GJERGJ KASTRIOTI DHE MBI PEGAS

Nga Visar  Zhiti

 

Teksa po nxirrja nga librat e mi baladat për Gjergj Kastrioti Skënderbeun, thashë me vete se ka mbi 5 shekuj që Heroi ynë enden dhe nëpër këngë si nëpër pllaja e fusha betejash,së pari në ato të popullit të tij dhe të gjuhës së tij, por dhe në popuj të tjerë e gjuhë të tjera.

Shkonte të gjithë fqinjët ballkanikë, që nga pasardhësit e tjerë të ilirëve, kroatë e malazias,  te grekërit dhe te sllavët e jugut, në Serbi, Bullgari, etj,  te rumunët dhe rend triumfator nëpër Itali, jo vetëm te arbëreshët e tij, shkon në Francë, Belgjikë, Gjermani, në vendet e Europës Veriore, në gjuhët anglo-saksone, në Poloni e në Rusi në dy kontinentale, edhe në Azi, pse jo dhe në Afrikë, Egjipt dhe kapton tej,në Amerikë ku adhurimi shtohet si për një Kryeluftëtar të lirisë dhe mbrojtës të qytetërimit Perëndimor..

Kali i tij duket se është bërë me flatra, i shndërruar në Pegas dhe ai ndali bronztë në sheshe dhe poema…

          Dua të risjell disa prej baladave të mia,pjesëza të nxjerra nga libra të ndryshëm, të shkruara ndër vite, edhe në burg, fshatrave, por dhe në metropole të Europës.

          Se si më frushullojnë tani, si flatrime të flatrave të Pegasit Skënderbejan.

 visar zhiti

NË SHTËPINË E VOJSAVËS

 

Ndërsa ngjiteshim

nëpër rrugën e bardhë

(me borën si shpirt i hapur)

për të shkuar

në shtëpinë e Vojsavës

të gjithë nga pak

u shndërruan

në Skënderbej…

 

 

Gradec, 17. 02. 1993 

( nga libri “Mbjellja e vetëtimave”)

  

 

SKËNDERBEU

DHE NJË ÇËSHTJE E ERRËT

NË JETËN E MOISI GOLEMIT

 

Kur isha fëmijë,

Babanë tim dhe Skënderbeun

kam adhuruar më shumë nga burrat e botës

Dhe të gjitha vetëtimat

më dukeshin si vringëllima të shpatës së heroit.

Çdo vit në shkollë do të mësonim

për vdekjen e Skënderbeut

dhe do të qaja, kur të tjerët dilnin,

i fshehur tek dera.

Ashtu si kali i tij që s’pranoi më zotëri tjetër

dhe unë s’pranoja më të mësoja gjëra të tjera.

E urreja Moisi Golemin që iku, na tradhtoi,

tradhtinë s’do ia falja kurrë.

Tokë mëmë, atë që në një rrugë të tillë do të shkojë,

Lëre fëmijë, mos e rrit,

ç’e bën kot burrë!

Tani vonë, në një si legjendë,

im atë ma rrëfeu,

që ikja e Gjeneralit paskësh qenë e sajuar: plan, plan!

Atë e kishte nisur vetë Skënderbeu…

Në luftë duhet të jesh herë me kryet-skile

dhe herë me trupin-luan.

 

Ç’mision i rëndë mes të huajve… të shtiresh…

sulltanit dorën t’i puthësh,

Të përsëritësh thëniet e tij të vrazhdai gjoja si mençurira.

Të hash me frikë se mos helmi vdekjeprurës

është me sherbetin e ëmbël

në kupat e florinjta.

 

Të kesh frikë dhe në harem, nëpër qejfe,

se femrat raportojnë dhe mënyrat

e shtrirjes mbi pelerinë…

Që nga çadra ushtarake deri tek gjysmë hëna qiejve

hija jote duhej tëkomplotonte me gjithë perandorinë.

 

Dhe të mos kuptohesh

si identiteti nën përkrenare!

Ti në rrezik që atdheu sa më larg rrezikut të jetë!

Po e ardhmja merret veç me ato që duken, si malet,

ku ta gjesh, si ta shpjegosh

një pikëz loti të fshehtë?

 

Eh, sa jetë që humbinkuturu

si dyndje shigjetash nëpër luftëra…

Po ai që sakrifikoi në shekuj diçka ende më të shtrenjtë:

Emrin e tij.

Janë vënë gabim statuja, janë hequr statuja,

por të lutem, ndreqi gabimet, moj histori!

 

Gjeneral, ç’torturë dhe për kohën

pas vrasjes tënde,

e cila është pjesa më e rëndësishme për heronjtë.

Prindërit diçka biblike ripërtërijnë, ja ashtu me hamendje,

që emrin “Mojsi” vënë tek djemtë edhe sot.

 

—————————————————–

Kur u dënua autori, në aktakuzë pati dhe këtë poezi

“si shtrembërim të realitetit historik me qëllim që t’u dalë në mbrojtje

tradhtive që zbulonte dhe ndëshkonte PPSH” (Viti 1979).

Nga libri “Mbjellja e vetëtimave”

 

 *  *  *

 

… erdhën arbëreshë

meplisat e bardhë mbi krye. Vija e zezë në tirq –

shenjë zie e përhershme për Vdekjen e Skënderbeut.

… kambanat nisën të bien vetë…

 

 

*  *  *

 

…a e di si përdorej folja bërtas në kohën e Gjergj

Kastriotit Skënderbeut? Nkelthas.Po qaj?Nklaj.

Ç’është ajo “n” përpara, shenjëz e urave të përmbysura,

E skeleteve të ngrehinave?…

          

Nga libri “Si shkohet në Kosovë

 

MBRËMJE TETORI, FLETË E GRISUR DITARI

 

Po prisja shiun turk, s’po vinte që s’po vinte, si grua edhe shiu,

rruga e panjohur mbeti e thatë, e pandjeshme, gjithë ato brigje

 

përreth, pa sirenat magjepsëse. Urat mbi Bosfor, aq të  mëdha

dhe të famshme, nuk arrinin te asnjë dorë zonje, te asnjë puthje,

 

kot binin më gjunjë. Ndala te një librari, më e afërta, po shfletoja

një antologji, kërkoja një emër gruaje. Ku është poezia e saj,

 

mes flokëve dhe shamisë si një petale e mbetur fluture,

te vështrimi dinak i syve të zinj, te buzët e enjtura të mosfoljes,

 

një poezi femër kërkoja, të vezullonte si manikyr dielli në thonjtë

e gjatë prej Kostandinopoje, si buqeta me lule në dyqanin

 

e mbrëmjes me burra, që s’iu dhurua asnjë dashurie, si abazhuri

i harruar ndezur në anë të shtratit të zbazur buzë detit. Dhoma ime

 

lundron në Stambollin e madh të sulltanëve. Ç’mëporositifshehur

brendamejeSkënderbeu? Dera e xhamtë rrotullohet si gjeratore

 

prej uji, del ëndrra e gruas, mëndafsh dhe hënë dhe premtim. Një çadër e kotë në dorë. Shiu është dashuri, s’po bie që s’po bie.

 

E shkruar në Stamboll,

nga libri “Thesaret e frikës”

 

 

DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI-TJETRIT

 

Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan

malin e fundit. Panë detin e madh, të huaj.

Si llahtarí të kaltër, harbonjëse shtynte dallgët,

si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra e

tyre si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes       topave dhe kuajve nën rrapëllimën e daulleve dhe kazanëve, nën emblemat absurde. Pluhur i para pesëqind vjetëve. Atje poshtë ishte qyteti i vogël, i pushtuar. Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit, që xhindosi Sovranin e madh.

Do të suleshin ata, gjithmonë ata, të njëjtët ata,

do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit, do të nxirrnin eshtrat e heroit si eshtrat e vetë kombit. Pastaj do t’i thyenin, copa-copa, eshtrat me baltë, të gjata sa shpatat. Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit.Të çmendur dhe makabër. Nga një copë kockë si hajmali do të varnin në qafë ushtarët për të pasur fat nëpër betejat si armiku i tyre i madh. Pesëqind vjet më parë, kur dhe varret tani janë varrosur në harresë. Ra nata. Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh.

Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë. Pesëqind vjet natë ballkanike. Frutat e pemëve ashtu si buka s’kishin shije. Rrënjët thithnin gjak të turbullt, të përzier. Nëpër tokë kalbeshin trupa barbarësh dhe dezertorësh, bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh e kuzhinierësh të paqes më të kuqe se lufta. Njeriu binte e malet bëheshin më të lartë nga kufomat.Malet u mbushën me partizanët e luftës më të fundit tëbotës, plot si me pyje. Gërmadhë u bë mishi i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja.Besuam tek urat. Besuam që deti u bë e dashura e të gjithëve si liria. Kështu thoshin këngët. Pastaj, ah, pastaj kur u hap

tymi i betejave, nëpër pellgje pamë pasqyrimin

e sundimtarëve të ikur, të sundimtarëve tanë

që na udhëhoqën, u përzjehej pasqyrimi nëpër pellgje, binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.Na merreshin mendtë si këmbët. Dhe u sulëm ne, vetë ne, jo pushtuesit, te kishat tona. Thyem kryqin e megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë. Në një  tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit… jo, jo të Kastriotit… të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet, e fundmja lahutë e botës. Në zjarr i kishim hedhur librat e tij. O Zot!

 

Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit anadollakë

na vodhën skeletin e kryetrimit dhe ne, vetë ne,

me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit,(s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa hajmalish

kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte

nga sllavët.Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.

 

E shkruar në burg, Spaç, 14 janar 1983

Nga libri “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”                                                               

 

  

PËRKRENARJA E GJERGJ KASTRIOTIT

 

Ka më shumë se pesëqind vjet

që udhëtoj

për të mbërritur

te kjo përkrenare –

 

me një dhi të florinjtë përsipër,

fluturuese,

që u hidhet qiejve.

Mbi brirë ka ende copëra yjesh,

shirita ylberësh.

Poshtë ka diçka nga toka e saj e errët. Ja,

reliefet e fatit, gunga të metalta – nyje ngjarjesh

dhe prapë terr.

 

Ka më shumë se pesëqind vjet që udhëtoj,

kalova mes betejave si mbi kufoma. Lashë pas

kështjellat. Ç’male që na vodhën

si sëndyqe karvanësh në Ballkan.

Ujëvarat rrëzohen –

valle vajzash

që hidheshin humnerave.

Gjithmonë në atdheun tim ulet nata,

ja si kjo përkrenare,

që unë e shoh i magjepsur.

Bie më gjunjë.

Xhamat si koha s’më lënë të prek.

 

Polen fluturash aty – gjurmët

e gishtave të poetëve.

 

Dëgjoj këngën e tyre si kori i burrave

në tragjeditë e lashta.

Dhia e praruar më njohu,

më ndjell me sy.

Afrohem drejt saj dhe blegërij

si livadhet e atdheut.

 

Gjithmonë kjo dhi kullot brenda meje.

Dhe shpesh herë

brirët e saj kanë dalë

mbi kokën time.

Hutohem. Flas përçart.

Ç’ëndërron përkrenare

e ikur kaq larg?

Cilin vallë? Përveçse kryet e popullit!

 

Po shpata e tët zoti

ku është?

Mbase mjaft goditëm midis nesh. Ti

na duhesh më shumë sot,

o Përkrenare,

hijerëndë

dhe sublime,

e bukur si ideja e kombit.

Vezullim yt vazhdimisht

na avitet

… si mëngjesi.

 

 

Vjenë, 30.12.1991

                   Nga libri “mbjellja e vetëtimave”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *