Që kur korifenjtë e Vatrës ikën në botën tjetër, vendin e tyre në krye, nisën ta zinin ca njerëz bufonë, mendjeshterpë, pa asnjë kontribut në cështjen shqiptare. Ka vite e vite, që Vatra përjeton një realitet të stisur, falls, pa themel e pa agjenda pune.
Këta lloj drejtuesish, patriotë të thekur në diellin e Amerikës, në fakt, as nuk kanë prishur as nuk kanë ndrequr ndonjë punë. Kanë qenë të padobishëm, por edhe të padëmshëm. Ama kanë ditur të marrin poza kur janë ulur në krye te sofrës, por edhe kur janë rreshtuar për të dalë në fotografi nuk kanë pozuar keq. Ngase nuk kanë patur asnjëherë mendime vetiake, kanë folur me gjuhen e ish korifejve të Vatrës, që e kanë lënë me kohë këtë botë jallane. Sipas situatës e rrethanës, t’i hedhin mbi tavolinë si kartat e bixhozit këta korifej; njëherë një Nol, një herë tjetër një Konicë, e nganjëherë një Cekrez, Arshi Pipë apo ndonjë tjetër. Nje shpirt i mefshtë performance bajate, ka kohë, që jep e merr me prononcime e deklerata gjithëfarëshe krejt në tym, sepse tymi i ka mbuluar gjithandej, thjeshtë sepse nuk dinë cfarë bëjnë. Cfarë bëjnë? Bëjnë luftë të madhe kakofonike. Dënojne dhe perkrahin, denojne dhe përkrahin për gjithshka u dëgjojnë veshët. Thonë jemi antikomunistë, por bashkëpunojnë me komunistët. Thonë jemi për bashkimin e komunitetit, por luftojnë ta përcajnë atë. Thonë, që po e ndihmojnë komunitetin, por ndihmojnë njëri-tjetrin. Vatra është pronë e tyre, sepse Vatra për ta, është godina ku rrinë. “E kemi blerë vetë me paret tona. Askush nuk mund të na e marrë”. Kështu më pati thënë ish kryetari Agim Karagjozi, ndjesë pastë. Dhe kush blen godinën, ka blerë edhe historinë, kontributin, luftën, meritat, gjithshka. Kësisoj, kanë të drejtë edhe t’i shesin, meritat, luftën, historinë, t’i shesin krejt si të vetat. Dhe e kanë shitur. Ja dhanë Dritan Mishtos, birit të një krimineli të regjimit komunist. Po ua përmende nxehen, dëshpërohen, përvëlohen e shtrembërohen si zorra në prush. Se prushi është futur brenda. Eshtë futur për ta shkatërruar Vatrën, pë ta djegur e bërë hi.
Para do kohësh shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të studimit të krimeve që ka bërë regjimi komunnist, erdhi në USA. Qe ftuar për të marrë pjesë në një aktivitet letrar, qe njihet tashme si “Ditët e letërsisë në Detroit”; një aktivitet ky, i organizuar prej 16 vjetësh nga kryetari i Kuvendit, shkrimtari Pjetër Jaku. Meqenëse po vinte, bordi i këtij instituti, i ngarkon Tufës edhe një detyrë: të bënte një vizitë te Vatra për tu shpjeguar vatranëve fenomenin e kapjes së institucioneve të shtetit shqiptar nga ish kriminelë të regjimit komunist dhe pinjollët e tyre. Dhe më e vështira qe, se duhej tu kujtonte, që në krye të Vatrës, kishin zgjedhur të birin e Petraq Mishtos, një ish prokuror në regjimin diktatorial, i cili ka dënuar e marrë në qafë njerëz krejt të pafajshëm. Ne vajtëm te Vatra, por vetë kryetari Mishto, e parandjeu tërmetin dhe ia mbathi sic ia mbathin minjtë. Na pritën të tjerë, mes të cilëve, njerëz të respektuar. Sidomos Idriz Lamaj, që ka punuar për shumë vite si gazetar i “Zërit të Amerikës”. Lamaj është edhe një studjues skrupuloz dhe autor librash, ndaj u gëzova kur e pashë aty. Por ende më dhëmb veshi që më tërhoqi Zef Bala kur mori vesh qe bashkë me Agronin, kemi qenë në Detroit te Pjetër Jaku, për ditët e letërsisë. Se Zefi ka armiq të shumtë, mes të cilëve, më të rrezikshëm. nuk janë as grekët, as serbët, por shqiptarët! Agroni më pëlqeu në fjalën e tij. I matur, i qartë dhe i saktë në të gjitha sa tha aty, por nuk isha i sigurtë nëse u përthithen sa e si duhet, sepse atmosfera e krijuar, më la përshtypjen sikur Agroni, nuk foli me të pranishmit aty, por foli me të parët e Vatrës, ata korifejtë e gozhduar tashmë si portrete në mure. Agroni tha një të vërtetë të hidhur, që padyshim, duhet ta ketë dëshpëruar e ligështuar tejmase shpirtin e tyre.
Një ditë, më merr në telefon Zef Bala, anëtar i kryesisë së Vatrës. Ishte shumë i nervozuar. Kishte parë një shkrim të Agron Tufës, i cili, per shkak të një keqkuptimi të shkaktuar në listat e internetit, shpjegonte motivin që e shtyu të shkonte te Vatra. Zefi mu hakërrua aq keq sa shpërthiqi një lumë sharjesh në adresën time dhe të shkrimtarit Agron Tufa. Pra, Zefi shpërthiqi, nuk shpërtheu. Shpërthiqje, quhet zhurma që bën mekanizmi i shkrepjes, kur nuk kërcet pushka. Kësisoj shpetuam pa dam, nuk pati mes nesh as të vrarë, as të plagosur. U mundova ta qetësoja por nuk ishte e thënë. Më quajti bukëshkalë, njeri që ha bukën dhe përmbysi kupën, kurse Agroni, qe për të një… Nuk ma nxe goja ta them.
Do të ishte e pamoralshme nëse nuk do të shpjegoja këtu, që Zef Bala, më ka dhënë një ndihmesë të madhe duke sponsorizuar romanin tim “Bibollasit”. Aso kohe, qeshë i bindur që e bëri me shumë dashamirësi. Dhe unë, e falenderova me gjithë zemër. Madje, në një far mwnyre, edhe e nderova, sepse romani “Bibollasit” i sponsorizuar nga Zef Bala, fitoj cmim te pare kombëtar si romani me i mire i botuar ne vitin 2010. Dhe jo vetëm mua, Zefi ka ndihmuar financiarishtë dhe të tjerë, sidomos Vatrën, në të cilën aderon prej gati një jetë. Fjalët fyese në adresë të Agronit, unë ia fal Zefit, sepse Zefi, nuk e njeh atë. Nuk e njeh fare, fare… Sepse Zefi, për ta njohur, duhet të ketë ndenjur me të, e sidomos të lexojë. Por ai nuk lexon. I kam thënë edhe Agronit, që ta falë Zefin. Ta falë, sepse Zefi, e njeh Agronin përmes Alfons Grishës, një ish i dënuar si hajdut ordiner, e që edhe ky, është futur në Vatër si një cub, duke e ndricuar rrugën me një bishtuk të vjedhur demokracie. Dhe të mos dalë e të thotë që nuk është dënuar si hajdut ky Alfonsi, se pastaj ne do ia hapim krejt petët lakrorit.
Por mërzia ime rreh tjetërkund. Më trondit fakti, që Zef Bala, e paska sponsorizuar librin tim për të më marrë peng. Pra, më paska blerë, jo vetwm duke sponsorizuar librin, por edhe duke paguar mndonjëherë ndonjë kafe në ndonjë lokal të lagjes përreth. Dhe unë nuk e paskam ditur që jam shit te Zefi trup e shpirt, për një sponsorizim e per një kafe të paguar; qe Zefi, me paska future në xhepin e tij, madje te ai i vogli fare. Dhe që pas kësaj, unë nuk paskam të drejtë të shpreh as edhe një mendim vetiak, për t’i thënë atij dhe shokëve të tij, që në krye të Vatrës, kanë zgjedhur të birin e një krimineli. C’ti them? Le të bëjë llogarinë sa i kam borxh dhe t’i nis cekun. Se une, nuk ndjehem rehat në xhepin e Zefit.
Natyrishtë, askush nuk mund t’i ngarkojë në kurriz Dritanit krimet e babait. Por Dritani, e para, duhet të distancohet publikishtë nga krimet e të atit. Dhe e dyta, të mos gënjejë e mashtrojë as Vatrën, as komunitetin. Të mos thotë, sic ka thënë, që i ati i tij, nuk ka qenë prokuror, por njëfar kordinatori për të zgjidhur konfliktet mes kooperativave bujqësiore. Kësisoj, ai i hedh një velenxë në kokë të atit, që të mos e njohë askush, dhe gjithashtu, vë në dyshim inteligjencën tonë. Dhe as të mos gënjejë, që ka qenë anëtar i Vatrës prej më shumë se pesë vjetë, sic e parashikon statuti si normë për të garuar për postin e kryetarit. Dhe, nese mashtron, shantazhon dhe punon për qëllime të mbrapështa, atëherë ai është një cub, që ka marrë si detyrë të grabitë Vatrën. Tani, që iu hapën petët lakrorit, e na doli një dosje e tërë me vendime denimesh makabre që janë dhënë me kërkesën këmbëngulëse të të atit, Petraq Mishtos, vatranët duhet të mblidhen me urgjencë e ta shkarkojnë me ceremoni. Jo kryesia, që e shiti Vatrën, se ata se bëjnë. Por të mblidhen njerëzit në bazë, degët nga janë e s’janë. Ata që u mashtruan e u a ndynë idealin. T’i thonë Mishtos, që ka gënjyer e mashtruar për qëllime djallëzore. T’i kërkojnë falje gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të zgjedhin një tjetër, për ta patur shpirtin në paqe. Nëse nuk gjejnë përkrahje, le ta abandonojnë atë kryesi, të zgjedhin një tjetër dhe tu lënë atyre ndërtesën, që na e paskan blerë vetë. E dimë që Mishto vjen nga Partia demokratike e Tiranës, nga ajo parti nga e cila vij edhe unë, jo si konsull i emeruar nga tarafi, por si nje shpirt në kërkim të lirise. Por atje në PD, Dritani ka qenë trim me shumë shokë. Shokë të tij dhe të babait të tij, kriminel si ai. Në USA, të na falë, sepse ndryshon puna. Në mbyllje, po me vjen në mendje një rrëfenjë:
Një fshatari të varfër, i thotë gruaja, që të shkojë në pazar e të blejë një mëshqerrë. Donin ta rrisnin vetë, ta bënin lopë dhe të kandiseshin me qumështin dhe produktet e tij. Ky varfanjaku, vajti në Pazar. Aty i zunë sytë një mëshqerrë fort të mirë. I zoti i mëshqerrës, na paskesh qëlluar esnaf i madh. Qe shtrirë rrëzë një muri me qeleshen hedhur mbi sy, duke kaluar një fie bari nepër dhembe, në pritje të ndonjë blerësi.
– Sa e shet këtë mëshqerrë, o byrazer? – pyeti hallexhiu.
-Shikoje mire, – ia ktheu esnafi.
Tjetri e vështroi një copë herë mëshqerrën, pastaj u largua pa kuptuar asgjë. I ra rrotull gjithë pazarit, por si nuk gjeti tjetër meshqerrë të mirë si ajo, u kthye sërish.
-Sa e shet kete meshqerrë, bre byrazer, – pyeti për herë të dytë.
-Shikoje mirë, – ia pat sërish esnafi.
Varfaniaku ia nguli vështrimin mëshqerrës, kësaj here më gjatë. Pastaj ktheu shpinen dhe u largua. I ra prap cep më cep pazarit dhe ia behu aty për herë të tretë.
– Po fol, bre burazer, – u nxeh ai, – Sa e shet këtë mëshqerrë?
Esnafi pështyu fien e barit që mbante nëpër dhëmbë e jo pa kryeneqësi tha:
– Tridhjetëmijë lekë, o byrazer.
Tjetri nuk e zgjati. I dha paratë dhe mori mëshqerrën.
Kur u kthye në shtëpi, e lidhi mëshqerrën për një hunit në oborr. Doli gruaja dhe shumë e kënaqur, u afrua t’i prekte gjinjte meshqerrës… Por cuditërishtë, në vend të gjinjëve, dora i preku një palë tope! Tope, mor, tope! Marshalla, cfarë topesh!
– C’na bere more burrë?! U habit ajo. – Vajte te bleshë mëshqerrë e na sole një mëzat.
– Shife mirë, – mërmëriti nëpër dhëmbë burri i shkretë, sepse iu kujtuan fjalët që i kishte pas thënë ai esnafi.
– Të paftë vera e zezë, – ia ktheu ajo.
Dhe hyri në shtëpi gjithë nerva.
Tani, një thirrje e fundit: Vatranë, shifeni mirë atë që keni zgjedhë në krye…
New York, 29 Nenetor 2018