Dështoi Samiti , apo u ekzagjeruan pritshmëritë?

john-lekaShkruan: Jon Leka

 

Edi Rama urren portalet. Trofeun «Shqiponja e artë», dedikuar për diasporën ia shpërndau  një portali. Patjetër jo portal si ato të Kosovës që ua zënë frymën klasave e klaneve politike por më ndryshe. Portali i shpërblyer është i një kategorie tjetër, është vetë kategoria asociale, e paintegruar dhe që asnjëherë nuk mund të përfaqësojë diasporën shqiptare siç është aktualisht, as në Zvicër e askund tjetër. Projekte të llojit financohen me pare shtetesh (të huaja e të vetat) për qëllime politike vetëm sa për ta mbajtur gjallë mitin e të djathtëve rreth paintegrueshmërisë së grupeve të caktuara të të huajve dhe për t’iu shërbyer ambasadave dhe ministrive për mobilizim publiku në raste promovimesh. Ato s’janë as 0.5% e diasporës. Asaj diaspore që nuk e njohin qeveritë shqiptare.

*

Rreth dy vite u trumbetua ideja dhe përgatitja e samitit të diasporës që këtyre ditëve u mbajt në Tiranë. Paraprakisht MPJ e Shqipërisë, respektivisht një staf i ngritur enkas për këtë punë nuk la shqiptar që jeton sidomos vendeve të perëndimit pa ia kërkuar personaliet dhe që nga forma e komunikimit implikonte lutjen për angazhim në samitin në fjalë. Qysh nga mënyra e komunikimit u la të kuptohet se të ngarkuarit i ishin vënë në gjurmë të asaj diasporës së para 30-viteve e jo kësaj aktuales, kërkonin pra atë «gastarbajteren», «banuesen masive të burgjeve», atë të «kuvendeve stacioneve hekurudhore» dhe që gjithë ditën konsumonte birra të lira dhe luftonte verbalisht me pushkë e bajoneta kundër gjithë armiqve të dukshëm e padukshëm të atdheut.

Që aty u pa se Samiti nuk ka asnjë analizë paraprake se me ç’ diaspore ka të bëjë, se nuk di çka ndodhë në botë, jashtë. E nëpërmjet një portali të tillë nuk hyhet botëve të panjohura. Dështoi për këtë arsye Samiti i Tiranës? Apo u ekzagjeruan pritshmëritë?

*

Kush ishte e kush s’ishte aty?

Ministrat kosovarë si Valon Murati, Enver Hoxhaj ishin aty; kryetarë kuvendesh komunale nga Ulqini; njerëz nga Pollogu i Maqedonisë defilonin para pallateve të arkitekturës endesocialiste; njerëz me origjinë nga Çamëria e Kalabria poashtu ishin të ftuar.

Diasporë këta? Jo. Ose po brenda portalit panglosik të kryeministrit shqiptar, për t’ia ftoh të dyve bashkë si Volterit ashtu edhe Leibniz-it.

Diasporë mirëpo, ata aty nuk ishin – jo në kuptimin vetëpërceptues të fjalës.

Aty nuk pamë figura të njohura dhe të suksesshme me origjinë shqiptare nga Zvicra, Gjermania, Franca, SHBA-të apo prej diku tjetër. Nuk pati shkencëtarë, deputet/e parlamenteve të demokracive të zhvilluara perëndimore, nuk pati ligjërues universiteteve të botës, nuk pati manaxherë bankash, hotelesh, kompanish zvicerane, gjermane e gjetiu, as mjekë – udhëheqës klinikash botës nuk u dukën fare aty, as figura të njohura këndej si akterë të shoqërive civile nuk pati, as gazetarë e redaktorë mediash të huaja, nuk pati as njerëz të origjinës që punojnë si drejtues e funksionarë administratash shtetërore të huaja që merren me diasporat, as njerëz të kulturës që dridhin botën me zërin dhe artet tjera, sportistë edhe më hiç, as njohësit edhe më sipërfaqësorë të diasporave si teori dhe praktikë nuk ishin aty.

Po jo këtyre u tha Edi Rama «të ketë mësuar shumë prej tyre», por tjerëve. Kujt?

Kush qe aty?

Një portal i shoqëruar me ca gra fisnike përfaqësonte Zvicrën. Është ai portali i Valon Muratit dhe ambasadës kosovare nëpërmjet të cilit tash e dekada menaxhojnë kontaktet me getot e fundit shqiptare në Zvicër, geto që janë vetë këta se tjerat janë të imagjinuara për mbijetesë sociale apo për qëllime politike ose sajohen mobilizueshëm 15-20 veta kur ambasadave dhe tjerëve iu duhet publik. Tjerët, nga vendet tjera, pa i ofenduar, por të panjohur, dukeshin patriotë që e duan aq shumë vendin e tyre të origjinës dhe udhëtojnë ku t’i thirrë mëmëdheu! Tjerë nuk pati. Numrin më të madh e përbënin politikanët e dy shteteve shqiptare.

*

Njëri nga njohësit më brilant të diasporave Samuel N. Eisanstadt e ka një metaforë të shkëlqyeshme, sot të pavlefshme, rreth perceptimit reciprok në relacionin atdhe -diasporë. Sipas këtij koncepti emigranti është si një «lule, e cila shkëputet me rrënjë dhe mund të vazhdojë jetën vetëm nëse ngulitet në një dhé me kushte të njëjta klimatike ku mund të rijetësojë sërish rrënjët» [R.G.B. and Social Inregration.1954:175-185]. Kjo donë të thotë se shqiptari mbetet shqiptar vetëm atëherë kur ikë nga Shqipëria në një Shqipëri tjetër. E pasi s’ka Shqipëri tjetër në këtë glob kërkimi dhe gjetja e të njëjtit në diasporë implikon vërtet të paintegrueshmin shoqërive tjera. Tjerët, atë të integruarit nuk joshen kur i kërkon i nisur nga ky model mental, siç i kërkonte Shqipëria për këtë samit. Jo se janë më pakë patriotë, porse ata ndihen qesharak ta bëjnë pozën e shqiptarit të përkryer atje ku jetojnë vetë shqiptarët dhe së dyti ata nuk janë të njëjtë ngase kanë kaluar në një proces të akulturimit dhe enkulturimit, kanë përjetuar një desocializim nga kolektivizmi dhe një resocializim si individë dhe plotë procese tjera që si duket profesionistët e temës vendeve të origjinës nuk i njohin ose s’i përfillin për ta mbledhur «kopenë» në raste performancash politike [Han. Sociologjia e migracionit. 2005: 114-115].

Të detektosh sot «nomadët postmodernë» [Bauböck: 2012: 21-33] me filiala që këmbeduar luftojnë me një kolektivizëm imagjinar për të shpëtuar veten si mohikanët e fundit të rilindjes kombëtare të shekullit 19 nga «alienimi» është sikur të dëshirosh qëllimisht mos vësh kontakt me diasporën shqiptare në botë, atë realen, atë të individëve që s’ kontaktojnë oreçast me klubet e emigrantëve asocialë.

Gati 30 filozofët, historianët dhe sociologët më me nam të botës që nga tashmë i shuari Judt, Bauman, Bhaba, Snyder, Sassen, Anderson e plotë tjerë [Përmbledhja nga Charim/Borea në: Modeli jetësor diaspora – mbi nomadët modernë: 2012] përshkruajnë hartën strukturore, temat, mundësitë dhe transferimet e mundshme intelektuale që diasporat, si një lloj motori të «transnacionalizimit të demokracisë, lirive, dijes, resurseve, përvojave», u shërbejnë sidomos shoqërive të mbetura mbrapa për të kapur përparimin, ashtu siç bënë diasporat e tyre për Italinë, Amerikën latine dhe Izraelin natyrisht si shembullin lapidar. Në vend se kreatorët e Samiteve të nisen nga këto paradigma e skema praktike në kërkim të shqiptarit të suksesshëm në diasporë për ta absorbuar atë si model brenda ata ftuan të njëjtin si brenda, pra mobilizuan ata që ende mendërisht e si histori biografike s’shkoqen dot nga «atdheu», e si të tillë nuk u vlejnë as diasporës as Shqipërisë.

*

Pritshmëritë ndaj Samitit – nga jashtë – ishin pikërisht ato që nuk ndodhën. Shumëkush e kuptoi Samitin – ashtu si konferencat e Kosovës me mërgimtarë – se aty do të ftohen «modele» të suksesshme, të formuara jashtë qoftë në mendim, në kulturë, shëndetësi, politikë, shkencë, sport që do të ligjëronin një projekt jo të arriturave personale por do të përshkruanin se si funksionon sistemi në fushën përkatëse atje ku është ai dhe çka mund të bënte ai për shoqërinë shqiptare në këtë drejtim -mundësisht me një propozim konkret. Teorikët, njohësit e paradigmave mbi diasporat poashtu munguan, pikërisht ata që kanë studiuar diasporat tjera dhe relacionet e tyre me vendet e origjinës. Mungoi pra gjithçka.

Duke u nisur nga këto qasje të shteteve ndaj diasporës, nga këto samite dhe konferenca të llojit edhe pse paragjykuese më shumë, por duken të arsyeshme nervozat e njerëzve atje, se pse iu shpifen këta të diasporës kur shohin se si i sjellin hoteleve, muzeve, zhvatin pare projektesh e shpërblime për kot e gjithandej me paret e taksapaguesve pa asnjë efekt pozitiv në mos më shumë bllokues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *