ULTINJTË E MALIT TË SHENJTË NË OROSH

– Drurët unikalë të Benediktinëve në Shqipëri –

NGA NDUE DEDAJ

Kisha shkuar disa herë në Bjeshkët e Oroshit, në vitet ’80, për të shkruar shkruar reportazhe për pishat e ahet, druvarët e barinjtë, më kishte zënë syri diçka dhe për rrobujt e atyre anëve, drurë 900-vjeçarë, që përmendeshin në enciklopedinë shqiptare, por askush nuk më kishte thënë dhe një fjalë të vetme për dy “lisa” krejt të veçantë, aty në Shkallën e Shenjtit. Për herë të parë për ta do të dëgjoja pas 90-s, kur më në fund dhe ata, ashtu si njerëzit, do të çliroheshin nga kompleksi i biografisë. (Si mund të flitej për drurë “fetarë”, në vend të shenjtë, të sjellë nga Italia në hershmëri nga murgjit, përderisa ishte i ndaluar besimi?!)

Në fillimet e pluralizmit, fotografinë e njërit nga dy ultinjtë, drejtori i Muzeut të Mirditës, Bardhok Luka, e mbante në shtëpi, në korrnizë, mbi raftin e librave. Do të rrëmoja asokohe në gojëdhana për drurët simbol, si për dy eremitë të tretur në vetminë e madhe, për të cilët nuk kishte një rresht të shkruar – dhe një profil të tyre eseistik do ta paraqisja në librin tim “Toka e katedraleve” (1999). Nuk haseshin askund tjetër në Shqipëri drurë të atillë shenjues, ku me siguri moteve të mugëta mesjetare duhet të kishte patur disa, por që nuk kishin mundur ta mbërrinin shekullin XXI.

Kuvendi i Madh Benediktin dhe “Fretërit e Bardhë”

Kuvendet Benediktine u hapën nga romakët për të forcuar besimin katolik që rrezikohej, siç u krijuan gjatë mesjetës dhe urdhërat fetarë: domenikan, françeskan etj. Urdhëri mori emrin e Shën Benediktit (nga latinishtja – i bekuar), që pati lindur në Itali (Norcia) në vitin 480 në një familje princërore dhe vdiq me 547 duke u shndërruar në shenjt. Festa e tij është me 11 korrik. Konsiderohet pionier i jetës rregulltare për Perëndimin, si Shën Bazili për Lindjen. Bashkësia benediktine që ai themeloi është ndër më të shquarat në historinë e kishës. Benediktinët jetonin në kuvende me Abatin në krye. Aty zhvillonin jetën liturgjike dhe punonin dhe tokën për nevojat e tyre. Merreshin me art: muzikë e pikturë kishtare, arkitekturë; shkencë (kimi, biologji, astronomi) si dhe me politikë (diplomaci). Motua e tyre ka qenë: “Lutu dhe Puno”. Kuvendet ishin qendra fetare, arsimore, kuturore në Evropë dhe më gjerë. Studiuesit vërejnë se Benediktinët i kanë dhënë vulën qytetërimit të mesjetës dhe kanë hedhur themelet e kulturës moderne. Ata veprojnë dhe sot në disa vende të botës, kurse në Shqipëri kanë pushuar së vepruari aty nga shekulli XV, duke u zëvendësuar nga Françeskanët. Një histori e lavdishme misionare, që nga Italia e jugut u shtri në Gjermani, Francë, Shqipëri, Spanjë etj., e nuk rresht as sot, për më tepër që Jozef Racingeri zgjodhi emrin e Benediktit për fronin e tij papnor.

Përhapja e Benediktinëve në vendin tonë lidhet me fillesat e mijëvjeçarit të dytë, që përkon me kohën e kanonizimit të Shën Benediktit (1220). Në Mirditë benediktinët u ngulën në Malin e Shenjtë, Shënpal, Ndërfanë dhe Rubik, duke marrë në dorë punën apostolike. Në to përgatiteshin priftërinj për gjithë Shqipërinë Veriore e gjer Dalmacinë, shkruan Milan Shuflai në veprën e tij të mirënjohur “Serbët dhe Shqiptarët”. Murgjit e lashtë të kuvendeve përcillën përmes kujtesës popullore si Fretërit e Bardhë, që ishin njerëz të sakrificës, shkonin zbathur dhe visheshin me rroba të bardha. Duke qenë të largët në kohë, tashmë ata vijnë të mbështjellë me velin e ndritshëm të legjendës dhe ndonjë simbolikë si ultinjtë, ku vetëm historia e ndan se kur ishin në fuqi benediktinët e kur erdhën françeskanët.

Mali i Shenjtë-Orosh është kryetempulli i krishtërimit në Mirditë, një nga qendrat benediktine kishtare më të famshme të vendit dhe më gjerë. Sfinks monumental dhe kryekrè i lashtë i katoliçizmit në mbarë trevën. Aleksandër Meksi shkruan: “Mali i Shenjtit mbi Orosh ka qenë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë jo vetëm të krahinës, por dhe më gjerë, që tregon për rëndësinë, emrin që kishte abacia e atjeshme dhe rolin e saj në histori”. Ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shënjtorët shqiptarë që u sakrifikua aty, siç na bën të mendojmë ndonjë gojëdhënë. Gjithçka aty është “pronë” e shenjtit: Mali i Shenjtit (emërtimi kryesor), Shkalla e Shenjtit (“aty shenjti pati vënë këmbën”), Qafa e Shenjtit (shenjti mbase pati kryer ndonjë mrekulli), Kujt i Shenjtit (kushedi pse përdoreshin), Qafa e Qirit(ku ndizeshin qirinjtë e të kremteve të mëdha), L’piza e Shenjtit (për kryerje ritesh në festën e Shna Ndoit) dhe veçanërisht Maja e Shëlbuemit (sipër kishës me të njëtin emër), si dhe Nënshejti (fshat turistik në prehër të malit hyjnor); por jo dhe Mbishenjti, për analogji gjuhësore me të parin, pasi në terrenin malshejtas nuk kishte një objekt natyror më të lartë se Mali i Shenjtit, dhe në aspektin simbolik asnjë lloji emërtimi nuk mund të rrinte “mbi” Shenjtin pajtor të Oroshit, Shën Llezhdrin/ Shën Aleksandrin (“San Alexandri Maior de Albania”/ “Sancti Alexandri diocezis Albania”.) Një vëzhgues gjuhësor, që njeh ndërkohë toponiminë e mjaft kishave të tjera, e lidhur jo pak me pronësinë e saj (Ara/ Kroi/ Përroi/ Vneshta e Kishës/ Priftit etj.) do të vërente se këtu gjithçka është e lartë, sipërore, që lidhet vetëm me Shenjtin dhe Zotin.

Ansambli kishtar i Malit të Shenjtit ka qenë i kompozuar në mënyrë të përkryer, ku shtresëzohen rrënoja objektesh kishtare historike: “Abacia Antike”, “Kuvendi i Madh (Benediktin)”, “Qela e Fretënve”; Kisha e Shëlbuemit, Kisha e Shën Gjergjit, Kisha e Madonës së Kuqe (Zojës së Bekuar), Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit, Kisha e Shën Gjinit, Kisha e Petkut (për qarjen e petkave të të vdekurve), Arka e Shenjtë, lterët, kumbanoret, rezidenca verore e Abatit, shkolla dioqezane etj., themelime kishtare mbase sa në asnjë vend tjetër jo vetëm të Shqipërisë, e sipas Imzot Doçit, “dhe të aq selive ipeshvnore të periudhës së hershme të kësaj province”.

Ultinjtë – pemë monumentale të besimit

Pas kësaj panorame të truallit biblik oroshian e gjithëmirditas, kthehemi te dy drurët e rrallë me emrinULTÍ. (Aq i ngjashëm me ULLÍ nga forma dhe bukurtingëllimi.) Njëri nga binjakët i qe dorëzuar me kohë sfidës së jetës. Kishte mbetur në këmbë deri para pak vitesh tjetri, gjersa u rrëzua dhe ai. Ndoshta ato drurë përbëjnë dhe dëshminë më autentike për moshën e kuvendeve benediktine. Sipas gojëdhënave, 6 ultinjtë (Ltè-ni, Ltènj, Ltinj; nga shtrëmbërimi i fjalës latin) u sollën nga Roma si fidane të njomë nga themeluesit e kuvendit benediktin. U rritën e gjelbëruan mes flladesh për shekuj të tërë, si shenjtorë të urtë. Njëherësh dhe monumente natyre. Mosha e tyre llogaritet rreth 900 vjeçare dhe kjo nuk është një çudi në jetën e drurëve, kur bjeshka ka ruajtur si thesare drugjyshër vendas dhe më të moçëm, si Rrobujt e Oroshit etj. Prania e ultinjve shpreh simbolikën e mbjelljes së besimit si një pemë. Nëse ata do të “zinin”, do të zinte (hidhte rrënjë) edhe fara e besimit katolik. Besimi përmes tyre sikur fitonte konkretësi. Po ta vazhdonim më tej ese-në për dy ultinjtë, do të shkruanim se “binjakët” e pavetmuar mbijetuan mes besimtarëve si mesazh i frymës së shenjtë dhe pasi kuvendet u shuan dhe mbjellësit e tyre u larguan. Ku nuk ra rrufeja, zjarri, sëpata në pyje në këta dhjetë shekuj, bjeshkë të tëra u bënë rrah e mbi hirin e tyre mbinë pyje të reja, po ultinjtë nuk patën mort. Dhjetëra brezni njerëzish, drurësh, lulesh e zogjsh u ndërruan mbi faqe të dheut, kurse ata, po aty, si dy sfinkës të pamoshë, si në shekullin e parë të jetës, si në të dhjetin. Të ngjashëm me rrapet dhe rrobujt e bjeshkëve të Oroshit, si “monumente” besimi, po dhe monumente kulture. Ultinjtë e Oroshit, me shumë degë e pak gjeth, pritës dhe përcjellës të njerëzve, stinëve dhe moteve, si predikues të mirësisë njerzore, si kronikanë të historisë dhe mrekullisë së Malit të Shenjtë predikator.

Duket se njerëzit e fesë kanë patur kultin e pemëve, siç ka patur njeriu i parë kultin e diellit dhe të hënës. Shën Françesku i Azisit e dishepuj të tij, pas themelimit të kuvendit Françeskan në Lezhë (1221), duke u larguar nga Shqipëria marrin me vete një pishë të egër, që e mbjellin pranë kishës së kuvendit françeskan të ishullit Desereto afër Venecias, që u quajt “Pisha e Shën Françeskut”. Deri vonë është ruajtur trungu dhe grimcat e tij u shpërndaheshin besimtarëve për devocion. Ajo pishë simbolikisht shprehte njëkohësinë e përhapjes së urdhërit françeskan në të dy anët e Adriatikut, shkruan studiuesi Tonin Çobani. Është diçka tjetër nga toponimet e tipit: “Lisi i Ipeshkvit”, “Blini i Patër Pjetrit” etj.

Gjurmët e hershme të krishtërimit në Mirditë dhe trevat e tjera të Veriut i gjejmë në trajtën e fjalës (toponime, gojëdhëna), në trajtën e gurit (mbishkrime në kisha, qela, varre) e si për çudi dhe në trajtën e pemëve (pisha, ultinj, lisa). Aq pranë e pranë janë këtu legjendarja me historiken, sa shpesh kufijtë e njërës prekin kufijtë e tjetrës. Mundet që shumë rrëfime popullore të kenë qenë në fillesë kronika historike për një ngjarje, por për shkak të natyrës orale të komunikimit në malësitë tona, duke qarkulluar si folklor, më vonë janë tjetërsuar duke u përpunuar në mokrat e anonimatit, i cili metaforizon e hiperbolizon, duke u veshur ndodhive e personazheve velin e ndritshëm të mitit, fantastikes, ireales; e në aspektin gjuhësor – duke shënuar një kuptim të dytë të fjalës. Edhe lënda gojore me objekt besimin, kishën, famullinë dhe marrëdhëniet e njeriut me to u është nënshtruar ligjësive të përgjithshme të folklorit. Kështu në disa motërzime haset gojëdhëna me fill fantastik, sipas të cilës materialet për ndërtimin e kishës (Rubik, Bukmirë etj.), të lëna në mbrëmje nga ustallarët në një vend, të nesërmen në mëngjes i gjenin në një vend tjetër, që do të thoshte se aty ishte vendi i shenjtë. Njësoj kumti që shfaqet jo vetëm në ndërtimin e kalasë së Rozafasë, por dhe të kishave legjendare. Lënda mitike, arkeologjike, gjuhësore, folklorike e shtyn veçse më në vjetërsi përhapjen e katoliçizmit në trevën e Mirditës e dioqezat e tjera shqiptare.

Post Scriptum. Andej e këndej Adriatikut, patëm dhënë pisha e marrë ultinj për devocion fetar. Ultinin e Oroshit të mbetur “gjallë” e patëm fotografuar vetë në vitin 1998 dhe mbase është e fundmja foto e tij kur ai ishte ende me gjeth (siç paraqitet në “Toka e katedraleve”), kurse fotot e mëvonshme përgjithësisht sjellin pamjen e tij me degë të thara, si fotoja që ilustron këtë shkrim. Tani është shuar dhe ai, por trupi i tij nuk iu shpërnda besimtarëve për përshpirtje, siç pati ndodhur me “Pishën e Shën Françeskut”.

Njëri nga ultinjtë e Malit të Shenjtë, Orosh. Foto: Gjergj Marku

 

Abacia e Mirditës, Orosh. Foto e vitit 1903.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *