ROMAN I ABSURDIT TË NJË KOHE

“Këpucët e Kaltrinës” i Petrit Palushit

Nga NDUE DEDAJDEDAJ,N

Një ironi deri në sarkazëm, me fabulën romanore të tapave, që nuk janë tapa shishesh, por shtroje/ sholle/ përfundëse/ goma këpucësh, që i sjell liqeni i një qyteti verior përmes dy lumenjve ndërkufitarë të tij, qytet që rend i gjithi pas atyre tapave sipas një magjie shpëtimtare. “Gjimnazistët u sulën me mbledh këpucët, që i nxirrte ujana e liqenit në breg. Ua hiqnin shpejt eprinat dhe i merrnin e i ndanin veças përfundëset: më pas, thuajse vrulltas dyndeshin nëpër këpuctaritë e qytetit, e me ato përfundëse me ndreqë këpucë të reja…” Ky është si të thuash lajmi, i vetmi lajm i atij qyteti të ndryrë brenda tëkurrjes së ekonomisë dhe politikës moniste. Kishte perënduar dielli ndriçimtar i sistemit të quajtur të barazisë dhe mirëqenies iluzive. Shkrimtari Petrit Palushi nuk merret me analiza të zgripit të gjithanshëm, por ndalet në një gjetje letrare mjaft domethënëse, që janë këpucët, që simbolizojnë ecjen, por në rastin shqiptar të asaj kohe, ngecjen. Një libër që më shumë se komentohte shijohet për frymën që sjell dhe elegancën e të shkruarit. Një stil vetanak i përvijuar më së miri nga njëri roman në tjetrin. “Përroi i Andrrës” (2004), “Tri motra në një qytet” (2006) – botim i dytë (2011), “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” (2007), “Artemisa e mëkatit” (2010) dhe “Këpucët e Kaltrinës” (2013). Palushi është dhe sjellësi i poetit disident Havzi Nela në botën e letrave, nga harresa dhe ndalesa e gjatë ku ai ishte varruar, përmes botimit të krijimtarisë së tij dhe të një monografie kushtuar tij, së fundi dhe i një interviste-libër me poetin e shquar Frederik Rreshpja.

Në romanin “Këpucët e Kaltrinës”, që në fillim autori Petrit Palushi na njeh me kundërvënien: andej kufinit dhe këndej kufinit, për të treguar se kemi të bëjmë me dy botë të ndryshme, ku njëra është parajsa e tjetra ferri. Ai me mjeshtri ka ndërkallur aty “Komedinë Hyjnore”, që njëri nga gjimnazistët kërkon ta këmbejë me një tapë këpuce, kulmi i ironisë, por dhe i filozofisë. Një tercinë dantiane e përzgjedhur si emblemë për realitetin shqiptar udhëhumbur të së djeshmes:

Në mes të shtegtisë së kësaj jete

u gjenda në një pyll krejt errësi,

se kisha humb unë rrugën e vërtetë.

dedaj ndue petrit palushi

 

Është varfëria e skajshme e pragviteve ’90 që i shtyn ata të rinj drejt “mbetjeve” të botës, kur dhe një shishe boshe coca-cole që kishte ardhur përmes valëve të Adriatikut deri në brigjet tona, ishte lajm i rrezikshëm. Simbolika e tapave të këpucëve nuk është e rastit, ajo do të thotë se bota ecën, kurse ne jo, pasi ne nuk kemi si të tjerët këpucë, gjurmë, hapa, udhë. Janë tre gjimnazistë që e mbajnë romanin në zhvillim: Dardani, Etniku dhe Valtoni. Ata kishin zbuluar dhe Biblën, që gjithashtu e kishte nxjerrë në breg liqeni, të cilën e kishin fshehur diku. As këtu simbolika nuk është e rastit. Ata të rinj kërkojnë udhën e Zotit që vendi i tyre e kishte braktisur prej disa dekadash. Shohin përditë nga Perëndimi, pasi Lindja i ka mbërthyer në vetmi. Intriga romanore është e thjeshtë, kërkohet njëra nga dy tapat për këpucët e Kaltrinës (gjimnaziste dhe ajo, e dashura e Dardanit, njërit nga tre protagonistët e veprës), që vajza të kishte këpucë të reja për mbrëmjen e maturës që po afronte. Kaq i paktë ishte gëzimi i njeriut. Teksa kaq i madh është absurdi i kohës. Por tapa me numër 38, sa ç’ishte numri i këmbës së Kaltrinës nuk po gejndej e nuk po gjendej. Liqeni kishte nxjerrë miliona e miliarda tapa në breg, por nuk kishte nxjerrë pikërisht atë, të shumëkërkuarën. Tashmë ajo tapë është bërë çeshtje dite, gjimnazistët vazhdojnë ta kërkojnë në grup. Pyesin në të gjithë qytetin, në koleksionuesit më të zellshëm të tapave, por tapa e Kaltrinës nuk gjendet. Ndërkohë lexuesi nuk e has asnjëherë Kaltrinën drejpërdrejt, ajo rri diku matanë si një ikonë, apo hirushe, që nuk mund të ecë nëse nuk i gjendet këpuca. Dhe shpëtimi iluziv i atyre të rinjve vjen nga bregu, nga matanë, ku nuk kanë qenë asnjëherë, por ku bota është ndryshe, ku ka këpucë, përderisa kanë tepruar tapat për këndej.

Kërkimi i tapave ishte kthyer në një qëllim jetik për ata banorë. Njerëzit që merreshin me këtë punë kishin një emër të vetin, tapistë. Gjithçka tashmë lidhej me tapat. Ishte organizuar dhe një panair i tapave në breg të liqenit. Qyteti nuk kishte profesion tjetër. Njerëzit me tapa sikur luanin bixhoz. Këmbeheshin mes tyre si napolona floriri tapa të markave të mëdha: Made in USA, Made in France, Made in Germany etj. Dardani, i preokupuar sa s’ka lëshon frazën bombë: “Tapa për kepucën e Kaltrinës është në dorë të Zotit”, si të ishte fjala për jetën a vdekjen e saj. Nuk është ky një naivitet i një të riu të dashuruar, por kumti se çfarë ndjesie të lartë kishte ai për të dashurën, pasi dashuria ishte e vetmja vlerë njerëzore që nuk ishte bjerrë nga vrazhdësia dhe rëndomësia e kohës pa “këpucë”.

Petrit Palushi është ndër romansierët e plejadës së fundit, që shkruan romane bashkëkohore të një lloji të veçantë, me fabula të parrahura më parë në prozë, të nxjerra nga sepetet e një kohe dhe atnografinë e trevave verilindore. Romanet e tij janë si filmat me metrazh të mesëm. Të krijohet përshtypja se ai e fton lexuesin të bëhet pjesë e rrëfimit. Ashtu si dhe në romanet e tjera të tij, veçori e “Këpucët e Kaltrinës” është rrëfimi i shtruar, dialogu shprehës, situatat delikate, ironia e këndshme, detajet e zgjedhura etj. Dhe sidomos përkujdesja ndaj gjuhës, si stil, por dhe si leksikografi apo fjalëkrijim është ajo që vërehet nga njëri roman në tjetrin. Ka disa fjalëkrijime në prozën e këtij autori, edhe në këtë roman, ku nga epër është krijuar eprinë, nga ujë është përftuar ujanë, apo përfundëse, gjysmëkëpucë, e paprajshme, si dhe trajta të bukura të gëgnishtes, të tilla si: kahmos, anipse, përvujni, verdhej, vetonte, ftohtas etj. Ende më krijues dhe propozues është autori me emrat e personazheve gjimnazistë, si Dardani, Etniku, Valtoni, Kaltrina, Blerona, Albulena e deri Urim peshkatari, siç kemi hasur në një roman të mëparshëm emrin Egzon Drini etj.

Së fundi, atij që merret me letërsi i bien shumë libra në duar dhe në rastin e këtij romani, mendimi i parë që të vjen në kokë është t’ua këshillosh gjimnazistëve për të kuptuar kohën e kaluar, kur maturantët lypnin një palë këpucë për “mbrëmjen e maturës”, ashtu si më larg në kohë, krushqit e malësive merrnin një xhaketë diku ndër shokë e një palë këpucë diku tjetër, për atë ditë, ditën e dasmës ku ishin thirrur. Kjo ishte varfëria që njerëzit përpiqeshin ta mundnin më një lloj zotnillëku të paqenë. E ndërsa të rinjtë gjimnazistë vazhdojnë të kërkojnë tapa bregut të liqenit të tyre verior, në Tiranë janë hapur ambasadat dhe ata tashme nxitojnë për atje. Dritarja e Perëndimit papritmas ishte hapur si një ri-lindje e kombit.

 

One thought on “ROMAN I ABSURDIT TË NJË KOHE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *