TË SHKRUARIT, SI NJË LUTJE

Romani “Profeti nga Praga” i Musa Ramadanit

 

NDUE DEDAJ

 

      Romani “Profeti nga Praga” i shkrimtarit Musa Ramadani, botim i “Mapo Editions”, fitues i Çmimit “Kadare” për vitin 2017, është një prurje origjinale që dëshmon se jo vetëm Kadare, por dhe shkrimtarë të tjerë shqiptarë mund të ngrihen në nivelin e sivëllezërve të tyre europianë, nga pjekuria dhe zhdërvjelltësia artistike, ku në rastin e këtij autori “shqiptare” është veçse pasaporta e tij.

Romani nis me një parakaptinë, që nënkupton lajm, shpallje, ftesë. “Në periferinë pyjore vjeneze, në Kierling, dje, me tre qershor, ka humbur për të fundit herë Franz Kafka… ( i cili) mban veshur kostum të zi, këpucë të zeza, barsolinë të zezë”. Dikush thotë se “po zhvillohet një proces unikal kundër tij dhe personazheve të veprave të tij”. Njoftimi përfundon me fjalët: “Është adhurues i luleve, peshqve dhe femrave”. Çdo humbje njeriu shoqërohet me enigmën, kurse ajo e një shkrimtari si Kafka dhe me hamendje të shumta. Por në atë njoftim vdekjeje nuk bëhet asnjë lloj aludimi për një ringjallje të mundshme të shkrimtarit, mbase ngaqë ringjallja nuk mund të ndodhë në tokë, aq më tëpër që ai kishte qenë si të gjithë të gjallët një mekatar dhe jo një krijesë e papërlyer. Bile mëkati i tij kishte qenë i hatashëm, ai kishte lënë porosi, testament, amanet që vepra e tij në dorëshkrim të ekzkutohej me djegie pa u lexuar, një inkuzicion modern që vetë shkrimtari ia kishte caktuar trashegimisë së tij letrare. Ai zjarr do të kishte qenë vdekja e njëmendtë e Franz Kafkës (Gjeniut Anonim) dhe shpëtimi i tij nga përjetësia. Por mrekullia (artistike) ka ndodhur, një shkrimtar shqiptar nga Kosova, në stil modern, mes ireales, ia ka dalë ta ngjallë shkrimtarin e pazakontë, veç jo në vendin ku ka humbur dhe jo në kohën e tij. Arti e ka gjithnjë këtë fuqi, të ringjallë epoka, ngjarje, personazhe, gjera të ndodhura e të pandodhura. Ndaj fill pas së parës, vjen kronika e dytë, si të mos ketë kurrëfarë distance kohore mes tyre: “Pragë. Viti 1965. Shkrimtari hebre – gjerman – çek Franc Kafka, pas plot 41vitesh nga humbja, në 82-vjetorin e ngjizjes, krejt befas rrëshqet në vendlindjen e tij”. Fundja ky është lajmi. Pa këtë romani nuk do të ishte. Edhe pse Kafka nuk do të bëhej kurrë plak dhe në atë riardhje nuk do të ishte një 82-vjeçar, aq sa ç’duhej të ishte poqese do të rronte, megjithatë autori shënon hollësinë se ai është “me bastun në dorë”. Rikthehet si një fantazmë që shëtit në rrugët e parqet e qytetit. “Ashtu si dikur, para disa dekadash. Truphollak, fytyrëthatim, shikim zhbirues. Me rroba të zeza, këmishë bardhemë e barsolino të zezë”. Kërkon qoshet dhe skutat e vjetra të kujtimeve, të dashurat e tij të dikurshme, “flet” me secilën nga ato, por asnjëra nuk është më ajo, bile as motra e vogël, Olta dhe as nëna e tij. I shëmbëllehen, por nuk janë. Dhe s’kanë si të jenë. Romani është trill artistik, fikshën dhe në një vepër letrare moderne ky është indi përpajnues. Është merita e romancierit Ramadani që e ka sjellë në një kontekst të ri Franc Kafkën, përmes një fabule të pazakontë dhe stili konçiz, të një “dialogu” befasues dramatik mes tij dhe personazheve që ritakon.

Kafka vihet në kërkim e sipër të adresave të veta të dikurshme, vendit ku rrinte gjithmonë, shtëpisë së lindjes, ku përmes “fanitjeve fëmërore” i shfaqen fantazmat e aktorevë të rinisë së tij, ish – të dashurat Felice Bauer, Greta Bloch, Milena Jasenka, sodit meditues Urën e Karlit, kalon nëpër lagjen e çuditshme të alkimistëve, ku shkëmben fjalë e fraza me të panjohur, të dehur si kujdestari i muzeut kafkian. Doemos që në endjen e tij si hije nëpër Pragë është e pritshme që ai të hasë një çast e më parë Maks Brodin, mikun e tij proverbial, aq sa emri i shkrimtarit të madh nuk do të përmendej kurrë më i vetëm pa Maksin. E kjo, pikërisht për atë porosinë speciale, unike në botën e letrave, që Maksi, pas vdekjes së shkrimtarit, t’i digjte të gjitha dorëshkrimet e të “zot”. Këtë e dinë të gjithë shkollarët, natyrisht dhe mosmbajtjen e premtimit të dhënë, ku Maksi jo vetëm që nuk i dogji dorëshkrimet e Franzit, por i ktheu ato në jetë, i botoi dhe kështu njerëzimi nuk e humbi, por e fitoi Kafkën, shkrimtarin me rendin e tij vetanak në letërsinë europiane e botërore. Ajo që nuk di lexuesi nga biografia e autorit të “Procesit” është pikërisht çka sjell ky roman i çmuar i Musa Ramadanit, që Franz Kafka kthehet për t’i kërkuar “llogari” Maksit, se pse ai nuk ia kishte kryer porosinë, çka sipas tij ishte një tradhti. Kurse Maksi arsyeton se tradhti do të ishte e kundërta, domethënë përmbushja e porosisë së Kafkës, që ai t’ia digjte veprën. Kështu nis një proces i ri Kafkës, me vetveten, që është procesi i shkrimtarit Musa Ramadani. Personazh i këtij procesi tashmë nuk është Jozef K, me të cilin qëllimisht Maksi e ngatërron (në të vërtetë e identifikon) shkrimtarin. Në atë takim nuk është mistik vetëm Kafka, por dhe Maksi tashmë fort i plakur, “i shushatur nga vetmia, nga vitet, nga vuajtja. Maskë-fytyrë-maskë”. Ky është teatri absurd që ka krijuar Ramadani për ardhjen e “dytë” të Kafkës mes të gjallëve, pasi e para kishte qenë kur ai ishte lindur.

Është vërtetë intriguese e befasuese të përfytyrohet kthimi i një shkrimtari në vendin e krijimit, mes personazheve të tij. Lexuesi për një çast mendon rikthimin e Homerit, Dantes, Shekspirit, Gëtes, Balzakut etj. brenda kozmosit të tyre letrar. Epokat do të shungullonin sërish nën një drithërim të ri, që nuk do të ishte tjetër veçse ai i vjetri. Kafka shkon në librarinë ku janë librat e tij dhe përmes bashkëbisedimit me librarin shpaloset një pjesë e biografisë së tij, ku ai mallëngjehet sidomos kur sheh dorëshkrimet që ishin kthyer në libra. Romani shtjellohet përmes një tisi mistik, që është i natyrshëm për një vepër që lëviz mes gjalljes dhe vdekjes së personazhit kryesor, por dhe një larmie personazhesh atipikë që ai has rrugëve të Pragës, që nuk mund të jenë ndryshe, veçse në shëmbëlltyrë të përsonazheve kafkianë, poshtë Urës së Gurit apo në Rrugën e Artë. Një kthim i tillë profetik padyshim që nxit dhe kërshërinë se si është jeta atje ku askush nuk ka qenë nga të gjallët, ku jo rastësisht një nga personazhet, Lena, e pyet Francin se si është jeta e përtejme, me se e mbanin shpirtin (vini re: shpirtin dhe jo trupin!) gjallë atje dhe ai që i përgjigjet: “Ushqehemi me dritë, me një farë drite parajsore”, “magjepsemi me lule, dehemi me bimësi, ëndërrojmë me ngjyra”.

Rikthimi, më shumë se një ringjallje, ndodh për të verifikuar ekzistencën e shkrimtarit si i tillë, gjegjësisht ekzistencën e veprës letrare, 41 vite pas vdekjes, kur nuk i mbahet mend më fytyra e tij as nga të moshuarit, si të thuash, gjallja e zhurmshme, rrethuar nga miqtë, mediat, elozhet, zilitë, çmimet. Bota rreth tij tashmë është e zhveshur nga emocionet, askush nuk do t’ia dijë më për Francin njeri, as gratë me të cilat shkonte dikur. Ai thjeshtë tani ekziston atje, në librarinë e qytetit, te lexuesi, domethënë tani është veçse Kafka shkrimtar. Ai gjendet në atë vitrinë dhe për fatin e lum se Maks Brodi nuk blasfemoi, duke i humbur letërsisë botërore një gjeni të shekullit XX, që do të vazhdonte pa medyshje të ishte profet i gjyqësisë së pafaj (“fajnisë së pafajshme”) dhe në shekujt që do të vinin, kur raporti mes viktimës dhe xhalatit nuk do të ndryshonte, paçka aureolave të shoqërisë moderne. Jo rastësisht Kafka e Ramadani njëzëshëm na kujtojnë se “Jeta e vërtetë, e pavarur e librit fillon vetëm pas vdekjes së shkrimtarit”.

Ndër pjesët më interesante të romanit është takimi te Ura e Karlit i dy Kafkave, të vjetrit dhe të riut, të dy 41 vjeç, po ku te shkrimtari, ndonëse vitet ecin, jeta qendron “në vendnumëro”, që do të thotë se Kafka i ri befas është takuar dhe po flet me fantazmën e shkrimtarit Franc Kafka. Askush nga arkitektët, politikanët, gjykatësit e Pragës nuk mund të kundrojë në qytetin e vet atë që zbulon një shkrimtar: “Janë disa netë të veçanta pragase, – shqipton me një zë profetik zoti K., – kur gjerat në këtë qytet, mbi këtë lumë e nën këtë urë, përjetohen krejtësisht ndryshe nga ato të zakonshmet… Pikërisht atëherë ndodh dhe çudia e çudirave… Statujat e njerëzve, të qenëve e të kaprojve zënë të komunikojnë mes tyre, të flasin kështu sikurse ne, t’i shprehin ndjenjat me një gjuhë çuditëse. Për më tepër recitojnë vargje, thonë poema të tëra, tregojnë historira”. Kësisoj romani bëhet thellësisht psikologjik. Inkursioni i Kafkës te ajo urë nuk është thjeshtë ekzotik. Përkundrazi ai sillet mes gjindjes fantazmagorike të natës pragase, “kryesisht njerëz të vetmuar: somnabulët, bredhacakat, poetët e bohemët, aktorët me personazhet e veta, ëndërrimtarët, klosharët, fantastët, recitatorët dhe rokerët me bendet moderne”.

Autori shprehet diku në roman se të shkruarit për mua është si një lutje dhe vërtet shkrimtaria e tij këtë bindje të krijon. Jo rastësisht ai e mbyll romani e tij me një pasazh nga varrezat e hebrenjve, ku të vdekurit e ngritur nga varret, “lexojnë mbishkrimet e veta lavdëruese e himnizuese nëpër pllaka, lapidarë e përmendore” dhe të paduruar “me nga një gur të mprehtë” që gjejnë aty rrotull: “Nisin t’i shlyejnë e spastrojnë lëvdatat, dhe, në vend të tyre skalisin mirënjohjet e vërteta për vetëveten dhe veprat e veta”, që “tashti ato janë krejt të kundërta nga mbishkrimet e mëparme…” Një mesazh sa i tërthortë, aq i drejpërdrejtë për të gjithë punëtorët e sotëm të letrave, dhe jo vetëm, për t’i refuzuar lavdërimet shterpa, pasi ka një kod sekret që duhet dëshifruar në frazën profetike përmbyllëse të romanit: “Me agun e parë, gjeniu anonim mbylli arkën e anonimit gjenial”, që mund të përkthehet se gjenialiteti krijues nuk ka asgjë me fasadën, boshin, por me thellësinë e patjetërsueshme të krijuesit gjenial.

Romani “Profeti nga Praga” i Musa Ramadanit do të meritonte një analizë të mirëfilltë të stilit, gërshetimit të natyrshëm të lajmit jetësor e kronikës (në hyrje e mbyllje) me një botë të tërë fantaste, ku lëvizin silueta njerëzish hije, që hyjnë e dalin si në një labirint epiko-modern, ku nuk ka situata të njëmendta, por dialog filozofik e psikologjik kohërash, shenjash, vitrinash dhe një alegori e përgjithshme që vë në lëvizje gjithçka. Autori i bën një antropologji Pragës në një sfond të ndërthurur kohërash që nga Rikardit II, ku njeriut bashkëkohor nuk i hiqet vegimi i Jozef K-së, Samsa-s, Rosmanit, Mjekut, Artistit, Mësuesit, në mos dhe robërve të kolonisë ndëshkimore, ngaqë “qenkan shumëzuar në dhjetëra, qindra e ndoshta në mijëra kopje, dytëshorë e kipca!”…

Përtej Kafkës, ky roman është një himn për shkrimtarin në tërësi si profet dhe letërsinë si profeci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *