Një të dielë në Qendren e Shën Palit
Pjetër Jaku
6 Maj 2012. Një e dielë e zakonshme në Kishën Katolike të Shën Palit, që prej kohësh ka qënë dhe është Qendër Kombëtare për shqiptarët e Detroitit. Që në orët e mëngjesit fillojnë levizjet e para. I pari do t’ua hap derën e një ditë të ngarkuar, famullitari i kësaj Qendre, Don Fran Kola, pas tij motrat që kujdesen për sallat e lutjeve dhe për shumë probleme të komunitetit katolik të kësaj qendre. Si për herë, pas tyre do të jenë mësuesit e katekizmit, Franz Lleshi-Grishaj, Kanto Dushaj, Lukë Shkreli etj, që presin prindrit t’u sjellin fëmijët. Sa vjen e bashkë me diellin vijnë fëmijët, të qeshur si vet mosha e tyre. Prej kohësh kjo qendër e ka shtuar dhe një kohë tjetër lutjesh, meshën e tretë që mbahet në mbrëmjë për ata që, për ndonjë arsye, nuk kanë mundësi të vijnë në meshën e mëngjesit, ose atë kryesore, të drekës.
Në mjediset e kësaj qendre dhe në sallën kryesore, shqiptarët lënë takime pune, veç kryerjes së riteve të besimit të tyre.
Që në drekë u takuam më publicistin e njohur Gregory Lima, 87 vjeçarin siçiljan që ëshë lindur në Amerikë dhe rritur nëpër luftra, aktorin Xhevat Limani, që kishin ardhur nga New Yorku, për promovimin e librit “ The Americani”, kushtuar ish ushtarit të UÇK-së, Agron Mirdita, i cili ua prezanton miqtë të pranishmëve të shumtë, që i afrohen tavolines së tyre. Pak më tej Kryetari i Komunës së Bajzës, Viktor Popaj takohet me malësorët e asaj krahine bashkë me ekipin që e shoqëronte, ndërsa gjysëm salla tjetër përgaditej për orën 2:00, ku Kongresmeni Sander Levin do të takohej me shqiptarët e të diskutoinin së bashku problemet e mprehta të atyre nën Mal të Zi. Don Fran Kola, si përherë aktiv, takon grupe të ndryshme besimtarësh e përshendetet me të gjithë, duke ia kushtuar secilit kohën që kërkon.
Mesha e drekës
Don Frani prezanton dhe përshendet miqtë, të parin Pater Mikelin priftin e Kishës së Bajzës dhe me radhë ekipin që e shoqëronte në këtë udhëtim në diasporën shqiptare të Amerikës.
Kryetari Komunës Viktor Popaj dhe Pater Mikeli vinin nga ndalesa që patën në New York në 100 vjetorin e Vatrës. Si përherë i shkathti Rifat Ymeri, gazetar i TV Koplikut me kameren e tij nuk le që asnjë çast t’ i shpëtoj, duke qënë edhe ai pjesëtar i këtij udhëtimi. Një përshëndetje e veçantë për Gregori Limen autorin e librit për ushtarin e UÇK-se Agron Mirdita si dhe miqtë e tjerë që kishin ardhur nga New Yorku. Gjithashtu përshendet botuesin e gazetës “ Illyria” Vehbi Bajrami me miqtë e Firmës “ Siva Partners”, për të cilën kandidati shqiptar për në Kongresin Amerikan, avokati Pjerin Lumaj, deklaron se është një firmë piramidale dhe pa adresë e pa buxhet. Për këtë shih www.examiner/ar Meshën e kësaj të dielë ia beson Patër Mikel Pllumajt, duke mos harruar t’u kërkojë besimtarëve të tij një ndihmë për kompanjelin e Kishës së Bajzës, i cili ishte i papërfunduar.
Mbarimi për të rifilluar
Me mbarimin e meshës njerëzit drejtohen për takimet në dy sallat e Kësaj Qendre. Me patër Mikelin shohim të afrohen Nikollë Vneshtaj, kryetar i Shoqatës “ Kastrati”, Petrit Doda, anëtar dhe aktivist i Vatrës e dhjetra aktivist të tjerë malësorë. Ngjitur, në Sallën “Gjergj Kastrioti” sapo kishin filluar bisedat e lira me Kongresmenin Levin. Mondi Rakaj, takohet me te njohurit e tij, por pa harruar punën edhe pse ditë e dielë. Duke marrë pjesë në të gjitha takimet, Don Frani drejtohet për në sallën ku bisedohej me Kongresmenin Sander Levin.
Kete takim e drejtonte avokati i njohur, shqiptari nga Malësia Gjokë Dedvukaj. Pas prezantimit të këtij tubimi dhe rëndësisë së tij, ia jep fjalën përshendetëse si gjithnjë të Zotit të Shtëpisë, Don Fran Kolaj, i cili ndër të tjera tha: “ Miq si Kongresmeni Sandër Levin na nderojnë dhe ndihmojnë ne. Në qoftëse problemi shqiptar ka bërë disi përpara, kjo është vetëm falë miqëve të mirë që kemi pasë dhe kemi ditë t’i mbajmë. Të mos lodhemi për t’i shtuar dhe mbajtrur miqtë e mirë si ky që kemi sot në mesin tonë.” Më pas e mori fjalën Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Michigan, aktivisti dhe biznesmeni i njohur Ekrem Bardha, i cili falnderoi Kongresmenin Levin, vëllanë e tij Senatorin Karl Levin, Kongresmenet Eliot Engell dhe Gery Piters për çfarë kanë bërë dhe po bëjnë për shqiptarët e Shqipërinë dhe ftoi të pranishmit që t’i ndihmojnë sa të jetë e mundur këta miq të mirë të shqiptarëve.
Problemin aktual të Malësisë nën Malë të Zi e prezantuan me diskutimet e tyre koncize aktivisti Luigj Gjokaj, Rrok Junçaj dhe Viktor Ivezaj. Kërkesave të qarta që bëhen prej kohësh, deri më tani nuk u është dhënë zgjidhje, edhe pse është trokitur në të gjitha dyert e mundshme. Ndaj, edhe me këtë rast u kërkua me forcë që të gjendej çelësi për t’u futur në zgjidhjen e problemeve të malësorëve që jetojnë e punojnë në tokat shqiptare nën Mal të Zi. Kongresmeni Levin foli për të drejtat e shqiptarëve, sidomos atyre nën Mal të Zi, duke vënë theksin në mbajtjen e premtimeve që duhet të bëjë qeveria malazeze për këtë problem. Poashtu iu përgjigj disa pyetjeve në lidhje emigracionin.
Më në fund në ndihmë të Kongresmenti Levin u grumbulluan disa mjete nga të pranishmit.
Edhe pse në Komunitetin Katolik të Shën Palit, sot preheshin në amshim dy të rinj, i riu 19 vjeçar Nikoll Ivanaj dhe i riu 24 vjecar Mark Gjetaj; i pari ndrroi jetë aksidentalisht, ndërsa i dyti në rrethan të panjohura, nuk u pengua asgjë në realizimin e takimeve të planifikuara.
Nga takimi në takim
Edhe pse ditës po i vinte fundi dhe në të vërtetë ishte një ditë pushimi, nga takimi me Kongresmenin duhej rendur për te poromovimi i librit “ The Americani” shkruar vonë për veprimtarinë e ish ushtarit të UÇK-së Agron Mirdita, i cili do të bëhëj në njërin nga mjediset e Kishes “ Zoja Pajtore e Shqiptarëve”. Promovimin e moderoi aktori Xhevat Limani, njëkohshëm edhe bashkautor me Gregori Lima në librin dy gjuhësh për Agronin. Intelektuali Mikel Demaj në fjalën kryesore foli për vlerat patriotiko- atdhetare të familjes së njohur Mirdita në Kosovë dhe, në veçanti, për edukimin patritoik të përsonazhit për të cilin ishim mbledhur. “ Jemi me fat, – tha folësi Demaj,- që Agronin e kemi gjallë edhe pse shumë shokë të tij dhanë jetën në front dhe një popull që ka luftëtarë si Agroni e meriton lirinë.”
Agroni është lindur në Gllogjan të Pejës në vitin 1969 dhe mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës në Maj të vitit 1998 e deri sa mbaroi lufta. Familja Mirdita, – vazhdoi folësi është bashkëudhëtare e luftrave që para e pas Luftës së Dytë Botërore. Aktori e spjegoi emrin e Agronit në një fjali të vetme të shkurtër “ Agu që rron për një ditë të mirë!” si dhe solli para të pranishmëve planet e tij edhe për filmin që është realizuar me këtë temë.
Poeti dhe historiani Lulash Palushaj foli për vlerat letrare të poemës kushtuar Agronit, që është pjesë e këtij libri, duke bërë sinkronizimin me kohën dhe subjektin. Me një përfundim jo dhe aq të matur, (ndoshta për të mos i rënë ndesh autorit) se “ Poema është e denjë të futet në tekstet shkollore” e mbylli diskutimin e tij gazetari Zef Përgega.
Objekti dhe subjekti janë të denjë të futen në tekstet dhe edukimin e brezave të rinj të çdo kohe, por niveli i realizimit len për të deshiruar.
Gregori Lima u ndalë pak te autori, pasi për të ka shkruar në libër. Prej tij degjuam jo vetëm fjalën e një publicisti, por edhe mendimin e tij filozofik, si: “ Unë i besoj luftës, por jo forcës,” “ Rugova kërkoi paqen dhe Pavarësinë duke i treguar botës krimet e serbve”, “ Sakrifica sublime, sjellë gjithëmonë fitoren”, “ Pa levizur vet, s’vjen asgjë.”etj.
Lima i dha rëndësi njohjes që duhet t’i bëjnë shqiptarët Kongresit Amerikan me problemet e tyre, për disa padrejtësi historike që u janë bërë.
Luigj Gjokaj, ish Kryetar I Fondacionit “ Vendlindja Therret”, duke e njohur Agronin edhe para Luftës, theksoi se Agroni, tri javë pas krijimit të Fondacionit u nis për në luftë. Luftën e tij e pamë të gjithë, sepse ai u intervistua në frontin e luftës nga CNN dhe pikërisht nga ata u thirr “ Americani”.
Artisti Fran Gjokaj dhe aktivisti Gjevalin Gegaj folen për vlerat e këtij takim dhe ndjehen krenar për Agronin dhe aktivitetin e tij në të mirë të Pavarësisë dhe lirisë së Kosovës.
Në fund, Agroni përshendeti të pranishmit, duke folur edhe për autorin e librit, Gregory Lima, i cili kishte bërë edhe disa raportime nga Kosova. Pra e njihte Luftën dhe Kosovën, duke mos përmendur vizitat për librin që sapo ishte publikuar. Me modestinë e tij, Agroni tregoi shembullin se si luftëtarët s’kanë nevojë të mburren. Për ta flet vepra e tyre.