SARI SALLTIKU, PELIGRINAZH DHE TURIZËM

Ndue Dedaj

 

Mali i Krujës, 1176metra i lartë, i ka të gjitha përmasat, dhe hyjnoren

e madhnueshme, dhe bukurinë shkëmbore të thepisur si askund, me një rënie pingule

të thiktë mbi qytet, ku dhe alpinistët zor se do të mund të ngjiteshin e ku gurët e mëdhenj të dalë të

fusin frikën se mos trandën dhe befas i sulen si një “ortek” qytetit të

shpërndarë në brinjat e malit. Po njerëzit ndoshta bash për këtë pamje stoike e

duan malin që ndonjëherë thirret dhe në emrin e Sari Salltikut, po dhe të

Skënderbeut. Një mal kryelartë me tre emra. Të merren mendtë kur e sheh nga

poshtë-lart, nga qyteti, dhe aq më shumë kur nga maja e tij vështron qytetin si

në pëllëmbë të dorës, që për çudi të duket i rrafshët, gati i bërë njësh me

fushën e detin. Është lartësia që i “sheshon” të gjitha kodrat para vetes, si ta

kundrosh relievin nga dritarja e avionit. Drejt Sari Salltikut të ngjit një

rrugë e skalitur në gur, gjithkund shpatit të malit, e futur në gji të

shkëmbit gëlqeror, e asfaltuar dhe me mbrojtëse të hekurta nga ana e poshtme ku

gjendet gremina, ndryshe udhëtimi do të ngjante i pamundur, teksa për atje ka

dhe një rrugë këmbësore të përpjetave e tërthoreve. Maja është një ballkon

mahnitës dhe për të shkuar te shenjti duhet të ulesh shkallëve që të shpien në

një shpellë 20 metra të thellë, ku është dhe një teqe e vogël me shiritat e

blertë karakteristik. Njerëzit prekin gurët, falen dhe ndezin qirinj. Nuk mungon

as rituali i therjes së qingjave, që turistët i blejnë për drekën e shijshme

familjare në lendinat e malit. Ka një pamje mistike i gjithë dekori dhe kjo prej

hirit të baba Sari Salltikut, që pati ardhur në Krujë në mesin e viteve 1300 për

përhapjen e bektashizmit. Ky shenjtor gëzon popullaritet të madh në këtë vend,

në mbarë bektashinjtë shqiptarë e më tej. Deri në Sari Salltik

qe ngjitur dhe konsulli fracez De Grand, që ashtu si Teodor Ippen e të tjerë i ka përshkruar

monumentet e këtyre vendeve aty kah nëntëqinda. Shenji u “rikthye” si të gjithë

shenjtërit e tjerë pas 90-s, atëherë kur Shqipëria pushoi së qeni mburrshëm e

krenisht “vendi i vetëm ateist në botë”. Atëherë u realizua dhe ky memorial i

shenjtërisë së tij, për të cilin njerëzit betohen kamot. Besimtarët e vjetër

krutanë nuk e larguan asnjëherë shenjtin nga vetja dhe kur feja ishte e

ndaluar… Pasi kanë provuar ndjesinë e misterit të fesë atje brenda, ku është

dhe një krua me uji të ftohtë për të shuar etjen, pelegrinët shpërndahen

lëndinave, te Fusha e Mejdanit etj. Bletë nuk sheh, as zgjoje, por luleve u vjen

era mjaltë. Freski e ëmbël, pak mjegull dhe një diell që herë fshihet e herë del

për t’u parë me njerëzit që kanë shtruar “sofrat” në livadh dhe pjekin mishin në

zgarë. Është një fundjavë që ata përherë e më shumë e kalojnë këtu. Dikush e

krahason këtë vend me Shna Ndoin e Laçit. Shenjtorët, të  besimeve të ndryshme,

por të të njëjtit Zot, kështu i kanë pushtuar lartësitë e mundimshme, si për t’i

thënë njeriut se ato janë qëllimi i jetës së tij, por që për t’i mbërritur lypën

sakrifica. Dikush tjetër e krahason me Razmën turistike. Sido që të jetë, tashmë

shqiptarët e shijonë natyrën e tyre, e cila dikur reklamohej nga propaganda

vetëm për kullotat e blegtorinë.

 

Kruja, si krua historie dhe nostalgjie

 

Nuk di se nga t’ia fillosh me Krujën, pasi njerëzit dinë aq shumë

për të, kush nuk e ka vizituar e parë në dhjetëra fotografi e filma. Historia

është muza e saj e pavdekshme dhe Heroi Kombëtar që pret e përcjell maje kalit.

Ndoshta nuk mund të ketë një përfytyrim tjetër për Gjergj Kastriotin, vetëm

ashtu kaluar nëpër majat e historisë sonë, po dhe të Europës, si një kalorës e

atlet i lirisë, që jo më kot i ka në Muzeun e Vjenës shpatën dhe përkrenaren.

Krujën në fillim e kemi përjetuar si një ëndërr të fëmijërisë sonë, përmes

tregimeve për kryetrimin. Shqiptarët e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare

shihnin dhe më shumë ëndrra të tilla. Ata të pakët që vinin ato mote me siguri

që prisnin kostumin e ri për të qenë “dhëndër” të Krujës. Na kujtohet mësues

Ismeti nga Malisheva, që zhbimja millosheviçiane e kishte sjellë në Shqipëri, i

cili e kujtonte me nostalgji vizitën që kishte pas bërë në Krujë aty nga 80-a.

Ndaj zor se do të ketë guidë që do ta zërë ndonjëherë Krujën të tërën brenda

vetes. Por çfarë do të themi të re në këto shënime, kur është folur aq shumë?

Ndoshta gjëja më e veçantë e kohëve të fundit është restaurimi i Pazarit të

Krujës, i cili shtrihet në 170 metra linear. Vërtet nuk duket shumë për rreth

60-70 dyqane antikuaresh artistike dhe artizanale, por është autenticiteti që i

përcakton vlerat e tij. Pazari i Krujës është më i vjetri në Shqipëri sipas

specialistëve të monumenteve, të cilët dhe janë kujdesur që gjatë restaurimit

gjithçka të jetë në vendin e duhur. Çfarë nuk të rrok syri? Të jesh këtu

thjeshtë soditës është pak, jashtëzakonisht pak. Një enografi e pashembullt

shpalohet, nga librat e hershëm te nagantat e dy shekujve më parë,

qeleshepunuesit dhe qilimapunueset, që janë mbase dhe tradita krutane më e

spikatur. Njeri nga vizitorët përzgjedh në qilimat e punuar me art, pasi nuk i

pëlqen tapetet, kurse neve na shkrep nëse vazhdon dhe Luma të thurë qilimat e

saj origjinalë? Tezgjahu është aty si për treguar se çdo gjë këtu është “bio”

dhe jo ndryshe. Në traditë janë dhe sendet e punuara në baker, që turistët i

marrin me vete për të stolisur vilat apo restorantet. Shqiponja është futur

kudo, nga qeleshet e bardha, shalli i qafës e gjer prerësrja e thonjve, sa ti

mendon a thua po teprohet në këtë mënyrë? Është për t’u vlerësuar kthimi

dinjitoz te tradita pa deformime e shartesa, ku jo vetëm pazare të tilla

historike e bëjnë këtë, apo muzeu etnografik brenda brenda në kala, por dhe një

njeri i vetëm, Shtjefen Ivezaj në Tuz që e ka kthyer shtëpinë e tij fund e krye

në muze etnografik dhe vetë fle në ballkon, apo poeti Gjon Gjergjaj në Klinë

(Kosovë) që gjithashtu kullën e ka kthyer në një fole të relikteve

të vjetra shqiptare mjaft pikante. Kruja të zgjon mendime e ndjesi dhe përtej të sotmes.

Kërkon me sy si tridhjetë vite më parë Haxhi Gocin, një studiues i përvutë i

kulturës krutane, kurbinase e më tej, i cili nuk mund të na presë më si dikur…

por ja tek shfaqet para nesh një tjetër njohës i kësaj kulture, Baki Dollma,

mësues dhe studiues i moshuar, librat e të cilit i sheh të ekspozuar në hyrje të

kalasë.

“Krujë, o qytet i bekuar…” Kështu nis poema e famshme e Naimit për

Skënderbeun. Por tashmë secili nga ne ka poemën e tij të Krujës, të shkruar dhe

të pashkruar. Kruja është një sovrane e historisë sonë, siç na e paraqet dhe

romani “Krasta Kraus” (Kreshta e Krujës) i shkrimtarit disident Bilal Xhaferri.

Në Krujë janë shtresëzuar brezat dhe kulturat. Inxhinieri i pyjeve Hysen Kuqi

ishte shuar në pyjet e Qafë Shtamës, por tridhjetë vjet më parë ne do të njihnim

të atin e tij plak, Memin, me shtëpinë në krye të qytetit, një ish-tregtar i

vjetër vendas, mbi profilin e menduar të të cilit koha e socializmit nuk kishte

lënë asnjë gjurmë. Ai sikur kishte mbetur atje në botën e tij të dikurshme prej

tregtari, zanat që e kishte ushtruar dhe në Tiranë, ku sot rrojnë pasardhësit e

tij nipër e mbesa. Regjimi i lejonte Krujës vetëm të vjetrën që lidhej me

atdhetarinë, po jo dhe me tregtinë, pasi kjo

pillte kapitalizmin. Nuk kishte delegacion qeveritar të huaj që nuk vizitonte Krujën.

Në mjediset e kalasë, me kullën e lartë në sfund valltarët e Ansamblit të Shtetit xhironin

klipet e kohës. Nga veranda e Hotel-Turizmit ishte një kënaqësi poetike të kundroje

fushën e pamatë e gjer detin. Kruja në atë kohë identifikohej jo më me pajtorin

e vet shpirtëror, por me kalanë, Skënderbeun, muzeun e tij pozant dhe pazarin

karakteristik, që nuk kishte patur fatin e keq të atij të Shkodrës të prishej.

Vendi me histori kishte nxjerrë shkrimtarë, gazetarë, diplomatë, juristë të

dëgjuar dhe libri ishte një përmasë e qytetit. Nuk e di sa është sot i pranishëm

libri artistik në institucionet e shtetit (dyshoj se jo!), teksa asokohe jo

vetëm biblioteka e qytetit, po dhe zyra e prokurorit të Rrethit kishte veprat e

Naimit, Samiut, Nolit, Migjenit, Çabejt, përfshi dhe seritë me lidhje speciale

të botuara në Kosovë.

Kruja kishte gjithashtu dhe të ikurit e vet përtej Adriatikut, ku njëri sosh ishte dhe

babai i Ana Oxas, këngëtares së njohur italiane të San Remos, që mediat italiane

ndonjëherë e kanë përfolur si mbesë të diktarorit shqiptar Hoxha?!

Dhe një mbresë të fundit. Sa herë veja në Krujë në vitet ’80 te njerëzit e mi, që ishin

bërë pjesë e atij qyteti me vite, ndalesha te një krua i vogël në mes të pallateve, vija dorën në gurë e pija me andje (duke besuar se dhe emri i qytetit vinte nga krua), uji i të cilit me siguri

buronte atje lart, ku përhapte mirësi Sari Salltiku hirnor në paqe me botën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *