Hici dhe Dici

Gini RamizTregim nga Ramiz GJINI

Para do kohësh mu desh të kërkoja një apartament me qera.

Vajta në një zyrë, që merrej me këtë punë dhe, pasi u qava hallin, një femëruckë, që e kish ngjyrosur kaptinën e saj të vogël mu si një vezë pashkësh, duke përtypur çamçakiz tha: 

– Tani për tani, e vetmja mundësi që kemi, është të të rregullojmë në një apartament ku banojnë dy vëllezër, Hiçi dhe Diçi. Do të ndash me ta shtëpinë dhe qeranë. Kështu, nuk do të të duhet të paguash shumë para, dhe njëkohësisht, do të gjendesh në shoqërinë e tyre.

Të them të drejtën, që kur jam ndarë me gruan, (e hëngërt kulçedra atë llaçkë të keqe), nuk kam dëshirë të takoj as të njohur, as të panjohur. Më pëlqen të rri vetëm, sepse sa herë i takoj, përpiqen të më mëshirojnë. Ndërsa në mendje kanë tjetër gjë, rreken të më japin të drejtë për të më lënë të kuptoj se gruaja ime…

Por le ta lëmë këtë muhabetin e gruas, sepse e kam dorë më një, që po ta zë me gojë atë dhi me një bri, gjithë dita do më shkojë ters. Madje, rrezik të më shkasë prej binarësh edhe rrëfimi.

Që t’i biem shkurt, të nesërmen pasdite, u gjenda në apartamentin e ri vetë i tretë: unë, Diçi dhe Hiçi.

Hiçi qe një burrë me flokë të rrallë, të zes e si të lëpirë. Mbante mustaqe të holla me majë. Kishte sy të vegjël prej miu, të zhytur në tul. Dukej si një rrondokop i qullët. Ishte ai që më priti i pari. Sapo hyra, më zgjati dorën e djathtë, një dorë të djersitur, të vogël e si pa kocka. Gishtërinjtë i kishte të ngrydhët e të bardhë si bulbi poroz i kërpudhës. Me të majtën, Hiçi mbante pantallonat që të mos i binin, pasi nuk qenë të vetat, por qenë pantallonat e të vëllait të tij, Diçit.

Diku pranë dritares, qe ulur në një kanapè, i vëllai i tij Diçi. Diçi qe më i vogël në moshë, por më i madh nga shtati. Rrobat që kishte veshur e bënin të dukej për hagaret të Zotit. Pantallonat i kishte aq të shkurta e të ngushta, sa të krijohej përshtypja sikur qe rritur brenda tyre. Më vonë do të mësoja, që Hiçi vishej me rrobat e Diçit dhe Diçi me ato të Hiçit. Nëse sot Diçi blinte një gjë për veten e tij, të nesërmen atë do ia merrte Hiçi. Kështu, gjërat e Hiçit i ngeleshin Diçit.

Shtëpia kishte dy dhoma gjumi. Njëra, ajo ku do të flija unë, ishte krejt e boshatisur. Dhoma e tyre kishte dy shtretër, një televizor, (të kthyer nga krevati ku flinte Hiçi) dhe dy rafte rrobash. Dy dritaret e dhomës së tyre shikonin nga jug-perendimi. Gjithandej në mure, qenë varur korrniza me fotografi të Hiçit. Dyshemeja prej dërrase, gjithë llomështi, ngjante me ato llagaçet e ndyra ku zhgërryhen gomerët. Rreth mureve, në të katër anët, binin në sy ca vrima minjsh të shtuposura me letra.

Më ftuan të ulesha në një karrige dhe unë zura vend, ngadalë e disi me droje duke u përpjekur të lija një përshtypje të mirë.

Hiçi i vogël u kapardis në shtratin e Diçit dhe Diçi i madh u kruspullos në atë të Hiçit. Gjatë bisedës Hiçi hiqej me të madh, krekosej para Diçit, diç donte të thoshte, por se thoshte dot. Dukej se kishte një shqetësim, të cilin, përpiqej ta fshihte. I rrotullonte sytë nëpër dhomë a thua sikur nga çasti në çast, do të mbinte si nga toka dikush, e do t’i thoshte që gënjente. Në raste të tilla, për ta nxjerrë nga situata, gjithnjë futej në bisedë Diçi. Hiçi e miratonte: “Po, po, ma more fjalën nga goja, – thoshte me nxitim ai, – Ti the pikërisht atë që doja të thoja unë”.

Sa herë ndodhte që Diçi hapte gojën për të folur, Hiçi e ndërpriste, e pyeste se çfarë donte të thoshte. Kur Diçi i shpjegonte se donte të thoshte këtë e atë, atëherë e merrte fjalën Hiçi: niste të qiste dokrra e të numëronte kakërdhi.

Qenë dy tipa, të ndërkallur çuditërisht brenda njëri-tjetrit.

Në fakt, Diçin e kisha më për zemër. Ndonëse qe i tutur, kishte më tepër prezencë se Hiçi. Mund të flisje e të kuptoheshe lehtë me të. Por kur i drejtohesha me ndonjë pyetje Diçit, hidhej Hiçi t’më jepte përgjigje. Ama Hiçi, gjithëherë e linte diçka mangut, që duhej ta plotësonte Diçi.

Hiçin, të them të drejtën, nuk e honepsia hiç. Që në pamje të parë dukej kokëtrashë e llaçkar. Mbante ngaherë një bllok shënimesh me vete si dhe disa lapsa karboni, që ia mprihte rregullisht Diçi. I fuste ata në një çantë meshini, të cilën, para ca vitesh e kish pas blerë Diçi për veten e tij. Ky bllok atij i shërbente për të shkruar në faqet e tij disa të vërteta që dilnin nga goja e Diçit. Gjithshka i përkiste Diçit, do ta merrte Hiçi, që nga vlerat morale e deri tek ato materiale.

Diçi, edhe qe martuar një herë me një grua dukane e të përhedhur, që në s’gaboj, thirrej Lena. Por s’kish qëndruar gjatë me të pasi ia kish marrë Hiçi.

Kjo grua kish lindur edhe një fëmijë me Diçin, por Hiçi e kish shkruar mbi vete atësinë.

E gjendur mes Diçit dhe Hiçit, Lena kish rënë në hall të madh, nuk kish pasur ç’të bënte dhe kishte vajtur të ankohej në prokurori.

Prokurori i çështjes, një djalë i ri nga Bibolli, që pati bërë emër me çështjen e famshme të asaj që u quajt “Kryengritja e Tarrotëve”, e kish dëgjuar me shumë vëmendje gruan hallexheshë. E kish ndihmuar të plotësonte edhe akt-padinë, e cila, rëndonte më tepër mbi Hiçin. Pastaj ai kish thirrur për të marrë në pyetje Diçin, por në vend të tij kishte shkuar Hiçi. Kështu, puna qe ngatërruar e qe bërë lëmsh i pazgjidhur. Atëherë Lena, qe larguar prej tyre duke iu lutur shën Ndoit t’i gjente një burrë tjetër.

Diçi gatuante, shtronte tryezën, lante pjatat dhe tenxheret, pastronte shtëpinë. Ai bënte çdo punë që duhej bërë. Madje ai kishte edhe një punë të përditshme në një kompani paketimi, të cilën, e fillonte në shtatë të mëngjesit dhe e linte në katër pasdite. Por, paratë që fitonte me punën që bënte i fuste në bankë, në numërin e llogarisë së Hiçit.

Hiçi hante mirë. Për çdo darkë, pinte nga një bokale verë të markës Brulè, një verë kjo, që pihej e ngrohtë, me kanellë dhe karafila. Ai nuk harronte të fuste brenda saj edhe ca copëza të vogla pjeshke ose molle. Kurse Diçi pinte ujë nga çezma.

Fjalët që thoshte Diçi, nuk i kishte të vetat, ai i merrte ato nga goja e Hiçit! Këtë ma tha vetë Hiçi, kur po përpiqej të zinte me shtupa letre vrimën e një miu, i cili, dilte shpesh natën për t’i bërë karshillëk!

Ky mi jetonte prej shumë kohësh poshtë dyshemese dhe ishte qenia që Hiçi e urrente më shumë. Nuk kishte gjë në botë, që Hiçi ta urrente më tepër se këtë kafshë të vogël e të ndyrë vrimash. Kishte vite, që ishte torturuar në përpjekjet për ta zënë, por nuk ia kish dalë mbanë. I kish ngritur kurthe dhe i kish vendosur gjithandej nëpër shtëpi ushqime të helmatisura. Por miu i pat shpërfillur me indiferencë dhe u qe shmangur me zgjuarsi të gjitha kurtheve që ngrinte Hiçi. Sapo Hiçi i mbyllte një vrimë, ai do të hapte një vrimë tjetër, do të mbinte pranë tij pikërisht kur nuk pritej, do të merrte pozicion i ngrefrosur në bisht dhe do t’i bënte karshillëk: fillonte të bënte disa veprime, që nuk dihej pse Hiçit i dukeshin si imitime egzakte të personit të tij. Pastaj si prekte me këmbët e para turirin dhe mustaqet, niste të lëpihej: së pari këmbët, së dyti qimet e barkut, dhe në fund, kurrizin. Gjithësaherë me një shpërfillje e karshillëk, që e bëntë Hiçin të ziente ngadalë nën vete e të harmatohej mënie. Nëse Hiçi bënte lëvizjen më të vogël për ta goditur, ta zëmë, me fshesë, asohere, sa hap e mbyll sytë, ai bëhej fir brenda vrimës. Por nuk vononte dhe shfaqej sërish: nxirrte ngadalë kokën nga vrima dhe e vështronte Hiçin si brac me sytë e vegjël vizëllues. Thjeshtë e vështronte. Por Hiçit i bëhej sikur i thoshte:

“Ah, rrufjan ti rrufian! Të njoh mirë unë ty, të njoh mirë!”

Mbrëmjen e ditës tjetër, unë, Diçi dhe Hiçi, e zgjatëm pak si gjatë bisedën dhe, andej nga e vona, çuditërisht, ne dolëm të njohur nga dajat e babait tim. Na doli që unë isha, – me nder jush, – stërnipi më i mbramë i Hiçit dhe Diçit. Atëherë, si me këtë rast, ne hodhëm nga një gotë. Të bërë në qejf, na e shkrepi ta asgjesonim atë kafshë të vogël djallëzore, që i binte më qafë dajë Hiçit. Kështu, ne organizuam një si lloj operacioni, që e pagëzuam “Kthetrat e maces”. E ruajtëm miun kur doli nga vrima, e rrethuam dhe iu sulëm me yrish të gjithë njëherësh…

Për fat të keq, gabuam taktikisht. Jo vetëm që nuk e asgjesuam dot, por patëm shumë humbje nga ana jonë: Diçi e gjuajti miun me këpucë, por pa dashje ia paraveshi turinjve Hiçit. Hiçit iu errën sytë, u pengua në një karrige, u rrëzua dhe u përdrodh në kërbishte. Kurse unë theva aksidentalisht një poçe të shtrenjtë dekorative me motive nga lashtësia, si dhe rrëzova nga muret në dysheme dy portrete të dajë Hiçit.

Të dërrmuar nga humbja, i futëm nga një të sharë belaziut dhe ramë për të fjetur.

Teksa dëgjoja Diçin të rrotullohej për të gjetur rehat në krevatin e vogël të Hiçit, për herë të parë, ndjeva për të një keqardhje të thellë. U ngrita nga vendi ku isha ulur dhe vajta pranë krevatit të Diçit ku qe shtrirë Hiçi. Kish rënë në një gjendje gjysëm të përgjumur. Balli i ngushtë i qe mbuluar me bulëza të vogëla djerse. Cepi i buzës së poshtëme i qe varur mbi jastëkun e lagur me jargë. Sa herë merrte e nxirrte frymë, Hiçi lëshonte me hundë një fishkëllimë të lehtë si cingëritje miu.

Sapo e tunda, ai hapi sytë disi i tramkosur dhe u përpoq të ftillohej. I thashë me takt, që do të ishte e arsyeshme, të ngrihej, ta lironte atë shtrat që s’ishte i tij dhe të shkonte në shtratin e vet. Por dajë Hiçi, nuk lëvizi. Duke përtypur ngadalë me dhëmbë kushedi çfarë fjale të pa thënë, më shqiri me sytë plot urrejtje. Unë vështrova Diçin me shpresë se do të reagonte, por ai nuk reagoi fare. Tek e fundit, Diçi u kthye nga unë e si me përtesë, duke rrudhur ballin, psherëtiu e tha:

“Është vëllai im i madh dhe duhet respektuar.”

Të them të drejtën, më kërceu inati në majë të hundës. Thashë me vete: “Djalli ta marrë! Ky Diçi qenka më hiç se Hiçi!” Dhe e harrova punën e tyre.Vajta sërish në dhomën time dhe u shtriva me shpresë se do të më merrte gjumi. Por gjumi s’po më merrte që s’po më merrte. Në mendje, herë më fanitej ajo skena me miun, herë ajo thatiçka me flokët e gafrruara, gruaja ime torrovole, për shkak të së cilës, u katandisa në këtë far feje. (E piftë bolla në gjumë natën e krishtlindjeve!)

Tevona, kur po më kopsiteshin sytë, që nga dhoma ku flinin Hiçi dhe Diçi, më erdhi në vesh, në fillim një si britmë miturishte, pastaj një zë disi i sertë e kanosës.

U ngrita ngadalë nga shtrati dhe hapa me kujdes derën. Eca përmes korridorit dhe u avita pahetueshëm pranë derës gjysëm të hapur të dhomës ku flinin Hiçi dhe Diçi.

Vura rè që Diçi gërhiste për shtatë palë qejfe në shtratin e Hiçit. Kurse dajë Hiçi qe ngritur ndenjur në shtratin e Diçit, ndërsa me lot në sy thoshte:

– Ti po më shkatërron, ta dish! Unë jam njeri me shkollë, i respektuar…

Përballë tij, diku pranë vrimës, qëndronte në bisht kafsha e vogël. E dëgjonte shpërfillshëm, e shigjetonte me sytë vizëllues, dhe teksa lëpihej, dukej sikur thoshte:

“Ah, rrufjan ti rrufian! Të njoh mirë unë ty, të njoh mirë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *