Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane do të krijojë një lidhje të fortë, duke ndikuar në Kongresin e SHBA dhe në Bundestag
Nga Shirley Cloyes DioGuardi
Universiteti Teknik i Berlinit
Mars 20, 2016
Faleminderit Agon Kamberi, si kryetar i Organisation të Studentëve dhe ish-Studentëve Shqiptarë të Berlin (OASA), për të gjithat që keni bërë, në bashkëpunim me Faton Bislimin, në organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në Berlin. Dhe faleminderit, Faton, për prezantimin e juaj dhe për të gjithat që keni bërë gjatë trembëdhjetë vjetëve të fundit si një shok, këshilltar, dhe tani si një anëtar i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane. Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj çdo njërit në këtë dhomë për praninë e juaj. Është kënaqësi dhe privilegj për Joe dhe mua që të jemi në Berlin dhe këtë pasdite të drejtohemi juve. Faleminderit Shumë!
Mendoj se për juve është e rëndësishme që të dini diçka lidhur me atë se si unë si një amerikane — paraardhësit e së cilës nga ana e babait tim kanë ikur prej Anglisë në Massachusetts Bay Colony në vitin 1644 — u përfshi në konfliktin e Ballkanit dhe zgjidhjen e kauzës kombëtare shqiptare. Gjatë procesit, dëshiroj të ju jap një pasqyrë të punës të cilën e ka kryer Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane për të sjellë pavarësinë e Kosovës (pavarësia është vetëm fjalë, nga perspektiva ime) dhe punën të cilën e vazhdon Liga Qytetare që të vendosen të drejtat e barabarta në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të jap vështrimin mbi atë se çka unë mendoj se janë potencialisht mundësitë e rëndësishme për juve si anëtarë të komunitetit gjermano shqiptar që të ndikoni pozitivisht në politikën e jashtme të Perëndimit lidhur me konfliktin serbo – shqiptar, që të vazhdojë përpjekja e jonë e përbashkët për sjelljen e paqes afatgjate dhe stabilitetin në Ballkan, dhe krijimin e një vizioni të ri i cili i përshtatet më mire sfidave dhe problemeve të shekullit 21.
Nuk jam duke u munduar që të bëj një lustrim të problemeve të brendshme të Gjermanisë sot kur them se sot, për shkak të rëndësisë së Gjermanisë në botë, asaj ekonomike dhe politike; për shkak se përqendrimi frontal i nxehtë i qeverive të Evropës dhe mediave (jo si te Shtetet e Bashkuara) është te kriza e refugjatëve; dhe për shkak të përvojës së juaj si shqiptarë që keni emigruar në Gjermani (nëse ka qenë kjo për shkak se familja e juaj ka ikur prej komunizmit ose prej tiranisë sllave, nëse ju dhe familja e juaj keni qenë me mjaft fat që të gjeni strehim këtu kur keni qenë duke ikur nga okupimi serbë ose lufta në Kosovë, ose nëse gjyshëritë dhe prindërit e juaj kanë ikur prej tokave shqiptare për shkak të vështirësive ekonomike), ju jeni tani në kulm të epokës së re. Unë besoj se ne jemi në kulm të një epoke të re sepse jemi duke jetuar në një kohë kur gabimet e një epoke të vjetër ende nuk kanë vdekur, dhe vizionet e epokës së re ose ende duhet të lindin ose duhet të arrijnë të japin fruta. Unë besoj se shqiptarët në Gjermani dhe në pjesët tjera të Evropës kanë një përvojë dhe një perspektivë që shumë tjerë nuk e kanë, dhe si rezultat kanë një mundësi që të ndikojnë në rrjedhën e historisë.
Por, së pari, dëshiroj të ju them lidhur me atë se pse u bë që të përfshihem në pyetjen kombëtare shqiptare gjatë “luftërave të Ballkanit” në vitet e 1990-ta. Lideri i ndjerë shqiptar Arben Xhaferi më tha në vitin 1999 se Joe DioGuardi dhe Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane kanë ringjallur përpjekjen diplomatike të shekullit 20 që të vendoset çështja kombëtare shqiptare. Unë nuk kam qenë e pranishme kur ka filluar kjo përpjekje — kur u themelua Liga Qytetare në vitin 1989 pasi që Joe u largua nga Kongresi; kur Joe shkoi në Beograd dhe Prishtinë në vitin 1990, dhe kur ai u kthye në Kosovë dhe pastaj udhëtoi në Shqipëri në të njëjtin vjet me të ndjerin Kongresist Tom Lantos, një i mbijetuar
Holokaustit, si zyrtarë të parë të zgjedhur që hynë në Shqipëri komuniste për pesëdhjetë vjet.
Unë nuk erdha deri te çështja shqiptare në një mënyrë akademike, por erdha në mënyrë emocionale. Unë kam qenë e ndikuar si e vogël nga ekspozimi i zbulimeve të lidhura me Holokaustin nazist dhe dështimin e gjeneratës së gjyshërive të mi që të shpëtojnë hebrenjtë e Evropës. Si e rritur dhe si botuese e librit e specializuar në politikat vendore dhe ndërkombëtare dhe si aktiviste e të drejtave të njeriut, kam qenë thellë e përfshirë në luftërat për vetëvendosje në mbarë botën. Dhe kështu kur Sllobodan Millosheviqi erdhi në pushtet dhe filloi lufta në Bosnje, unë e kam ditur se jemi duke e parë kthimin e Hitlerit në kohën tonë.
Amerikanët kanë qenë duke shikuar imazhet në ekranet tona të televizionit mbi gjenocidin në Bosnje dhe më vonë fshehjen e kampeve të përqendrimit në duart e forcave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë nën Sllobodan Millosheviqin dhe na është thënë se kjo nuk ishte lufta e jonë; kjo nuk ka asgjë të bëj me neve; kjo është një kënetë; nuk duhet të bijmë në këtë kurth; këta njerëz kanë qenë duke luftuar me shekuj, dhe urrejtja ndëretnike në Ballkan është gati gjenetike. Unë kam qenë e tmerruar, sepse nuk ka asgjë më të keqe se të tregosh skenat e masakrës te një popullatë relativisht të privilegjuar në Shtetet e Bashkuara (dhe mund të shtoni te njerëzit e Evropës Perëndimore), në krahasim me njerëzit e Evropës Juglindore, dhe pastaj të insistohet se ne nuk kemi përgjegjësi. Unë kam vendosur se kjo ishte lufta e jonë, sepse unë besoj thellë se lufta për demokraci dhe lufta kundër fashizmit dhe ultra nacionalizmit duhet të fitohet në çdo gjeneratë, dhe po ashtu kam vendosur që të botojë një libër nga perspektiva kundër-Millosheviqit, opozita
kundër-luftës brenda ish Jugosllavisë, ku shumica e të cilëve ka ndodhur të jenë gazetarë.
Derisa isha duke përfunduar punën në këtë libër në fund të vitit 1993, e takova Joe DioGuardi, dhe anëtarët e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe kam filluar të marr vesh mbi dimensionin shqiptarë të konfliktit të Ballkanit, të cilin mediat nuk e kanë mbuluar—gjë që nuk do të ndodhë edhe pesë vite tjera kur filloi lufta në Kosovë në vitin 1998. Kur e takova Joe, sapo kam filluar të mësojë lidhur me një vend që quhet Kosova. Mendoni këtë — unë isha një amerikane e cila ka kaluar pesëmbëdhjetë vjet duke botuar libra lidhur me politikat ndërkombëtare, dhe kështu nëse unë nuk kam qenë në dijeni mbi dimensionin shqiptar të konfliktit në Ballkan, sa amerikanë kanë qenë? Derisa nuk e takova Joe dhe anëtarët tjerë të Ligës Qytetare, unë nuk kam ditur se me punën e tyre e kanë përjashtuar Millosheviqin nga Kosova dhe në Bosnie; dhe nuk kam ditur se Millosheviqi ka pasur tendencën e plotë që të kthehet në Kosovë. Sikur që të gjithë e dimë, në shkurt të vitit 1998, UÇK do të vijë në mbrojtje të kosovarëve kur trupat ushtarake dhe paramilitare serbe sulmuan Drenicën, duke grabitur dhe plaçkitur rrugës tërë Kosovën, dhe në fund duke vrarë më tepër se 12,000 kosovarë shqiptarë dhe duke dëbuar më tepër se një milion përpara se të përfundonte lufta në qershor në vitin 1999.
Derisa shqiptarët nëpër botë janë të shpejtë që të japin merita ish Presidentit Bill Clinton për lëshimin e bombave mbi Serbinë, bombat kurrë nuk do të ishin gjuajtur dhe marshi gjenocidal i Millosheviqit në tërë Evropën nuk do të kishte ndalur po të mos kishte qenë Joe Biden, në atë kohë Kryetari i Këshillit të Senatit për Punët e Jashtme, pastaj në atë kohë 34 hebrenjtë anëtarë të Kongresit të SHBA, dhe Liga Qytetare Shqiptaro
Amerikane. Me vite administratat e njëpasnjëshme të SHBA kanë qenë të përqendruara në Beograd. Pse? Sepse për gati 50 vjet Shqipëria sovrane ka qenë e prerë nga pjesa tjetër
e botës nga diktatori komunist Enver Hoxha dhe pasardhësi i tij Ramiz Alia, derisa shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lugina e Preshevës kanë qenë pjesë e “perdes së hekurt” nën kontroll të Jugosllavisë së Titos.
Gjatë pesëdhjetë vjetëve, Beogradi ka dërguar zyrtarët e vet në Uashington, DC,
ka hapur shumë departamente në kolegje dhe universitete në SHBA, dhe ka definuar realitetin shqiptarë nga një perspektivë sllave. Kjo është pse ka qenë aq e rëndësishme që Joseph DioGuardi dhe shqiptarët amerikanë tjerë të formojnë një lobi në vitin 1989 që të edukojnë Kongresin e SHBA mbi historinë, kulturën, dhe aspiratat e shqiptarëve nga një perspektivë shqiptare dhe të bëjnë që shqiptarët amerikanë të angazhohen në politikat e Amerikës. Dhe, sipas opinionit tim, kjo është ende një detyre që ne e kemi sot në Amerikë, dhe kisha shtuar në Gjermani.
Në shtator të vitit 2002, në atë kohë Senatori Biden ka thënë në një fjalim në Çikago të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane:
“Është vështirë që të tërhiqet vëmendja e Presidentit të qeverisë së SHBA sepse shumë çështje tjera i mbulojnë çështjet tona, dhe prandaj “duhet të jemi në gjendje që të bëjmë rastin tonë.” Ai vazhdonte duke thënë se, “Problemi nuk qëndron te personi ose institucioni “duke qenë kundër-shqiptarë ose kundër-angazhimit kur vjen deri te politika e jashtme e SHBA,” ai shpjegonte. “Problemi qëndron kur Amerika ka një fokusim të ndryshëm dhe i lë prapa çështjet shqiptare dhe të Ballkanit.” Ai paralajmëroi shqiptarët e Amerikës që mbajnë në qendër të vëmendjes çështjet tona, dhe ai vlerësonte Ligën Qytetare për mbajtjen e vëmendjes lidhur me padrejtësitë e mëdha kundër shqiptarëve të
cilat duhet të ndreqen në Ballkan — për ndërtimin e elektoratit, për mbledhjen e fondeve për mbështetjen e anëtarëve të Kongresit të cilët kujdeseshin për atë se çka ishte duke ndodhur gjatë luftërave në Ballkan në vitet e 1990-ta, dhe ai veçanërisht më vlerësonte mua për “radhitjen e fakteve dhe prezantimin e rastit që ka tërhequr vëmendjen e qeverisë së SHBA.”
Përderisa Ballkani është shikuar gabimisht si një moçal dhe barrë e Evropës,” tha Biden, “Bota nuk do të mërzitet nëse shtatë milion shqiptarë janë duke u përndjekur.”
Përderisa Ballkani mbetet i izoluar, njerëzit e tij do të jenë në mëshirë të fuqive të jashtme. Përderisa bota i portretizon shqiptarët si të “pa civilizuar, pa kulturuar, dhe të paaftë, ne do të humbim.” Dhe Biden apeloi te shqiptarët e Amerikës në audiencë që të punojnë me Ligën Qytetare dhe “të jenë njerëz që e lëvizin botëkuptimin e botës në një drejtim të ndryshëm.”
Katërmbëdhjetë vjet më vonë ne ende jemi duke u përballë me të njëjtin problem, me të cilin shumë qeveri Perëndimore nuk kuptojnë se kush janë populli shqiptarë dhe i bëjnë shqiptarët figura të shahut që mund të lëvizen në tabelën gjeopolitike të shahut. Përsëri jemi prapa në mëshirë të ashtuquajturave fuqive ë mëdha — jo vetëm Serbisë, Greqisë dhe Rusisë — por në vend të parë të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara. Si pasojë, duhet të ballafaqohemi me realitetet në tokat shqiptare dhe në Evropën Juglindore sot, gjë që unë kisha argumentuar se na ka sjellë prapa ku ishim në vitin 1913.
Për një periudhë të shkurtë kohore, gjatë luftës së Kosovës, qendra e vëmendjes ndërkombëtare është treguar në realitetin shqiptarë të 150 viteve — një realitet i arrestimit, torturimit, burgosjes, asimilimit me forcë, dëbimit, dhe gjenocidit — dhe
rezistencës shqiptare ndaj kësaj. Kur Perëndimi ka parë kosovarët me qerre të larguar me forcë prej Kosovës, kjo i përkujtoi në epokën e nazizmit. Por shumë shpejt pas luftës, qendra e vëmendjes filloi të shuhej. Makina propaganduese e Serbisë u ngrit dhe punoi vazhdimisht në krijimin e një pariteti të rrejshëm në mes të viktimave të luftës të Bosnjës dhe Kosovës me kryesit të terrorizmit dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti i Serbisë. Beogradi ka punuar fort që të karakterizojë rrejshëm shqiptarët si potencialisht një forcë terroriste myslimane në zemër të Evropës. Dhe me keqardhje e them se Beogradi ka pasur sukses në një masë të madhe. Unë besoj fort se nëse ne nuk veprojmë tani, shqiptarët do të bijnë në kënetën e historisë për edhe 150 vite tjera.
Fushëbeteja për një periudhë të shkurtër në vitin 1998 dhe 1999 ka kërkuar armë. Por tani fushëbeteja (dhe ajo ka qenë gjithmonë e vërtetë) është në shtyp dhe parlamentet e botës. Gjatë pesëdhjetë vjetëve, Beogradi ka qenë në gjendje që të dërgojë politikanët e vet në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore, derisa Shqipëria nën Enver Hoxhën ka qenë e shkëputur nga bota dhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lugina e Preshevës kanë qenë qytetarët e klasës së tretë në Jugosllavinë e Titos. Gjatë pesëdhjetë vjetëve sllavët kanë interpretuar kulturën dhe historinë shqiptare. Ka ardhur koha për neve që të definojmë kulturën dhe historinë shqiptare. Unë besoj fuqishëm se ne nuk e kemi kryer punën, dhe ajo nuk mund të kryhet në shqip. Kjo duhet të kryhet në gjermanisht dhe anglisht.
Edhe pse sistemi i juaj politik në Gjermani nuk është i njëjtë si i yni në Shtetet e Bashkuara — ju keni një sistem parlamentar, unë besoj se tre elemente të cilat Senatori Biden ka cituar atëherë para katërmbëdhjetë vjetëve në Çikago janë esenciale për juve —
demonstrimin se keni një elektorat, arsimimin dhe mbështetjen nga liderët e politikës së jashtme, dhe edukimin dhe radhitjen e fakteve për zyrtarët politik dhe shtypin.
Dhe roli i juaj mund të jetë edhe më shumë i rëndësishëm se cili do tjetër në kohën kur Shtetet e Bashkuara praktikisht kanë braktisur Ballkanin Perëndimor te Bashkimi Evropian (vetëm Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane e jonë ka ruajtur çështjet shqiptare në mendjet e Kongresit tonë në SHBA). Për më tepër, roli i juaj si shqiptarë dhe gjerman ju jep një mundësi dhe përgjegjësi të veçantë, pasi që Gjermania është një anëtare udhëheqëse e Bashkimit Evropian, që të loboni në Bundestag dhe edukoni shtypin gjerman.
Detyra nuk do të jetë e lehtë në kohën kur Gjermania dhe tërë Evropa është e tronditur nën peshën e krizës së refugjatëve dhe është duke dështuar në përballje me shtetin Islamik.
Por, për mua kjo paraqet një rast për shqiptarët, veçanërisht shqiptarët në Evropën Perëndimore, të tregojnë botës se kush janë shqiptarët nga një perspektivë shqiptare. Ju keni diçka shumë të fuqishme — besën—çdokush din këtu se çka domethënë kjo. Shqiptarët e kanë një histori të tolerancës fetare e cila shkon prapa qindra e qindra vjet si myslimanë, ortodoks, roman katolikë, dhe hebrenjtë që kanë jetuar njëri pranë tjetrit në harmoni me shekuj. Shqiptarët kurrë nuk e kanë iniciuar një luftë në Evropë. Si popull më pro-Perëndimor, pro-demokratik në Evropën Juglindore, shqiptarët kishin mundë aktualisht të ndihmojnë Evropës që të ndalë rrjedhën e fundamentalizmit islamik.
Nëse do të bënim një ndryshim në formësimin e shekullit 21, ne gjithashtu do të duhemi të punojmë së bashku. Ekziston një mungesë e hatashme e informacionit që vjen nga tokat shqiptare në Perëndim në formë të gazetarisë profesionale në anglisht, të librave
nga autorët shqiptarë të përkthyera në anglisht, dhe një mungesë e hatashme e lidhjes në mes të diasporës amerikane dhe evropiane. Kjo është pse një takim i këtij lloji është aq i rëndësishëm.
Politika e jashtme e Perëndimit lidhur me Evropën Juglindore, dimensioni shqiptar i konfliktit të Ballkanit, dhe e ardhmja e rajonit nuk do të ndryshojnë nëse ne nuk punojmë së bashku për ta ndryshuar. Shqiptarët mbesin të ndarë sepse ne jemi në një botë me rend i cili ende bazohet në parimet Perëndimore të sovranitetit dhe të integritetit territorial. Ruajtja e kufijve ekzistuese në emër të ruajtjes së stabilitetit me çdo çmim, pa e zgjedhur një konflikt që mohon të drejtën e një populli për vetë-vendosje nuk do të punojë më gjatë. Kjo nuk do të çojë deri te zgjedhja paqësore e një konflikti. Kosova është një prej shembujve më të mprehta të kësaj. Sikur që dini, nuk ekziston një marrëveshje në mes të shteteve anëtare të BE, ku 5 prej 28 refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, dhe Shtetet e Bashkuara i janë bashkangjitur BE në perceptimin e të ardhmes së Evropës Juglindore si të drejtuar nga Beogradi.
Kjo është pse ne kemi një konflikt të ngrirë, pse nuk e kemi një pavarësi të vërtetë për Kosovën, dhe pse shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Çamëri nuk kanë të drejtat e barabarta. Unë nuk jam duke sugjeruar që ne të punojmë në ndryshimin e kufijve. Në fakt, shqiptarët nuk duhet të ndryshojnë kufijtë sepse ata veç janë duke jetuar njëri pranë tjetrit. Por unë besoj se shqiptarët duhet të zhvillojnë një marrëdhënie publike të orkestruar dhe një strategji të lobimit. Duhet të insistojmë që Kosova të pranohet në institucionet ndërkombëtare si BE dhe KB, dhe që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës, të pranojë të drejtat e barabarta shumicës shqiptare në Luginën e
Preshevës (në një nivel me të drejtat që aktualisht i gëzojnë serbët në Kosovë), të heqë dorë nga strukturat paralelë në veri të Kosovës, dhe të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe politik të Serbisë. Por edhe para se kjo të ndodhë, zyrtarët e zgjedhur të Kosovës duhet të fokusohen në krijimin e demokracisë së vërtetë dhe sundimin e ligjit. Sikur e dimë të gjithë, zyrtarët e Kosovës kanë qenë duke i mbushur xhepat e veta dhe të familjes së tyre që nga përfundimi i luftës në vend se të angazhohen seriozisht në ndërtimin e shtetit dhe plotësimin e nevojave të popullit të tyre. (E njëjtë mund të thuhet për shumicën, por jo për të gjithë, e elitave politike në të gjitha tokat shqiptare.)
Me prishjen e koalicionit në Kosovë i cili ka kundërshtuar kthimin e Hashim Thaçit, Isa Mustafës, dhe Kadri Veselit në pushtet në vitin 2014 — një prishje që ka përfshirë BE dhe Shtetet e Bashkuara — tani me zgjedhjet në vitin 2016 të Hashim Thaçit si kryetar, shteti është ekonomikisht dhe politikisht në mëshirë të fatit. Në mars, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurimit Federica Mogherini i tha Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës se ajo ka shpresuar që do të ekzistonte një
“dialog përfshirës i cili do të tejkalonte ngërçin e Kuvendit të Kosovës.” Por kjo është e pamundur, sepse populli ka humbur besimin në qeveri dhe në komunitetin ndërkombëtar.
Do të nevojitet një veprim i pa dhunshëm në bazë për ta larguar elitën politike të korruptuar të Kosovës, dhe do të nevojiten burrat dhe gratë e aftë në diasporë sikur që jeni ju që të kundërshtojnë një politikë të jashtme të Perëndimit të real politikës për mirëmbajtjen e stabilitetit me çdo çmim në Evropën Juglindore. Në vend të kësaj, duhet të insistojmë që parimi universal i të drejtave të njeriut të bëhet parimi dominues në shekullin 21.
Shpresoj se pjesa tjetër e shekullit 21 do të jetë një shekull i shqiptarëve. Kjo mund të ndodhë nëse kombinojmë burimet dhe veprimet tona. Kjo nuk do të kërkojë unitetin. Në komunitetet shqiptare në tërë botën rëndësia e unitetit shqiptarë shpesh here është mbajtur si një mënyrë për pengimin e veprimit. Është e pamundur për cilindo grup ose organizatë që të jetë e unifikuar. Unë shpresoj se nëse tashmë nuk keni bërë këtë, që sonte do të shikoni brenda zemrave dhe mendjeve të juaja dhe do të merrni vendimin lidhur me atë se çka doni të bëni dhe të jeni të gatshëm që të merrni një qëndrim publik si shqiptarë dhe si gjermanë. Sikur që tha një herë antropologia e famshme amerikane Margaret Mead, “Kurrë mos e nënçmo fuqinë e një grupi të vogël të njerëzve të përkushtuar për ta ndryshuar botën. Kjo është ajo që gjithmonë ka ndodhur.” Nëse veç nuk e keni bërë, unë shpresoj se ju do të bashkëngjitni OASA dhe, duke e bërë këtë, bëheni pjesë e një grupi të vogël të shqiptarëve në diasporën e Gjermanisë e cila është e përkushtuar në krijimin e ideve të reja dhe rrugëve të reja për zgjedhjen e pyetjes kombëtare shqiptare në kohën tonë.
Dhe shpresoj se shqiptarët në Gjermani dhe Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane do të krijojë një lidhje të fortë, duke ndikuar në Kongresin e SHBA dhe në Bundestag. Nëse ne të gjithë themi se mendojmë — diçka që shumë motra dhe vëllezër tonë nuk mund ta thonë në Evropën Juglindore për shkak të frikës — ne në fund do të detyrojmë ndryshimin. Mbani në mend, ju keni besën, dhe askush nuk mund ta merr atë prej juve.
Përkthyer në Shqip nga Mire Marku – Rugova.