INTERVISTË ME POETIN ARJAN KALLÇO

ROVENAIntervistoi: Dr. Rovena VATA-Albanologe

Vëllimi me poezi “Pafundësia jote më deh” shkruar nga poeti Arjan Kallço, gjatë qëndrimeve të tij në Greqi, ku bie në sy origjinaliteti i titujeve dhe përmbajtja e poezive të tipit si: Pafundësia jote më deh, Kolonat, Perëndeshë e huaj, në Athinë, Nuk do të desha, E njëjta kafene, Të dashuruarit, Kush të ka parë, Ikonë, Po fshihen ëndrrat, Qiell vere, Kush të ka parë etj.

Poezia e tij dallon për frazeologji të pasur si: Pafundësia jote më deh, Kolona të përhimëta, peshën e kohës, mirazh shkretëtirash, pasqyra dritëverbuese, kolonave të Akropolit, folenë e perëndive, nektari hileqar, zënka planetare, rastësisë tekanjoze, penelopë e paepur, itinerarin tënd, i zhytur pafrymë, ulur shqiptarisht, horizontin e ndezur, meteorët e padurueshëm, sy të tjerë miklues, ëndrrat po treten, bllokada arratisjesh, kontaktet e zjarrta, engjëll parajsash, ziliqare xheloze, ngutje lamtumirash, ëndërr e rreme.

Për tu njohur më mirë me këtë poet vendosëm për t’i bërë një intervistë.

 

  1. Doja së pari të flisnim për punën tuaj, e cila është tashmë e njohur nga të gjithë ne. Si filluat të shkruanit dhe cila është teknika që ndiqni?.

Po e filloj, duke shprehur kënaqësinë dhe duke ju falenderuar për këtë intervistë, që për nga numri i pyetjeve dhe thellësia e këndvështrimeve nuk është e zakontë.Puna ime?! Është e shumëfishtë në gjithë këto vite që përfshin, jo vetëm mësimdhënien, por edhe përkthimin, letërsinë, studimin, gazetarinë, filozofinë etj. Një kompleksitet dhe ndërthurje që më bën të ndihem mirë me gjithë këtë impenjim, që ma bën ditën tepër të lodhshme, por edhe të bukur, në një alternim fushash që do të thosha se është ndoshta më magjiplota. Por, unë jam mësuar tashmë me këto ritme dhe shpesh u them miqve se çlodhem, duke punuar. Është mëse e vërtetë, sepse nga kombinimi i tyre vihet në punë mendja që zhdërvjelltësohet në realizimin e synimeve ditore dhe më gjerë. Një ditë e zakontë është tejet e programuar në punët e mia. Si fillova të shkruaja? Është një shtysë e brendshme në momentet e vështira që kalon njeriu në jetë, si në qenien tënde, ashtu dhe në mjediset e shumta me të cilat komunikojmë e veprojmë. Vështirësitë janë tharmi që të shtyn të përqëndrohesh, të meditosh dhe më pas nga deduktimet ta konretizosh mendimin. Por jo gjithmonë mendimi konkretizohet lehtë, apo plotësisht i arrirë. Një mendim nuk mund të mos përmbajë në vetvete një filozofi, apo mençuri tek e cila, duam s’duam, do të arrijmë, qoftë kjo e krijuar nga puna jote, kjo dhe e pashkruar më parë. Fillesat lidhen me Tiranën, ku mendoj se natyra romantike e qytetit dhe mjediset përreth, ku studionim, ishin një shtysë e mirë për të shkruar. Por ka edhe shumë shtysa të tjera, si kultura e të dy vendeve dhe të dyja gjuhëve, shqip dhe italisht, ndjenja e dashurisë, raportet me njerëzit të cilat depërtojnë thellë në shpirt dhe më pas lënë mbresa që, edhe pse në fillim të duken joreale, por që më pas hyjnë në përditësinë e vet dhe marrin udhën e mrekullueshme të krijimit. Përsa i përket teknikave mendoj se është një pikë që duhet vënë gjithmonë në pikpyetje, sepse ti mendon se përdor disa, por më pas, pas rileximesh dhe reflektimesh, del se janë të tjera. Ndonjëherë përputhen me ato që synon.

  1. Jeni ndikuar nga shqiptarë apo poetë të tjerë dhe nëse po, cilët janë?

Në bisedat tona shpesh thuhet se nuk ka poet tëri që të mos ketë një model të cilin e ndjek, ose ndihet i ndikuar prej tij. Kjo ka të bëjë me natyrën e vetë poetit dhe shkrimtarit. Nuk ështëide  e keqe të ndikohesh nga të mëdhejnjtë e letërsisë botërore, por mua më ngacmon më shumë origjinaliteti. Nëse u referohemi modeleve klasike, edhe sot ka plot mes tyre që ndjekin shembuj në letërsi, por unë nuk do ta futja veten tek këta, pasi nuk ndihem i ndikuar nga ndonjë poet. Më duket si një lloj kopje të cilën nuk e kam shumë për zemër.Natyrisht pas studimeve universitare kam lexuar dhe përkthyer shumë poetë italianë, por edhe të huaj, por kurrë nuk e kam patur të nevojshme të ndjek shembullin e tyre. Ndodh që të kujtohen poezi dhe tamatika e tyre të shtyn në ngasje “kopimi”, por kjo është një lojë e vetë autorit që e vendos veten në kohë dhe në hapësirë, si autori të cilit i referohet. Sigurisht kjo nuk mund të jetë pjesë e të gjithë rrugëtimit tënd në poezi.Unë poezitë e mia të para i shkrova në gjuhën italiane dhe me poezinë shqiptare nuk kisha shumë afrimitet. Në momentin që shkruan në gjuhën shqipe, atëherë e kupton se mund të shkruash në dy variante, duke menduar në gjuhët respektive. Ju e dini që ka një brez të shquar të poetëve hermetikë italianë dhe, nga 4 më tëlexuarit, dy janë Nobelistë: Luxi, Montale, Ungareti dhe Kuazimodo. Në përmbajtje nuk mund t’u shpëtosh dot temave, ndërsa në formëështë krejtësisht e lehtë të mos ndikohesh.

  1. Në poezinë tuaj, shohim që pothuajse në çdo varg ka nga një mesazh, pra poezi-mozaik që shpreh plotësinë e jetës, cili është mesazhi që përcjell për lexuesit me këtë formë të poezisë tënde?

Për mua poezia dhe filozofia janë të pandara.Lexova pak kohë më parë intervistën e një poeti rumun që thoshte se nuk i pëlqente ta përzjente poezinë me filozofinë. E respektoj mendimin e tij, ndërsa unë e përzjej qëllimisht, pasi më duket se një filozofi e shprehur me poezi është forma më e shkrutër dhe që kërkon më pak kohë për ta lexuar, meqë jeta në vrapin e saj sot të krijon pak hapësira për të lexuar çdo gjë që del. Kështu që koncetratet e deduktimeve të mia, përmes filozofisë, përpiqem t’i derdh në poezi. Duke qënë se filozfia është forma më e lartë e mendimit, mendoj se më dominon në të gjithë qënien time me racionalitetin e vet. Njeriu, duke qënë se jeta është tepër e përcaktuar, me fillimin dhe fundin e vet, nuk mund ta lërë jashtë vëmendjes këtë fakt. Sa më racional të jesh, aq më shumë gjëra të bukura do krijosh, por si një qëllim i patundur në vetvete. Mesazhet që dua të përcjell janë të shumtë, por dy më të rëndësishmit janë koha dhe hapësira. Kur përdor arsyen, ndoshta humb diçka nga spontaneiteti, por ke fituar kohë dhe koha është “tirani ynë i pamëshirshëm” e kam quajtur në një poezi. Lidhur me hapësirën, mendoj se kufijtë e saj duhet t’i kapërcejmëbrenda pakalueshmërisë së tyre. Një poet pa kohën dhe hapësirën, përsa është e mundur t’i vizitosh, nuk do të ishte i larmishëm. Dhe kur them hapësirë i referohem reales ku jetojmë.Më pas mesazhet e tjera sillen rrotull tyre, por boshti është po ai.

  1. Sipas mendimit tuaj, cili është evolucioni i poezisë moderne shqiptare dhe cilat janë lidhjet e saj me traditën?

Unë mendoj se jo çdo evolucion është evolucion. Të shkruash se ke evoluar, ndërsa në realitet gjendesh në regres, është një kthim prapa.Asnjë evolucion nuk e merr vulën e risisë nga sasia e poezisë dhe e librave që ke shkruar. Aktualisht tek ne prodhohet shumë poezi, më lejohet të bëj kritikë duke qënë anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë të Unesko-s, por jo e gjitha është e tillë. Masivizimi i saj nuk është evolucion, por shturrje, pasi shkruajnë të gjithë dhejo të gjithë lexohen dhe preferohen. Për më tepër, kur tek ne thuhet se mungon kritika. Ka një grup poetësh tradicionalë, por dihet që ata janë mjeshtra të asaj poezie, por kjo nuk do të thotë që të gjithë të ndjekim shembullin e tyre, pasi do të krijonim poezi sa për të thënë poezi. Më bien në dorë libra të shumtë të autorëve që ndoshta duhet të ndalen dhe të mendojnë, nëse ia vlen të shkruajnë më tej. Është një lloj autocensure që duhet promovuar dhe përkrahur fuqimisht, pa patur momente dobësie, apo zemërimi.Një poezi që nuk ka frymëmarrje nuk është poezi, por çpoezi (po krijoj këtu një precedent për ta përcaktuar ritmin frenetik me të cilin po botohet sot). Dikur një poet i njohur më thoshte se poezia jonë e ka ngritur nivelin e saj dhe ndoshta dallon në Europë, por ende nuk e kam të qartë se ku qëndron ky dallim, kur ajo poezi mbetet e panjohur në Europë dhe më gjerë. Tradita krijohet nga njerëzit dhe prishet prej tyre, prandaj nuk do të isha shumë dakord që ta ruajmë me çdo kusht traditën. Poezia është melodi e shpirtit dhe si e tillë duhet të tingëllojë pa ndonjë klauzolë kufizuese, nëse vërtet tingëllon. Kohët kanë ndryshuar dhe nuk duhet gjykaur më, nëse jemi, apo jo brenda traditës. Ka disa momente që tradita duhet ruajtur, por në atë dallim qëna bën të ndihemi shqiptarë dhe jo konservatorë konsekuentë të modeleve.

  1. Ju, cilët nga poetët e vjetër konsideroni më të spikatur?

Unë do të ndalem tek Dritëroi, jo vetëm si poet, por edhe si njeri. Më vjen keq për ata që poetët sot i ndajnë me një lloj pëlqyeshmërie të natyrave të tjera. Dritëroi është simboli ynë kombëtar për lirikat e tij plot harmoni dhe  rrjedhshmëri të zhdërvjelltë. Është një lloj jehone që nuk vonon të përcillet tek veshi, mendja dhe shpirti. Melodia e vargut të tij, edhe pse tradicionale, të jep një perceptim ndryshe nga sa thashë më parë. Ka plot të tjerë të cilët i vlerësoj edhe për tekstet e këngëve të tyre tëëmbla që ende sot ke dëshirën t’i dëgjosh.Pra poezia është këngë që me formën dhe përmbajtjen e saj të mbetet e gjallë në mendje, edhe pas shumë vitesh. Brezi i vjetër e ka bërë atë që quhet “gavetë”, pra përvojën dhe e kanë të vështirë të shkruajnë poezi sa për sy e faqe. Apo ndonjë poezi të shpejtësa të plotësohet sasia e librave të botuar që të rendim për çmime.

  1. Poetët aktuale shqiptare, a ndikohen dhe sa nga rrymat poetike ndërkombëtare?

Nuk kam mundësi që në rrugëtimin e poezisë botërore të mbetesh jashtë ndikimeve, apo rrymave. Ndyshe do të pranonim se kemi mbetur prapa. Por unë personalisht jam kundër rrymave dhe mendoj se letërsia është letërsi, pa e inkuadruar nëpër rryma. Rrymat si dhe shumë gjëra të jetës i ka shpikur shoqëria njerëzore, por pse të mos e quajmë poezi pa rryma? Ç’kuptim do të kishte poezia në kornizën e rrymës globale sot? Çfarë emri do t’u vinim rrymave që sot etiketohen postmoderniste, pasi e gjithë shoqëria konsiderohet e tillë? Po sikur postmodernizmi të konsiderohet antiteza e modernizmit?Pra, mbetet shumë e vështirë të klasifikohet sot rryma letrare.

  1. Në sektorin e botimeve, si lëkundet prodhimi shqiptar? Çfarë libra preferon publiku dhe çfarë botuesit?

Natyrisht është fakt ana sasiore e botimeve tona, bile për nga prodhueshmëria ua kalojmë edhe disa vendeve të tjera në popullsi më të madhe se ne. Ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë lloj deliri krej origjinal shqiptar. Plot libra mbeten të pashitur dhe që nga ky moment autorit nuk i mbetet gjë tjetër veç t’i dhurojë që më pas të mbeten nëpër rafte bibliotekash. Shkruhet shumë, shija e poezisëështë tepër delikate, por mua më duket se pak lexohet.Dhe e kam të qartë se një njeri i edukuar(është fjala tek e cila ne duhet të ndalemi shumë dhe seriozisht) me shije të larta, të mund të pëlqejë të lexojë çdo lloj poezie. Mesa dëgjojmë edhe nga sondazhet pëlqehen autorët e huaj, por kjo ndonjëherë bëhet edhe për efekte snobizmi, pasi jo çdo autor i huaj është në nivelet e të mëdhenjve. Këtu ndikon shumë edhe niveli i përkthimit të tyre në gjuhën shqipe. Kam përshtypjen se edhe botuesit seriozë përpiqen ta anashkalojnë autorin vendas dhe sidomos të paafrimuar.

  1. Libri shqiptar, publikohet më lehtë se sa të huajt, apo e kundërta, dhe pse?

Është e vërtetë se botohet më lehtë, pasi edhe kostoja është më e vogël. Nëse u hedhim një sy librave të huaj gjithmonë do të shohim dallimin që në çmim. Kohët e fundit unë po botoj me Amazonin, në sajë të një miku italian dhe çmimi, nëse do ta botoja në Shqipëri, do të ishte pengesa kryesore e lexuesit. Për të mos folur më pas për mënyrat, sesi libri duhet të mbërrijë tek lexuesi.Mësova se nga një sondazh, libri në rrjet u mund nga ai i botuar në formën tradicionale.

  1. Personalisht, cilat janë çështjet që ju prekin dhe ju stimulojnë në shkrim?

Unë do të thosha shprehej se gjithçka është me moshë. Në fillimet e mia temat ishin tepër rrebele, një poet po të mos jetë i tillë, nuk do ta meritonte emrin poet. Më pas pjekuria rritet dhe temat ndryshojnë, po ashtu dhe vrulli. Por tema që nuk mund të lihet jashtë vëmendjes është ajo e udhëtimit: sa më shumë të udhëtosh, aq më shumë do të njohësh dhe njohja e kulturave është një premisë më tepër për larminë e tematikave. Më pas jeta dhe përballja me të, ta sugjeron vetë tematikën.Thuhet se poetët e mëdhenj u bënë të tillë nga vështirësitë e jetës.Mund të jetë e vërtetë, por poeti bëhet i tillë, edhe me përvoja dhe përjetime të tjera.Jeta është sinonim dhe antonim i dialektikës së vetë jetës.

  1. Këtë periudhë, jeni duke përgatitur diçka të re?

Sapo përfundova një antologji me poezi të poetëve italianë bashkëkohorë që nuk janë shumë të njohur nga publiku shqiptar.Janë poetë të cilët i kam takuar realisht, por edhe virtualisht.Shpresoj që libri të dalë së shpejti, edhe pse disa prej tyre janë botuar në faqet e shtypit shqiptar. Më pas libra të tjerë do të pasojnë, por le ta lëmë pak surprizë.

  1. A ka ndonjë poet modern shqiptar ose të huaj që do të veçonit?

Mua më pëlqen të theksoj se më pëlqejnë, së pari Nobelistët, ndryshe nuk do të ishin të tillë, edhe pse ka zëra që Nobelin e marrin budallenjtë. Kjo do të ishte shakaja më e pakuptimtë që mund të dëgjojmë. Më pas vijnë ata që kanë bërë emër në nivel botëror, e më pas përpiqem të zbuloj poetë të rinj, të panjohur më parë dhe, nëse poezia e tyre më josh, e përkthej në shqip. Do të ishte e vështirë të veçoja, pasi janë unikë në llojin e vet, nuk kanë “kopje” apo nuk janë “kopje”. Ndoshta meqë lexoj shumë në gjuhën italiane dhe pak në gjuhët e tjera, do të përmendja ndonjë emër italian, por këtu do të gaboja.

  1. Sa e lehtë është sot, ku të gjithë shkruajnë dhe publikojnë, të dallohet një poet me vlera dhe të bëhet i shquar?

Talenti e gjen vetë rrugën e vet, edhe sikur të duash ta pengosh me shumë shkopinj nën rrogoz.

  1. Si i shikoni Festivalet Poetike, të cilat kohët e fundit shfaqen gjithnjë e më shumë?

Festivalet janë një formë për ta promovuar poezinë dhe si të tillë janë të mirëpritur.Ne prej 19 vjetësh organizojmë një të tillë në Korçë dhe ju them nga përvoja se është pozitive.Problemi qëndron tek cilësia e përzgjedhjes. Do të ishte më mirë që të paracaktoheshin tema dhe të dërgoheshin poezitë para së të fillonte festivali. Pse tek ai i Strugës marrin pjesë edhe Nobelistët e ardhshëm?Mendoj, sepse komisioni bën përzgjedhjen e duhur, pa u nisur nga anë të tjera.

  1. Cili është raporti i poezisë tënde me erotizmin?

Erotizmi është një elemnet i pandashëm i poezisë, por unë jam për një erotizëm të hollë dhe shpesh të fshehur dhe jo të shpallur hapur, bile shpesh arrihet në nivelet e banalitetit. Estetika qëndron pikërisht tek ky erotizëm “i maskuar” dhe jo tek ai i shpallur me nota epshi. Nuk ka më erotike sesa puthja, të tjerat më pas detyrimisht të futin në rrugën e banalitetit.Erotizmi i parë si akt real dashurie, të fut nëpër shtigje që duhet të jesh mjeshtër që ta pasqyrosh. Por poezi erotike të tillë sublime e gjen rrallë. Puthja, po…që është vërtet përqasja më e bukur ndaj erotizmit.Nuk është e vërtetë se nuk ka erotizëm pak banalitet.Banaliteti tregon për instikte të pazbutura dhe edukim ndjenjash të palotësuar dhe të paformuar. Duhen edukuar dhe këto shijë, për fat të keq.

Ju falenderoj për intervistën tuaj. Dhe ftojmë lexuesit për të shijuar disa nga vargjet tuaja më të bukura:

Shtojzavalle kryeqytetëse

 

Sikur të most të të kisha,

tash do të thosha,

se je një ëndërr e rreme.

Por ti kërkon t’i sfidosh rregullat,

shtojzovalle e kësaj nate,

kryeqytetase.

 

Nuk do të desha

 

Nuk do të desha kurrë,

që kjo ditë t’i drejtohej fundit.

Do të ishte ngushëllimi më i keq,

për të dy.

 

Të dashuruarit

 

Romeo dhe Xhuljeta,

sërisht të ndarë nga fati i pafat.

Historia bëhet më kurioze,

dhe pashmangërisht po zgjat.

 

Nata në Selanik

 

Është e magjishme nata,

në Selanik.

Rrugët gumëzhijnë nga makinat,

që rendin tutje,

në horizon përhumben.

 

 

Aromë jete

 

E jotja është esencë,

e mbledhur si hektari hileqar,

është akomë dehëse.

 

Kalendari yt

 

Sa jetë do të duhen,

që kalendari yt i ndalur,

kush e di se ku qëndron i varur,

vështrimin ta drejtojë larg?

 

Po fshihen ëndrrat

 

Kontaktet e zjarrta mund ta kishin zbutur,

kohën që rrjedh mendueshëm,

mund ta kishin ndalur hemorragjinë,

që braktis një vend.

 

Kush të ka parë

 

Kush të ka parë, lehtë,

s’mund të të harrojë,

Kush të ka njohur, papritur,

s’mund të të braktisë.

Tani po e kuptoj,

sa më dhëmb ky trishim im, por,

tashmë ti je larg.

 

Tundim

 

Një copë letër e ngjitur mbi mur,

duket se syrin ma shkeli,

e dëshirën ma zgjoi.

 

Pafundësia jote me deh

 

Eh, sa herë, e lashta ime,

nëpër rrugët e tua pambarim,

u deha në pafundësi.

………………………

Më mirë ndalesat të mos mbaronin,

fundi është vetmi,

pafundësia liri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *