BUSTI I SKËNDERBEUT, NË KRAHËT E GJALLICËS ( Reportazh )

NDUE  DEDAJ

Rasti e solli të ishim këto ditë në Kukës së bashku me Ipeshkvin e Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta. Dhe s’mund të ktheheshim pa ndaluar për një fotografi aty, te IMZOTI ynë i madh, GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU. Shumë gjera mund të harrohen këtë Vit, por jo përnderimi për gjeninë e Tij. Për më tepër ky bust ka një histori të pazakontë, ka “mundur” radhazi dy monarkët e Shqipërisë të shekullit XX, më 1939 Ahmet Zogun e më 1990 Enver Hoxhën…
*
I pari bust që do të vihej në Kukësin e ri, dyzet vite më parë, më 1978, kur niste jetën ky qytet verilindor, ishte ai i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i mbartur nga Kukësi i vjetër, që po përmbytej pa heroizëm, për t’i hapur udhë liqenit përrallor të hidrocentralit të Fierzës, që do të përmbytte dhe Urën e Vezirit, një nyje kryesore e udhëve drejt Kosovës. Kurse i fundit bust që sapo është vendosur në Kukës është ai mësuesit dhe poetit disident Havzi Nela nga fshati Kollovoz, një akt më shumë nderimi që qyteti i vet i bën njeriut që diktatura e flijoi verbërisht në ditët e mbrame të saj. Të krijohet ndjesia se ka diçka të ngjashme mes shuarjes së Kukësit të vjetër dhe poetit Nela, i pari “bie” për dritën, i dyti për lirinë e fjalës, ndërgjegjës, që kurrë më parë nuk u kishte munguar këtyre maleve epike, që jo rastësisht kishin mbrujtur brenda gjenisë së tyre kanunet shqiptare. Janë njerëzit e penës të Kukësit që e kanë ringritur së pari Havziun, librat e shkruar nga Petrit Palushi, qasjet dhe publikimet e ndryshme rreth figurës së tij nga Shefqet Hoxha, Bajazit Cahani, Izet Duraku, Myftar Gjana, Rexhep Shahu, Sulejman Dida, Bashkim Shala etj. (Duhet thënë se sa herë që flitet për krijuesit e kësaj treve është gjithnjë aty mes tyre, si një frymë, fshehur pas metaforave dhe gjetheve, poeti i talentuar Agim Spahiu, që “pikëllimën” e shpirtit të tij në kohëra të trazuara e ktheu në art poetik.) Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit të Kukësit kishin kohë që ia kishin marrë emrin për shkollën e tyre poetit martir, kurse skulptori Hilmi Hoxha ua solli atyre në bronz.
Shkrimtari Petrit Palushi është jo vetëm një mik i çmuar, po dhe një “stacion” ku duhet të ndalosh patjetër, nëse ke për të folur për librat dhe më gjerë kulturën e këtij qyteti. Ashtu si lumjanët e motit, ai na rrëfen historinë e bustit të Skënderbeut në këtë vend. Ti mund të habitesh se si një bust mund të ketë një histori intriguese, sui generis, aq më tepër ai i Heroit Kombëtar, por ja që kështu është. Për herë të parë busti i Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit Odhise Paskali, është vendosur në Kukësin e vjetër me 28 Nandor 1939. Siç dihet në atë kohë në fuqi ishin pushtuesit italianë, që vrik e vrik kishin hequr nga froni shtatoren e Ahmet Zogut, vënë aty me 1932, për ta zëvendësuar me Skënderbeun në bronz. Qëllimisht busti i ri ishte vënë në atë mënyrë që të shihte nga Kosova. Heroi ynë dhe në këtë rast nuk i kishte shpëtuar politikës. Ashtusoj, “shpëtimtarët” iu thoshin shqiptarëve: “Po ua heqim këtë mbretin e fundit (që na ka bezdisur edhe ne matanë Adriatikut!) dhe po vëmë në vend të tij këtë tjetrin, heroin tuaj kombëtar, rreth të cilit jeni të përbashkuar të gjithë. Pse jo, edhe ne bashkë me ju!” Prekja në ndjenjat kombëtare, e shqiptarëve, në atë kohë ishte një taktikë e italianëve të veshur me shpatat e Liktorit, që të njëjtën gjë do të bënin dhe në Romë me 1940, duke vënë dhe atje në qendër të qytetit po bustin e Skënderbeut. Kishte një rendje asokohe pas Skënderbeut dhe shëmbëlltyrës së tij. Siç është vënë në dukje nga studiuesit, emri i tij do të ishte si në emblemat e formacioneve partizane, ashtu dhe atyre nacionaliste.
Nuk mund të kalonin pa një “gjest” miradije ndaj “Skënderbeut” të Kukësit as pushtetarët e rinj, fitues të Luftës II Botërore. Ata thjeshtë do t’i vinin shqiponjës së piedestalit yllin e kuq përsipër, por kjo zgjati vetëm dhjetë vite, pasi u kujtuan se Skënderbeu nuk kishte qenë si Marksi e Lenini, komunist. Gjithsesi Në Kukësin e vjetër busti qendroi gjatë, në një lulishte të bukur pranë godinës së Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Edhe pse diku më tej ishte edhe busti i udhëheqësit të “kohës së re”, njerëzit më së shumti bënin fotografi me Skënderbeun.
Por nuk do të mbaronte këtu historia e këtij busti. Me 1962 ishte marrë vendimi për përmbytjen e Kukësit të vjetër dhe kështu, 16 vite më pas, qytetin e kredhur në ujërat e dy Drinave do ta linte dhe busti i Heroit Kombëtar. Doemos që ishte pasur kujdes në shpërnguljen e tij. Fundja qyteti i vjetër që po shuhej nuk kishte pasur banka, gjela floriri apo lingota ari, “ari” i tij kishte qenë kujtesa e kuksianëve dhe ky bust që ishte konvertuar nga mbreti i fundit në mbretin e parë të shqiptarëve. Por, në qytetin e ri, lartësuar në një pllajë të bukur që më parë kishte qenë plot me lisa bunge, çuditërisht Skënderbeu u vendos në afërsi të fushës së sportit, mbi një bazament të thjeshtë, jo dhe aq në qendër, siç do të kishte hije, çka nuk i kishte pëlqyer Odhise Paskalit, i cili kishte ardhur enkas nga Tirana për ta parë “fëmijën” e tij, e që sot e kësaj dite, në mungesë të tij, vjen e bija. Tashmë qendrën e kishte zënë “dielli” i ri i Shqipërisë, Enver Hoxha, busti i të cilit ishte kudo, në sheshet e qyteteve, podiumet e kongreseve të Partisë, zyrat e shtetit dhe odat e shtëpive tona. Ndonjëherë patëm “gabuar” duke i vënë pranë Mehmet Shehun, por ky duel i heshtur mes tyre mori fund me (vetë)vrasjen e ish-Kryeministrit në fillim të viteve ’80, duke ia lënë gjithë ballin e murit atij dhe vetëm atij, “mbretit” të ri të Shqipërisë, që mbante mbi supe spaletat e komunizmit, draprin e çekanin.
“Skënderbeu” do të triumfonte dhe njëherë në Kukës në vitin 1991. Me rrëzimin e Enverit nga pidestali, në Tiranë, Gjirokastër etj., ai do të hiqej dhe nga lulishtja qendrore e Kukësit dhe do të mbartej për aty busti i Kastriotit të Madh. Kishte spostuar kështu radhazi Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, dy nga tre kryeshtetarët e shekullit XX, duke mbetur i palëkundur në piedestalin e tij vetëm Ismail Qemali. Kurse ai bazamneti i parë, atje në Kukësin e vjetër, do të shfaqej si relike sa herë Drini shndërrohej në një përrua të thatë dhe liqeni i tij përpihej nga thatësira, deri sa të binte shi i dendur, për ditë të tëra, që ta mbushte nga e para liqenin gjysmë-alipin. Këto raste kishin një të mirë, ngazëllenin nostalgjikët që do të kishin dashur fort (çka ishte e pamundur) që ai piedestal i 1932-it të mbartej në qytetin e ri, ngaqë me të lidheshin dhe kryqëzoheshin imazhet e së shkuarës, një herë kur ai kishte qenë i Mbretit Zog e pastaj i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Por as lëvizja e tij e 91-it nuk kishte qenë hera e fundit e bustit të vogël me emër të madh. Në vitin 2017 do të rikonstruktohej dhe sheshi “Skënderbe” i Kukësit, në kuadrin e projektit qeveritar të rikualifikimit urban. Të gjitha gjërat e tjera shkuan shpejt në vend, por njerëzve iu duk se po vonohej të vihej busti, duke e bërë dhe problem mediatik. Na shkruanin dhe neve nga Kosova miqtë tanë jo pa merak. Rrahëm sipas zakonit telefonin drejt Kukësit, ç’po ndodhte me bustin e Skënderbeut? Por ishte veçse çështje kohe, sa të bëhej bazamenti i ri. Tani busti është përfundimisht në vendin e vet, nën dritën e pashuar të Gjallicës hirëplote.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *