100 vjet nga vrasja e Ded Gjo’Lulit

Albert Vataj

 

Sot (24 Shtator 2015 ) mbushen plot një shekull nga dita e vdekjes së Ded Gjo’ Luli, nji prej dalzotëve më të zashëm të Malësisë.

Ded Gjo’ Luli, i kapur në befasi nga ushtria serbe në Orosh të Mirditës, u vendos i lidhur para togës së pushkatimit, si sot 100 vite më parë, më 24 shtator 1915.
– Lidhjani sytë – urdhëroi ushtarët e vet kapiteni serb Gjura.
-Nuk jam tradhëtar i atdheut tem -u përgjigj kryenalt, Ded Gjo’ Luli, qi të vdes me sy mbyllun, pa i hedhur shikimin e fundit dheut që do të mëmbajë në gjinin e vet, kësaj toke qi ia bamë hallall dekën si me le. Sod po vdes kryenar, se tan jetën teme kam luftue qi vatani jem me rrnue i lirë. Dhe ju që po shkelni sod këtë truall, qe besa duhet me dit se ky dhé nuk ju mban.

Ded Gjo Luli1
Ded Gjo’ Luli, lindur më 1840 në Malësinë e mbi-Shkodrës, ai kishte marrë pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja e Prizrenit më 1878 për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, pas miratimit të traktatit të Shën Stefanit për shkëputjen e këtij territori në favor të Malit të zi. Dede Gjo’ Luli është më i njohur për fillimin e Kryengritjes së vitit 1911 për pavarësinë e rajonit të Malësisë nga perandoria osmane; kjo kryengritje shërbeu si shkëndijë për veprimet nga Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali dhe Isa Boletini drejt shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kryengritja e Malësisë rezultoi me ngritjen simbolike të flamurit shqiptar në majë të Deçiqit për herë të parë në 442 vitet e pushtimit osman (që pas rënies së Shkodrës, në vitin 1479).

Heroizmave të Dedë Gjo Lulit, Gjergj Fishta i këndon në poemën epike Lahuta e Malësis:
“Dedë Gjo’ Luli, ‘i shpatë e gjallë,
Shtremon ksulen, del në shkallë,
Bedri Pashës po i çon aj fjalë:
Mirë nenshtrasha, or’ Bedri Pasha!
Amanet jam tue t’ a lânë,
Ket fjalë Mbretit me m’ i a thânë:
Se me sodjet, êmni i Zotit!
Shka jem’nipash s’ Gjergj Kastriotit
E Shqyptarë qi i thomë na vedit,
Mâ duvâ nuk i bâjm Mbretit.
E as s’ e njofim mâ per Mbret.
Rrash po mbushen pesqind vjet,
Qi na i bâjm atij hysmet…”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *