(Mbresa nga promovimi i librit tim me poezi mes shqiptarëve në Detroit, 8 shkurt 2015.)
Gjithnjë i kam adhuruar udhëtimet, eksplorimin e vendeve të panjohura, por edhe takimet me njerëz të rinj, sepse përherë mëson diçka prej tyre. Pra, më pëlqejnë udhëtimet, por nuk më pëlqejnë, madje më stresojnë, mjetet me të cilat më duhet të udhëtoj. Dhe në udhëtimin e fundit për në Detroit, ShBA, natyrisht që më duhej të udhëtoja me avion. Një rrugë e gjatë, afërsisht prej 9 orësh, të fut në ankth, për më tepër që nisja bëhet nga Parisi, kryeqyteti i Francës, për të cilin kujtesa ime dhe e të tjerëve këtu ruan ende tmerrin e atentateve të njerëzve barbarë, çka të shtie psikozën e pasigurisë, sidomos në vende të ekspozuara si aeroportet dhe në udhëtime të gjata si ky.
Gjithë këto mendime ta trazojnë shpirtin dhe të pushtojnë mendime e ndjesi nga më të çuditshmet, por gjithsesi dëshira për të udhëtuar, për atë çka të pret përtej oqeanit, të bën që në ditën e nisjes të ndihesh e lirë e me një kënaqësi të brendshme në shpirt, sidomos kur avioni ngjitet mbi re.
Në të vërtetë, një nga arsyet e këtij udhëtimi, përveç njohjes së vendeve të panjohura e të pavizituar më parë, ishte kënaqësia e pritshme e promovimit të librit tim të fundit me poezi, “Heshtje e kthjellët”, botuar në nëntor të vitit të kaluar në Tirane prej shtëpisë botuese “Dudaj”. Ky promovim do të zhvillohej në kafenë “Kuvendi” në Detroit, mes shqiptarëve aty, por që gjithsesi ishin të panjohur për mua. Kisha menduar që promovimin e parë të këtij libri ta bëja në atdhe, ndoshta në Tiranë ose dhe në qytetit e lindjes, në Maliq, ku përherë më janë rezervuar takime të mrekullueshme, por ja që fati i mbarë e solli që ta promovoja mes shqiptarëve të Detroitit.
… Pas 9 orë fluturimi, rrotat e avionit fërkohen me tokën dhe aty sikur padurimi dhe ankthi harrohen e ia lënë vendin kënaqësisë së mbërritjes.
Dimër, ftohtë, por një i ftohtë ndryshe nga këtu, një i ftohtë i thatë, pa erë e lagështirë. Qesha me vete kur mendova të ftohtin e Korçës me të cilin jam mësuar. Por sa larg m’u duk Korça prej aty dhe ndjeva shume mall për të, mall për vendlindjen.
Promovimi i librit do të zhvillohej të nesërmen e mbërritjes në Detroit. Pata pak kohë sa ta vizitoja qytetin dhe të ambientohesha sadopak me të e sidomos me ndryshimin e kohës orare prej 6 orësh mes dy kontinenteve. Te kafe “Kuvendi” na priste pronari i saj, zoti Pjetër Jaku, i cili ishte treguar tepër i gatshëm që kur unë ende nuk isha nisur nga Franca. Ai u ofrua ta zhvillonte veprimtarinë në kafenenë e tij dhe e kishte bërë traditë të priste aty edhe autorë të tjerë para meje. Zoti Jaku dhe bashkëshortja e tij, zonja Elinda, janë dashamirës të letërsisë në përgjithësi dhe poezive në veçanti, botues të revistës “Kuvendi”, në faqet e së cilës shpesh gjen krijime, artikuj, rubrika e autorë të veçantë.
Pasi bëmë prezantimet e para (ishte e para herë që shihesha nga afër me Pjetrin dhe me Alben simpatike), menjëherë të zotët e lokalit, por edhe ata pak njerëz që ishin ulur aty në qejf të vet e dukej sikur as qe e kishin vënë re ardhjen time dhe as që iu interesonte prania ime aty, filluan përgatitjet për promovimin. Bashkuan disa tryeza në formë U-je e mbi to disa mbulesa të reja dhe… dy kripore. Mbase kriporet u vendosën aty ndoshta rastësisht, por menjëherë u kujtova se ishin për një qëllim të mirë, sigurisht: kudo që të jenë, shqiptarët të ofrojnë bukë e kripë e zemër.
Nxora nga çanta librat që kisha marrë me vete dhe i vendosa mbi tryezë: “Heshtje e kthjellët”, “Ëndrra e një vajze”, “Një vjeshtë pa ty”, “Loti është grua” (shqip e anglisht), si dhe “Shtegtim ndjenjash”. Çuditërisht, sapo librat e mi u vendosën në tryezë, kjo sikur iu kujtoi të pranishmëve qëllimin e vërtetë të ndodhjes sime aty dhe gjithashtu të këtij udhëtimi, sepse pak e nga pak filluan të afroheshin dhe t’i preknin librat, t’i shfletonin faqet e tyre, të ndaleshin te ndonjë poezi e të më shikonin plot dashamirësi e ngrohtësi. Kjo sikur e theu akullsinë që ndjeva në fillim dhe mjedisi i kafenesë sikur më mbështolli me ngrohtësinë e tij, me një ndjenjë paqeje e mirësie, ndërsa vështrimet e bashkatdhetarëve më bënë të thosha me vete: “Jam mes miqsh”. Nga dera e kafenesë shikoja të vinin shqiptarë njëri pas tjetrit, ndonëse ishte një mbrëmje me të ftohtë ngjethës. Nuk duhej t’i zhgënjeja këta njerëz që kisha filluar t’i doja, t’i ndieja të afërt, ndaj dhe e hidhja shikimin gjithë emocion sa te njëri grup i vogël në tjetrin e doja t’i falënderoja që gjetën kohë të vinin për promovimin e librit tim.
Më në fund erdhi edhe Elinda me Marën, vajzën e vogël të çiftit Jaku, e cila ka trashëguar nga prindërit dashurinë për letërsinë, por edhe bukurinë e mprehtësinë e nënës së saj.
Aktiviteti filloi ashtu spontanisht, madje me një qetësi të këndshme që më bëri të ndihesha mirë e të çlirohesha nga emocionet që të shkakton prania e njerëzve që sapo i ke takuar për herë të parë. E para foli Alba. Ajo kishte përgatitur një ese të mrekullueshme dhe unë, duke dëgjuar, isha shkëputur për ca çaste nga gjithçka aty rrotull dhe isha përqendruar e tëra te fjalët e saj të zgjedhura, me të cilat përshkruante emocionet e saj nga leximi i poezive të mia. Më shkundën duartrokitjet. U përmenda sikur sapo të isha zgjuar nga ndonjë ëndërr e bukur. E admirova atë shpirt të mrekullueshëm, ëndërrimtar, e cila kishte shkruar aq bukur e me fjalë të zgjedhura.
Më pas folën Jaku, Elinda, poeti Gjovalin Lumaj, poeti Mensur Spahiu, Dritan Dragu, poetja Qëndresë Halili, Gjeto Ivezaj, Aida Gjergji, poeti Ruzhdi Gjoka e kështu me radhë njëri pas tjetrit, deri sa mikrofoni mbërriti në duart e mia. Kisha aq shumë emocione kur gjithë sytë e tyre u drejtuan nga unë. Falënderova më zemër gjithë pjesëmarrësit, sigurisht çiftin Jaku sidomos dhe shpreha kënaqësinë dhe lumturisë që isha aty e pranishme, në Amerikën e largët, ku gjeta një copëz Shqipërie.
Mjedisi dhe gjithë atmosfera u gjallëruan më shumë nga Suela dhe Genti, të cilët kishin ardhur aty posaçërisht për t’i shtuar atij takimi tingujt e muzikës dhe këngëve shqiptare .
Harrova për një çast se isha aq larg familjes sime, se ndodhesha në Detroitin e largët, por gjithsesi m’u duk vetja në atdhe, mes atyre njerëzve që tashmë i doja dhe ishin bërë pjese e asaj mbrëmje të paharruar që do të mbetet gjatë në kujtimet e mia.
Sa shumë poezi u recituan atë natë! Libri dhe fletët me poezi të printuara nga Jaku tashmë kalonin dorë më dorë. Dikush recitonte poezinë për vjeshtën; Elinda poezinë e saj të preferuar, kushtuar poetit kosovar Ali Podrimja; unë poezinë “I huaji”, ndërsa poetja Qëndresë Halili disa poezi dashurie. Dhe aty, në atë sallë, atë mbrëmje, u shpërnda në ajër aq shumë dashuri, aq shumë mall dhe aq shumë këngë e valle shqiptare.
Në mbrëmje vonë, pas dy orë diskutimesh, recitimesh, këngësh e vallesh, ndërsa linim kafenenë “Kuvendi”, jashtë kishte rënë shi me akull dhe bënte shume ftohtë. Por brenda shpirtit tim kishte zjarr, kishte dashuri, kishte mirënjohje e respekt për shqiptarët e Detroitit.