Nëpër Oazën e jetës të Nazmije Zekollit

zekolli1Remzije Jashar Zekolli

Shpeshherë kamë thënë se krijuesit janë të guximshëm, janë heronj të llojit të vet sepse ndjenjat e tyre fisnike e  shpirtërore i ndajnë me lexuesit.

Poetja Nazmije Zekolli- Mema  me botimin e saj  Oazat e jetës të parin  deri më tani na sjell ngrohtësi me penën e saj.

Kur doli në mërgim pësoi një tragjedi shpirtërore do ta quaj   humbjen e  dorëshkrimeve  të  saj ku kishte një thesar mahnitës poezish.

Këtë e shpreh në vargun e poezisë “Poezitë e mia te tretura” mes tjerash thekson

 

A ka diku njeri

Të vullnetit të mirë

Të ma kthej në dorë poezinë

Që në të dikur pikturova fëmijërinë

Do të jepja gjithçka në botë

 

Poezitë e saj u bënë frymëzim edhe për kompozitorë dhe këngëtarë,  vlen për tu theksuar kënga “Gentiana” e kënduar nga këngëtari i njohur Shkumbin Kryeziu.  kënga “Pa ty” kënduar nga Qazim Menxhiçi dhe kënga për Kurbetin kënduar nga Lidije Pasoma.

Poetja me përvojë,  lirshëm komunikon me lexuesin përmes vargut të saj, ajo shpeshherë dinë të jetë  zë revoltues ndaj proceseve që i përjetuam si komb,  siç e shprehu edhe në poezinë Oazat e jetës e cila u shpërblye me vendin e dytë në TPSH në vitin  1986.

Në këtë poezi zëri i saj revoltues shprehet mes vargjeve

 

Kacabunët bredhin fushave

S’brengosen për fatkeqësi

Këngë bretkocash

Deh gjarpërinjtë e uritur

Për ta gjaku im është ushqim

 

Ngrit zërin kundër vrasjeve që u bënë në demonstrata e vitit 1981 në pranverën studentore. Oaza e jetës është Kosova e rrethua nga shkretëtira,  pushtuesi shekullor dhe një pjesë gjallëri mes asaj shkretëtire që mbajti të gjallë gjelbërimin për të thithur aromën e lulëkuqeve  të ujitura me gjakun dhe djersën  në oazën e jetës,  por jo atë aromë lirie  siç e donte poetja sepse ajo  vdes por prapë rikthehet siç shprehet në vargun e mposhtëm;

 

E unë ringjallem

Për të njëmijtën herë

Të të dua!

 

Sa e  sa herë do të lindë, por prapë pranon vdekjen për atdheun e saj.

Poezitë e saj gërshetojnë ndjesinë e vet njeriut si personazh se si jeta e sfidon me të pa priturat e saj  dhe rrugëzgjidhja nga situatat e ndryshme që njeriu ynë ballafaqohet.

Ajo me pasion shkruan për dashurinë, bukurinë për më të dashurit e saj që e rrethojnë për prindërit, motrat, vëllezërit  për vajzën e saj të dashur Egzonën dhe për etjen tonë shekullore për lirinë e ëndërruar dhe të gjakuar  brez pas brezi.

Në poezinë e saj gjejmë shpresë, shqetësim një simbolikë e metaforë që mjeshtërisht i harmanizon në letrën e bardhë.

Si çdo krijues edhe Nazmija pati fatin të shkruajë në kohën e robërisë e zëri i saj i çjerrët për pushtuesin,  por frymëzës për popullin shpërthente fuqishëm në orët letrare të fakultetin  filozofik dhe manifestimin kombëtar TPSH të cilit edhe sot e kësaj dite i qëndron besnike me pjesëmarrjen e saj të rregullt.

Shkruan për  qytetin e lashtë  në poezinë  “Vdes për ty Viciana”, si bij e tij  shprehet:

 

Qytet i lashtë mos thuaj

Se  një fragment të rinisë sime

Se kam lënë në një kalldrëm tëndin

Ca rrudha krenarie në fytyrën time.

 

Dëshirën e saj për lirinë dhe  qëndresën e kombit tonë në idealin e tij  dhe  mes tjerash e gjejmë edhe në poezinë “Dosje e mbyllur” ku mes tjerash thekson:

 

 

 

 

 

Donit të humbnit çdo gjurmë Dardane

Dogjët shkatërruat çdo gjë

Që ishte e jona

Por rrënjët tona ilire

Edhe më thellë i lëshuam

Vetëm në trollin tonë

Mbijnë lulëbozhuret unike

Thashë se ju ishit vetëm

Dosje e mbyllur

E mykur në muzeun e turpit

 

Gjendja e rëndë sociale e njeriut të thjeshtë asesi nuk do i shpëtoj penës së saj të mbrehtë dhe revolucionare,  kjo gjë më së miri shprehet në poezinë e saj “Peizazh varfërie”

 

Po të jetonte sot Migjeni

Unë nuk do të isha e trembur

Nga skamja e zymtë

E mllefi i jetë skëterrë

Do të isha mbretëreshë në vargun e tij

Si refren mallëngjimi

Në çdo poezi

 

Çka të themi për fund për poeten e cila u bë sinonim i qytetit të saj të lindjes, u bë një zë i fuqishëm kundër pa drejtësive që përjetoi kombi ynë, u bë zë shprese për njerëz varfanjak një zë humanizmi e fisnikërie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *