ZEFI, 77 vjeç, nderroi jete duke punuar

Gjergj Marku

 

(Personazhi me i veçante e i mrekullueshem ne jeten time publicistike, Zefi i Fangut, punetor dhe mjeshter i jashtezakonshem qe nuk i kishte duart, por punonte shume me mire dhe me imte se ata qe mund te kene “kater duar”, krejt papritur nderroi jete ne moshen 77 vjecare teksa po punonte ne mjediset e jashtme te shtepise se tij ne Fang. Nuk dua te permend ngushellim per kete njeri unik, se nuk ia vlen nje kortezi sa per te kaluar rradhen, por po sjelle shkrimin qe kam bere para 12 viteve ne gazeten SHEKULLI)

*******************

USTAJ që bën mrekulli edhe pse nuk i ka duart

 

MIRDITË. Të mos kesh asnjërën prej duarve; të jenë koracuar thjeshtë në dy “nogja” ato, por të mos e ndjesh mungesën e tyre në tërë punët që i duhen një bujku a ustaj dhe për më tepër të mos të pushojnë ato pra, “duart”, duket si diçka e pabesueshme nëse dikush ta rrëfen personazhin. Quhet Zef P. Marku, 65 vjeç, banon në fshatin Fang të Rubikut.
Nëse troket tek shtëpia e tij, një dykatëshe me çardak, punime këto kryera të tëra vetë, që tek qoshet e mureve, daltimet, suvatimet e jashtme dhe të brendshme e deri tek ornamentimet nëpër tovalina e pajisje të tjera, është pak si e vështirë ta gjesh të ulur ndanë oxhakut apo duke luajtur tespijet. Vetëm punë, tërë ditën e ditës bën ky njeri, të rrëfejnë të afërmit. Dhe në fakt atje e gjejmë me një karrocë ku mbledh lyzhdrën e një kanali për ta pastruar atë. Pastaj tek ara në punime të tokës me kazëm a procese të tjera. Kur të thonë se po bën këto punë është pak si e pabesueshme, sepse lopata, kazma është vështirë të mbahen pa duar, apo karroca, por ai është mësuar tashmë, mjetet e punës i përshtat për “nogjat” e që tashmë i zëvëndësojnë mrekullisht pëllëmbën dhe gishtat, dhe punën e bën me shumë rendiment.

 

Historia e dëmtimit fizik

 

Nuk ka aspak dëshirë të futet thellë në historinë e dëmtimit të tij, sepse asnjëherë nuk e ka ngacmuar ai imazh, madje duke qenë fare i vogël, nuk para e kujton atë gjë, dhe gjithçka i duket si një mungesë fizike e natyrshme. Ka qenë fare i vogël, 9 muajsh, kur i lidhur në djep është sulmuar nga një kafshë shtëpiake, e cila ia ka këputur të dy duart duke e lënë sakat për tërë jetën, por falë Zotit, më ka shpëtuar jeta, thotë ai. Pasi u rrita e ndjeva mungesën e duarve, por nuk më shqetësonte dhe aq, kam qenë shumë i lëvizshëm, dhe merakli për ustallëk. Kisha babain një usta të dëgjuar, atij ia “vidhja” sqeparin e vegla të tjera që të mjeshtëroja me to. Edhe pse babai gjithnjë i vinte ato në hatullat e shtëpisë atje ku të mos i kapja dot, sepse kishte frikë mos pritesha dhe pësoja ndonjë dëmtim tjetër, por unë ngjitesha dhe atje i i merrja.
Pasi rritet dhe “burrnoret”, nuk i ndahet ustallëkut, punonte me sqepar a sopatë, priste dërrasë, i zdrukthonte, i latonte dhe i kthente në mobile. Ka një raft të tërë me të tëra veglat e ustait e të marangozit nga imtësirat e deri tek sharrat etj. Të gjitha i përdor për mrekulli, edhe zdrukthin, edhe sharrën, edhe daltën, çekiçin a tjetër. Dhe për të lehtësuar goditjen, veglave u ka sajuar nga një mjet ndihmës me rripa të cilat i fut në nogjat e duarve të munguara, dhe godet mbi daltë a mjet tjetër për të kryer punën në përsosmëri.

 

Kur u martova…

 

Gjela, gruaja e tij, është pak vite më e vogël, por asnjëherë nuk është ankuar për këtë martesë. “Qëkur u fejova me mblesëri e dija se burri im ishte pa duar, por kurrë nuk thashë se nuk dua ta marr atë burrë, më kishin folur se është punëtor i pazakontë dhe me “trabjat” të mirë. Por edhe sikur të kundërshtroja kohët ishin të tjera dhe nuk mund ta ktheja këtë gjë. Por kur u martuam, lindëm, fëmijë, dhe u bëmë shtëpi gjindjeje, pashë tek bashkëshorti im njeriun e duhur për të kaluar jetën, si një dhurata nga perëndia. Kurrë nuk e kemi shkëmgbyer një fjalë për keq. Më është gjendur në ditët më të vështiora, edhe kur na humbi vajza 24 vjecare nga një sëmundje e rëndë, por edhe kur na mungonte buka për fëmijët. Punonte sa nuk i dilte shpirti, me shkem, një bimë medicinave, duke korrur me korrëse të modifikuar nga ai vetë në duart e munguara të tij, i kemi rritur fëmijët dhe kemi vënë atë pak katandi që duhej. Asnjëherë nuk më ka bërë përshtypje fakti se ai nuk i kishte duar, biles kur punon atij nuk i duket kjo gjë fare, punon krejt normalisht dhe është shumë sistematik.
Duke vazhduar rrëfimin për bashkëshortin e saj, Gjela thotë se duart e tij nuk rrijnë asnjëherë dhe çdo gjë e ka vënë në vijë këtu tek shtëpia, ndërkohë që ka disa muaj që në tetorin e vitit të kaluar, burrë e grua i janë bashkëngjitur djalit të tyre në Itali. Por dhe atje Zefit nuk i rrihet, “nuk mund ta vdes veten duke ndenjur pa punë”, thotë ai, ndaj çdo ditë merr thesin dhe i vihet malit ku punon djali duke prerë e mbledhur dru zjarri, kështu ata gjatë dimrit të kaluar nuk kanë blerë as dhe një racion dru.
Ka ardhur në Shqipëri para pak ditësh, në valikën e punëve të pranverës. Kur e takojmë në arë na tregon tërë punët e bëra nga duart e tij të cungëta. Arat e tij gjinden ndanë lumit Fan, i cili në dimër përplaset fuqishëm me tokat e fshatit, madje duke ua rrëbmbyer ato pjesë-pjesë. Por këtë “inat” nuk e ka hëngër më tej me Zefin, sepse ai ka mbjellë shelgje, ka bërë një gardh me shqopa dhe ka grumbulluar dhera të imtë për tre muaj rresht duke përfituar disa dynym tokë, ku sot shihen tek lulëzojnë hardhi e pemë të tjera, apo jonxha në arë e bimë të tjera.
Më sipër shihet një pus i punuar nga dora e tij, nxjerr ujë të pijshëm dhe për vaditje, ujin e ka futur në çdo dhomë të shtëpisë. Ndërsa pak më tutje janë vozat e mëdhenj të rrushit që pret të bëhet raki, dru të prera nga ai vetë lart në mal dhe të sajuara për dy dimra, vilakë për tana rrushi të marra në krah nga ai plot dy orë larg nga shtëpia e gjëra të tjera të cilat i ka punuar dora e Zefit.

 

Djepat, pasioni për stilizime

 

Është e pabesueshme puna e imtë që ai bën mbi dru. Përgjithësisht dërrasën e nxjerr vetë në mal, e sjellë e pret me kujdes në sharrën që e ka vënë aty në oborr, e laton dhe e rregullon mirë e bukur dhe më pastaj i jep formën e objektit. Djepat i ka pasion të veçantë. E dua shumë këtë prodhim thotë ai, sepse më kanë mbajtur me bukë në ditën më të zezë, por mundohem të derdh tërë talentin tim në këtë lloj punimi. Dhe duket se talenti është në cakun e një skulptori të mirëfilltë. Në fakt qe e pamundur të gjenim ndonjë djep fëmijësh të bërë nga “duart e mistershme” të Zefit, pasi ato ishin porositur e marrë me kohë, gjithsesi na tregon një tavolinë të vogël kënd shtëpie, që është punuar me aq finesë e mjeshtëri. Ka përdorur aty intuitën, por dhe matjet e sakta, që nga trekëndori, kompasi, raportor, punën me thikë e mjete të tjera e deri llakosjen në fund. Për t’u patur zili edhe nga punishte moderne.
Duke kaluar nëpër oborrin e shtëpisë, gjithandej sheh mjete te Zefit, këtij mjeshtri duarartë, nëse e quajmë kështu, që tek prefëset e thikave dhe sharrave, vegla për marangoz, e murator, për të zierë rakinë, apo gjëra të tjera artizanale. Ndërsa në një qosh rri vegla e çuditshme që vihej në parakrah kur korrej shkemi, një relike vërtetë për t’u vënë në muze, ky është dhe profesioni më i vështirë për t’u bërë, por ai e ka bërë dhe këtë gjë për t’ua mbajtur barkun me bukë fëmijëve.
Sa për shërbimet personale ditore, thotë se gjithçka e bëj vetë, çdo mëngjes rruhet me “nogjat” e tij, lahet, shpëlahet, pi kafenë dhe një gotë raki dhe është gati për të rinisur avazin e përditshëm, punën sa në një vend në tjetrin. Nuk e tregon moshën dhe duket se kjo e ka mbajtur të tillë. E pyet se dhe sa kohë do të punojë kështu, ai përgjigjet “tërë jetën”, ndërsa bëhet gati për udhë, dikush e ka kërkuar për ustallëk në një fshat të Milotit, dhe ai merr çantën e veglave, biçikletën 28-she kineze, dhe niset, pa e kuptuar askush se në timonin e saj ndodhen jo dy duar të zakonshme, por dy “cunga”, që bëjnë punë të jashtëzakonshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *