Poezi nga Mensur Spahiu

Mensur Spahiu

 

Cikel poetik

 

Ia kam frikën njeriut

 

Më shumë se çdo tmerri në botë,

ia kam frikën njeriut, dhimbja ime!

Njeriut që afron me shkëlqime të rreme;

të bardhit e të ziut, të marrit e të mençurit,

njeriut të veshur edhe njeriut të zhveshur,

biri im, kujdes!

 

Ruaju fytyrës që afron njëherësh buzëqeshje

e pendim, dridhje e mall!

Brenda saj ruhet fytyrëzeza dhe pret,

pret të të mbulojë me natë të gjatë…

Syrit që bën sikur loton

(syri plas gurin, thonë;)

brenda atij syri folenë ka shpirtëzeza që pret,

pret të hidhet si gjarpër për të të kallur sytë.

Ruaju buzëve që afrojnë vetëm puthje

të të lëngëzojnë trupin e të lëvdojnë në mburrje!

Brenda atyre buzëve fshehur rri fjala

dhe rëndë del nga goja, si gjëma, nëpërkë-fjala!

 

Më shumë se çdo tmerri në botë,

ia kam frikën njeriut, dhimbja ime!!!

Jo gjithçka që ar shfaqet e duket,

arin e vërtetë mban brenda,

biri im, kujdes!

 

 

Cungtrung

 

 

As dashuri, as lumturim e përqafim,

as çast, mall e as dhimbje,

as hutim, gëzim e as lotë;

as lule erëmirë, fllad, as ferrë që ther,

as tokë, det në kaltërim, as qiell i pazënë,

as re, as hije, hënë, rrugë e as vijë,

as pemë e gjethë, erë, shteg e as ledh,

as dimër, as verë, dritë, zall e as ujë,

as gjallë, as vdekur, as veshur e as zhveshur,

as flakë, gacë, dridhje, këngë e as gjëmë,

as fjalë e zë, buzë e sy, as fytyrë,

as kockë, mish, gjak, shpatull e as gjoks,

as ballë e mes, krah, këmbë, dorë e as gisht,

as nuk ngrihesh, as nuk bie, nuk rri e nuk shkon;

as turp, as trup; i rremë në pritje e i idhët në rritje;

flamë-trungcung…!

 

 

Porta gjunjëzimi

 

 

Keni parë portat e shteteve:

lule, zbukurime, erënjomësi mbajnë!

Ballë tyre skulptura kafshësh të egra,

të përgjakura në tmerre vijnë nga mesjeta.

 

Si të pagojë punonjësit,

ndonëse me rroba krenarie veshur!

Si të pagoja dyertë, dritaret, të pagojë muret

dhe madhështia e tyre me pagojë tjersohet.

 

Kështu portat për në trupin e femrës:

përplot lule, zbukurime e tatuazhe kafshësh të egra!

Heshturazi ngjajnë me porta shtetesh

dhe brendësitë e tyre do të ngjajnë patjetër!

 

Krenar e i pamposhtur çdokush drejtohet,

brendësive të tyre preferon sundimin!

Nuk kujtohet se para tij dikush ra a doli,

fati i të parit do t’ia ndjek shkëlqimin!!!

 

 

S’më lë të hesht

 

 

…I vakët, i nxehtë, i ftohtë, i akullt,

siç isha,

nëpër trupin tim shtriva dorën për qetësim!

Prek e përkëdhel!… Përkëdhel e prek!

Ndjej e mos ndjej… Me dridhje gishtrinjsh,

me shpirt të vrarë prek… Mos

prek… Përkëdhel e mos përkëdhel,

jep e merr… Qesh e qaj

shtërngova krahun – djalin,

mish e gjak, dhimbje, kockë e fortë

e pashkëputur ende prej trupit tim!

 

Qesh e qaj… prek e mos prek…

s’më lë të ik… s’më lë të hesht!

 

 

Aty mbeç

 

 

Duke u zvarritur rrugës tënde të pështirë,

hodhe fjalë si gurë

dhe në biseda telefonike e nëpër orë miqësh,

mallkim e gjamë hodhe e hedh mbi mua!

 

Edhe mblidhesh më pas,

me gulshime kutullaç

në çudinë e gëzimit tënd hutaq,

në jargë sakaq!

 

Gjarpër tash e njëqind vjet,

pjellë e ditëzisë sakate-

aty mbeç!

 

 

Gënjej veten 

 

Nexhip Ejupit

 

 

Ndërsa nxitoj në pikëtakimin me ty,

dikush në rrugë më përshëndet

dhe si duke iu këputur trupit, buzëqesh…

Bëj se i kthej respekt, se i buzëqesh.

Në kafe dikush më thërret në emër

dhe si duke u djegur sysh e fytyrës nga malli,

ngre dorën e më fton në tryezë.

Bëj sikur digjet në mallin e tij, malli im,

bëj sikur…

Dhe në punë si miqësisht dikush afrohet;

bëj se dëgjoj, se flas, bëj sikur qesh!

Në shtëpi, miku im, as gruaja e as fëmijët,

të bardhë e të lirë si drita, nuk ngrihen në respekt!

Hesht… Kafshoj sytë drejt dhomës!

(Ca gjëra nuk blihen, ca gjëra nuk shiten,

ca të tjera është mirë të mos i dish,

të mos i shohësh, të mos i ndjesh!)

Vështroj pasqyrën. Bëj sikur… Bën sikur!

Medet! Në fytyra e sy, në gjokse e hapa,

në duart e buzët e njerëzve, në përshëndetjet,

buzëqeshjet e në pritjepërcjelljet,

bile edhe në përqafimet e psherëtimat e puthjes së tyre,

hënëzon ftohtësi e kohës moderne, dashuri e pakuar!

… Medet e medet, qindraherë-zemërthyer, miku im,

gënjej veten se jam gjallë, se jetoj mes dashurive!

 

 

Kafshim i fjalës

 

 

Diçka të shpejtë kërkoi vajza,

ngutshëm fliste dhe me sy!

Më nevoitej medicinë-fjala,

ula kokën si për t’a përgatitur!

 

I acartë ndërhyri djali,

sikur vajza rrëmbeu diçka të tij!

Më ngriu në buzë fjala,

sy azmatiku rënduan në fytyrë!

 

Në të sajën shpërdheu gruaja,

sunduese më shumë se çdo perandori!

Më kot gjuha e kërkoi pështymën,

në gojën e tharë të azmatikut!

 

Gjysma dhëmbësh më afroheshin fjalët,

shkelqimi i tyre i metaliktë.

Koka ra si e prerë nga shpata,

prej kafshimit lemëritës nga fjala!!!

 

 

Në më harroftë dielli

 

 

Mësova se pëlqen të largohesh,

diku larg në tjetër vend…! Përse nuk nxiton?!

Ec, shpejto

atje ku veten e mendon në më shumë mirësi!

Druhesh, ruhesh… Sesi rrudhesh,

venitesh e mpihesh!

I dëgjoj fjalët, i ndjej, i shoh dhimbjet, dridhjet

dhe ato që grinden nëpër gjoksin tënd,

i shoh, i ndjej, i dëgjoj… Shpengohu prej meje!

E di… Pa ty, pa qetësi… E di e di;

veç ti gazplotë, gazlirë, qëndisur në sy

shendetplotë rritesh… Hidhesh, shtrihesh e qesh,

ngrihesh,

shton shtatin, vlimin, shton dije të çuditshme

dhe s’kërkoj tjetër kënaqësi!

Oooo, me të njëjtën frymë, me të njëjtin diell,

fluturon nëpër qiellin e gjoksit tim të larë pas shiut,

(pas shiut, e mira ime,

pas shiut në tërbim të madhërishëm për lehtësim),

flutur ther e ther pa pushim, dhimbja ime, sërish!

Dhe unë, beso, notoj e notoj,

në kërkim për shërim, si ti, notoj, joshem papushim!

E vogla ime, e dhimbshura sa qielli me yjet, hapësira;

bëlbëzoj me ty në mençuri, mrekullohem në njeri,

të përgëzoj… Nxito… Nxito… Shpejto e vrapo…

 

Në më harroftë dielli, s’të harroj!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *