BURGU I SPAÇIT, APO “SHTËPIA E GJETHEVE”?

DEDAJ,NNDUE DEDAJ

 

Në vitin 1996 ish – Burgun e Spaçit e patëm vizituar së bashku me një zonjë angleze, profesoreshë e Universitetit të Këmbrixhit, që merrej me studime të antropologjisë sociale në Shqipëri dhe për të mësuar diçka për Spaçin na u desh të pyesnim njerëz të rastit, që kishin punuar në minierë bashkë me të dënuarit etj. Edhe pas 21 vitesh e njëjta gjë i ndodh vizitorit të largët që vete atje, duhet t’i drejtohet ndonjë bariu të moshuar që ndjek tufën e dhive bokave të kuqrreme: “Më thuaj diçka për Spaçin!” Dhe ai thotë aq sa di, tjetri shkrep aparatin mbi rrëpirat e thata dhe kaq! Paçka se “Spaçi” është shumë më thellë këtij shikimi sipërfaqësor. Ndodh kështu se nuk ka ende një muze në këtë vend, që ta dëshmonte historinë e tij dhe të diktaturës në Shqipëri. Në një të ardhme do të jetë e vështirë të shpjegohet për gjeneratat e reja se pse në gjysmën e dytë të shekullit XX duhej ngujuar këtu për 20 – 30 vite një poet, këngëtar, arkitekt, prift, profesor, avokat, inxhinier, mjek, pse jo dhe gjeneral pa grada, që nuk kishte bërë komplote kundër republikës, por thjeshtë nuk kishte qenë dakord me tezat “popullore” të diktatorit për mbrojtjen. Dhe nuk është çudi që ciceroni virtual i kryeqytetit t’iu prijë të rinjve të nesërm drejt një muzeu me emrin “Shtëpia e Gjetheve”, ngaqë aty farkëtoheshin dosjet e Sigurimit, pritej “shiriti” i arrestimeve politike, formuloheshin akuzat dhe dënimet etj. Të kuptohemi, mund të jetë dhe “shtëpia” misterioze një objekt muzeal, por kurrësesi ajo nuk mund të zëvendësojë muzeun e gjallë të Spaçit, simbolin e vuajtjes shtetërore në Shqipëri. Spaçi nuk janë muret, por njeriu i tij i paepur.

Spaçi kishte qenë një vend i bekuar në të kaluarën historike, jo vetëm se atje kishin qenë shtatë kishë katolike, por dhe se burra në zë nga Spaçi patën marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, ashtu si në një kullë spaçiane në Kimëz qe shpallur një qeveri provizore e Pavarësisë, e krerëve të maleve, e kryesuar nga arbëreshi Terenc Toçi. Areal i begatë dhe për nga pasuritë e pashterrshme natyrore të Munellës – minerale, pyje, burime – po që regjimi e ktheu në një vend të “nëmur”, të mallkuar jo vetëm nga vuajtësit e panumërt po dhe familjarët e tyre, që dyndeshin çdo javë e muaj për atje, të nëpërkëmbur dhe ata si të afërmit e tyre brenda telave me gjemba. Ndoshta asnjëherë nuk është thënë sa duhet, por në Spaç përfunduan si të dënuar politikë dhe disa intelektualë kosovarë (ikur në vitet ’50 – ’60 nga Kosova prej represionit serb), të akuzuar padrejtësisht si agjentë të UDB-së jugosllave. I kishin shpëtuar Goli Otokut, kryeburgut ishullor jugosllav mes Adriatikut, dhe kishin rënë në “humnerën” e Spaçit, ku vetëm qyqja mund të qyqonte!

Burgu i Spaçit (Reparti 303 i riedukimit i Ministrisë së Punëve të Brendshme), rreth 30 km nga Rrësheni, ishte një kamp të burgosurish politikë, që u ngrit në vitin 1967, në Mirditë, në minierën e bakrit dhe piritit me të njëjtin emër. Kampi u ndërtua në një terren të përthyer malor dhe funksionoi deri në vitin 1991. Aty për 25 vite vuajtën dënime të rënda shumëvjeçare qindra e mijëra të dënuar politikë, kundërshtarë të vjetër dhe të rinj të diktaturës së prolelariatit, thënë ndryshe, të burgosur “të ndërgjegjes”. Kampi i Spaçit nisi me 400 të dënuar dhe ishte menduar mbase dhe për ca më tepër, por në kushtet e acarimit të luftës së klasave dhe goditjes së “grupeve armiqësore” në letërsi e arte, ekonomi e ushtri përgjatë gjithë viteve ’70 ky numër u dy e trefishua. Autoburgu, makina e blinduar pa dritare, lëvizte rrëgullisht nga Tirana në Spaç, duke sjellë e marrë prenë politike. Kalimi i këtij mjeti hijenë rrugëve veriore, mes kantierëve të punës, ishte një paralajmërim për të gjithë, që të mos rrëshqisnin në prehrin e “reaksionit” ndërkombëtar (imperialisto-revizionist), pasi me reaksionin e brendshëm shteti komunist kishte kryer punë me kohë, me goditjen e pamëshirshme të nacionalistëve, klerit katolik dhe pronarëve, duke filluar që nga vjeshta e vitit1944. Ata njerëz punonin në kushte tejet të rënda, si skllevër, në galeritë e minierës dhe ndëshkoheshin nga personeli i burgut për gjënë më të vogël. Për të dënuarit e rrëzikshëm, të cilët nuk duhej të dilnin asnjëherë në liri, dhe pse e mbaronin dënimin e dhënë, sajoheshin “prova” të reja dhe ata ridënoheshin me nga dhjetë vite të tjera, për agjitacion e propagandë. Është e papërshkrueshme vuajtja e të dënuarve të Spaçit, ashtu si dhe në kampet e tjera të kohës. Në Spaç kanë kryer dënime të rënda njerëz të elitës së kombit, properëndimorë të shkolluar jashtë vendit, nacionalistë, ish-komunistë idealistë, intelektualë antikonformistë të viteve ’70 etj., ndër të cilët At Zef Pllumi, Osman Kazazi, Dom Simon Jubani, Trifon Xhaxhika, Frederik Rreshpja, Sherif Merdani, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Havzi Nela, Visar Zhiti, Maks Velo, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprencka etj.

Burgu kishte dy – tre rrethime dhe ishte i pamundur që të thyhej. Megjithatë ka patur të burgosur që e kanë çarë “kështjellën”, por janë kapur nga policia pa mundur të arratiseshin jashtë shtetit. Ende kujtohen postblloqet që ngriheshin kudo në raste të tilla. Si në shtetrrethim. Ngjarja më e rëndësishme e burgut të Spaçit ka qenë revolta e të burgosurve e majit 1973 që përfundoi me katër të ekzekutuar dhe dhjetëra vite burg shtesë për të dënuarit e tjerë të përfshirë në revoltë, e cila pati kulmuar me ngritjen e flamurit pa yllin pesëcepësh në njërin nga pallatet e burgut. Edhe pse në kushtet e një mbyllje hermetike ku rrjedhja e informacionit shtetëror ishte gati e pamundur, ngjarja e Spaçit e pati kaluar kufirin. Historia u përsërit 11 vite më pas në burgun e Qafës së Barit (Pukë), ku revolta u shtyp me dhunë të skajshme si në Spaç. Të dënuarit politikë quheshin “armiq të popullit” dhe arrestoheshin në emër të tij, kur ata ishin veçse armiq të Partisë së 41-it, siç ishte ajo armikja e tyre ideologjike.

Sot ish – burgu i sigurisë së lartë në Spaç është kthyer në një rrënojë “gjigande” dhe përherë e më shumë po zhdukën gjurmët e tij, edhe pse në letrat e Ministrisë së Kulturës figuron si monument i kategorisë së dytë, që nuk dimë se çfarë duhej të kishte më shumë për të qenë i kategorisë së parë? Ende më i fortë bëhet alarmi kur sheh se kampi është shformuar thuajse plotësisht, duke iu marrë hekurishtet e shumta për skrap e tullat për stallat e fshatarëve të zonës. Sidoqoftë ish – Kampi është kthyer në një vend të vizitueshëm, ku vazhdimisht venë vizitorë të vendit dhe të huaj, përfshi dhe mjaft ambasadorë, si Donald Lu që në Spaç përkujtoi dhe stergjyshen e tij vdekur në një burg të Kinës maoiste të pas Luftës II etj. Shoqata të ndryshme kanë shfaqur interes, është zbatuar dhe ndonjë miniprojekt modest që ka krijuar njëfarë sinjalistike, por të pamjaftushme. Dy vite më parë, me 1915, Fondi Botëror i Monumenteve e ka përfshirë “Spaçin” në listën e monumenteve të rrezikuara, duke i bërë thirrje shtetit shqiptar që ta ruajë këtë objekt unik të kujtesës shqiptare e më gjerë. Qeveritë e Shqipërisë, njëra pas tjetrës, janë shprehur se do ta kishin përparësi një projekt që të lidhej me ruajtjen e Burgut e kthimin e tij në muze, por deri tani asgjë nuk është bërë, vetëm deklarata. Mjafton të ishte lënë pa u bërë një rrugë, a vepër tjetër publike e të ishte investuar në mirëmbajtjen e “Spaçit”, që konsiderohet si kampioni i burgjeve shqiptare të të gjitha kohërave, natyrisht krahas atij të Burrelit (ndërtuar në kohën e Mbretit Zog), burgut të madh të Tiranës, burgut të vjetër të Shkodrës, kampit të Kënetës së Maliqit, kampit të internimit të Tepelenës & burgut të Bençës, Porto-Palermos (Vlorë), Beratit, Lushnjës, Balshit, Qafë Barit etj. Spaçi ende është në kërkim të një muzeu, por që nuk ka gjasë të ngrihet, të paktën së afërmi. Kësisoj njerëzit do të vazhdojnë të shkojnë në rrënojat e ish-Burgut si pelegrinët në një tempull të vuajtjes dhe martirizimit që i ka mbetur vetëm emri. Trashëgimia e tij, që nga coprat e telave me gjemba, reliktet e ndryshme sendore, ditarët me shkrim të imët, dorëshkrimet letrare, kujtimet, monografitë, fotografitë, videot ruhen në shtëpitë e ish – të dënuarve politikë, që shuhen kohë pas kohe. Ata çdo gjë mund ta kishin menduar, por jo se në liri nuk do të gjendej një copë vend ku të afishoheshin sendet e “Aushvicit” të tyre shqiptar.

Në vend që projekti muzeal i Spaçit të kishte marrë udhë me kohë, njerëzit shohin se vëmendja e qeverisë është më tepër tek “Shtëpia e Gjetheve”, që i është bërë një promovim publik me praninë e Kryeministrit, ku do të zbatohet dhe projekti për ta kthyer muze. Spaçi është një emër i ndërkombëtarizuar si institucion i dhunës politike në Shqipëri dhe ai nuk mund të zëvendësohet me objekte dytësore apo tretësore të atij regjimi, me emra tingëllues si “Bunk’Art” 1 e 2 etj. Spaçi identifikohet vetëm me Spaçin dhe jo me anekset e tij. Mirëpo, për mendimin tonë, ky qendrim disavjeçar, jo vetëm i kësaj qeverie, tërhiq e mos këput, me Spaçin, tregon strategjinë e pashkruar që është ndjekur gjatë këtij tranzicioni me ish-të përsekutuarit politikë, duke iu bërë “nder” me këstet e shpërblimit e të drejtat e tjera të ligjshme etj. Nga shumë gjera që ke dëgjuar prej vitesh për Spaçin, të mbetet në mendje thënia metaforike e shefes së zyrës së organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, Lejla Hadzic, që e përqas Spaçin me një “gurë varri”. “Kur ke një vdekje, ke dhe një rrasë varri dhe ti shkon për ta kujtuar njeriun tënd. Kjo strukturë e paprekshme (vdekja) me këtë strukturë të prekshme (Spaçi) duhet të shkrihen me njëra-tjetrën, çka lypet të përdoret për edukim, ndërgjegjësim, por sidomos për drejtësi”. Diçka si në kodet dhe baladat e lashta shqiptare.

Specialistët e fushës na sigurojnë se gjuha e muzeut “Shtëpia e Gjetheve” do të jetë multimediale, ku autentikja do të përcillet përmes objekteve origjinale të përdorura dikur aty, dokumenteve arkivore etj., për çka nuk ka medyshje.

E ne prapë pyesim: Burgu i Spaçit – i pari, apo Shtëpia e Gjetheve?…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *