Vdiq në moshën 82 vjeç, Nazmi Derti

 Beqir SINA, New Jersey

Tërë jetën në shërbim të familjes traditës dhe të kombit  !

PASAIC NEW JERSEY : Familja Derti, dhe miq dhe dashamirë të saj – qindra njerëz, me të gjitha nderimet e përcollën për në jetën e amnueshme, njeriun më të dashur të tyre, Nazmi Derti. I cili, lindi në katundin Blliqe – Peshkopi në 15Maj 1933 dhe vdiq të premten (10 prill 2015) në një spital n?7 kantonin Allentown – Pennsylvania – SHBA, i rrethuar nga bashkëshortja, fëmijët, nipat e mbesat e tij.

 

Ngushllimet, dhe shërbimet fetare, për dy ditë me radhë u mbajtën në Xhaminë “Qendrës islame Shqiptare” në Garfield, nga Imam Rifat Halili . Kurse, ceremonia mortore dhe varrimi u krye në Laurel Grove Memorial Cemetery Totowa NJ, në të cilën morën pjesë mbi 400 vetë. (vlen për t’u permendur me këtë rast – ndihma e policisë “Passaic County Sheriff'” në shoqërimin e kortezhit – me makinat e tyre, nga oficeri i policisë Lirim Kaba)

Nazmiu, u nda nga jeta duke u bërë, i njohur si një veprimtar dhe intelektuali i shquar, sidomos për punën e tij të palodhshme, në ruajtjen e familjes, traditës kombëtare, dhe sedrës dibrane, arsimimit dhe intelektualitetit të tij shqiptar, në Diasporë.

Ai, shkollën katërvjeçare  e kreu në fshatin Blliqe, tetëvjeçaren në Kastriot, kurse të mesmen në Normalen në Prishtinë, e cila më vonë u bë djepi i diturisë Universiteti i Prishtinës.

Ndërkohë, që mbasi përfundojë shkollën Normale në Prishtinë, për disa vjet deri sa qendronte me familjen e tij në Maqedoni – punoi si mësues i gjuhës shqipe në rrethinat e Shkupit, dhe në veçanti në fshatrat e Tetovës, ku dha kontribut të madh në arsimimin e brezave të rinj dhe mësmin e gjuhës shqipe.

Shkollimin e lartë, Nazmiu, e mori duke filluar me studimet e tij, në Universitetin e Brukselit, dhe Parisit, duke i përfundur në Filozofi në Universitetin “State University of New York at Geneseo”, ku Nazmi Derti, diplomua, aty duke qenë një student i dalluar në mësime.

Nazmiu, së bashku me familjen në vitin 1949, u arratisën fillimisht, dhe dolën e qendruan për disa vjet në Maqedoni, më pas emigruan në Itali, Belgjikë, Francë, dhe, më vonë në SHBA, ku edhe e mbylli jetën e tij, në kantonin Allentown – Pennsylvania .

Gjatë, gjithë jetës së tij, Nazmiu u dallua si një njeri me të gjitha vyrtytet më të vyera burrërore, kombëtare, dhe krahinore. Duke u shquar si një prindër shembullor, i dashur , fjalë ëmbël dhe human i madh. Veprimtar dhe intelektual, i palodhshëm në punën e tij, burr i traditës dhe sedrës dibrane, arsimimit dhe intelektualitetit shqiptar në Diasporë. Ai ishte një patriot i flakët, i cili e donte shumë, Shqipërinë, Kosovën, dhe viset shqiptare, ashtu si donte edhe këtë vend të bekuar SHBA. Gjithashtu, donte dhe e kujtonte me mall Dibrën, vendlindjen e tij, “Dibrën e lashtë, Dibrën e mençurisë , trimërisë, Dibrën e bëmave historike”, që thoshte gjithmonë, ai.

Duke qenë i lidhur familjerisht me familjet më të mira në Dibër (parinë e Dibrës), e për rreth saj, i afruar rreth patrioteve të njohur, figurave më eminente të diasporës në emigrim, në Itali, Francë, Beligjikë dhe  SHBA, Nazmiu, u bashkua gjithmonë me ta, në të gjitha veprimtaritë e përpjekjet e tyre,  për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë, çlrimin dhe pavarësinë e Kosovës, për Çamërinë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ku në këtë aspekt një kontribut të paçmuar, ka dhënë ai dhe vëllai i tij, një veprimtar mjaft i njohur në diasporë, Dinë Derti.

Në kujtesën e tërë atyre që e njohën të ndjerin Nazmi Derti, natyrisht që ai do të mbetet një prindër shëmbullor, një familijar, mik dhe shok i mirë me të gjithë shqiptarët. Ai ishte një  intelektual, dhe studiues i shkencës së Filozifisë, njeri i ndershëm, patriot dhe publicist i dalluar në shtypin shqiptar në, diasporë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Në fjalën e lamtumirës, para arkivolit me trupin e tij – Faik Lita, do ta quante atë mentorin e tij .

Lita, duke e portretizuar atë në mes emocionesh të mëdha, tha se :”Nazmiu, mbi të gjitha ka qenë një burrë i ndershëm, i zgjuar, puntor, dhe serioz me tiparet më të larta njerëzore dhe shqiptare. Njeri i fjalës, dhe i besës, mik i përjetëshëm me të gjithë”, tha ai.

Për, Nazmiun, duket se gjithçka në këtë botë fillonte, nga familja, të cilën në çdo aspekt të saj, ai e ndërtojë në mënyrën më shëmbullore, tha Lita, duke shtuar se Nazmiu, ishte bisnik deri në vdekje ndaj bashkëshortes fisnike Lies, dhe një babë i mrekullueshem i tre djemëve ; Bashkimit, Gëzimit dhe Petritit, dhe një vëlla i dashur dhe i respektuar i motrës – Majunes, dhe i vëllait të tij Dinës.

Mirëpo, gjatë fjalës së lamtumirës, Lita, “zbuloi” atë se përveç familjes Nazmiu, kishte edhe disa pasione të tjera të veçanta për jetën e tij: siç ishin :”Çështja kombëtare, Filozofia për të cilën ai studioi, librat që ai i donte aq shumë dhe sporti i Golfit, që e luante me shumë pasion”

Nazmiun , Faik Lita, e quajti “njeriun e dashuruar me librat”, dhe sidomos me ato të veprave të shkrimtarëve të mëdhenjë, qofshin ata shqiptarë apo të rangut botërorë, si përshembull : Fan Noli, Faik Konica, Patër Gjergj Fishta, Tajar Zavalanin, e të tjerë. “Ai, kishte lexuar më shumë se 1000 vepra të shkrimtarëve më të mëdhenjë botëror, ku Lita veçojë, Spinotë, Montanin, Hygoin,Servatesin dhe Volterin e të tjerë, kurse, ai kishte studiuar mirë Aristotelin dhe Platonin, të cilët ai thoshte se janë shqiptarë” tha Lita në fjalën e lamtumirës.

Duke u ndarë me lot në sy dhe me mirënjohjen e thellë shpirtërore për tërë atë që ai ka bëre, çdo njeri përshpëriti :Të qoftë e lehtë toka këtij vendi të bekuar, që ti e adhuroje për tërë jetën”.

I ndjeri u varrosë me të gjitha nderimet, duke i hedhur një dorë dhe dhe dhënë lamtumirën e fundit, dhe lutur për shpirtin e tij – nga bashkëshortja fisnike Lija, fëmijët me emrat e bukur Gëzimi, Bashkimi dhe Petriti,( fëmijë të cilët ai i edukojë dhe shkollojë, në universitet më larta amerikane), vëllau dhe shoku i jetës, veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dinë Derti, motra e dashur Majunia. Por, edhe në praninë e të gjithë familjarëve, nipave e mbesave, farefisit dhe shokëve e miqve të shumtë nga Dibra, Kosova, Shqipëria dhe shumë qytete të Maqedonisë, Malit të Zi, e viseve të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *