NDUE DEDAJ
“Ngutja” e adoleshentëve për t’u dashuruar është një shtysë e brendshme, e hovshme e tyre dhe ka shpjegimin e vet biologjik e psikologjik, që nuk mund të frenohet me moralizime të thata prindërore. Po a mund të ndihmohen ata si të sillen me moshën e tyre delikate, të kalimit nga fëmijëria në rini dhe si të reagojnë ndaj ndjeshmërive të tyre shpirtërore? Duket se ky ka qenë një problem i të gjithë brezave dhe i të gjitha kohërave, ndaj dhe në popull janë krijuar legjenda intersante. Njëra sosh lidhet me vajzën e Skënderbeut. Thuhet se ajo kishte gdhendur me daltë në shkëmb një lartësi të caktuar, se deri ku duhej të kishte shkuar shtati i vashave, që ato të ishin gati për martesë. Po të mos ishin rritur aq sa trupi i tyre të mbërrinte deri te ajo e çarë shkëmbore, ato nuk do të martoheshin pasi ishte herët. Do të prisnin dhe një vit, dy, pesë deri sa të rriteshin plotësisht. Morali i fabulës është i qartë. Por në shkrimin tonë nuk do të bëhet fjalë për këtë fazë të vonë të adoleshencës, pragun moshor e ligjor kur mund të lidhet një martesë, por për kohën kur nisin përshpërimat e para të dashurisë, rreth moshës 14-vjeçare. Po të ishte sot mes nesh vajza e Skënderbeut do të habitej jo pak nga këto zakonet e botës moderne, kur në emër të thyerjes së tabuve, është “çoroditur” e deformuar dhe vetë marrëdhënia e mrekullishme e dashurisë. Duket sikur të rinjtë nuk dashurojnë më, por vetëm “lidhën” e “zgjidhën” mes tyre marrëzisht dhe kjo është një plagë sociale më vete.
Tundimi adoleshent për të patur “të dashur”
dhe ngerçi ynë psikosocial
Ka nisur si një lojë dhe ka përfunduar në një dramë psikologjike. Nuk ka ndikuar për ta shmangur as lënda e biologjisë me temat mësimore mbi edukatën seksuale, as porositë e pareshtura të prindërve e mësuesve. Dy adoleshentë që nuk i kanë bërë 15 vjeç, një djalë dhe një vajzë, në mes të kryeqytetit, i hyjnë aventurës së shijimit të “mollës së ndaluar”: nisën për në shkollë dhe përfundojnë në shtëpinë e një shoku të tyre që i kishte prindërit në punë! Por ndryshe është kur e sheh një gjë në video dhe ndryshe kur nxiton ta provosh atë pa qenë ende i pjekur fizikisht dhe emocionalisht për të përballuar pasojat e mundshme, ndaj dy të rinjtë mbyllen në vetvete, ndihen të stresuar, bien në mësime, nuk shoqërohen më mes tyre. Histori të tilla më së shumti ngjajnë nga moda për të patur një të dashur, ngaqë jo pak adoleshentë mendojnë se të tjerët e kanë atë, duke iu mburrur njëri-tjetrit si “kalamaj”. Videot e ndryshme pornografike që lundrojnë lirisht në internet, telenovelat plot dashuriçka përvëluese janë kurthe ku fëmijët mbërthehen pa e kuptuar. Janë tepër të ndikuar nga shokëria e ngushtë, i gjunjëzohen asaj, nga frika se mos përqeshën nga bashkëmoshatarët që nuk qenkëshin të zotët. (Për më tepër që ne si shoqëri kemi kompleksin për t’u paraqitur para opinionit ndryshe nga ç’jemi, më të plotësuar, më të kamur etj.) Për fat të keq kjo është një mendësi mbizotëruese që nuk po ia del ta ndryshojë krejt sistemi ynë i edukimit dhe aq më pak prindërit me sjelljet e tyre tradicionale. Madje herë-here këta nuk arrijnë as të ruajnë shtëpitë e tyre nga vizitorët e “padukshëm” adoleshentë. Këta të fundit venë e vinë në shtëpitë e njëri-tjetrit, “për të bërë detyrat së bashku”, siç thonë, apo për t’u argëtuar virtualisht me gjerat e ndaluara dhe jo vetëm kaq? Shokëria e afërt është ajo që ndikon dhe për përdorimin e duhanit, alkoolit, hashashit ndër nxënësit e shkollave të mesme, po dhe veseve të tjera, duke u krijuar një kontigjent nxënësish me fjalor vulgar, agresivë e të pasjellshëm. Ndaj mësimi në klasat më nxënës të tillë shqetësus është një sfidë e përditshme, shprehen mësuesit. Ndoshta ky duhej të ishte preokupimi kryesor qeveritar përsa i përket arsimit: vërtet flitet gjithë ditën për një të mësuar me qendër nxënësin, por me “qendër” nxënësin lypet të jetë në radhë të parë spektri edukativ për formimin e tij njerëzor e qytetar. Kjo është kambana që bie sot e dëgjohet pak, por që do të bjerë më shumë nesër. Edukimi është ende në nivele formale, me stenda dhe afishe nëpër mure, që iu kushtohen festave kombëtare a ditëve të shënuara, me shumë burokraci shkresore etj. Mësuesi duhet çliruar njëherë e mirë nga moria e formularëve që plotëson, që t’i kushtohet edukimit pa “protokoll” të shkollarëve.
Përsa i përket trajtimit të marrëdhënieve mes adoleshëntëve, ka një ngerç psiko-social, askush nuk di si ta gjejë vetën, as mësuesit, as psikologët shkollorë, as prindërit. Flitet më një gjuhë dogmatike seminaresh dhe nuk preket drejtpërdrejt dukuria, ajo që të rinjtë përjetojnë, shpesh pa ditur si të dalin nga situatat emocionale të rënduara. Një vajzë gjimnaziste rrëfehet konfidencialisht se ndihej e lënduar nga dashuria për një djalë, që nuk i ishte përgjigjur me të njëjtën monedhë, dhe kësisoj ajo si për inat kishte nxituar për të krijuar një “lidhje” të re në Facebook me një djalë që nuk e njihte (!) Ky është realiteti ynë dhe zor se mund të trajtohet me fraza të përgjithshme mledhjesh. Kush do ta ndihmojë vajzën e dashurisë online që të mos pësojë një zhgënjim të dytë më të rëndë se i pari? Psikologu shkollor? Natyrisht që ka një rol të dorës së parë, por jo vetëm ai. Pse e themi këtë?…
Faqet rozë të shtypit, antimodeli edukativ i të rinjve
Përpiqet ta bëjë punën e vet psikologu shkollor, punonjësi social me të rinjtë rreth problematikash të tilla, po ku të le shtypi rozë i fundjavës, i mbushur plot e përplot me flirte, divorce, lidhje, zgjidhje e prapë sterlidhje të VIP-ave kinse të ekranit, që më së shumti janë personazhe të venitur të Big Brother, që se ku ua ke dëgjuar emrin. Se ç’punë ka paparaci të gjuajë në lokalet e ish-“Bllokut” kotësira të tilla mediatike, vetëm ata që i botojnë këto idiotsira e dinë. Si të mos iu ngjanë pastaj “VIP”-ave të tillë adoleshentët? Kanë se ç’të shohin. Kanë se ç’të mësojnë. Dhe iu rroftë puna edukative mësuesve, pastorëve etj. Atyre ua ka servirur antimodelet ekrani, shtypi, interneti, thashethemet. Të ishte vajza e Skënderbeut e t’i shihte këto perversitete që ne i servirim falas rinisë, publikut, me siguri do të zinte çmendinën! Pa do të ngrihen “modernët” e do të na thonë, po ku vajza e Skënderbeut e ku ne? Keni mbetur prapa dhe ju që shkruani këto radhë. Të gjithë, mësuesit, prindërit, shoqatat! Ku duan t’ua dijnë ithtarët e modernes, në të vërtetë tepruesit dhe abuzuesit me të, se ka manuale sociologjike e psikologjike, doktrina estetike dhe strategji edukimi, ka madje dhe letërsi për fëmijë e të rinj, që nuk është fiction, por e “angazhuar” për të shërbyer. Mund të vjetërohe shumëçka, se dalin teknologji të reja, por asgjë nuk do të mund ta ndryshojë thelbin ekzistencial të njeriut, prandaj njohja, kuptimi dhe qasja psikologjike ndaj botës së tij shpirtërore të trazuar, ka për të qenë e gjithërshme.
Jo pak mjegullnajë krijohet dhe nga publikimi i disa sondazheve të kryera nëpër shkolla mbi adoleshentët. Janë institucione shtetërore e arganizata joqeveritare ato që bëjnë anketime, plotësojnë pyetsorë dhe në fund shpallin të dhënat në media, të cilat komentohen mbarë e mbrapsht. Nuk është puna për të folur me gjuhën e Ezopit, sado që dhe kjo do të hynte në punë kur dimë që pjesë e auditorit që i drejtohen janë dhe vetë adoleshentët. Nuk ka një mënyrë komunikimi si për të mëdhenjtë si për të vegjlit, ndaj kurrkush nuk mund ta injorojë këtë. Studime të tilla herë-herë e rrisin artificialisht të “keqen” që ngjet te të rinjtë për të përfituar donacione nga organizmat ndërkombëtare. Mania e manipulimit me shifrat, duke i stërkequr ato, është aq e vjetër në këtë vend dhe mjafton të shohësh ato të disa shoqatave për gjakmarrjen dhe të ngujuarit për ta kuptuar shpërdorimin. Nëse thuhet se kaq përqind e adoleshentëve të grupmoshës iks kanë kryer marrëdhënie seksuale, kjo nuk është një frazë dhe aq, që mund të thuhet me lehtësi nga ca mjekë institutesh që bëjnë pyetsorë në terren. Është pak një anketim sporadik për të dalë me përfundime “shkencore” rreth dukurive sociale që lidhen me fëmijët e të rinjtë. As përafrimi me shifra të ngjashme në vende të ndryshme të Europës nuk është i besueshëm, pasi ne jemi një vend që kemi veçoritë tona. Nuk themi të mos pohohet gjendja reale me pikë e me presje, por gjerat nuk bëhen me një të rënë të lapsit, pa një analizë të thellë të gjesë dhe sidomos pa shkoqitjen e nevojshme psiko-sociale.
Kësisoj, vajza e Skëndërbeut, njëlloj si psikologët bashkëkohorë, prapë do të kishte këshilluar: “Vajza e djem të Shqipnisë, prisni më e pakta të bëheni 18 vjeç”, rrituni deri sa shtati juaj të arrijë atë… shenjën që ajo kishte bërë në shkëmb.