MUSINE KOKALARI DUART E ARTA EDHE NEN DHE, LIDHUR ME TELA ME GJEMBA

Nga Agim Xh. Dëshnica

Kthim në kohë.

Teksa shfletojmë librat e letërsisë së dënuar, na dalin parasysh, si mirazh në shtegtimin e dhimbshëm, poetët e shkrimtarët e lirisë, Musine Kokalari, e munduar në burg  e internim, e harruar në vetmi deri në fund të jetës; poetët atdhetarë françeskanë, të masakruar mizorisht; poetët Namik Mehqemeja e Trifon Xhagjika, Vilson Bloshmi e Genc Leka, të pushkatuar pa mëshirë, Havzi Nela, i varur barbarisht në litar, të gjithë për poezitë  kushtuar lirisë  e dashurisë ndaj jetës, edhe shumë të tjerë; poetët, shkrimtarèt e gjuhëtarët Arshi Pipa, Martin Camaj, Isuf Luzaj, Bilal Xhaferri e të tjerë, të ikur nga përndjekja drejt lirisë, por të përmalluar për atdheun deri në fund të jetës.

kokalari

Në shtatë vitet e para, pas mbarimit të luftës, sidomos në shkollat e mesme pothuaj gjithë të rinjte lexonin me ëndje librat jo vetëm të autorëve të huaj,  por edhe  të poetëve e shkrimtarëve tanë, të botuara para e gjatë luftës. Në mjediset e ngrohta e të pasura të librarive private ende të pambyllura, shumë vetë kërkonin librat, “Seç më thotë nënua plakë” e “Rreth Vatrës” të shkrimtares Musine Kokalari, “Vallja e Yjeve” të Lasgush Poradecit, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” të Mitrush Kutelit, “Nga Tirana në Stokholm” të Vedat Kokonës, romanet, “Afërdita” të Sterjo Spasses, “Gremina e Dashunisë“ të Mustafa Greblleshit etj. Mandej nisi dhuna, grabitja e librarive, mbartja me kamionë, shfarosja e shkatërrimi i librave dhe i kulturës kombëtare. Një rrymë shkretane me kundërvlera letrare, me emrin “realizëm socialist” u shfaq ,edhe në vendin tonë, me armë e mburrje,  me hymne e lavde për diktaurën, edhe kjo e shqyrtuar imtë nga lart. Letërsia e bukur e Rilindësve, e zhvilluar më tej nga pasardhësit e tyre, u ndërpre, heshti trishtueshëm.

 

Ardhja e shkrimtares së ardhëshme në jetë e në atdhe.

Musine Kokalari e lindur në dhjetë shkurt 1917 në Adana të Turqisë, kthehet më 1921 në atdhe me pjestarët e tjerë të familjes, mëspari në Gjirokastër. Aty mori mësimet e para në shqip. Nëntë vjet më vonë, familja shpërngulet në Tiranë. Më 1937, mbaroi shkollën normale “Nëna Mbretëreshë”. Pas një viti vijoi studimet në Universitetin e Arteve të Bukura në Romë, La Sapienza. Gjatë viteve universitare Musineja, krahas studimeve, jetoi çaste të lumtura, duke u marrë, me krijime letrare me tema familjare. në shqip e italisht. Ndërkohe pati letërkëmbim të pasur me shkrimtarët e shquar, Lumo Skëndo (Mi’hat Frashëri) e Alberto Moravia të cilët vlerësonin krijimet e saj në letërsi. Ende studente në Romë, përgatiti librin e parë me skica e tregime, “Seç më thotë nënua plakë”, botuar më 1941 në Tiranë. Një libër ky i këndshëm për të gjitha moshat, kushtuar jetës në qytetin e saj, që u prit mirë nga lexuesi i gjerë. Dita e botimit të këtij libri shënon shfaqjen e shkrimtares së parë shqiptare në botën e letrave shqipe. Më 1941 mbrojti shkëlqyeshëm doktoratën me temën “ Shqipëria dhe Naim Frashëri”. E kthyer në atdhe, Musineja dëshironte të merrej vetëm me letërsi. Në një letër të vitit 1943, ajo shkruante: “Unë dua të shkruaj, të shkruaj, të shkruaj vetëm letërsi e të mos merrem me politikë Ata që kanë patur fatin ta njohin nga afër, tregojnë se ajo ishte e çiltër, e dashur, e butë, e ditur, jashtëzakonisht e zgjuar, altruiste, por edhe krenare, dinjitoze e me karakter të forte, të pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndeshmërisë njerëzore. Si e tillë, ajo bashkëpunoi me dijetarët Sotir Kolea e Selman Riza, Namik Resuli e Aleksandër Xhuvani, poetët Lasgush Poradeci e Arshi Pipa, shkrimtarët Vedat Kokona e Sterjo Spasse. Pas një viti botoi librin e dytë “Rreth Vatrës”, me përrallat e bukura të gjyshes në mjedisin e këndshëm të jetës së përditëshme familjare. Pas disa muajsh librin e tretë, “Sa u tund jeta”. Kritika letrare e vlerëson si një roman etnografik të arrirë, ku tregohet historia e një dasme në Gjirokastër me ritet e njohura të jugut e me këngë të mbledhura me kujdes, vatër më vatër. Atje tregohet fati i një gruaje në familjen gjirokastrite, vihen re ngjyrime realiste të përshkrimit, njohja e jetës shpirtërore dhe e zakoneve, kujdesi i veçantë për gjuhën, shprehitë dhe ligjërimin e grave të qytetit. Me këto libra, Musineja na kujton françeskanët. At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, mbledhësit e palodhur të këngëve e rapsodive, përrallave e fjalëve të rralla në malet e veriut, të cilët jashtë çdo logjike, pas luftës u ndëshkuan, njeri humbi jetën në hetuesi, tjetri  u plak burgjeve.

Lufta e ndëshkimi i idealit kombëtar.

Lufta e përhapur, edhe në Shqipëri, rrëmbeu më 1944, edhe shkrimtaren atdhetare. Si një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate, me punën e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor të po atij viti, nisi kalvari i përgjakur i mundimeve. Vëllezërit Muntas e Vesim Kokalari, botues të kryevepra botërore, kushëriu Syrja Kokalari, u pushkatuan pa gjyq nga terroristët komunistë. Pas katër ditësh u arrestua edhe vetë Musineja. Rreth 17 ditë në burg, e torturuar me pyetje e kërcënime, ajo me përgjigjet e saj, i hutoi komisarët e armatosur. Më tej do të vijonte, pa u ndalur, goditja kundër tërë fisit të Kokalarëve.

Paslufta  e mundimeve.

Në dimrin e ftohtë 1945, një vit ky i turbulluar nga dënimet mizore kundër atdhetarëve të pavarësisë; nga zhurma  e  shtypit dhe fjalimet, për kinse votime të lira, demokraci e fjalën e lirë, Musine Kokalari për ironi te fatit u pranua në Lidhjen e shkrimtarëve, Në atë vit  mundi të botonte librin me 60 esse “Sikur të isha lule”, por prapësitë e kohës  nuk iu ndanë. Në 11 Janar 1946, pas votimeve të 2 dhjetorit 1945, sipari “Qeveria Demokratike”, rrëshkiti e ra dhe u shfaq dhunshëm Republika Popullore, me një parti, Partinë e Punës. Pa kaluar as dymëdhjetë ditë, Musineja u arrestua përsëri për qendrimin e saj opozitar, në mbrotje të ideve atdhetare e lirive demokratike. Një lukuni hetuesish, prokurorësh e kryetarësh me dorën e hekurt të diktatorit, u sulën kundër asaj vajze të kulturuar. Pas torturash çnjerzore, para trupit gjykues shkrimtarja demokrate, u mbrojt vetë: “unë nuk dëshiroj të jem komuniste për të dashur vendin tim, por unë e dua vendin tim. Përherë mendoj se s’jam komuniste, e dua progresin në vendin tim. Ju mburreni se fituat dhe tani doni të asgjësoni ata të cilët i quani kundërshtarë politikë. Une mendoj ndryshe nga ju, por vendin tim e dua. Ju më dënoni për shkak të idealit tim. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.” Në çastin, kur një britmë e porositur u dëgjua në sallë: “me vdekje në litar” kryetari tha: “e degjon çfarë kerkon populli?“ Musineja me qetësi u përgjigj: “nesër ketë do të kërkojnë edhe për ju!” Asnjë avokat, as dëshmitar mbrojtës, nuk u pa pranë saj.  Edhe sot zëri shkrimtares jehon: “S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj, në burg nuk duhet të jem!”

Si kryetari, edhe prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: “Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen”.  Vendimi i caktuar qysh më parë: 20 vjet heqje lirie, me burgim të rëndë në Burrel. Ndër të tjera, u ndalua të botonte dhe u përjashtua nga Lidhja e shkrimtarëve. Libraria e saj u mbyll. Lexuesit e rinj prisnin më kot para portës së kyçur. Edhe librat u dënuan e u mbartën me kamion në drejtim të panjohur. Të gjitha këto ngjarje u zhvilluan në harkun kohor nëntor 1944-1946.

Edhe pse burgimi u mbajt tepër sekret, papritur emri i shkrimtares shqiptare, u bë i njohur ndërmjet tridhjetë shkrimtarëve të burgosur në botë më 1960. Jehona për lirimin e tyre u përhap edhe në vendin tonë. Diktatori dinak kërkoi largimin nga burgu e nga sytë e botës, duke e internuar në Rrëshen, më parë fshat, më 1949 qytet e qendër e rrethit të Mirditës. Pra, shkrimtaren demokrate e fshehën në thellësi të maleve, ku dielli dukej e zhdukej, nga një kep në tjetrin dhe nata binte, përhapej e qetësonte shpirtrat e munduar në kampe minierash e internimesh. Me ata njerëz të varfër e të harruar nga bota, Mirdita e bukur e pishave, e lumejve, e ajrit të pastër, për habi ngjante si burg. Vendasit e kujtojnë me nderim, të drobitur nga punët e rënda, me krahë, në bujqësi e ndërtim, në dimrin e ftohtë me borë e në vapën e verës. Ajo binte në sy menjëherë, me pamjen fisnike, veshjen e hijshme e të ecurit midis atij qyteti të varfër. Një mësues e poet nga kryeqyteti, i harruar edhe ai në fshatrat mbi Rrëshen, shënonte në kujtimet e veta, se teksa zbriste në atë qytet të vogël, udhës ishte hasur me Musinenë, madje e pat përshëndetur, kur në kohën e lirë ajo shkonte në bibliotekë, ulej, lexonte e shkruante. Ndëshkimi, përndjekja e çdo prapësi ndaj saj, vinin nga dora e fshehtë e diktatorit zilar E. Hoxha. E sëmurë rëndë, askush nga zyrtarët s’pyeti për të, askush nuk u kujdes për mjekimin e saj në spital. U shua në vetmi më 1983. Siç tregojnë, në ditën, kur do të pushonte përgjithmonë në tokën që e deshi aq fort, u mbart me kamion zhavori dhe u mbulua, vetëm nga varrmihësit.

Nga doreshkrimi “Mbi jetën time.”

Sado diktatori u rek më kot t’ia mbyllte gojën vajzës së hijshme shkrimtare prapa maleve me burgje e kampe, ajo flet, edhe sot me dorshkrimin e saj: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje? Une s´jam fajtore ”.Më tej shënimet vijojnë: “C’fat tragjik, Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetes sime. Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin. Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por duan të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. C´do të ngjase? Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-kendej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit.  Kam 38 vjet që nuk e di c’domethënë familje. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Vetëm nga këto pak rreshta kushdo mund të përfytyrojë, se cila qe e dënuara pa faj, demokratja e pahepur deri në fund me ëndërra për një jetë më të mirë në demokraci, shkrimtarja me shpirt bujar.

Dhimbje e nderim.

Në shkrimet kushtuar vajzës demokrate dalin në dritë  ngjarje të panjohura e rënqethëse.  Nga kërkimet e juristit e historianit Mexhit Kokalari, bëhet e ditur një ndodhi tronditëse, kur u zbulua gropa, ku prehej Musineja pas vuajtjeve të shkaktuara nga diktatori i egër, u pa se duart e saj, ishin të lidhura me tela me gjemba!! Tela të ndryshkur kufiri?! Tela të përgjakur burgjesh e kampesh?! Tela pushkatimesh? Veçse ai, që urdhëroi dhunimin e fundit, gabohej! Telat ishin këputur e tretur, ndërsa mbi tokë çelin lule, vepra jeton e shpirti saj, yll ndër yje.

 

***

Musine Kokalari megjithëse iku nga kjo botë dhe nuk e pa ditën e lirisë, ajo mbeti e paharruar në zemrat e  mendjet e atyre që kanë lexuar veprat e saj. Nga ajo kohë, do të kalonin dhjetë vjet, kur pas ngadhnjimit të demokracisë, Presidenti i Republikës, aso kohe doktor Sali Berisha e nderoi me medaljen “Martir i Demokracisë”, më pas me titullin “Nderi i Kombit,” Më 2009 u botua vëllimi i parë i veprave të saj. Antropologu Mauro Geraci botoi në Itali “La mia vita universitaria”, ditar ku Musine Kokalari rrëfen miqësitë e ngrohta të viteve universitare. Dr. Agata Fijalkowski në Universitin e Drejtësisë në Lankaster shkruante: “Duke e përkujtuar herë pas here me nderim,  imazhi i Musinesë është një tregues kyç për të gjetur, se çfarë duhet kujtuar, dhe kush duhet  ndëshkuar.” .

 

 

 

Tashmë pasardhësit e Kokalarëve e përjetësojnë nëpër muze, me mbledhje  letrash e dorëshkrimesh. Çmime letrare, shkolla e rrugë, mbajnë emrin “Musine Kokalari”. Qindra vajza e gra, të rinj e të moshuar, shoqërojnë përherë me miratim çdo shkrim kushtuar kujtimit të shkrimtares pa tela me gjemba rreth duarve të arta, teksa dëgjon nga nënua plakë këngët e jetës pranë vatrës që t’i dëgjojë bota.

——————-

Shkruesi i këtyre radhëve te trishtuara  në shenjë nderimi  i ka kushtura këto vargje:

PËR TY QË DESHE

TË ISHE LULE!

 

Motër e muzave, Musine,

të pret qyteti me legjenda,

te Mali i Gjerë, shtëpitë përpjetë,

me lule, gjethe sipër muresh,

teqe, selvi në qiell lartuar!

 

Qyteti i Bajos e i Çerçizit,

qyteti i dijes, i Çabejit,

tek sillen retë mbi kala,

mbi Argjironë ndër mendime,

në gji fëmijën me dridhërimë!

 

Ja, Palortoja po hap dritaret!

Ka mall, të pret mëhallë e bukur!

O motër moj, o Musine!

Me çantë visaresh, lehtë e lehtë,

e qeshur ngjitesh nëpër sokak!

Të pret krahëhapur portë e lartë,

shtëpi e gurtë, zemër e mirë,

oda e qetë, vatër e ngrohtë!

O motër moj, o Musine!

 

Por çfarë të thoshte ty nënua plakë…

atje rreth vatrës, urtë e butë?

Mos vallë kërkoje ndër shkëndi

për miturinë yjet e bukur,

shpresat si ëndrra për rininë,

o motër moj, o Musine?

 

Në qiell shpirti të harrohej,

me fjalë të arta për Naimin,

për ditë me dritë nga perëndon,

kur qark fantazma endej në botë,

me gjak e tmerr sa tundej jeta!

 

Më kot një dorë me adhurim

e pafuqishme drejt teje nderej!

Më kot dhe grusht i rreptë i dhunës,

padrejtësisë nëpër zymti,

ngrihej mbi ty me kërcënim,

kur ne me mall kërkonim vjollca,

për ty, që deshe të ishe lule,

o motër vuajtjesh, o Musine!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *