NDUE DEDAJ
Muranat e Ballkanit ende nuk kanë rënë. Ka qenë një iluzion ai i ndryshimit pozitiv të marrëdhënieve Serbi – Kosovë, vitet e fundit, kur u inicua dialogu nën ombrellën e Brukselit. Lokomotiva e bisedimeve nuk e ka çuar përpara trenin e zhvillimeve të qëndrueshme politike mes dy vendeve të dala nga një konflikt shekullor, nga më të rëndit në historinë e popujve. Duket se Serbia nuk e ka patur seriozisht, por thjeshtë ka luajtur për sytë e Bashkimit Europian, për ta përshpejtuar anëtarësimin e saj në këtë bashkësi.
Nuk ka shpjegim tjetër nxitimi i trenit të çuditshëm serb, me 14 janar, drejt kufirit shtetëror të Kosovës, nëpër një hekurudhë të vetëmbyllur, pa ikur ende atmosfera festive e Vitit të Ri 2017. Sikur mezi ishte pritur të shtyheshin ditët e ndërrim-vitit për të nisur trenin e stolisur me parulla nacionaliste dhe ikona mesjetare, dy gjera që jo rastësisht ideatorët e trenit “sonambul” i kanë bërë bashkë në ato vagona. Ngado që ta kundrosh, është një ngjarje që nuk do të kalojë lehtë. Të paktën në planin politik e diplomatik. Thellë-thellë, nuk ka qenë treni i Beogradit ai që ka ngecur në Mitrovicë këtë mesjanar, por treni i lodhur i politikës së Brukselit, që nuk ka arritur të jetë një negociator i suksesshëm politik i marrëdhënieve serbo – kosovare. Janë bërë plot analiza këto ditë në media të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, janë vënë në peshore të gjitha ngjarjet intensive serbe të kohëve të fundit, Zajednica, muri i ri i Mitrovicës, arrestimi i Hardinajt dhe së fundi treni nacionalist që udhëtonte si nëpër shkretëtirë drejt Tokës së Palejuar!
I pari që duhej ta ndalte atë tren ishte Brukseli! Ta ndalte dhe jo të lëshonte si kofini pas të vjelave ndonjë nga ato deklaratat e thata, as mish as peshk, që Beogradi dhe Prishtina duhet të bëjnë kështu e ashtu. Pse në kët rast këshillohen, në të njëjtën gjatësi vale, për maturi si Beogradi si Prishtina? Pikërisht se përdoret një gjuhë e tillë diplomatike Beogradi bën sikur nuk dëgjon, sikur nuk e kanë me të. Si mund ta lejojë murin BE-ja në Mitrovicë? Pse iu lëshon pe sot e nesër trazimeve serbe në këtë qytet? Apo se gjerat kështu kanë shkuar qysh nga viti 1999, kur Kosova fitoi lirinë, por Mitrovica u mbajt peng? Mitrovica është Trepça dhe Trepça është Mitrovica. Këtu qendron problemi në rrafshin ekonomik. Kurse në atë politik problemi është që të mbahet diku (e ku më mirë se aty!) e pashuar një vatër konflikti me Kosovën, ndërkohë që atë e kanë njohur si shtet mbi njëqind qeveri të botës dhe ato e kanë njohur si të tillë më gjithë veriun e Mitrovicës. 1999 dhe 17 shkurti 2008 e kanë zeruar rolin e kushtetutës serbe mbi Kosovën si kinse pjesë e Serbisë.
Prandaj shteti i Kosovës, kur pa se askush nga Europa nuk po e ndalte trenin serb kundër sovranitetit të tij, e bëri vetë këtë, e ndali me dinjitet e profesionalizëm. Presidenti Hashim Thaçi tregoi se është i sprovuar në politikë dhe qeverisje dhe di të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur. Ashti si Policia e Kosovës veproi si çdo polici e qytetëruar, me vendosmëri dhe qytetari. Kjo është për t’u përshëndetur, jo vetëm se u menaxhua si duhet një situatë e nxehtë ndëretinike, por se tregoi se Kosova më në fund i ka vetëvepruese institucionet e saj të sigurisë, se ato mund të ofrojnë rend kushtetues e siguri pa ndihmën apo “hijen” e dikujt tjetër mbi vete. Mund të thuhet se veprimi energjik kosovar ishte një mësim për disa aktorë dhe faktorë politikë në Kosovë dhe rajon, në kuptimin që shteti i ri kosovar, dalzotësi legjitim i vendit të vet, di t’i ruajë kufijtë e tij dhe njëherësh të luftojë për të zgjidhur me dialog problematikat e trashëguara, të shfaqura njëanshëm nga pala serbe.
Të kthehemi sërish te “treni” i ngecur mes Beogradit dhe Brukselit. Analiza jonë modeste mëton të fokusohet në një problem jo aq të rrahur: në “stilin e ri” të politikës së vjetër ballkanike, kryekrejet asaj serbe, ku ndryshe është duku e ndryshe përmbajtja. Shihet se Serbia ka luajtur me dy karta, atë të europianizmit, përmes figurës së kryeministrit Vuçiç dhe atë tradicionale me atë të presidentit Nikoliç në planin e brendshëm. Të përfitojmë sa të mundemi nga Europa, ama popullin ta mbajmë me ëndrrën se “Kosova është Serbi”. Kjo është e dallueshme dhe në qëndrimet e dy liderëve kryesorë serbë, ku kryetari i Ekzekutivit predikon paqen, dialogun, zgjidhjen në mirëkuptim me Prishtinën, kurse ai i Presidencës shfaqet radikal, me tone lufte, si në mesin e viteve ’90, pak a shunë siç qe shfaqur në fillimet e mandatit të tij presidencial. Për më tepër në Serbi fill pas trenit provikues nis regjistrimi ushtarak i popullsisë si një kërcënim ndaj Kosovës. Ky lexim i politikës serbe – me dy anë të medaljes – duhej bërë me kohë nga udhëheqësit politikë të BE – së, dhe jo të pritej të plaste konflikti mbi shinat e ndryshkura të hekurudhës, përndryshe cili është efikasiteti i politikës së kësaj organizate prestigjoze lidhur me Serbinë. Për me tepër citohet dhe Vojslav Sheshel ta ketë akuzuar Nikoliçin për provokim ndaj shqiptarëve. Individë të veshur me pushtet si presidenti serb dëmtojnë në radhë të parë politikën e vendit të tyre dhe imazhin e Serbisë në rajon. Prandaj ajo që duhet ndalur është gjuha e tij e luftës, gjuhë që besohej se e kishim lënë pas. Vetëm kur të shmangën qëndrime dhe ligjërime të tilla tipike të udhëheqësisë së vjetër serbe, nuk do të ketë më trena me simbolika dhe sirena lufte në Ballkan.
Gjithsesi, telefonatat e Europës kanë qenë për Beogradin si një tërheqje veshi ndaj tij. Kancelarja Merkel ka komunikuar me kryeministrin Vuçiç, i cili i ka qëndruar linjës së tij të mëparshme për raportet me Kosovën. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Fererica Mogherini ka caktuar në Bruksel takimin e nivelit të lartë, me 24 janar, dhjetë ditë pas ngjarjes me trenin, për të ç’tensionuar marrëdhëniet e ngrira mes Prishtinës dhe Beogradit. Sigurisht që ky është një hap i mirë, por vetëm një hap në rrugëtimin e ngadaltë drejt paqes mes Kosovës dhe Serbisë, sa për të kapërcyer trenin e kësaj here, por jo dhe trenat e tjerë që mund të shfaqen. Zgjidhja nuk mund të jetë as një takim, dhe as dhjetë të tillë, me të njëjtat stilema dhe retorika fjalëbukura për paqen në tryeza dhe aq. Europa duhet të ushtrojë gjithë ndikimin e vet politik që Serbia ta njohë shtetin e ri të Kosovës, duke mos u ushqyer më ëndrra në diell nga Beogradi se kursi në rajon mund të ndërrojë me zhvillimet sot e nesër në politikën amerikane, atë ruse etj.
Historia moderne euro-atlantike e ka përcaktuar më në fund fatin dhe vendin e Kosovës si shtet sovran në hartën ballkanike dhe europiane.