-Busti i Migjenit vendoset në qendër të Pukës, vepër e skulptorit Ardian Pepa, sponsorizuar nga Fran Gjoka-

Migjeni “rikthehet” në qytetin e inspirimeve të tij letrare

 

-Busti i Migjenit vendoset në qendër të Pukës, vepër e skulptorit Ardian Pepa, sponsorizuar nga Fran Gjoka-

 

18 Prill/ATSH/.- Në qytetin e Pukës u përurua sot vendosja e bustit të poetit dhe prozatorit të shquar shqiptar të viteve 1930, Millosh Gjergj Nikolla, që në letërsi njihet me emrin Migjeni.Gjatë ceremonisë së organizuar sot në Pukë, busti i realizuar nga skulptori pukjan Ardian Pepa, u vendos në qendër të qytetit.

Gjoka Fran1

Busti i Migjenit është realizuar falë dashamirësisë së Fran Gjokës, artistit pukjan që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka financuar realizimin e kësaj vepre. Pjesë e bustit të Migjenit është dhe Luli i Vocërr.

Migjeni, (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) lindi më 23 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt vështirësive ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare.

Kur ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse në moshën trembëdhjetëvjeç humbi të atin, e më pas vëllanë e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës.

Këto fatkeqësi e bënë Migjenin, që vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga jeta e moshatarëve të tij.

Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për t’i vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit.

Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare të kohës që zienin në gjithë Evropën.
Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues në Vrakë, një fshat afër Shkodrës.

 

Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë përditë me biçikletë, ia përkeqësoi gjendjen shëndetësore.

Gjatë kohës që qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm të mjekut, ngase mushkëritë e tij ishin të dobëta dhe rrezikoheshin të prekeshin nga turbekulozi, sëmundja tipike e kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.

Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten “Illyria”.

Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.

Migjeni është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare.

Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.

Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij.

Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

/k.b/ /a.g/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *