Dr. Elez Biberaj
Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë
Zëri i Amerikës
Fjala kryesore në Konferencën mbi 25 vjetorin e tranzicionit në Shqipëri
Universiteti Europian i Tiranës
Tiranë, 24 prill 2015
Ju falënderoj nga zemra që më ftuat të marr pjesë në këtë konferencë të rëndësishme. Ju falenderoj gjithashtu për prezantimin bujar që më bëtë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve. Për mua është nder i veçantë të jem këtu në një ngjarje të jashtëzakonshme – 25 vjetorin e tranzicionit të Shqipërisë nga një shtet diktatorial, njëpartiak, në një sistem demokratik shumëpartiak.
Është e natyrshme që njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit t’i hedhim një sy rrugëtimit demokratik të Shqipërisë për të parë sukseset dhe vështirësitë me të cilat ajo është përballur. Do të përpiqem të bëj një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë gjatë çerek shekullit të shkuar si dhe të flas për sfidat me të cilat ajo ndeshet tani dhe në të ardhmen e afërt për konsolidimin e plotë të demokracisë. Kjo analizë bëhet nga këndvështrimi i një vëzhguesi të jashtëm, por thellësisht të interesuar në përparimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Gjithmonë jam ndier jashtëzakonisht me fat dhe shumë mirënjohës për mundësinë që Zëri i Amerikës më ka dhënë për të ndjekur nga afër zhvillimet në atdheun tim. Zëri i Amerikës ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimet në Shqipëri, duke qenë një prani e vazhdueshme në periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha më e paharruar e mbulimit nga Zëri i Amerikës të çështjeve shqiptare ka qenë ajo pas vdekjes së Enver Hoxhës, dhe më konkretisht ngjarjet dramatike të vitit 1990. Zëri i Amerikës iu kundërvu propogandës së regjimit duke thyer mitet e tij dhe duke theksuar se sundimi komunist i kishte shtypur aspiratat e shqiptarëve për të ndërtuar një vend modern, të bazuar në pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut. Kështu, Zëri i Amerikës shërbeu si një forcë ndikuese e jashtme dhe një faktor ndryshimi, duke sfiduar me sukses monopolin e regjimit mbi lajmet dhe informacionin. Ai u bë një mbështetje për mendimin opozitar dhe nxitës i idealeve të një shoqërie të lirë, pluraliste dhe demokratike. Megjithatë, Zëri i Amerikës ishte vetëm një nga faktorët e shumtë të brendshëm e të jashtëm që së bashku kontribuan në rrëzimin e komunizmit.
Rënia e sistemit komunist të Shqipërisë çliroi një vrull demokratik dhe çoi në krijimin e një peizazhi politik të larmishëm dhe dinamik. Me mbështetjen e rëndësishme politike dhe financiare të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimi Evropian, Shqipëria hyri në rrugën e reformave të shpejta politike dhe social-ekonomike, siç ishin: rimëkëmbja e rendit kushtetues; ngritja e një sistemi të ri qeverisjeje, me tre degë të pavarura pushteti, krijimi i masave mbrojtëse për të drejtat dhe liritë themelore dhe reforma e gjyqësorit. Gjithashtu, Shqipëria e riintegroi veten në komunitetin ndërkombëtar, duke ndjekur një kurs të qartë pro-perëndimor dhe duke zhvilluar lidhje të ngushta politike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Një varg reformash të shpejta u pasua nga çrregullime shoqërore dhe nga një rënie e institucioneve në vitin 1997, që për pak sa nuk e ktheu Shqipërinë në një shtet të dështuar. Kriza solli si pasojë një fragmentim politik dhe një gërryerje dramatike të pushtetit shtetëror. Megjithatë, Shqipëria e mori veten nga kriza e skemave piramidale brenda një periudhe relativisht të shkurtër dhe vazhdoi programin e reformës, duke bërë përparim në shumë fronte. Ajo është tani anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rëndësia e saj në nivel rajonal është rritur ndjeshëm.
Shqipëria e ka kapërcyer tashmë fazën e tranzicionit. Njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit, mendoj se përdorimi i termave “tranzicion” dhe “pas-komunist” është tashmë i debatueshëm dhe pa ndonjë vlerë analitike. Një vend, i cili ka mbajtur tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike, që është anëtar i plotë i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian, nuk mund të klasifikohet si “vend në tranzicion” ose si vend “pas-komunist.”
Pyetja është se çfarë lloji regjimi është krijuar në Shqipëri? A i kanë arritur shqiptarët plotësisht aspiratat e tyre demokratike? Dhe, a është sistemi i tanishëm apo niveli i tanishëm i demokracisë forma më e lartë e një rendi demokratik që mund të arrijnë shqiptarët?
Zhvillimet në Shqipëri gjatë çerek shekullit të fundit duhet të shihen brenda kontekstit më të gjerë rajonal, evropiano-lindor. Tranzicioni politik i Evropës Lindore ka krijuar disa lloje regjimesh: demokraci të plota, hibride dhe regjime autoritare. Vendet baltike, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe dy ish-republikat jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, kanë pasur një tranzicion relativisht të shpejtë dhe të suksesshëm dhe kanë arritur në një masë të madhe konsolidimin e rendit të tyre demokratik.
Shqipëria, nga ana tjetër, ka mbetur dukshëm prapa, dhe kalimi i saj drejt demokracisë ka qenë i ngadalshëm dhe me më shumë sfida. Shqipëria është pjesë e një kategorie vendesh ish-komuniste, si Armenia, Bosnja, Gjeorgjia dhe Mali i Zi, që kanë deficite demokratike dhe mund të klasifikohen si “regjime hibride.” Mëgjithëse “regjimet hibride” qëndrojnë më lart në treguesit e demokracisë sesa regjimet “autoritare,” të tilla si Rusia apo republikat e tjera ish-sovjetike, ato karakterizohen nga struktura politike gjysmë-demokratike; nga zgjedhje që jo gjithmonë përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për votimet e lira, transparente dhe të besueshme; nga mosmarrëveshje të zgjatura pas-zgjedhore; nga mungesa e sundimit të ligjit; nga një sistem qeverisjeje ku tre degët e pushtetit, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyësori nuk funksiojnë si duhet; nga korrupsioni i përhapur; nga një shoqëri e dobët civile dhe nga qeveri, që në masë të madhe nuk janë të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
Ritmi i ngadaltë i demokratizimit të Shqipërisë ka qenë pasojë faktorësh të lidhur me njëri-tjetrin, që shkojnë përtej natyrës totalitare të regjimit të Hoxhës dhe mungesës së një tradite demokratike. Ata përfshijnë një mori elementësh politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Këto pengesa, së bashku me dështimin e përgjithshëm të elitave politike për të thelluar institucionet demokratike, për të siguruar një qeverisje të efektshme dhe për të sjellë rritje më të madhe ekonomike, kanë rënduar ndjeshëm mbi demokracinë shqiptare.
Këtu nuk është as koha e as vendi për të hyrë në hollësi, por më lejoni të përmend vetëm disa faktorë që vazhdojnë ta pengojnë demokratizimin e Shqipërisë. Vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht në përparimin demokratik të vendit. Shumë njerëz në poste drejtuese kanë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste që bënë një kalim të butë në sistemin pas-komunist. Këto elita në përgjithësi nuk shfaqën pikëpamje demokratike për natyrën e politikës. Ata e treguan veten si politikanë të dobët me prirjen për të mos e vlerësuar si duhet kompromisin në qeverisjen demokratike. Ndërsa premtonin se do t’u përmbaheshin idealeve demokratike, me të ardhur në pushtet udhëheqësit politikë bënin përpjekje për të kontrolluar të gjitha levat e pushtetit, për të imponuar kontroll mbi median e biznesin dhe për të përçarë e izoluar kundërshtarët e brendshëm si dhe opozitën. Elitat në Shqipëri kanë treguar prirjen e shkatërrimit të kundërshtarit, shpesh duke përdorur një retorikë tepër konfrontuese, akuzuese, populiste dhe arrogante. Pak prej udhëheqësve të lartë mund të shihen si model për pjesën tjetër të shoqërisë.
Politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe thellësisht jofunksionale. Në thelb, ajo ka degjeneruar në një luftë për pushtet midis dy partive më të mëdha politike të vendit, ndonëse ato nuk ofrojnë më alternativa të dallueshme nga njëra-tjetra. Ndryshimet kushtetuese dhe të kodit zgjedhor në vitet 2008-2009 sollën përqendrimin e pushtetit te krerët e partive, duke çuar në një degradim të rëndësishëm të demokracisë brenda partive. Udhëheqësit e partive kontrollojnë dhe përcaktojnë listën e kandidatëve, çka u dëshmua edhe në procesin e tanishëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të qershorit. Ata reklamojnë ose instalojnë në pozita të larta njerëz personalisht besnikë ndaj tyre. Anëtarët e parlamentit mbështesin fort pozitat e udhëheqësve të tyre dhe në të gjithë spektrin rrallë shikon politikanë që të marrin qendrime të pavarura.
Korrupsioni ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Pasuria dhe qasja ndaj pushtetit janë përqendruar në duart e një grupi të vogël, ndërsa pjesë të konsiderueshme të popullsisë ende jetojnë në varfëri. Kjo gjendje ka krijuar pakënaqësi të gjerë dhe është politikisht destabilizuese. Ekziston perceptimi i përhapur se të gjithë janë të korruptuar. Ky sigurisht është një thjeshtëzim i tepruar, por shpesh perceptimet mund të jenë po aq të rëndësishme sa realiteti.
Shkelja e ligjit si dukuri e përhapur është bërë pengesë mjaft serioze për qeverisjen e mirë dhe për një shpërndarje të drejtë të burimeve të vendit. Vetë institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit – zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, parlamenti, partitë politike, gjykatat, gjyqtarët, prokurorët dhe policia – e kanë minuar luftën kundër korrupsionit.
Megjithëse sfidat e tanishme nuk duhet të errësojnë përparimin që ka bërë Shqipëria në çerek shekullin e kaluar, realiteti dëshmon gjithnjë e më shumë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me nivelin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik që ka arritur vendi.
Pyetja tani është: a do të mbijetojë sistemi i tanishëm, apo do të evoluojë ai në një regjim më pak ose më shumë demokratik? Duke pasur parasysh sfidat e shumta të brendshme me të cilat përballet Shqipëria, prirjen globale dhe rajonale të rrëshqitjes së demokracisë dhe forcimin e alternatives autoritare, a ka të ngjarë që Shqipëria të shohë një përkeqësim në ecurinë e saj demokratike?
Në të ardhmen e afërt, shanset për një ndryshim të shpejtë dhe të madh politik duken të vogla. Duket qartë, dhe këtë e them me dhimbje, se elitat e tanishme nuk kanë gjasa ta ndryshojnë me themel kulturen politike, stilin e qeverisjes dhe mënyren se si e trajtojnë njeri tjetrin. Ato janë ngurosur në qëndrimet e tyre dhe politika në Shqipëri mbetet tepër informale dhe personale. Ritmi i demokratizimit përgjithësisht e ka humbur vrullin, duke çuar në një gjendje politike të sëmurë dhe në një përparim me hope të zhvillimit demokratik. Ndërsa në fazën fillestare ekzistonte vullneti politik dhe oreksi për reforma radikale, tani duket se ka një mungesë vullneti për të kaluar në një nivel më të lartë të reformave të thella. Nuk ka shenja se udhëheqësit shqiptarë janë duke kërkuar rrugë për të hequr dorë nga marrëdhëniet mbi bazë përçmimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës, për t’u angazhuar në një debat gjithëpërfshirës dhe për të arritur një konsensus kombëtar në çështjet kryesore, që do ta bënte më të lehtë realizimin e ndryshimeve politike të rëndësishme, thellimin e demokracisë dhe përmirësimin e qeverisjes.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 u panë gjerësisht si një ndryshim i rëndësishëm. Megjithatë, vendi rrëshqiti shpejt në stilin e vjetër të politikës konfliktuale. Bllokimi i tejzgjatur politik, rritja e ngadaltë ekonomike, shtimi i sfidave shoqërore dhe një seri skandalesh korrupsioni e kanë dëmtuar rëndë qeverisjen.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar mjaft në procesin e demokratizimit të Shqipërisë. Por komuniteti ndërkombëtar po tregohet gjithnjë e më pak i prirur të përdorë levat e rëndësishme që ka për të ndikuar tek udhëheqja shqiptare, pasi siç duket ka krijuar bindjen se situata në Shqipëri ndryshon tepër ngadalë. Kjo përforcon mendimin se Bashkimi Evropian nuk ka gjasa ta pranojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, duke patur parasysh problemet e saj politike dhe institucionet e korruptuara.
Prandaj, ndryshimi i vërtetë do të duhet të arrihet nga brenda. Që të realizohen reforma radikale, do të ishte e nevojshme një shkundje në themel e sistemit të tanishëm. Por, megjithë pakënaqësitë në rritje ndaj gjendjes politike dhe ekonomike, nga poshtë vërehet pak trysni që do t’i detyronte politikanët shqiptarë të ndryshonin rrënjësisht kursin. Shoqëria civile është tepër e dobët për të ndërgjegjësuar elitat që ato të marrin masa serioze për t’i dhënë fund praktikës së dëmshme të kontenstimit të vazhdueshëm të zgjedhjeve, mosmarrëveshjeve të tejzgjatura dhe bojkoteve. Në të njëjtën kohë, edhe shoqëria në përgjithësi duket se i toleron politikat e gabuara të politikanëve, dritë-shkurtësinë e tyre, përplasjet jo parimore midis partisë në pushtet dhe opozitës, grykësinë dhe korrupsionin.
Nëse këto prirje negative vazhdojnë, më e mira që Shqipëria mund të presë në të ardhmen e afërt do të ishte një ecje e vështirë, herë pak më shpejt e herë pak më ngadalë. Por një status quo e tillë do të vononte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të rëndonte problemet e brendshme dhe do të inkurajonte qeverisjen e keqe. Polarizimi përçarës dhe marrëdhëniet helmuese që karakterizojnë politikën shqiptare mund të çojnë në rrëshitjen prapa të demokracisë dhe në një humbje graduale të përparimit që ka bërë vendi. Korrupsioni i thellë, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit paraqesin një kërcënim qenësor për demokracinë në Shqipëri. Disa njerëz madje mund të joshen për t’i vënë në dyshim vlerat dhe normat demokratike dhe për t’i parë sistemet më pak demokratike apo autoritare si alternativa që funksionojnë.
Kjo na bën të shtrojmë disa pyetje provokative: A janë shqiptarët të aftë për të sfiduar me vepra tezën e përhapur se “ky vend nuk bëhet?” A e kanë shqiptarët aftësinë dhe vullnetin politik për të arritur një nivel më të lartë pjekurie demokratike dhe për të zbatuar reforma themelore që do ta shtynin vendin drejt një demokracie të plotë?
Megjithëse problemet me të cilat ndeshen sot shqiptarët janë mjaft serioze, ekzistojnë disa faktorë që, në një vështrim më afatgjatë – e theksoj: më afatgjatë – mund të nxisin një demokratizim të qëndrueshëm.
Shqiptarët nuk ka të ngjarë ta pranojnë vazhdimin e gjendjes së tanishme. Ekziston një pakënaqësi e përhapur ndaj statukuosë, sidomos mes të rinjve, e cila mund të çojë në kërkesa gjithnjë e në rritje për udhëheqës më të përgjegjshëm, të cilët të përqendrohen te respektimi i institucioneve dhe ligjeve, te zhvillimi ekonomik dhe që të kenë aftësinë të punojnë në të mirë të publikut.
Shqipëria ka një brez të ri dinamik dhe të edukuar, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik dhe që është gati të zerë pozita me ndikim në shoqëri. Dalja eventuale e një brezi të ri udhëheqësish politikë dhe ekonomikë është një faktor premtues. Si rrjedhojë e ndikimit të globalizimit, inovacionit teknologjik dhe studimeve jashtë vendit, shumë të rinj shqiptarë kanë ide të reja dhe një vizion të ri për të ardhmen e vendit. Gjithashtu, klasa e mesme në rritje me sipërmarrësit e saj inteligjentë dhe mjaft të motivuar, ka të ngjarë të kërkojë transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe nga ana e zyrtarëve dhe e politikanëve.
Ndonëse Shqipëria ka dëshmuar rritje ekonomike – këtë vit prodhimi i përgjithshëm bruto mund të rritet 3 për qind – ajo nuk ka përjetuar një zhvillim të rëndësishëm ekonomik. Hendeku mes atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen është mjaft i madh. Shumë qytetarë e ndjenë veten të papërfaqësuar, dhe pikërisht ata mund të kërkojnë të kenë një zë në të ardhmen e vendit dhe të ndikojnë në vendimet politike që lidhen me interesat e tyre jetike.
Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të shërbejë si një shtysë e fortë për të zbatuar reformat e nevojshme. Shqiptarët nuk mund ta humbasin një rast të tillë dhe elektorati nuk do t’i falte politikanët, në qoftë se ata e humbasin. Për shumicën e shqiptarëve, nuk ka alternativë tjetër në rrugën e tyre demokratike, evropiane.
Zhvillimet në Shqipëri janë me rëndësi dhe mund të kenë ndikim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërsa sistemi i tanishëm nuk ka gjasa të pranohet nga shqiptarët si caku përfundimtar i demokracisë, Shqipërisë do t’i duhet një korrigjim themelor i kursit për t’u bërë demokraci plotësisht e konsoliduar. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës të aftë dhe me vizion për ta çuar vendin përpara. Por që kjo të realizohet, udhëheqësit e saj duhet të marrin masa serioze për të çrrënjosur korrupsionin, për të krijuar besimin e publikut te shteti dhe institucionet e tij, për të siguruar qeverisjen e mirë, për të nxitur përgjegjshmërinë ndaj të gjithë qytetarëve dhe për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik, që do të çonte në rritje të mundësive dhe në një standard më të lartë jetese. Kjo është një detyrë e vështirë dhe këto objektiva nuk arrihen lehtë.
Shqipëria po përjeton një kohë sfidash dhe mundësish të veçanta. Për shqiptarët ka dy rrugë: ose të pranojnë gjendjen e tanishme dhe t’i nënshtrohen fatit, ose të kapin momentin, të shfrytëzojnë arritjet e rëndësishme të çerek shekullit të fundit, të rifitojnë vrullin demokratik, dhe ta kthejnë në realitet vizionin e tyre demokratik.
Ju faleminderit!