Historia e Shtëpisë së Bardhë 

Nga Raimonda MOISIU*

Raimonda Mosiu shkrimtarja e njohur shqiptaro-amerikane, ka sjell nje cikel shkrimesh per ” Kuvendin” ne lidhje me Historine e Amerikes, sic Jane Presidenca dhe Shtepia e bardhe. Here mbas here do publikojme dhe shkrime te tjera qe kane te bejne me Historine e Amerikes. Flm Raimonda!

 

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë ka filluar në vitin 1792, sipas planimetrisë të arkitektit irlandez James Hoban, i cili ishte edhe fituesi i tenderit arkitektorial, që u zhvillua enkas për ndërtimin e saj. James Hoban pati emigruar në Amerikë, në moshë fare të re. Pas disa problemeve të mprehta financiare, të cilat sillnin shpesh ngadalësimin dhe ndërprerjen e punimeve në kohë, ndërtesa u bë gati për banim pjesërisht në vitin 1800, që shënon edhe vitin kur Presidenti i Dytë i Amerikës, John Adams dhe bashkëshortja e tij, hynë për herë të parë brenda Shtëpisë së Bardhë. Planimetria origjinale e fasadës veriore nga Hoban, e cila edhe i mbijetoi kohës, reflektonte arkitekturën angleze e stilit paladian të mes-shekullit të 18-ë.

Thomas Jefferson, Presidenti i Tretë, i cili hyri më pas në Shtëpinë e Bardhë, punësoi arkitektin e talentuar dhe vizionar, Benjamin H. Latrobe në vitin 1806-ë, i cili ndihmoi në dizenjimin e sallave (Dhomave) të ndërtesave lindore dhe perëndimore. Arkitektura moderne e fundit, ajo e Dhomës Legjislative i ka mbijetuar kohës dhe është afërsisht në gjendjen origjinale që prej ndërtimit të saj. Gjithashtu, Latrobe bëri edhe skicimet e tablove të Dhomave veriore e perëndimore të cilat janë modifikuar me kalimin e kohës.

Por, në vitin 1816, në kohën e Luftës, e cila pati filluar në vitin 1812, forcat britanike dogjën të gjitha ndërtesat publike në Uashington, duke mos kursyer edhe atë, Shtëpinë e Bardhë. Përveçse portretit të Xhorxh Uashingtonit nga Gilbert Stuart, portret, i cili ekziston edhe sot në Dhomën Lindore, të gjitha pajisjet dhe mobilimet e tjera që nga koha e administratës së presidentëve Adams, Jefferson, dhe Madison, u rrënuan. Nën mbikqyrjen e arkitektit James Hoban, Shtëpia e Bardhë u rindërtua brenda vitit, dhe në vitin 1817 ishte e banueshme, e rimobiluar në stilin perandorak, me pajisje, orendi dhe mobilie të importuara nga Franca prej Presidentit James Monroe. Gjithsesi, arkitekturën e ndërtesës dhe praktikisht asaj në brendësi, arkitekti irlandez James Hoban iu riktheu stilin Palladian të mëparshëm, dhe nuk ripërsëriti inovacionet neo-klasike të bëra nga Latrobe. Fasadat e jashtme të përzhitura nga zjarri u bojatisën të bardha. Flitet se është kjo arsyeja që aksidentalisht kjo ndërtesë u quajt dhe thirret Shtëpia e Bardhë, megjithëse ka edhe një të dhënë tjetër, që realisht është emërtuar me atë term, qëkur u ndërtua për herën e parë. Gjatë gjithë shekullit të 19-ë, dekorimi i brendshëm i Shtëpisë së Bardhë ka ardhur duke rinovuar në mënyrë të njëpasnjëshme çdo stil dekorativ, porse fasada e jashtme e ndërtesës mbeti njësoj.

Në vitin 1833, tubacionet sillnin ujin nga një rezervat uji, që ndodhej shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili zëvendësoi gjithashtu përkohësisht depon e ujit të mëparshme. Ndriçimi me gaz u fut në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1849 dhe sistemi ngrohës në vitin 1853. Midis viteve 1850-1853, filloi furnizimi me ujë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet sistemit hidraulik të instaluar gjatë këtyre viteve, dhe i lidhur direkt me sistemin ujor qendror të qytetit. Disa të dhëna të hershme pohojnë se ishte pikërisht Millard Fillmore, Presidenti i 13-të amerikan, i cili përdori për herë të parë sistemin hidraulik të brendshëm, koha kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë nga viti1850 deri në vitin 1853. Porse një artikull i vitit 1989-ë mbi sistemin hidraulik të Shtëpisë së Bardhë, botuar në revistën “Plumbing & Mechanical”, – shkruan se mund të ketë qenë, Lincoln Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili përdori për herë të parë dushin me rrjedhje uji dhe vaskën e parë, të cilat mendohet se janë instaluar gjatë presidencës së Lincoln.

Dhoma Blu

Në vitin 1877-ë, në administratën e Presidenti Rutherford B. Hayes, u instalua linja telefonike dhe aparati telefonik i parë në Shtëpinë e Bardhë, sinjali i të cilit vinte nga dhoma telegrafike e instaluar në rezidencën presidenciale. Presidenti Hayes e përqafoi teknologjinë e re, edhe pse rrallë merrte telefonata. Në fakt, Departamenti i Thesarit posedonte të vetmen linjë telefonike, veçse të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë në atë kohë.

Numri i telefonit të Shtëpisë së Bardhë ishte “1”. Kështu që shërbimi telefonik në të gjithë Amerikën i ka fillesat e tij në vitin 1877-ë. Vetëm një vit më vonë, shkëmbimi i parë telefonik u krye në Connecticut (Kenerike) dhe 50 vjet më pas do të ishte Presidenti Herbert Hoover që instaloi linjën e parë telefonike në tavolinën e Presidentit, pikërisht në Zyrën Ovale.

Zyra Ovale

Ndërsa energjia elektrike hyri për herë të parë, gjatë rezidencës së Presidentit, Benjamin Harrison. Në vitin 1902, gjatë administratës së Presidentit, Theodore Roosvelt, Shtëpia e Bardhë, iu nënshtrua një rinovimi pothuajse tërësor, nën drejtimin e firmës arkitekturale të njohur e kohës,- e McKim, Mead dhe White. Dhomave të katit të parë iu hoq plotësisht veshja viktoriane dhe iu kthye traditës se hershme të shekullit të 19-ë. Shkallët e mëdha u zhvendosën në korridorin hyrës, për të patur mundësinë të shkonin në kafeterinë shtetërore, që ndodhej në cepin jugperëndimor të ndërtesës.

Në vitin 1949, gjatë administratës së Presidentit Harry S. Truman, u konstatua se Shtëpia e Bardhë nuk ishte e përshtatshme dhe e sigurtë për të banuar aty.

Fasadat e mureve të jashtme ruajtën ngjyrën e bardhë, ndërsa struktura e brendshme e ndërtesës ndryshoi pothuajse tërësisht dhe u rindërtua me skelete, shtylla betoni e çeliku. Kujdes i madh u tregua për ruajtjen e punimeve origjinale prej druri, oxhaqet prej mermeri, dhe suvatë dekorative. Planimetria origjinale e bazamentit u ruajt me devocion. Po ashtu edhe njëra prej verandave, e njohur sot e kësaj dite si Ballkoni Truman, e ndërtuar në katin e dytë të portikut jugor. Qysh atëherë Ballkoni Truman është një nga verandat më të preferuara të familjeve presidenciale.

Ballkoni Truman

Vite më vonë, kur Presidenti John F. Kennedy dhe familja e tij hyri në Shtëpinë e Bardhë, bashkëshortja e tij, znj. Jacqueline Kennedy nisi restaurimin tërësor në brendësi të Shtëpisë së Bardhë, nga formatet origjinale të fundshekullit të 18-ë dhe ato të fillimshekullit të 19-ë, deri në shkëlqimin e sotëm të saj. Gjithashtu Znj. Kennedy ngriti një Komision të posaçëm arti, i përbërë nga specialistë të aftë e të talentuar dhe personalitete mjaft të njohura të kohës, në fushën e artit artikteturial dhe restaurimit të muzeumeve e veprave të artit, me qëllim për të drejtuar punimet e restaurimit KENNEDY-sikundër u quajt në atë kohë. Një komision i veçantë këshillimor dhe një komision i tablove, pikturave, peisazheve, dezanjimit dhe kompozimit të tyre forcuan më tej punën e komisionit qendror.

Para këtij restaurimi, nuk kishte pasur ndonjë përpjekje për të ruajtur ose për të përdorur orenditë antike dhe historike të Shtëpisë së Bardhë, dhe dhomat e katit të parë ishin të pajisura kryesisht me orendi të rigjeneruara. Shumica e sendeve të rëndësishme u gjetën të magazinuara në depot e Shtëpisë së Bardhë. Donatorë dashamirës ofruan relike të qëmotëshme të arteve dekorative dhe mobilje antike e të çmuara për krijimin e kabinetit presidencial.

Zonja Kennedy u ndje fort e ngazëllyer prej aktit filantropist dhe dashamirësisë të donatorëve, duke u shprehur se “çdo gjë e dhuruar në Shtëpinë e Bardhë, duhet të ketë një arsye për të qenë aty ku duhet”.

Më pas Presidenti Johnson ngriti Komisionin për Ruajtjen dhe Mirëmbajtjen e Shtëpisë së Bardhë, dhe departamentin e përhershëm përgjegjës për mirëmbajtjen e saj. Pajisje të tjera të mobilieve dhe tablove amerikane me vlerë u sollën në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Nixon-it, dhe dhomat kryesore të kateve të para dhe kateve tokësore u zbukuruan gjatë viteve të presidencës së Nixon-it.

Dhoma e kabinetit
Dhoma e Situatave

Pasi u shpërngul në rezidencën presidenciale në janar të vitit 1981-ë, bashkëshortja e Presidentit Ronald Regan, znj. Nancy Regan, mbikqyri rikonstruksionin e dhomave të katit të parë, të dytë dhe të disa projekteve të ruajtjes e mirëmbajtjes. Për publikun amerikan, rezidenca presidenciale është bërë rezidencë kombëtare, si edhe shtëpia e presidentit, apo thënë ndryshe të kreut të ekzekutivit. Sipas Presidentit Dwight d. Eisenhower: “Shtëpia e Bardhë ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë një vend që duhet të nderohet dhe respektohet jo vetëm nga banorët e saj, por edhe nga të gjithë amerikanët.”

Post-scriptum

Shtëpia e Bardhë ndodhet në 1600 Pennsylvania Avenue, N.W., në Uashington DC, dhe prej kohës që u ndërtua është pallati presidencial, që përkon edhe me kohën kur u akomodua Presidenti i Dytë i Amerikës, -John Adams. Pallati presidencial zotëron 7.3 hektarë, rrethuar me drurë të lartë dhe shekullorë.

Ballina kryesore e ndërtesës është 52 metra (170f.) e gjatë dhe 26 metra (85f.) e gjerë. Disa nga katet përdhese janë ndërtuar sipas stilit anglez, kjo për shkak të pjerrësisë së tokës, ndërsa dy pjesët anësore, i kanë rezistuar dhe i përkasin strukturës origjinale. Konstruksioni i krahut perëndimor u bë në vitin 1902, nën kujdesin e Kongresit Amerikan me një investim prej $65.196 (dollarë). Aty ndodhen Zyra Ovale presidenciale, dhoma e seancave, e quajtur ndryshe Roosevelt Room, Sekretaria dhe Dhoma e Senatit.

Dyert prej xhami të Zyrës së Presidentit hapen mbi dhe në drejtim të Rose Garden (Parku Rose). Kontruksioni i Pjesës Lindore u bë në vitin 1942, dhe në të ndodhen përveçse zyrave të sekretarive presidenciale, por edhe zyrat arkivore dhe depo magazinimi.

Jacqualine Kennedy Garden, (Parku Zhaklin Kennedy-i) është quajtur kështu nga bashkëshortja e Presidentit Lyndon B. Johnson, Znj. Claudia Alta “Lady Bird” Johnson, e cila ishte edhe pasardhësja e saj. Ky park i bukur ndodhet jashtë pjesës lindore dhe është përdorur nga Zonja e Parë si një park mikpritës, shëtitës dhe argëtues. Para viti 1902, kati e parë ka shërbyer si vendi e punës së presidentit.Aty gjendet biblioteka, e cila u riorganizua tërësisht në vitin 1962. Dhoma Muze e Shtëpisë së Bardhë “Vermeil Room, e cila quhet edhe Gold Room, për shkak të mureve të paneluara në ngjyrë ari dhe koleksionin e takëmeve të praruara prej ari dhe argjendi, lënë trashëgimi Shtëpisë së Bardhë në vitin 1956-ë nga zonja Margaret Thompson Biddle.

Perdet prej mëndafshi me sfondin në të gjelbrën e zbehtë, ku dalloheshin qartë fije ari të praruara dhe qëndisura nëpër to, dhe janë dizajne të hershme të shekullit të 19-të. Tapeti është Herek prodhim turk i qëmotshëm, rreth vitit 1860.

Në qendër të dhomës muze ndodhet një tavolinë antike –sofër- e stilit perandorak të shekullit të 19-të. Në tavanin e saj varet një shandan kristali me dhjetë degëzime, edhe ky i qëmotshëm, i prodhuar në Angli në vitin 1785.

Portrete të shtatë Zonjave të Para janë ekspozuar në Dhomën Muze të Shtëpisë së Bardhë, (Vermeil Room), dhomë që thirret gjithashtu edhe si; The Room of First Ladies!

Dhoma Roosevelt

Më pas vjen kabineti i pritjeve diplomatike, zyra e hartave, nga e cila Presidenti Franklin D. Roosevelt monitoronte ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse kati i parë është rinovuar shumë herë përgjatë viteve, dyshemeja nuk ka ndryshuar nga ana arkitektonike, që pasi Shtëpia e Bardhë u projektua nga John Hoban, në vitin 1792. Të gjitha dhomat e katit të parë janë të hapura për publikun amerikan, me përjashtim të dhomës së ngrënies, e cila përdoret vetëm nga banorët e Shtëpisë së Bardhë. Madje, East Room- Salla Lindore –e quajtur “Public Audience” (Audiencë Publike), ruan ende stilin klasik të shekullit të 19-ë. Por jo vetëm kaq, East Room përdoret për mbrëmje argëtuese, dasma, funerale, dhe aty bëhen edhe firmosje të kontratave ekonomike.

E veçanta historike e East Room, qëndron në faktin historik presidencial se në atë kabinet, presidenti Gerald Ford-it, mori atributet e një burri shteti dhe një figurë imponuese në histori, si një nënpresident dhe president, në një kohë kur Amerika po përballej, me luftën aspak popullore në Vietnam, Skandalin e Watergate-it, dhe Richard Nixonu largua pa mbaruar mandatin, i cili u zëvendësua prej G. Ford. Kati i dytë përfshin komplekse dhoma të ndryshme, që nga dhoma e çlodhjes, e argëtimit dhe kafeterisë të Zonjës së Parë. Po në katin e dytë ndodhet dhoma e gjumit e quajtur Lincoln, e cila më herët ka shërbyer edhe si Kabineti i Presidentit Lincoln, dhe Dhoma ngjitur me të,- gjatë administratës së John F. Kennedy-i, ka qenë ish zyra e Kabinetit Presidencial, nga ku janë pasqyruar shumë vendime të rëndësishme, të marra brenda saj. Kompleksi i apartamenteve të jetës private të Presidentit dhe Familjes së tij, gjenden në anën perëndimore të katit të dytë. Me rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 1952, u tregua kujdes i veçantë në ruajtjen e pjesës më të madhe të rinovuar në vitin 1902, megjithëse shumë prej orendive “barionale” u hoqën nga muret e lyer me të blertën celadon. Nga viti 1961 -1963 u bë një tjetër rinovim edhe më tej, u ndryshuan disa dhoma, duke i përafruar ato me atë të stilit perandorak dhe me orendi antike dhe klasike të periudhave të kahershme. Ndryshime dhe rinovime u bënë edhe në vitet 1970-të, 1980-të, 1998-të dhe 2015-të.

*Referuar “The New Lexicon Webster’s Encyclopedic Dictionary of the English Language.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *