KLEJDA PLANGARICA – BUKUROSHJA E (pa)FJETUR…

KLEJDA PLANGARICA – BUKUROSHJA E (pa)FJETUR…
(bijë e qytetit tonë të bekuar –Elbasan, poetja me zërin e kohës prej vargut të shpirtit të saj).
-fragment-

Ajo nuk ka “fjetur, madje as e përgjumur nuk është në hapat e saj të sigurt drejt rritjes së saj inteletuale. Jemi ne që kemi fjetur , apo i kemi pasur sytë mbyllur edhe zgjuar, për të thënë dy fjalë të duhura për Klejdën tonë. Sikur vetëm atë kemi harruar… Gjithmonë harrojmë dikë që nuk duhet harruar…

Dëshpërimisht e lumtur sonte!
I huaj ky shtrat,
ku ngjizet dëshira-dhimbje,
e ku prushitet mbarim-fillimi i dashurisë.
I pari shtrat për ne.
Pafundësisht i fundit…
E vetmja fushë-betejë e paqes,
ku duhemi duke u vrarë,
ku vritemi për t’u dashur…
Dëshpërimisht, e lumtur sonte!
Fshehur në terr, më mungon
hëna e vështrimit tënd.
I pari shtrat për ne,
I përgjithmonshmi…
Ti po më çmend!
(Dëshira –dhimbje)

Klejda, lidhur ngushtë me qytetin e saj të lindjes, e të rinisë së saj Elbasan, pasionin për artin dhe letërsinë e reflektoi që në fëmijëri, duke studiuar për disa vjet për violinë në Shkollën Artistike “Onufri”, ndërkohë që përfundoi studimet universitare në degën Gjuhë-Letërsi pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Prej moshës 17 – vjeçare Bukuroshja jonë e mençur shfaqej po aq bukurisht në ekranin e televizionit, jo thjesht për t’u parë nga teleshikuesit, por edhe si gazetare profesioniste dhe drejtuese e programeve të ndryshme televizive,për vite me rradhë, fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë ku edhe jeton aktualisht.

Poezia në jetën e KLEJDËS

Klejda ka filluar të shkruajë poezitë e para që në moshën 7 vjeçare, një pjesë prej të cilave janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme ndër vite. Në vitin 2012 vendosi të publikojë vëllimin e saj të parë me poezi të titulluar “Dritëzim ikjesh”. Poezia me siguri , i ka zbukuruar jo vetëm pamjen por edhe shpirtin. E “fshehur” pas “kuintave” , me një modesti , virtyt i rrallë në ditët e sotme, ajo e zbukuroi më shumë karrierën e saj, ndërsa poezinë e bëri vello transparente, për ta lexuar sot e përgjithmonë të gjithë ne që nuk ia kishim lexuar më parë.

* * *
Ajo që më ngacmon tek ti:
-Je ti
Pa koracën tënde.
Tunikën e fshehtë që të mbështjell
kur unë fundosem në limitin e ikjeve.
-Je ti
Pa tufanin e çmendur të zërave,
Piskamën e tyre të frikshme
kur më përplaset kaçurrelave.
-Je ti
Me hënën në krah në papafingon time,
Ku natës kyç gojët e zërave
dhe zhvesh paqësisht tunikën.

Ajo që më ngacmon tek ti:
-Je ti
Në një shtrat bosh..!

Klejda Plangarica, Bukuroshja e (pa) Fjetur, pas shkëputjes nga televizioni, vijon pasionin e saj për letërsinë nëpërmjet shkrimeve të ndryshme në revista dhe punës si redaktore letrare e pavarur. Në jetëshkrimin e saj, përveç gazetarisë, zënë një vend të veçantë edhe profesionet: Specialiste për Marrëdhëniet me Median e Publikun dhe Specialiste e Barazisë Gjinore dhe Diversitetit, fusha në të cilat është angazhuar gjatë viteve të fundit …
…por poezia, ah, poezia nuk e le të vetme , në asnjë profesion, se poezia, është si Dashuria për jetën…, të shoqëron me frymë deri në fund të frymës…

Refuzoj të marr frymë pa dashuruar!
Verbërisë i jepem peng
Po qe se s’kam sy të puth…

I falem pa kushte heshtjes
Po qe se ndalen hapat e tij pas dere
Po qe se pritja mbetet pa emër
Kjo botë le të jetë e shurdhër…

Po qe se nata regëtin pa puthje
Po qe se prekja s’më drithëron në ëndërr,
as në shtrat,
I falem tokës, i falem territ.
Po qe se jam një trup pa përqafim
Refuzoj të jem gjallë…
( Po qe se…)

Iliriana Sulkuqi (gjatë përgatitjes së antologjisë me zërat femërore të qytetit tim –Elbasan)
Brooklyn, 29 maj, 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *