KRITIKA EGOFALLOCENTRISTE

Nga Agron Tufa

dit-let-16-agroni

Epoka jonë moderne e Hyperlink-ut të lajmëron për gjëra të rëndësishme e të parëndësishme. Jetojmë në një rrjet të përbashkët informacioni – më saktë: në një pezhishkë botërore. Kështu, një fijëz e kësaj pezhishke informative më bëri me dije, se njëfarë skribi, Alfons Grishaj, më paska përfshirë në një aspekt aspak dashamirës, madje akuzues, gjatë replikave të tij me shkrimtarin e njohur Ramiz Gjini. Pa ma përmendur emrin, z. Alfons Grishaj thotë, se shkrimtarit Ramiz Gjini i është dhënë një çmim letrar dhe se këtë çmim ia ka dhënë kryetari i jurisë (d.m.th., unë) që është kushëriri i tij. Ky është thelbi që më prek mua drejpërdrejtë dhe që i referohet vitit 2010 kur juria Letrare e atij viti e shpalli romanin e mrekullueshëm “Bibollasit” të Ramiz Gjinit fitues të çmimit Letrar Kombëtar “Petro Marko”.
Pasi u njoha me krejt zinxhirin e replikave, tash s’më mbetet tjetër, përpos se t’i sqaroj z. Grishaj, të cilit, me sa duket, vreri i xhelozisë ia ka terratisur arsyen, se alibia e tij e vonë, përveçse është e ulët, nuk qëndron.
Është e vërtetë z. Grishaj, se me Ramiz Gjinin ne kemi gjyshet motra (dritë paçin të dyja!), sikundërse është po aq e vërtetë, se në gjykimet letrare kushërinj nuk mund të ketë: ka vetëm ndërgjegje artistike që reflekton përballë vlerave letrare të një vepre. Dy herë kam qenë në një juri të tillë, përkatësisht në vitin 2002 dhe në 2010. Në të dy herët fitues kanë qenë dy shkrimtarë të vërtetë shqiptarë: klasiku i letërsisë tonë, Martin Camaj, dhe prozatori mjeshtëror bashkëkohor, Ramiz Gjini. Sigurisht, z. Grishaj shqetësohet për këtë të dytin, me të cilin është përfshirë në polemikë, duke ndërtuar me paranojën e vet një farë filli konspirativ. Por për të besuar një teori të lirë e dashakeqe konspiracioni, duhet që më parë të kalojmë nëpër ca shkallë karteziane, duke vënë në dyshim:
a) Vetë veprën dhe reputacionit letrar të fituesit, i cili, të vetmen dublikatë mbrojtëse ka tekstet e tij. Këtu s’ke nga me ia mbajtë, se në të mirë të fituesit flasin, deri atëherë, pesë vëllime me tregime (“Dush varrezash”; “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar”; “Atdheu i dëborës” – i përkthyer dhe në rumanisht; “Rrëfime në hije” dhe “Posta që sjell era”. Tregimet e tij botoheshin e botohen në revistat prestigjioze “Aleph”, “Fjala”, “ Jeta e Re” etj. Tok me 5 vëllimet me tregime, Ramiz Gjini kishte botuar asokohe dhe romanin e tij të parë “Rrëketë”(pjesa e parë e trilogjisë romanore “Bibollasit”), pra, një godinë e moderne letrare, mermerit të së cilës, artistikisht, nuk i shkakton dot asnjë gërvishtje.
b) Sinkronizimin e kohës gjatë së cilës shkruan dhe boton fituesi veprën dhe njëherësh, si në komplotet interkontinentale, përpjekjet sinkron të “kushëririt” për të hyrë doemos në juri, me qëllimin e mbrapshtë për t’i dhënë atij çmimin. Sinkronizimi i këtij komploti çmimesh bie vetvetiu nga fakti, se, sipas traditës, fituesi i një viti më parë, kalon automatikisht në juri, siç është dhe sot. Dhe unë isha fitues për vitin 2009. Por këtu na del një vështirësi serioze, se çmimin nuk e jep një anëtar, qoftë ky dhe kryetar, porse pesë personalitete të tjerë të jurisë, që kanë barabar të drejtën e votës e që janë shumica. Do të thotë dikush, që shkalla e ndikimit tim mund të ketë qenë aq imponuese, korruptuese, etj, etj., sa B. Londo, V. Muçi, Balil Gjini (nga Gjirokastra, pra jo kushëri me Ramizin), P. Asllani dhe S. Pasho të kenë hequr dorë nga mendimi i tyre.
c) Transparenca e konkurimit. Për herë të parë në historinë e jurive, pata kërkuar atë vit të zbatohej një rregull: përveç informimit të mediave pas çdo mbledhje në lidhje me ecurinë e konkurrentëve që kualifikoheshin për më tej, unë pata kërkuar, që në tryezën e diskutimit të veprave, të merrte pjesë detyrimisht edhe një punonjës i Ministrisë, që të mbante të sekretuar në protokoll të gjitha argumentet tona në lidhje me veprat e shqyrtuara. Këto protokolle janë dhe sot në Ministrinë e Kulturës dhe z. Grishaj mund t’i porosisë t’i shohë me lupë, meqë e paska çështje madhore.
Vetëm duke ndjekur këtë procedurë, e jo shpifjet apo thashathemet, z. Grishaj mund të fitoj një ide të plotë e të qartë, se nuk bëhet fjalë për juri kushërinjsh, por për vlera letrare të padiskutueshme, të cilat nuk i kontestoi kush. Kështu, teoria konspirative e z. Grishaj bie vetvetiu. Logjikisht.
Vetëm një gjë nuk mund t’ia shpjegoj dot z. Grishaj: si na bëri zemra ne, si ia lejuam vallë vetes – unë e Ramizi – të jemi kushërinj!? Dhe përpos kësaj, pse dreqin do të duhej, që, përveçse kushërinj, të shkruanim dhe bukur? Se bota është e mbushur plot e përplot me kushërinj mediokër, diletantë, smirrëzinj, etj, etj… Nuk e di si ia bëjnë të tjerët z. Grishaj, por unë për vete jam shumë krenar. Të kundërtën e mendojnë, me gjasë, edhe ca pak të tjerë që na njohin, të gjitha ata, që suksesin e tjetrit e shohin si fatkeqësinë e vet. Pra janë çështje që nuk i zgjidh dot unë, e me sa duket, kështu do të mbeten, të pazgjidhura. Zaten në historinë botërore të artit është ngulitur tashmë kompleksi i xhelozisë, i quajtur “salierizëm”. Që të kthjelloheni se për çfarë e kam fjalën, z. Grishaj, ju rekomandoj filmin e Milosh Forman-it “Amadeus”. Sidoqoftë xhelozia e ka një derman: vetëm nëse ajo shndërrohet në konkurrencë vlerash e jo alibish të ulëta. Dhe vërtet nuk kam më ç’tju them në lidhje me këtë çështje, pasi ç’faj kam unë që kam një kushëri të talentuar?
Siç thashë dhe më lart, z. Grishaj, e lexova gjithë zinxhirin e replikave (polemikave) tuaja me Ramizin. Ndoshta Ramizi e ka tepëruar pakëz fare me zhanrin e tij të kritikës së kritikës dhe mbase e teproj dhe unë, që po të bëj kritikën e kritikës së kritikës. Megjithatë Ramizi kishte bërë diçka gogliane me satirën e tij që kalonte në sarkazmë. S’ke ç’i thua: është zhanri i tij. Jam shkulur gazit, patëkeq, si me një porozë gurgulluese, që të kujton Konicën tonë në pamfletet e tij therëse e ironike. Nuk ju kuptoj se pse i hidheni në grykë e i thoni, se kjo nuk është kritikë letrare, në vend që ta kalonit me të qeshur, për faktin e thjeshtë, se në shkrimin tuaj, i cili gjithashtu nuk mund të quhet kurrësesi kritikë, ju i stërfryni gjërat tej mase për një shkrimtar të nderuar, modest, thuajse të paimplikuar në dosjet e Sigurimit të shtetit, siç dhe është shkrimtari Naum Prifti. S’ke ç’të thuash, shkrimtar i njohur për ne, madje që në shkollë, nëse mbani mend librat e tij, që na i jepnin me detyrim. A ju kujtohen z. Grishaj “Cikoja dhe Beni”? Po “Zani partizani”? Po “Era e ngrohtë e thellësive”? Po “Fejesa e Blertës”? Po “Tre vetë kapërxejnë malin”? Po “Tregime të zgjedhura”? etj, etj,. A nuk janë, në thelb, të gjithë një romantizim i jetës socialiste dhe heroit pozitiv, sipas dogmës zyrtare? Jam i një mendje me ju, me një sërë veprash të tjera ku Prifti mëton të kapërcejë konvencat ideologjike, në të mirë të një realizmi më konkret se ai socialist. E megjithatë kaq gjë nuk e bën atë të “shkrimtar mbi vullkan” apo me atributet e Davidit të vogël kundër Goliathit vigan. Këto, sigurisht, janë teprime dashamirëse, mbi të cilat është kapur shkrimtari Ramiz Gjini në shkrimin e tij satirik, i cili gjithashtu, nuk është një kritikë dhe, me sa duket, as që ka qenë në idenë e tij të jetë kritikë e kulluar. Prandaj, gjykoj se nuk ishte e nevojshme ta merrnit aq dramatikisht ironinë e tij, aq më pak, ta akuzonit se nuk njeh kritikën. Pse e them këtë? Sepse as shkrimi juaj, megjithë dy terma të kritikës së perënduar me kohë (“verisimilitude”, “Deus ex machina”) – nuk është kritikë, por thjesht një shkrim hymnizues. Vetëm shkrimi hymnizues merr përsipër të thotë në mënyrë maksimaliste gjithçka për heroin që glorifikoni, me të gjitha atributet heroike që i vishni, aq sa, me thënë të drejtën, e bëni të pabesueshëm dhe absurd.
Por kur ju merrni mundimin të shpjegoni instrumentarin e kritikës letrare dhe metodat e saj, këtu bëheni qesharak në mënyrë serioze; me sa duket, në nxitim e sipër, dikush jua ka cituar keq metodat, ose atij dikushi i është ndalur ora, që nga doracakët e Sterjo Spasses dhe A. Xhuvanit. Po ka gjasë që t’i keni dëgjuar disi, në mënyrë aberrative. Gjithësesi janë metoda kritike të shekullit XIX dhe për nivelin modern e postmodern të teorive të pafundme kritike janë të vonuara, oh sa të vonuara! Prandaj, në qoftëse ju përpiqeni të keni armë të fortë pikërisht kritikën, ju duhet të lexoni, se shekulli XX dhe XXI ku jetojmë, ka një pasuri metodash e shkollash e jo ato dy metoda të perënduara. Disa prej tyre, ku mund të kyçeni dhe ju në lexime intensive, janë: Metoda biografike; metoda kulturoro-historike; metoda e kritikës formale (formalizmi); komparativistika (ose Letërsia krahasuese); metoda strukturale e poststrukturale; metoda Mitopoetike (që përbën në fakt një seri metodash); metoda psikologjike (A. Tebnja); metoda psikoanalitike (e Frojdit, Jungut, Fromit etj); metoda e shkollës semiotike (Pirs, Lotman, Eco); metoda hermeneutike (një metodë filozofiko-estetike e teorisë së interpretimit të tekstit dhe shkencës së kuptimit të veprës); shkolla postmoderniste me metodën e deknstruktivizmit të Jack Derrida; metoda e analizës ekzistenciale, etj, etj, pa numërim.
Teksti argëtues i Ramizit, jam dakord, kritikë nuk mund të quhet, por thjesht prozë, prozë e hollë zbavitëse, sarkazëm, ashtu siç i shkon përshtat një shkrimtari të prirjeve koniciane.
Prandaj, që të mos ndërtoni keqkuptime me llojet e kritikës letrare sipas informacionesh të rastësishme e të vonuara, ju mund të më dërgoni një adresë postare ku mund t’u dërgoj dy volumet e librit tim universitar “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX” I dhe II, rreth 800 faqe (botim i SHBLU, 2008-2009), me të cilin libër mësojnë studentët e mi të Fakultetit Filologjik të UT. Ndërsa ajo që ju e paraqisni si kritikë me koncepte të ngulitura, pra, kritika hymnizuese për të respektuarin Naum Prifti, në teoritë postmoderniste quhet veçse me një term: Egofallocentrizëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *