Fjalimi i mbajtur në Marshin në Prizren më 12 nëntor 2016

 … per vdekjen e Astrit Deharit . Derguar per Kuvendin!

????????????????????????????????????

Nga Albin Kurti

Të dashur qytetarë të Prizrenit dhe aktivistë të Lëvizjes,

Pikërisht në këto çaste, saktësisht para një jave, mu në këtë burg, në qelinë A-3, ka vdekur Astrit Dehari. Nënën nga Presheva, babain nga Kumanova, Astriti punoi shumë në jetën e tij të shkurtër anembanë komunave të Kosovës e posaqërisht në kryeqytet, gjithnjë për bashkim, për barazi e për drejtësi. Astriti nuk ishte thjesht vetëm aktivist i VETËVENDOSJE!-s, por edhe shtetas i Republikës, qytetar i kryeqytetit e student shembullor i mjekësisë.

Ne kemi sot pikëllim të madh për shkak të kësaj humbje të madhe, mirëpo edhe më të madh se pikëllimin e kemi zemërimin sepse shteti, pikërisht pushteti që e ka kapur shtetin, është përgjegjës për vdekjen e Astritit.

Drejtësia i nxjerrë jashtë shoqërisë kriminelët dhe i futë brenda në burg. Mirëpo, në Kosovë, drejtësia dhe sistemi, prej burgut tek gjyqësia, prej qeveritarëve tek prokuroria është bërë vet ajo vend i krimit. Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës që është arrestuar e deri atëherë kur e humbi jetën. Në kohën kur po dështon përfundimisht procesi politik i montuar kundër tij, në kohën kur u pa që është e pamundur të ngritet aktakuza, përkundër shpifjeve e fabrikimeve, ndodhi kjo tragjedi jo vetëm për familjen Dehari e për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për mbarë Kosovën.

Astriti nuk ishte thjesht në burg, Astriti ishte i paraburgosur. Pra, as dënim, as aktakuzë. Është situatë tjetër atëherë kur vdes në burg një person i dënuar e në vuajtje të dënimit. Dhe, është diçka krejtësisht ndryshe atëherë kur vdes dikush në paraburgim. Sepse Astriti në paraburgim jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm. Në këtë burg, ka vdekur një i pafajshëm! Nuk ka vdekur me medikamente të tepruara. Ekspertiza ligjore ka konstatuar që për njëmbëdhjetë lloje të drogave janë zhvilluar testet dhe në asnjërin prej këtyre Astriti nuk ka dalur pozitiv. Njëmbëdhjetë lloje të drogave! Kurrëfarë medikamenti! Trup i shëndoshë plotësisht në aspektin psiqik e fizik. Jo ashtu siç ka gënjyer komandanti i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi. Jo ashtu siç thotë regjimi në fuqi. Astriti ka vdekur nga nuglfatja me një mjet të fortë i cili është tërësisht i pazakonshëm për vetëvrasjen.

Ne sot nuk duhet të mërzitemi për Astritin! Ne sot duhet të mërzitemi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se në çfarë vendi të pasigurtë e të rrezikuar individualisht e kolektivisht jetojmë ne e banojmë ne përshkak të kësaj qeverie dhe institucioneve të kapura prej saj.

Tërë kohën, kudo, Astriti është angazhuar për drejtësi për popullin. E tash, jemi ne, janë qytetarët, është populli ai i cili duhet të angazhohet për drejtësi për Astritin.

Lavdi Astrit Deharit dhe të gjithë dëshmorëve, martirëve e veprimtarëve të çështjeve shoqërore e kombëtare!

Faleminderit.

 

One thought on “Fjalimi i mbajtur në Marshin në Prizren më 12 nëntor 2016

  1. VV eshte parti folklorike, mrone shamine muslimane, ne prti ka Hysamedin Ferrajn anti Gjergj Kastrioti me i madh. Fton per te ju ligjeruar Kim Mehmetin nje fanatik dhe mbrojtes i perandorise osmane. Kjo parti kurr nuk del kuner xhihadizmit dhe islamizmit. Vetem patriotizem folklorik ben.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *