(Kur çelnin dyert shkollat e para shqipe dioqezane)
NDUE DEDAJ
7 Marsi erdhi pa asgjë ndryshe nga herët e tjera. I njëjti ritual festiv, lule për mësuesit (dhe jo vetëm lule!?), vizita nëpër institucionet arsimore nga drejtuesit e vendit, fjalë mikluese për shkollën, ca vargje për “Mësonjëtoren e parë” dhe kaq. Përse duhet shkuar më tej? Përse duhet hyrë në ujëra të fjetura të historisë, që të na plasë debati, hidh e prit, siç e kemi zakon të “debatojmë” pa u menduar gjatë. Aty e kanë caktuar stacionin e shkollës së parë të shqiptarëve dhe pse u dashka ta ndërrojmë? Në të vërtetë nuk ka qenë ndonjë fuqi hyjnore që e ka shpallur 7 Marsin si ditën e parë të shkollës shqipe, por një komision zyrtarësh të Partisë së Punës në vitet ’60 të shekullit të kaluar, siç ishte caktuar asokohe Dita e Minatorit, Dita e Gjeologut, Dita e Novatorit etj. Jo se nuk duhet të ketë një ditë të tillë për shkollën, dhe jo domosdoshmërisht është e padrejtë se e ka vendosur një regjim jo demokratik, por pse ta sharrojmë trungun e historisë, duke i marrë një copë po e një copë jo. Ripeshimi e rishkrimi i historisë nuk është ndonjë “tërmet” social – kulturor. Thjeshtë vihen në vend disa padrejtësi që janë bërë gjatë regjimit të kaluar për shkak të shikimit ideologjik dhe ateist të ngjarjeve historike të mesjetës etj. Nuk është fjala t’i hiqet medalioni i bronztë një shkolle e t’i vihet një tjetre. Problemi është shkencor, kulturologjik dhe moral. Pse duhet ta pakësojmë rrezen e ndritshme të historisë, që na ka përshkuar në ata shekujt të trazuar ekzistencialë. Nuk ka kuptim të vazhdojmë t’i qendrojmë kontekstit ideologjik, apo dhe patriotik, kur u vendos që si shkollë e parë të merrej Mësonjëtorja e Korçës e vitit 1887, me gjithë meritimet e saj të padiskuteshme arsimore dhe atdhetare. Kur është fjala për fillimet, a mund të mos i përfillim shkollat e mëparshme shqipe të shekullit XVI-XVII, me argumentin ateist se ato ishin “shkolla fetare” (?!), kur dihet që ateizmi nuk është shkencë. At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës” më 1935 përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme informacioni dokumentar rreth tyre është bërë dhe më i plotë, sado që ende jo shterrues e përfundimtar. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërhapje strategjike, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin shqip. Edhe kur ata ishin me kombësi jo shqiptare e kishin a-në e misionit tyre të mësonin gjuhën e vendit ku shërbenin. Të gjitha këto shkolla janë të paktën 256 vjet më parë se Mësonjëtorja e Korçës. Në këtë kundrajë historike mesjetare, viti 1632 mbetet themelor përsa i përket shkollës shqipe, pasi me të lidhen dy shkollat më të rëndësishme të kohës, e Velës në Mirditë dhe e Kurbinit (për të cilat cakton detyra dhe Kuvendi i Arbërit 1703), kjo e fundit e përfshirë dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985. Kanë hyrë këto dy shkolla dhe në librin “Shqiptarët” (1995) të historianit bashkëkohor amerikan Edvin Zhak, e prapë ne nuk e kemi vënë një pllakë aty ku ato kanë qenë. Vargu i shkollave dioqezane përfshinte hapësirën nga bjeshkët e Karadakut – Kosovë në bregdetin Jon, me shkollat e sipërthëna dhe me shkollën e Stubllës (1564), shkollën e Himarës (1628), shkollën e Pllanës (1638), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës (1639), që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm, shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës (1671), shkollat e Durrësit, Korçës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., përfshi dhe Kuvendin Françeskan të Rubikut (1582) e atë të Troshanit (1639) etj. Nuk është për t’u habitur që shkollat më në zë i gjejmë në male dhe jo në qytete, çka është e kuptueshmë në rrethanat dramatike të pushtimin otoman, kur dhe vetë ipeshkvitë ishin mbivendosur në zona të largëta malore. Prandaj dhe Formulën e Pagëzimit e gjejmë në lartësitë e malit të Dejës.
Dje ateizmi dhe sot laiciteti kushtetues i shtetit shqiptar, që dëgjohet shpesh si “argument” nuk është verdikt për të varrosur në gropën e historisë abetaret e shkruara apo të pashkruara të një kohe të çmuar që nuk është tjetër veçse epoka europianiste e Pal Engjëllit, Gjon Buzukut, Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit etj. Si mund të mos i pranojmë muret e një shkolle, ku kanë mësuar shqip paraardhësit tanë, vetëm se aty ishte dhe një kompanjel kishe apo abacie? A e dinë moralistët “kombëtarë” se prifërinjtë kanë vazhduar të japin mësim në shkollat publike të shtetit shqiptar deri në vitet ’50 të shekullit të XX? Atëherë kur hapnin dyert ato shkolla nuk kishim një shtet shqiptar, as fetar, as laik, prandaj të mos e shohim atë kohë me sytë e sotëm. Tek e fundit fondamentet kombëtare e tejkakojnë fenë dhe shtetin, për me tepër ato që ndihmuan në krijimin e vetë shtetit. Fatmirësisht shkollat e mesjetës dhe më pas ato të Rilindjes ishin në jug e në veri, hapur nga misionarë e veprimtarë të tri besimeve, ku do të spikaste vepra e Naum Veqilharxhit, Teodor Haxhi Filipit, Petro Nini Luarasit, Jeronim De Radës, Prend Doçit, Luigj Gurakuqit, Mati Logarecit, Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ibrahim Dalliut, motrave Qiriazi etj. Atëherë ku është problemi? Se kemi thënë njëhërë është 7 marsi dita e parë e shkollës? Mësuesit e para një gjysmë shekulli thonë se ishte konteksti patriotik dhe jo ai historik-shkencor që e përcaktoi shkollën e Korçës si të parën shkollë shqipe dhe 7 Marsin si Ditën e Mësuesit. Mësuesi dhe studiuesi veteran Ismet Balaj, kujton: “Edhe atëherë qe folur se nuk ka mundësi të ishte ajo e para, flitej madje për shkolla shqipe në Prizren, Elbasan etj., por linja zyrtare u mbrojt me vargjet e Naimit për Mësonjëtoren e Korçës”. Ndërkohë që, sipas studiuesve, vetë Korça kishte patur 35 vjet më parë se kjo “një shkollë në Trebickë (para vitit 1854), ku u përdor abetarja e parë shqipe e hartuar nga Veqilharxhi e ku kishte mësuar dhe Spiro Dine”. Kjo nuk e zbeh aspak Mësonjëtoren dhe kushtimin naimjan të saj: “Lumja ti, moj Korçë, o lule/ Që i le pas shoqet e tua”, si një shkollë shqipe historike, qytetare, martire, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindas në Shqipëri. A nuk ka ardhur koha që të ketë një qendrim tjetër zyrtar ndaj këtyre shkollave të Mesjetës, jo vetëm nga njerëzit e letrave dhe të historisë, por dhe nga institucionet e shtetit shqiptar, Ministria e Arsimit dhe e Sportit? Vendimi për shkollën e parë shqipe në kohën e “revolucionarizimit të shkollës” me 1967 është marrë politikisht, tani të vlerësohet nga qarqet akademike dhe universitare, me konsensus të gjerë qytetar. Nëse kisha katolike themeloi nëpër Europë universitetet e para, si në Bolonja, Padova etj., këtu mundësitë ishin shumë më të kufizuara, por ama diçka e mirë ndodhi, një gjerdan shkollash të ulëta e deri të mesme u hapen. Atëherë pse turistëve t’iu prijmë vetëm te një obelisk, ai i Mësonjëtores së Korçës, duke lënë të kuptohet të kundërtën e filozofisë sonë popullore se me një lule nuk vjen pranvera?
Së fundi, nuk kemi një shkollë të parë shqipe, por disa shkolla të tilla dhe kjo është qytetari për një komb. Shkollat e para shqipe nuk i kemi në shekullin XIX, por shekuj më parë. Nuk ka kuptim që katoliçizmit t’i pranosh librat e parë shqip, por jo dhe shkollat e para shqipe, pasi ato janë një unitet kulturologjik, thënë ndryshe, të një ADN-je dhe ngjizur nga e njëjta ABC. A nuk janë rilindas dhe ata që i hapen ato shkolla dy shekuj e gjysmë para shkollës së Korçës? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit.” (S. Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1997.) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindje arbënore të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Mbase vlen të kujtojmë çka thoshte Faik Konica, se katolikët shqiptarë janë shkaku që u mbajt gjallë kombësia jonë, të cilët i thoshin lutjet shqip në meshën e së dielës, shkruanin librat shqip e hapnin shkollat shqipe.