Ekspedita e Pajtimit kundër nxitjes së gjakmarrjes nëpërmjet internetit

Nga Gjin Marku   

Përmirësimi i punës së policisë në komunitet dhe i edukimit në shkolla, si dhe bashkëpunimi i tyre me ekspeditat e pajtimit, ka bërë të mundur që numri i vrasjeve, nga janari deri me 31 gusht 2015, të ulet me 70 %, dhuna në familje me 50 %, incidentet në shkolla me 90 % dhe trafikimi i qenieve njerëzore me 60 %.

Por përballë kësaj situate pozitive strukturat e krimit të organizuar e terrorizmit po nxisin nëpërmjet internetit vrasjet tek familjet në hasmëri. Me këtë mënyrë u krijuan kushtet për vrasjen e Saimir Ziza brenda avllisë në sy të fëmijëve dhe po ndiqet dita – ditës për tu ekzekutuar Gjon Mhilli i ngujuar me tre fëmijë në Shkodër. Në mënyrë flagrante, me informacione të krijuar në internet, po nxitet vrasja e Vale Gazidedes e të afërmëve të tij të fshehur në periferi të Tiranës. Dhjetra familje të tjera kanë bërë kallëzime penale në prokurorinë e Tiranës dhe policinë e shtetit për nxitjen e krijimin e kushteve për vrasjen e tyre në mënyrë të fshehtë nga strukturat e krimit të organizuar e të terrorizmit nëpërmjet informacioneve të qëllimshme në internet, siç ka rezultuar disa herë.

Ekspedita e pajtimit, që vazhdon punën me hasmëritë në terren, do jetë me dt. 2 shtator, ora 11, tek familja e Vale Gazidede, në fshatin Shesh të Tiranës. Me dt 3 shtator, ora 10 e 30, do shkohet tek familja e Niko Trimit në Karbunarë të Lushnjës që sipas mediave i bëhen presione dhe i kanë vënë zjarrin pse pranoi të pajtohej me bashkëshorten, ndërsa me dt. 4 shtator, ora 11, tek familja në hasmëri dhe e ngujuar prej 22 vitesh e Gjon Mhillit që është tentuar disa herë për ta ekzekutuar.

Bashkëngjitur po ju dërgojnë një përmbledhje të shkurtër të punës sonë për periudhën Janar – Gusht 2015 

Ftoheni të merrni pjesë në takimet e ekspeditës me familjet e sipërpërmendura.

Për Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar

Gjin Marku

Kryetar

 

Rezultatet dhe drejtimet e punës së ekspeditave të pajtimit për periudhën janar- gusht 2015

Ekspeditat e misionarëve të pajtimit e përqendruan punën vullnetare gjatë tre muajve të parë të këtij viti në komunat ku shtrihet gazsjellësi i Adriatikut, sipas takimit me zyrtarët e qeverisë shqiptare dhe të ekipit të TAP të përfaqësuar nga z. Vugar Veysalov, për të eliminuar konfliktet mbi pronësinë që do të pengonin mbarëvajtjen e punës me projektin. Bashkëpunimi i strukturave të pushtetit vendor dhe policisë së shtetit në këto zona me ekipet e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar si dhe qëndrimi korrekt i drejtuesve të projektit TAP për të respektuar të drejtën e pronësisë ka eliminuar çdo përplasje që pengon ecurinë e punës.

Mbas punës me zonën e gazsjellësit ekspeditat e pajtimit kanë zhvilluar aktivitete në çdo rreth për nxitjen e pjesëmarrjes së  qytetarëve në fushatën zgjedhore e në votime pa konflikte e përplasje sociale. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme e policinë e shtetit Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar bëri të mundur që edhe familjet në hasmëri të merrnin pjesë në votime në çdo moment që kërkuan. Bashkëpunimi i faktorëve bëri të mundur që procesi elektoral e i votimit të arrinte, me dt 21 qershor 2015, nivelin e standardeve evropiane

Ekspeditat e pajtimit po punojnë për kthimin e besimit të qytetarëve tek e ardhmja e vendit dhe ndalimin e emigrimit masiv   duke sqaruar opinionin qytetar se edhe ai numër i vogël, krejtësisht i papërfillshëm, i familjeve që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes e ka shumë të vështirë marrjen e azilit në vendet e Bashkimit Evropian, pavarësisht nga e drejta e tyre universale për mbrojtjen e jetës. Misionarët e pajtimit në shkallë vendi kanë falënderuar Kryeministrin Shqiptar, Z. Edi Rama, që si edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, z. Ban Ki Moon, po mbron të drejtat e qytetarëve që emigrojnë për arsye sociale e sigurie duke i bërë me dije opinionit Evropian se kjo situatë kërkon solidaritet dhe përmirësohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të gjitha vendeve anëtare të Evropës së Bashkuar për zhvillimin e rajonit të Ballkanit sipas standardeve perëndimore.

Puna vullnetare e ekspeditave të pajtimit për respektimin e ligjit e ndalimin e ngujimeve vazhdon të pengohet nga struktura të krimit të organizuar e terrorizmit që nxisin vrasjet. Përmirësimi i punës së policisë në komunitet dhe i edukimit në shkolla si dhe bashkëpunimi i tyre me ekspeditat e pajtimit ka bërë të mundur që numri i vrasjeve nga janari deri me 31 gusht 2015 të ulet me 70 %, dhuna në familje me 50 %, incidentet në shkolla me 90 % dhe trafikimi i qenieve njerëzore me 60 %. Por përballë kësaj situate pozitive strukturat e krimit të organizuar e terrorizmit po nxisin nëpërmjet internetit vrasjet me çdo kusht tek familjet në hasmëri. Me këtë mënyrë u krijuan kushtet për vrasjen e Saimir Ziza brenda avllisë në sy të fëmijëve, po ndiqet dita – ditës për tu ekzekutuar Gjon Mhilli i ngujuar me tre fëmijë në Shkodër dhe nxitet vrasja e Vale Gazidedes, i fshehur në periferi të Tiranës. Dhjetra familje të tjera kanë bërë kallzime penale në prokurorinë e Tiranës dhe polici për nxitjen e krijimin e kushteve nga interneti për vrasjen e tyre. Këto shqetësime janë ngritur edhe në raportin vjetor të punës së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për vitin 2014: publikuar në faqen zyrtare:   www.pajtimi.com

Tiranë me 31 gusht 2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *