-Hyrje në poezinë e Martin Camajt
Nga Luan Topçiu
Poezia e Martin Camajt mbetet një dukuri me përmasa europiane dhe kombëtare njëherazi. Autori i Nji fyell ndër male – Prishtinë 1953;Kanga e vërrinit – Prishtinë 1954; Djella(novelë) – Romë 1958; Legjenda – Romë 1964; Lirika mes dy moteve – Munih 1967; oezi (1953-1967)- Munih 1967; Njeriu më vete dhe me të tjerë – 1978; Poezi1981; Drandja (proza poetike)- Munih 1981; Rrathë (novelë) – 1981;hkundullima – 1985; Karpa (novelë)- 1987; Poezi1981, është shembulli, mbase më elokuent, i modernitetit shqiptar.
Krijimtaria e tij u zhvillua sipas gjedhesh të lira dhe moderne. Martin Camaj është shkrimtari më programatik në letërsinë shqipe, pranë Lasgush Poradecit, dhe i përqasshëm, përpos të tjerësh, me Mallarmé-në. Kritika letrare shqiptare, për hir të një komoditeti profesional, nuk e ka konsideruar poezinë e Camajt si hermetike. Por mohimi i hermetizmit në poezinë e Camajt përbën një pistë të gabuar kërkimi, ashtu siç mund të jetë i ekzagjeruar dhe orientimi tërësor i interpretimit të veprës tek hermetizmi. Vështirësia reale e lirizmit nuk duhet të pengojë përpjekjet për hetime kritike.
Lirika europiane e shekullit XX nuk na ofron një portë ku mund të hyjmë lehtësisht, pasi ajo përbën një strukturë komplekse, me plot të panjohura. Mbi të gjitha flitet për sundim të enigmës dhe errësirës. Tek veprat e lirikëve gjermanë (që nga Rilke, Trakl e deri tek G. Benn, të atyre francezë që nga Apollinaire deri tek Saint-Johns Perse, të atyre spanjollë që nga Federico Garcia Lorca e deri tek Guillén, të atyre italianë që nga Palazzeschi e deri tek Ungaretti, apo të atyre anglo-saksonë, që nga Yeats e deri tek T. S. Eliot, nuk mund të vihet në dyshim askurrë rëndësia e kësaj cilësie të poezisë moderne. Vepra e këtyre poetëve dëshmon se, në gjendjen shpirtërore të sotme, forca shprehëse e lirikës nuk është më e pakët se sa ajo e filozofisë, romanit, teatrit, pikturës apo muzikës.
Poezia ka një kuptim univok, të saktë, të veshur me metaforë, me synimin për të prekur të vërtetat e fundit. Poeti rreket të pushtojë një imazh parësor të universit, të cilit kërkon t’i falë ndjeshmëri përmes vizioneve vetanake. Aspekti më i vështirë i poezisë mbetet errësimi që shkaktohet nga një përqendrim maksimal. Errësimi si një cilësi poetike është një shqetësim i posaçëm për purizëmdhe esencializëm, jo në kuptimin e purizmit bosh të lirikës moderne, por si karakterizues i një koncepti humanist. Errësimi i poezisë është shenjë e modernitetit. Madje Baudelaire-i shkruante: “Është një lavdi e veçantë që të mos jesh i kuptuar” apo Montale do të shprehej në një mënyrë më të prerë “Askush nuk do të shkruante vargje, nëse problemi i poezisë do të ishte ai që të bëhesh i kuptueshëm për të tjerët”. Ai që do të receptojë këtë poezi duhet të mësohet me errësirën që mbështjell lirikën moderne. Poezia moderne paraqet një rrjet tensioni të forcave absolute që veprojnë në mënyrë sugjestive mbi shtretërit pararacionalë, duke bërë të vibrojnë në të njëjtën kohë dhe zonat e misterit të nocioneve. Martin Camaj, i gjendur plotësisht “në matricën moderne” e manifeston tensionin e disonancës së poemës moderne dhe në drejtime të tjera. Kështu, trajta me origjinë arkaike, mistike, okulte kontrastojnë me një intelektualitet të mprehtë, me mënyrën e thjeshtë të shprehjes me një kompleksitet të të shprehurit, rrumbullakësinë e gjuhës me përmbajtjen e pazgjidhur, saktësinë me absurditetin. Konceptimi poetik i Camajt është purifikim nga çdo lloj aksesori deri në ftillim. Ashtu si dhe te Novalis, gjuha poetike lind disa ligje të reja autonome si në formulat matematike: ato krijojnë një botë për veten, luajnë vetëm për veten e tyre. Një magji e veçantë e fjalës, njohur tek poetë si Novalis, Poe, Rimbaud, Mallarme, instauron lirizmin e poetit si një shenjë e posaçme e një ndjeshmërie krijuese unike. Përmes gjuhës mund të shpërbëhen realitete të dhëna dhe të ribëhen në bazë të fantazisë (mundësive krijuese të imagjinatës). Poeti bën kështusoj një “operacion magjik” përmes fjalëve. Një tekst i Eliot-it, Saint-John Perse-it, Ungaretti-it apo M. Camajt nuk lejon një interpretim të kënaqshëm duke u nisur nga përmbajtja, megjithëse këto tekste kanë sigurisht dhe ato “përmbajtjen” e tyre, madje mund t’u përkasin një sfere tematike shumë domethënëse për autorin gjegjës. Por largësia midis subjektit dhe teknikës së gjuhës këtu është shumë më e dukshme sesa në poezinë e mëparshme. Vepra e tyre bëhet e frytshme dhe kumtohet përmes kësaj teknike. Energjitë drejtohen tërësisht drejt stilit. Në lirikën moderne, në raportin e përmbajtjes me mënyrën e shprehjes fiton kjo e dyta. Tek Camaj poezia konceptohet si një akt nistor, me prirjen për të mësuar mbi misteret e mëdha ekzistenciale, përmes disa simboleve arketipale.
Vendlindja përbën një territor që i përket vetëm atij, ai ushqen për të një obsesion poetik me një tension maksimal. Ajo përbën një territor që duket se e zotëron vetëm ai dhe përbën njëherazi mitin fondamental të poetit. Sharmi i vendlindjes tek Camaj është një propozim për një vizion të ri stilistik unitar, universal në të njëjtën kohë dhe me sistem referimi absolut. Nëse do të huajmë nga poeti dhe filozofi rumun Lucian Blaga konceptin se stili i ka rrënjët në subkoshientin etnik, stili i Camajt buron prej këtij subkoshienti etnik.
E vërteta në fushën e poezisë ndodhet në ujërat e ëndrrës. Ëndrra e Martin Camajt është produkt i një “gjumi të kontrolluar”. Nuk është aspak një identitet me nuanca surrealiste dhe me nënshtrat frojdian. “Ëndrra e kontrolluar” projekton në distancë të afërt, ose më saktë në një pikënisje nga ku do të kryen depërtime të thella në kufijtë e dukurive të sakta, për t’i inkuadruar më pas sipas ligjeve poetike. Përmes gjendjes onirike mund të ndreqet realiteti, veçanërisht mund të ndreqet çka është rastësore dhe skematike. Është fusha e ëndrrës ajo që na transferon në një romantizëm të plotë.
Hermetizmi dhe koncepti “errësirë poetike”
Sa është i “errët” Martin Camaj, dhe sa qëndron ai nën shenjën e Hermesit – mbetet një çështje për t’u sqaruar. Hermetizmi dhe errësira janë realitete të poezisë, aspak pejorative, ngatërrimi i tyre do të na çonte në një gabim. Ato duhet të vihen në lidhje me nocionin e hapjes së veprësletrare, nocion i futur në mënyrë eksplicite nga teoricieni i estetikës Umberto Eco. Është domethënës fakti që termi hermetizëm ka qenë i lidhur me poezinë moderne (me përjashtim të italianëve l’ ermetismo) duke përdorur termin francez obscurité. Një sferë ontologjike strikte implikon poetika hermetike (me një vlerë afërsisht univoke) ndërkohë që errësimi i lirizmit modern përmes hapjes së pafundme refuzon fiksimin ontologjik, duke lënë të lirë ambiguitetin. Por për të folur mbi hermetizmin të shohim se ç’ka qenë Hermesi. Nën emrin Hermes Trismegist, neoplatonikët shënonin në fakt zotin iniciator të egjiptianëve të quajtur Thot (Dhoutal) që mbante sekretet e Krijimit, të fjalës, të shkencave dhe Artit. Përmes hermetizmit është kuptuar atëherë mësimi i fshehtë mbi botën dhe ekzistencën, ndërsa që të thuash nëse ky tekst është hermetik do të thotë që ky tekst ka domethënien e një tjetër rendi të botës, përmes figurash simbolike që eventualisht për t’u zbërthyer kanë nevojë për një çelës dekodifikues. “Në të gjitha poezitë e mia ka principe metrike (të fshehta) që nuk e prishin ritmin e radhitjen e natyrshme të gjuhës” – do të shpjegohej Martin Camaj për poezinë e tij. Por, do të shtonim se poeti ruan ritmin dhe radhitjen e natyrshme të gjuhës, por jo të botës. Hermetizmi mban mesazhin univok dhe lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm dhe duhet ta pranojë këtë konvencion, këtë lloj komunikimi. Në këtë proces, vepra poetike e hapur dhe “e errët” provokon një transmetim polivalent, përmes karakterit plurivok të mesazheve që rrjedhin nga polisemia e gjuhës, në gjykimin e lirë të receptorit. Errësira e poezisë moderne ka gjasa interpretimi ad infinitum. Në thelb, gjithsesi, hermetizmi është i mbyllur në planin e njohjes, kurse errësira është e hapur përmes pranimit të papërcaktueshmërisë. Më saktë, në hermetizmin poetik mesazhi i krijuesit është bazal (dhe ky mbetet për t’u zbuluar), ndërsa në lirikën moderne të hapur, polivalenca e mesazheve i takon sajimit të interpretuesve që kuptojnë në mënyrë të diferencuar gjuhën poetike (çfarë zbulon imagjinata e interpretuesit është shpeshherë më e rëndësishme se sa ajo që ka dashur të thotë krijuesi). Ndryshe thënë, konvencioni i veprës së hapur ka në bazë pikërisht këtë bashkëpunim të pakufizuar midis krijuesit dhe konsumatorit apo midis autorit dhe receptorit. Hermetizmi presupozon një vizion të veçantë mbi botën dhe rregullin e universit. Duke sugjeruar një shumësi kuptimesh, vepra e hapur bëhet ambigue dhe pranon ndihmesën krijuese të interpretuesit. Nga pikëpamja e “përmbajtjes” hermetizmi synon më shumë drejt simboleve origjinale. Ndërkohë që poetika e hapur përdor në formë të lirë shenja nga mund të nxirren mesazhe jounivoke. Hermetizmi pranon një zgjidhje të vetme apo disa, ndërsa errësira konfiguron një diversitet të interpretimeve. Hermetizmi do të ishte kësisoj i hapur ndaj univocitetit, ndërsa errësira e mbyllur përmes shumësisë polifonike. Marrëveshja e veprës së hapur ka në bazë pikërisht këtë bashkëpunim të pafundmë midis autorit dhe receptorit. Errësira e poezisë moderne vjen nga relativiteti vullnetar i përfshirë në poliseminë e gjuhës. Hermetizmi është mjaft i ngushtë, ndërsa errësira është karakteristikë thelbësore e lirizmit modern. Konfuzioni ndodh kur me hermetizëm nënkuptohet errësira që e lidhin me karakterin e hapur të lirikës moderne. Errësira derivon në të shumtat e rasteve nga shprehja poetike, duke qenë në thelb një çështje gjuhe; gjuha poetike në përgjithësi e errët ilustron besimin e poetit modern se është ai i vetëm dhe vetëdija e tij në këtë botë. Riinterpretimi i veprave të vjetra nga modernët do të thotë hapja e tyre, d.m.th. pranimi i një errësire konvencionale.
Tek Martin Camaj është e nevojshme gjetja e një rruge qasjeje që të sqarojë kuptimin e këtij lirizmi. Përdorimi i më shumë rrugëve, pa një drejtim të qartë, mund ta fshehë përfundimisht atë. Hera-herës mund të hyjë në punë intuita, por për zbërthimin e veprës së tij mund të jetë e pamjaftueshme.
Lirika moderne i jep gjuhës një funksion paradoksal për të shprehur dhe për të fshehur kuptimin në të njëjtën kohë. Errësira bëhet kështusoj një element estetik. Ajo duket se më tepër e bën lëçitësin të largohet se sa të afrohet, apo ndryshe thënë, e lë atë pezull. Lirika e errët flet për evenimente, qenie apo sende, shkakun e të cilave, kohën, vendin për të cilat lëçitësi nuk është dhe nuk do të bëhet me dije:
Në driza janë gjarpijt e zez
e ti je e xhveshun nën diell.
Në driza janë gjarpijt e zez
e rrijnë buzë në buzë
e rrijnë buzë në buzë,
e jeta e tyne asht e bardhë,
e bardhë e bardhë nën diell,
e jeta e bardhë e bardhë,
nën diell e bardhë, e bardhë.
Mjaltëzat lagin me mjaltë
Gurzit e prrojeve të thata
(Gjarpijt e zez)
Të gjitha poemat e Martin Camajt kanë si karakteristikë fragmentaren. Në mënyrë më të qartë kjo gjë manifestohet në poemat e shkurtra. Poezitë e shkurtra nuk duhet të lexohen (siç është dhe rasti i “Gjarpijt e zez”) për përmbajtjen e tyre; ato pasqyrojnë subjekte pa asnjë rëndësi, apo komplet të pasondueshme. Fjalët duhet të receptohen si formula tingëllore lirike. Poezia “Gjarpijt e zez” ndërtohet me disa efekte të qarta grafike bardhë e zi. Por që mund të sugjerojnë dhe më shumë ngjyra. Poeti ndërton mjaft thjesht figura tingëllore, lëvizje abstrakte të ngopura nga misteri i pamjes së painterpretueshme të cilën poeti projekton. Në projektin poetik të Camajt hidhet dritë verbuese: e jeta e tyne asht e bardhë, /e bardhë e bardhë nën diell, / e jeta e bardhë e bardhë, /nën diell e bardhë, e bardhë. Vetëm në pesë vargje mbiemri i bardhë përdoret shtatë herë, emridiell dy herë – insistimi i poetit është sugjestiv, gjuha nuk është më komunikim por një gjenerator gjendjeje, posaçërisht drite, e ngjashme me pikturën moderne…
Vërtet, poezia e Martin Camajt ngjason me pikturën moderne, zbulimi bazal i së cilës apo pikënisja (dhe kjo meritë i takon në pjesën më të madhe Cézanne-it) ka qenë: konsiderimi i objektit si një objekt në hapësirë që zotëron të gjitha elementet e drejtpeshimit dhe të volumit: përmasë, qendrën e gravitetit, peshën. Që këtu krijohet i gjithë sistemi konstruktivist. Largimi nga çdo lloj subjektivizmi, integrimi i portretit, peizazhit, natyrës së qetë, jo si shprehje shpirtërore, por si ekzistencë lëndore, organike, përbën bërthamën e realizimeve moderne. Poezia e Martin Camajt “Trajta” është një dëshmi elokuente në këtë kuptim.
Petk i endun prej një dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.
Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueshme shtigjesh të paharrahuna
me kambë ose patkonj.
Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë/ e kthjellët deri në dritë.
Përshtatja e këtij qëndrimi në poezinë e re e pasuron strukturalisht. Në poezinë “Trajta”, poeti ve theksin pikërisht në ekzistencën materiale të objektit poetik, në zotërimin e ekuilibrit dhe volumit:Pendël e lehtë në dukje/po e randë hekur në peshë,/tingull ose ngjyrë/e kthjellët deri në dritë. Si piktura dhe poezia moderne, duke fituar tipare të reja, i nënshtrohen provës së vështirë së interpretimit. Yeats-i dëshironte që poezia të vishte po aq domethënie sa mund të gjejë lexuesi. Për T. S. Eliot-in, poema është një objekt i pavarur, i gjendur midis autorit dhe lexuesit, marrëdhëniet midis poemës dhe autorit janë të ndryshme nga ato midis poemës dhe lexuesit; me ndërmjetësinë e lexuesit, poema hyn në një lojë domethënëse që ka justifikimin e vet, madje dhe nëse largohet nga synimi gjithsesi i pafiksuar – i autorit. “Errësira për të cilën i tërhiqet vëmendja poetit vjen nga vetë nata që ai vetë eksploron: nga errësira e shpirtit dhe e misterit ku zhytet qenia njerëzore” (Saint-John Perse).
Nga njëra anë Martin Camaj është poet hermetik në kuptimin fundamental, ndërsa nga ana tjetër, poezia e tij pranon, nga pikëpamja formale, më shumë mundësi trajtimi. Përpos hermetizmit, poezia e Camajt ka si veshje të brendshme dhe errësirën. Errësira vjen në radhë të parë nga thellësia dhe më pas nga gjuha – përmes përdorimit të shprehjeve sintetike. Poeti udhëhiqet nga ai ideal klasik sipas të cilit një maksimum mendimesh duhet të shprehen me një minimum formulash të verbra, për të dhënë një maksimum idesh vizionare. Në konceptin e poetit, lirizmi kërkon një gjendje njohjeje, duke vendosur një të vërtetë mbi një tjetër, një zë mbi një tjetër, në praninë e një zëri të huaj që depersonalizon, të një zëri anonim. Vetëm ëndrra e vërtetë, e veçuar nga imazhi i këndshëm i surrealistëve, mund të ushqejë dhe të ruajë një gjendje të tillë. Camaj tejkalon në këtë kuptim gjithë përpjekjet e lirizmit modern për të tejkaluar të pamundurën dhe hiçin. Pas Novalisi-it, Poe-së, Rimbaud-së, Baudelaire-it, Mallarme-së dhe ndoshta në të njëjtën kohë me Ungareti-n, Martin Camaj bën pjesë në një grupim të lirizmit purist, ku gjurmët e reales largohen dhe qëllimi i kësaj poezie bëhet prekja e aktit poetik dhe pasojat e tij.
Atdheu në një filtër vetanak
Atdheu tek Martin Camaj, ndoshta prej mungesës fizike të tij, do të shfaqet në format më natyrale të mundshme. Shartimi i imazheve të fëmijërisë, mitet dhe legjendat me ngjarjet e përditshme do të bëjnë që pamjet e atdheut të paraqiten përmes një filtri vetanak. Për t’u theksuar që në fillim është fakti se nuk hasim në tekstin poetik simbole, shenja të një konvencioni të gjerë kombëtar.
Poeti përqëmton objekte, shenja, fjalë që lidhen me një përvojë të pangatërrueshme. Vendlindja me relievin e saj të çuditshëm, jeta e izoluar gjeografikisht, ruan më shumë se kudo trajta të një jete antike, arketipale, plot magji, ku jeta dhe organizimi i saj kryhet sipas disa rregullave që konservohen vetëm atje. Këto rrethana do të mbeten përjetësisht në ndërgjegjen e poetit. Kështu poeti do të shpjegohej “Poezia ime rrjedh nga këto rrethana jete që unë due ti kujtoj! Qe për shembull një: “Kam linde në një vis të egër ku s’ka shkelë kurrë këmba e kalit”, kaq i thyeshëm ashtë ky vend. Prej përjetimeve atje, mbas të shtatit vjetë deri në të dhjetin më kujtohet më kujtohet prekja e gjarpnit të fshehur në fier, saktas ndija e të ftoftit të një lëkure të lëmuet të lëmuet…” Në tekstin poetik, poeti bën përpjekje për të zbuluar dhe interpretuar identitetin e tij dhe, në një kontekst më të gjerë, identitetin e kombit të vet. Realiteti është i shkëputur nga rregulli hapësinor, kohor, objektiv dhe shpirtëror, duke injoruar ndryshimet e nevojshme të një orientimi normal në botë, të cilën ai e refuzon, duke konsideruar që do të sjellë paragjykime – ndryshimet midis të bukurës dhe të shëmtuarës, afërsisë dhe largësisë, dritës dhe hijes, dhimbjes dhe gëzimit, tokës dhe qiellit. Camaj rimerr shenja nga krijimtaria gojore, nga kultura kombëtare, figura mitologjike, simbole që mbartin konotacione të posaçme, gjurmë të botës shqiptare të ruajtura me dashuri – dhe ndërton një poezi me rrënjë të pleksura në etnogjenezën e tij. Shumë prej figurave ruajnë magjinë sugjestive përmes formave plastike, elegante, misterioze, befasuese si: hoja, dragoi, zamarja, bleta, limonore dhe padyshim buelli. Ky i fundit përmes formave të papritura që merr shndërrohet në një fjalë-kyçe për poezinë e Camajt. Bualli herë shfaqet si element peizazhi, herë si element mitologjik, herë merr domethënie filozofike, herë shndërrohet në shenjë me domethënie gjeografike, herë merr forma plastike, kur si peshë, kur si volum, herë del si fantazmë, herë të tjera si rezistencë. Cikli “bualli”, përmes dendurisë së përdorimit të kësaj fjale-temë, bëhet një poezi unitare, e lidhur, e rrjedhshme. Shpjegimi që do të bënte Martin Camaj mbi këtë pikë interesante të poezisë së tij, padyshim, na ndihmon për dekodifikimin e poezisë dhe hedh dritë mbi semantikën e përgjithshme të tekstit. “BUELLI: Buelli (Bos bubalus) i cili në kohë të moçme por dhe ma vonë ashtë identifikue shpesh me kaun, ka lidhje totemike me njeriun (shih edhe emnat e personave Bua, Mekshi) dhe hyn në të njëjtën kohë në gjedhin e trashë si kafshë shtëpiake. Në fusha, sidomos në zonat kënetore dhe përgjatë rrjedhave të lumejve ma të mëdhenj (si Drinit të Bardhë e të Zi në Shqipninë e Veriut dhe Vjosës në jug të vendit), gjithashtu edhe jashtë kufijve të Shqipnisë, ku kanë jetue shqiptarë, në vitin 1938 ka pasë rreth 12000 buej; në katërdhjetë vitet e fundit ata janë shfarosë thuajse krejt”. Ndërsa më afër tekstit poetik dhe më afër kuptimit konkret në poezi do të ishte i vlefshëm pasazhi i mëposhtëm: “Në këto 21 poezi të shkurtra që krijojnë një tanësi ravgohen impulset shkatërrimtare të njeriut-e jo vetëm në lidhje me buellin. Impulsit të shkatërrimit i kundërvihet fuqia natyrale fizike e kafshës, e cila doli prej elementëve të mirëfillta të tokës e të ujit. Ekzistenca e saj përligjet dhe historikisht, si nga e kaluemja mitologjike, ashtu edhe emnat e njerzve të veçantë si Bua, Buell ose Mekshi. Edhe malet që lëshojnë hije të ngjashme hije të ngjashme me formën e buellit mbajnë emrin e tij. Në këtë simbol lidhen gjithaq tiparet shpirtnore të një populli.
Në këtë cikël abstragimi i artit verbal vjen tue u ngjeshë prej poezie në poezi” Poeti M. Camaj, përmes zërit të tij të pashoq, më shumë dëshmon se është një trashëgimtar i zërit të rapsodit popullor, një trashëgimtar që di t’i falë zërit të racës së tij një timbër të paparë, nuanca të padëgjuara, subtilitete të pahasuara para tij – dhe poezisë moderne botërore një zë origjinal të pangatërrueshëm. “Për botën nga vij unë zani ishte gjithçka, sinonim me përjetësinë, kujtesën me këngën…”.
Vepra poetike e Martin Camajt është një vepër e sinkronizuar tërësisht me proceset e modernizmit të letërsisë botërore, një shembull i shkëlqyer i thellësisë artistike dhe magjistar i kombinimeve dhe formulave në gjuhën shqipe, një model i mrekullueshëm i përçapjeve të artit shqiptar në rrafshet më të epërme të kulturës europiane. Kjo vepër kërkon interpretime të vazhdueshme për të siguruar një komunikim të përhershëm mes saj dhe lëçitësit të saj; densiteti i ideve të saj, plasticiteti i papritur i imazheve, hermetizmi si cilësi e thellësisë – do të thërrasin për ndihmë fjalën e kritikës dhe të lexuesit në gjuhën shqipe.
Në këtë kapitull mbi poezinë e Martin Camajt, përdorëm fjalën “hyrje” sepse është fjala për një korpus artistik të pashfrytëzuar. Poeti shkroi veprën e tij, i la testamentin e tij kulturës shqiptare, është radha e kulturës shqiptare që ta njohë veprën e Camajt dhe t’i japë vendin e merituar…
publikuar ne MAPO, 07 mars 2015