POETI I ANTROPOLOGJISË SË RRËNJËVE

(Martin Lleshi, me Psalmet e Trojës,

nga Gjakova në Lezhë)

NDUE DEDAJ

 

Në javën e parë të prillit, në bibliotekën e qytetit të Lezhës, ku çdo fundjavë ka promovime librash të rinj apo takime të nxënësve me letërsinë në një formë a në një tjetër, krijuesit e Qarkut u mblodhën në paraqitjen e librit të ri poetik “Psalmet e Trojës” të poetit Martin Lleshi nga Gjakova, botuar nga Enti Botues “At Gjergj Fishta” Lezhë. Në Gjakovë janë disa shtypshkronja dhe libri mund të shtypej dhe atje, ku poeti ka shtypur dy librat e mëparshëm, por ai donte ta lidhte këtë akt, botimin e librit të tij të ri, me Lezhën, si njëri nga qytetet shqiptare të Skëndërbeut. Edhe nëse këtë ai nuk e thotë drejtpërdrejt, është diçka që ndjehet, nënkuptohet, çka e shpreh dhe “dyndja” e familjarëve të tij, sa për promovimin, aq për objektet lezhiane që lidhën me Heroin Kombëtar, murali, vendvarrimi, kështjella etj. Vetë libri “Psalmet e Trojës” ka jo vetëm një frymë skënderbegiane, por dhe disa lirika kushtuar epokës së ndritur të Motit të Madhe dhe të gjitha moteve të shndritshme të historisë sonë kombëtare qysh nga gjeneza Iliro-Dardane.

dedaj martini1

Poeti gjakovar Martin Lleshi shkollën fillore e kreu në ne fshatin Novosellë e Ulët, Gjakovë, kurse shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Një kohë vazhdoi studimet në shkencat e mjekësisë jashtë vendit. Me shkrime letrare, kryesisht me poezi, është marrë që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, ku herë pas here poezitë e tija i ka botuar në revistat letrare dhe gazetat e kohës. Më parë ka botuar dy libra me poezi: “Peshë Shekujsh” dhe “Antropologjia e Rrenjeve”. Me librin e fundit, “Psalmet”, plotësohet trinia e tij poetike e deritashme, që mbase do të ndiqet nga ndonjë përmbledhje me poezi të zgjedhura.

*

Me Martinin jemi njohur nga afër vetëm pak muaj më parë. Ai do të na shoqëronte deri në Novosellë në kërkim të origjinës së dajave të Nënë Terezës, që identifikohen me Ndue Bardhin, një burrë në zë i dekadave të shkuara. Nuk e di pse atë ditë m’u duk si një vëlla, që e kisha pas “humbur” njëqind vite me parë dhe po e gjëja tani. Ishte shumë më shumë se takimi i dy të (pa)njohurve takimi ynë i asaj vjeshte me diell, i dy njerëzve që veç të tjerash i lidhte poezia. Dhe ja ku poezitë e tij të reja, falë teknologjisë së komunikimit, mbërritën tek unë, me një klikim. Nuk ishte si herët, kur të parët tanë ecnin tri ditë e tri net për të shkuar te njëri – tjetri, maleve të larta plot gryka e leqe shpesh të pakapërcyeshme prej ujqërve dhe orteqeve. Jehona e atyre moteve ndihet së largu dhe tash në poezinë e Martinit, që ka diçka dhe nga Marin Barleti dhe nga Martin Camaj. Përndryshe, është poezia e “besës së shtatë bjeshkëve” shqiptare.

Poezia e Martinit nuk ka më atë njomështinë e bimës së re, pasi e lëvruar prej 30 vitesh, ajo nuk është lule në gem e një rioshi, por është bërë degë dhe lis i tokës së vet. Ajo është vetë atdheu i trojeve, Dardania, Kosova (“mbikrijuesja ime”, siç e quan poeti me një metaforë të tijën qiellore), Shqipëria, Mirdita, Çamëria, e gjithë “antropologjia e rrënjëve”, që zgjatën më së pari brenda unit të tij poetik vetanak.

Ndaj poezia e tij është fort e ndjerë, meditative dhe e thellë si vetë kujtesa jonë historike, si gurrat e pashterrshme të bjeshkëve, poezi që “orët e bardha” ia kurdis ëndrra për lirinë dhe të bukurën. E mbrujtur me filozofinë e ekzistenciales shqiptare, në çdo varg e fjalë, si te Azem Shkreli i ashtit të gurtë, si te Anton Pashku, ku simbolikë e trojeve është lisi, kulla, tymi… por dhe si baladë e heronjve të Kosovës, të vdekur e të gjallë.

dedaj martini2

Promovimi ne Lezhe, prill 2017. Nga e majta: Viktor Gjikolaj ( ne kembe), botuesi Frano Kulli, poeti Martin Lleshaj dhe Ndue Dedaj

 

Duket se kredoja e tij është “Ringjallja”, ku poeti si një Sizif lavron ballin e vet.

“Përtej shtatë bjeshkëve

Drita në agim verbohet

Hëna del pa syrin e djathtë

Yjet vdesin gjithmonë pa zë”.

Këto pak radhë nuk synojnë ndonjë analizë të imtë të poezive të këtij vëllimi poetik, por vetëm një urim përcjellës për këtë rrugëtim të ri të poezisë së poetit, që pa qenë migjeniane është dhimbë krenare, siç vetë poeti ka shkruar poezinë emblematike “Baladë për Këngët e Pakëndueme”, në sfodin historik të vitit, sa të zi, aq të bardhë për shqiptarët, 1999.

Ai ka gurin e lumit të vet nga e kundron e vozit botën, atë botë që:

…qesh e përqesh

Nuk di a vetveten

A fatin tim të bërë tym?

Poezia e Martin Lleshit është sa universale, që rrok Trojën e lashtë antike, aq dhe shqipnore, si poezi e trojeve të veta, që shkon deri në origjinën e tejme, në Kaçinar e Kastër (Vig). Ky është poeti pa kufij kohorë dhe hapsinorë, i cili ashtu pa bujë le shenjën e tij në poezinë shqipe, sepse për të “le gjurmë Fjala”. A nuk ishte ajo e para? E për poetin, cilindo poet, a nuk është dhe e fundit? Fjala është shenj, këngë “për ty gurpragu im me shtatë dryna n`derë”.

“Shej asht edhe dallga / kur le gjurmë malli”…

Fati i Kosovës dhe i poetit janë një, me “dekalogun e vetimave qëndisur në ballë”. Rava e tij ka qenë ajo e shtruara tashmë në poezinë shekullore kosovare, me: bjeshkën, andrrën, fjalën e dhanë, dheun, pragun, rrënjën, mëkatin, ringjalljen, hijet, lisin, shkabën, lumin, mallin etj., kurse i veçantë në poezinë e Martinit është përceptimi dhe gjakimi poetik. Jo rastësisht poeti ka bërë të tijën metaforën e ardhjes. Ardhja ndihet në gjithë konstruktin poetik të këtyre njëqind poezive. Intersant dhe risor është dhe fjalëkrijimi i kompozitave, si: zanëmirat, gurpragu, legjëndëgjalla, mbidheu, gjethevyshkur, buzëshkrumb, kambëkryq e mjaft të tjera sipas fjalëformimit të traditës sonë letrare shqipe.

Në përmbyllje, poezia e poetit ka kroi e vet, kroin e Martinit, që rrjedh i pandërruar qysh nga Iliria nëpër tokën Dardane. Poeti nuk e fsheh, përkundrazi e shpall idealin e tij krijues: “Shej të mbetëm në vargun tim kisha me dashtë”.

P.S. Nëse për një çast dikush i thotë Martinit se ti je nga andej, ai nuk rri dot pa reaguar mirësisht, se në të vërtetë nuk ka  e nuk duhet të ketë mes shqiptarëve andej dhe këndej. Kjo ndarje është bërë ngaqë ka kaluar kufiri (i padrejtë dhe i paligjshëm) mes Shqipërisë dhe Kosovës, përndryshe nuk do të ishte. Familja e tij ka shkuar në Gjakovë nga Kaçinari i Mirditës kur nuk kishte kufi ndërshqiptar, ashtu si familje nga Gjakova kanë ardhur e janë ngulur në Kaçinar e vende të tjera mirditore. Kjo është historia jonë, e cila tashmë ka filluar të rrëfehet në kohën e shkuar, pasi asgjë nuk na ndalon më për te njëri-tjetri…

Bardhok Pulaj, Viktor Gjikolaj, Nikollë Loka, Prengë Pepa, Salvator Gjeçi, Ndue Dragusha janë disa nga miqtë e viteve të fundit të Martin Lleshit në rajonin e Lezhës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *