Gusht 2018, SHBA
U rrit jetime me prindër gjallë. I ati vinte nga një familje e njohur me tradita të larta patriotike. Si i ri me pikëpamje të djathta dhe familje e persekutuar politike Nikollë Malaj nuk pajtohej me rregjimin e kohës. Duke parë jetën në rrezik arratiset në vitin 1948 për në Jugosllavi, kaloi kufirin e për shumë vite nuk mundi të lidhej me familjen.
Marie e quajnë miken time, gëzimi i parë i familjes, ishte vetëm 3 vjeç kur e la i ati. Nanën Zorka dhe motrën Xhulianë ja internojnë në kampet e shfarrosjes Tepelenë, Berat, Lushnjë. Ditën që do ti internonin punonjësi i sigurimit i kishte thënë me përbuzje “Këtë lëre këtu, për Marien. Merr vetëm të voglën”.
Mes lotëve e dhimbjes Maria u rrit me hallën e babait. E vogla s’ pushonte së qari deri sa e merte gjumi në prehërin e ngrohtë të hallës. Vitet kalonin, Maria e vogël u rrit e asnjë lajm nga prindërit e saj. Kur u bë 10 vjeç drejtoria e kampit të internimit në Tepelenë i dha leje të ëmës për të parë të bijën e për ta marrë me vete në internim. Por ajo nuk mund të shkonte. Halla tashmë kishte humbur shikimin e kishte nevojë për kujdesin e Maries.
Shpirti i vogëlushes u nda përsëri në dysh, edhe pse me dhimbje në zemër për të qëndruar sërisht pranë nënës, halli bëri që ti qëndronte afër hallës së verbuar. Dimër, skamje, mall e shpresë se një ditë do të shikonte për së gjalli nënë, babë e motër. Drama nga më të ndryshmet ka përjetuar populli ynë, ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që ju kundërvu diktaturës komuniste. Një prej këtyre ngjarjeve të trishtueshme është edhe jeta e Marie Rezës, zonjës së nderuar e fisnike nga Vermoshi i Shqipërisë tonë të dashur.
Dikur filluan ti afroheshin edhe raste për martesë, por Maria kishte një kusht. Tek dera e burrit do të shkonte sëbashku me hallën tashmë të moshuar, e shikim të humbur. Ashtu u bë, tek shtëpia e bashkëshortit Gjergj Rezaj jetuan edhe me hallën e të atit. Familja u shtua me djalë, Anxhel e quajtën. Sapo i vogli mbushi 5 vite, halla që ajo e donte aq shumë mbylli sytë njëherë e përgjithmonë, vdekje që e lëndoi shumë Marien. Halla për atë ishte nënë, babë e motër, e ruante kujtimet më të dhimbshme të jetës së saj. Më pas në familjen e re erdhën në jetë edhe dy sokola të tjerë Gjoni dhe Petriti.
Duke qenë se familja Maries dhe Gjergjit ishin të prekura politikisht bënë që me djemtë 9, 6 dhe 2 vjeç dhe nanën e Gjergjit, Agen, dhjetorin e vitit 1975 të lenë atdheun e të marrin rrugën e kurbetit. Kaluan shumë peripeci, ju desh të ecnin më këmbë e zbathur edhe në akull, pas 13 orësh arritën postën matanë kufirit. FIllimisht i hapi derën një familje e panjohur serbe, që i ndihmoi disi me veshje dhe ushqime. Kaluan disa muaj në Potgoricë, aty Maria pati rast të takohet me të atin që e la shumë të vogël kur u arratis. Përsëri lot, dëshpërim në zemrat e njëri tjetrit, ndërkohë që e ëma dhe motra vuanin dënimin si të internuara politike në kampet e përqëndrimit shqiptar. Destinacioni e qëllimi i Maries, bashkëshortit, djemve e vjehrrës së moshuar ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Endrra u realizua. Pas disa muajsh në Jugosllavi, ilegalisht kalojnë në kampin e refugjatëve në Trieste. Ambasada Amerikane në Romë i njeh menjëherë Statusin e Azilantit Politik dhe të gjithë, shoqëruar edhe nga i ati Maries në korrik të vitit 1976 nisen me avion drejt SHBA, ku Maria jeton edhe sot me tre djemtë e saj të rritur. I shoqi, Gjergji sëmuret rëndë e ndahet nga jeta në një moshë tepër të re.
Megjithëse shumë e re Maria arriti të rrisë dhe edukojë tre fëmijët e saj, të cilët janë bërë zot të vetes e familjeve të tyre. Djali i mesëm Gjoni është aktor dhe kineast, ka realizuar tre filma, i fundit titullohet “Albanian Gangster”. Gjatë vizitës në banesën e Maries përveç kunatës së saj Lezes dhe Gjonit, pata rast të takoj edhe mikun e Gjonit, producentin hollivudian Matthew A. Brown. Sipas Gjonit dhe Matthews filmi “Albanian Gangster” do të shfaqet së shpejti në kinematë shqiptare Shqipëri dhe Kosovë.
E ëma dhe e motra arritën ta vizitojnë Marien në Amerikë, e motra Xhuliana, e cila ishte martuar në kampin famëkeq të Tepelenës me të persekutuarin politik, shkrimtarin e njohur Lek Pervizi, të birin e gjeneral Preng Pervizi, kanë disa vite që jetojnë në Belgjikë. Më kujtohet se në vitin 1998, kohë kur unë bashkëpunoja në Shqipëri me Shoqatën e Gruas ish të Persekutuar Politike në një veprimtari kushtur figurës ish të burgosur politike Marta Doda, u njoha edhe me Xhuliana Malaj Pervizi, Xhuliana ishte e ftuara jonë e nderit. Të pranishme ishin gjithashtu ish të burgosurat politike Frida Satedini e bija e Marta Dodës, Marie Dvorani, Fatime Dega, italiania Jolanda Tahmizi e të tjera, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja akredituar në Shqipëri (pasqyruar si më poshtë në foto).
Jeta e vështirë plot vuajtje, halle nuk la që prindërit e Maries të jetonin gjatë. Maria jeton në New York me djemtë, nipër e mbesa të familjes, mirëpret njerëzit që e duan dhe e respektojnë për sakrificat e saj në jetë. Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri ish Presidenti Sali Berisha ka dekoruar vjehrrin e saj Nikë Mark Rezaj me Medaljen “Martir i Demokracisë” të cilin komunistët pas torturash në burgun e Koplikut në vitin 1948 e vrasin dhe e zhdukin të gjallë, as eshtrat nuk i dihen.
Qofsh e lumtur mikja ime Marie Rezaj, jetë të gjatë e kujtime të bukura të uroj, Mimoza.