkon të gjëjë gjurmët e një paraardhësi të tij të hershëm, Imzot Pal Engjëllit. Djali buzëqesh, mbase pa e kuptuar çka i thashë, na përshëndet mirësisht dhe niset për te fuoristrada e vet. Kemi hyrë një një zonë ku vetëm kjo lloj makine mund të bëjë punë, përndryshe rroftë traktori.
Me monsinjorin e ri, duke mos e njohur terrenin sa duhet, hamendësojmë se nga mund të ketë qenë udha nëpër të cilën ka ecur asokohe mbi kalë Pal Engjëlli për të shkuar në Shën Trini? Për të mbledhur atë kuvendin e tij dhe për të shpërndarë derë më derë, ndër të krishterë, “Formulën e Pagëzimit” të fëmijëve. Mbërrijmë në Qafë – Kishë, ku është lapidari, teksa po afron nata. Bie një vesë shiu, si për ta bërë më mistik kërkimin e themeleve të kishës historike nga ipeshkvi Meta. Nuk e dimë saktësisht se ku ka qenë ajo, por një relacion i Mark Skurës e vendos atë në Macukull, një fshat i madh karakteristik i Matit dhe krejt veriut shqiptar, nën diellin dhe hijen e Malit të Dejës. Mbajmë një tërthorje, në kthim, pastaj një teposhtje, nëper një lagje gjithë kulla, që nuk ia dimë emrin. Nja 5-6 kilometra, nëpër një rrugë tashmë “qorre, që vetëm falë fuoristradës së re të Ipeshkvit mundim t’ia dalim pa “bujtë” atë natë në sediljet e saj, në atë vendbanim pa asnjë pipëtimë jete. Kulla të gurta, të hijshme, por krejtësisht të braktisura, gjer në dhimje. Asnjë këmborë bagëtie. Asnjë mulli që bluan drithë. Asnjë fjollë tymi nga oxhakët. Fshati që na zbulohet është Macukulli, ku ndryshe nga para dy vitesh, kur kemi qenë këtu, na magjepsin lulet e kumbullave, si për të na thënë se natyra nuk e ka braktisur asnjëherë njeriun, ndërsa ky ia ka kthyer shpinën kësaj përle, ku çdo krahasim për të do të ishte i mangët. Nëse do ta kundrosh Shqipërinë së epërmi, ngjitu në Macukull. Dhe kudo tjetër në malet tona. Vetëm prej këndej ajo të shëmbëllehet siç është, e dëlirë si loti i drenushës, por dhe e zbrazur frikshëm.
Kemi kaluar Dukagjinin, Urxallën e Shtjefnin, duke përfytyruar ngulimet e historisë së këtyre vendeve, që i ka shkelur, përshkruar e skeduar me aq mund studiuesi Dilaver Kurti. I telefonojme të birit, Artanit, në Burrel, që e kemi mik, si për ta bërë personazh të mbrëmjes tonë vetmitare këtyre kreshtave dhe e pyesim se si e ka parë këta tempuj të moçëm i ati, profesori, që nuk rron më, por që trashëgiminë e tij kërkimore-shkencore e ka të përmbledhur në disa libra.
Vonë në mbrëmje përshëndetemi me një bari të moshuar me një tufë të vogël delesh në Derjan. Ai djali që na tregoi rrugën dhe ky bariu, vetëm dy njerëz në dyqind kilometra dhe rrallë ndonjë kamion i rëndë. Sa pak! Ne nxitojmë për t’u kthyer në Mirditë, kurse në Tiranë bëhen gati studiot televizive të gjëmojnë si për natë nga zallamahia kombëtare. Do të flitet për të gjitha e për gjithçka edhe sonte, por me siguri jo dhe për këto fshatra të mahnitshëm që i vijnë si kurorë luginës së Matit. Do të dëshiroje për një çast, që gjerat të ishin krejt ndryshe, Xhunga, Fevziu, Vasili, Balla, Krasta, Zheji, Rakipi e të tjerë moderatorë të emisioneve politike të ishin sonte këndej nga Shën Trinia, duke folur se si të mos e humbasin shkëlqimin këto vende. Ashtu siç do të dëshiroje, që studentët dhe pedagogët e Filologjisë të Universitetit të Tiranës ta bënin këtu peligrinazhin e përvitshëm të “Formulës së Pagëzimit”, dëshmisë së parë të shqipes sonë, sigurisht nëpër një rrugë të asfaltuar dhe përtej Lisit. Nuk do të doje t’i përjashtoje as politikanët nga kjo gjë, por druan se ata nuk e kanë me gjithë mend për ta mbajtur malësinë në këmbë, se ashtu, pa njerëz, e zhvasin më lehtë. Nëse kjo mund të duket si një akuzë në “ajër”, mjafton të dini se pas çdo koncesioni minerar, hidrik etj., është patjetër një ose disa politikanë, ministra, deputetë, kryetarë bashkish e të tjerë funksionarë të “padukshëm” shtetërorë.
Është e pamundur sot të bësh zanatin e reporterit, kur vjen në këto anë, domethënë të takosh njerëz, të dish sa është numri i banorëve, i nxënësve, i subjekteve private, i krerëve të gjësë së gjallë etj. Një gurore e vogël guri dekorativ na tërhoqi vëmendjen në shpatin e një mali, gjë pozitive, por nevojat për investime në këtë areal janë të shumta, në rrugë, miniera, blegtori, agroturizëm etj. Këto do t’i rikthenin njerëzit në trojet e lëna shkret… si në epokën e gurit. Zor se mund t’i përgjigjeshe dikujt që vjen nga Europa se si ka ndodhur që njerëzit i kanë lëshuar me kaq lehtësi vendet e tyre. Si një mallkim për shqiptarët e kësaj kohe, pse dita-ditës iket dhe nga Kosova, Plava e Gucia, Presheva etj. Dhe ne vetëm sa e përshkruajmë me fjalë këtë zhbimje trishtuese.
Për ta zgjëruar disi gjeografinë e këtij shkrimi, mund të udhëtosh nëpër Bushtricë, Kala të Dodës, Sllovë dhe përsëri njerëzit që has janë sa gishtat e dorës. E njëjta pamje në të gjitha malësitë, në Veri dhe në Jug. Mjafton një dokumentar nga Zhulati i Papa Zhulit të famshëm, “Lekë Dukagjinit” të Labërisë, për të kuptuar se dhe atje, në dheun e “Vajzës së Valëve”, njerëzit kanë ikur dhe kanë lënë pas vetëm varret. Ngado male pa njerëz, kulla pa tym. Një shkretëtirë e kohëve moderne, e paimagjinueshme. Një qytetërim i ndërtuar me mundimin e dhjetëra brezave që po zhduket pa zhurmë. Politikanët që venë për të bërë dëgjesa publike në male, me gjasë i marrin me vete ata iu duhen për t’i dëgjuar. A ka një raport të përditësuar qeveria, Presidenti, Kuvendi i Shqipërisë, se sa banorë ka sot në çdo njësi vendore, bashki, rreth? Çfarë mund të thuhet për një fshat piktoresk në luginë, dyqind metra mbi nivelin e detit, më pak se 100 kilometra nga Tirana, jo larg Udhës së Kombit, që ka mbetur me një nxënës dhe një mësues?!…
Shqipëria është rrudhur në pak kilometra katrorë, rreth e qark kryeqytetit dhe aty zien politika, aty prodhohen lajmet, aty buçasin protestat, aty vidhen bankat, malet janë vetëm për t’iu grabitur: pyjet, kafshët e egra, kromin, gjer kërpurdhat, pa përfituar asgjë të zotët. Të vetmit që turren drejt maleve, si drejt një preje, janë ata që iu rrëmbejnë vendasve: lumenjtë, përrenjtë, burimet, që t’i fusin në tuba e beton. Rroftë “qytetërimi” i ri i hidrocentralizimit të maleve tona. Nëse lumi i Urakës pati fat e shpëtoi përgjysmë, pa u hidrocentralizuar, ende nuk dihet se si do të vejë fati i përrenjve turistikë të Kaçinarit, mbi të cilët janë planifikuar katër hidrocentrale, me gjithë kundërshtimin e banorëve. S’duam hidrocentrale në Arrëz, Shtuf, Simon e Shpërdhazë! – iu thonë ata pushtetarëve, duke iu kujtuar se u shfrytëzuan pyjet e Lajës e Benës, për gjysmë shekulli, nga NPD-ja e Fushë-Arrëzit, duke mos përfituar asgjë ata, që ato bjeshkë i kishim pasur mirà të katundit. Pastaj u shfrytëzua bakri i nëntokës së tyre dhe përsëri ata nuk u “kompensuam” as me një metër asfalt. “Tani vijnë të na grabisin dhe përrenjtë?!”
Ky është qytetërimi i dytë që po zhduket në male. Trojet. Kullat. Piktogramet. Shkollat. Vreshtat… I pari është shuar nga pushtimi otoman, kur humbëm principatat, manastiret, abacitë, kështjellat dhe shumë “qyteza” të tjera të shekujve të shkuar. Shtoi kësaj dhe bjerrjen e traditës së kullave, prijes e kuvendit gjatë komunizmit. Turizmi, që trumbetohet nga të gjithë dhe veçanërisht nga qeveria, nuk mund të jetë shpëtimi, edhe sikur zhvillimi i agroturizmit të mbështetej pa kaluar përmes “gjërizeve” të burokracisë e korrupsionit. Nëse Zadrima e ka “Mrizin e Zanave” si një model të qytetërimit të ri, këtë nuk e ka ende Oroshi, Lura, Shishtaveci, Radomira, Iballja etj. Është për t’u lavdëruar ajo që është bërë vitet e fundit në Ulëz, Vermosh dhe ndokund tjetër, por kjo nuk është e mjaftueshme për ta shpëtuar Shqipërinë e maleve nga shkretimi dhe mbirja e ferrës në derë. Qeveria ka më shumë fjalë se punë konkrete sa i përket rivitalizimit të fshatrave. Nuk ka kuptim të nisemi drejt luginave malore, kur të ketë ikur dhe ai nxënësi e mësuesi i fundit prej andej… dhe të ketë mbetur vetëm lapidari i Formulës së Pagëzimit, drejt të cilit shkuam këto ditë, duke “takuar” të parin dhe të fundit, Imzot Pal Engjëllin, e vitit të largët 1462…