Amerika, Engjelli im mbrojtes!!!

Qendresë Halili

 

Amerika, engjelli im mbrojtës!

Bash në Amerikë i mbusha 24!

 

Gjithmonë e kisha ëndërruar engjullin tim, që kur kisha qenë fëmijë, që kur e kisha kaluar luftën, deri më tash që e kisha takuar. Tani po bindem se engjujt shpëtojnë vërtetë!

Engjull i bardhë me shumë yje rreth e rrotull, fluturon në qiell, bën dritë, sjell paqe dhe erë liri. Engjull që unë e kisha parë atë natë të zezë, pa hënë, pa dritë. Natë që më kujtohet si sonte. Të gjithë kokëulur, trupat tanë dridheshin si thupra në ujë, frikë në mish e palcë, humbur si në mjegull, por pritja ende s`na ishte shuar. Çuditem si ishim gjallë!

Babai thotë se do të bëhet mirë në Kosovën tonë, të tjerët heshtim një copëherë, pastaj nëna thotë se njeriu qenka më i fortë se guri, vëllau Liridoni qan e qan, ama e ka një të qarë të ëmbël, sikur po qesh (ai është ende engjull, që i ndjen engjujt dhe ndoshta po flet me ta), motra  e vogël bërtet se s`po mundet me i gjet lodrat, që ku e di se ku i kanë humbur, gjersa vëllau tjetër i thotë se lodrat tua s`ke për t`i gjetur kurrë se ato t`i ka marr lufta! Unë kokën e kam ngritur kah qielli, dhe po mundohem të gjej ndonjë yll, sa për ta kompletuar engjullin tim imagjinar. Yjet i kisha dashuruar gjithmonë, por kurrë s`kisha mundur me i numrue në qiell. Nuk po qaj, fëmijëria ime tashmë është mplakur. Askush nuk e di që unë s`jam fëmijë më, por engjull ishte tamam si unë e  kisha ëndërruar në fëmijëri. Engjull që më kishte thënë, se ai ishte shptimtari im.

Ëndërra më nuk kam. Ato m`i ka marr lufta. Lufta që bëhet me gjak. Lufta e kuqe me fytyra të zeza, që unë nuk e di përse bëhet, s`dua as ta di. Tani unë e kam vetëm një dëshirë. E di që dëshirat nuk duhen treguar për realizimin e tyre, andaj s`po flas. Unë vetëm po pres zbritjen, forcën dhe dritën e tij. Fshati është në errësirë dhe terr. Babai na thotë se është koha për gjumë dhe ne duhet të flemë, unë nuk dua të fle, jo pa e parë engjullin tim. Mezi më largojnë nga dritarja. Tani jemi të gjithë së bashku dhe po presim. Habitem me ta se çka po presin. Unë e di që pres engjullin tim mbrojtës. Unë e ndjej se engjulli im po vie, e ndjej…

Pas disa çasteve diçka na bën dritë fshatin, dhomën, neve, mua. Unë braf në këmbë dhe bërtas; Është engjulli im, engjulli im  mbrojtës…

Të gjithë ngritemi në këmbë dhe shikojmë kah qielli. Qielli që tani ka dritë, bën dritë. Veç tani kujtohem se ka kohë që askush nga ne s`ka shikuar qiellin, s`ka parë dritë dhe buzëqeshje në fytyra.

Dëgjoj zëra: Amerika, Amerika, Amerika!

Pastaj Amerika po na liron, Amerika po na liron…

Unë kërcej disa herë nga vendi. Shikoj shtëpinë tonë të ndritshme, fytyrat tona vezullojnë dhe unë po qesh me të madhe.  Pastaj të gjithëm duartrokasim dhe brohorisim përsëri; Amerika, Amerika, Amerika!

Engjulli vjen nga qielli, bën dritë dhe sjell paqe.

Unë nuk e di se ç`është kjo Amerika? Cka është Amerika? Kush është Amerika?

Unë nuk di asgjë, s`kam si të di. Unë di vetëm të ndjejë, ndjej si fëmijët edhe pse s`jam më fëmijë. Oh, ju ndoshta nuk e dini se si është të jesh fëmijë dhe i rritur në një trup të vogël, me duar dhe këmbë të shkurtëra.

Fëmijë si unë që kurrë s`ka pasur fëmijëri. Fëmijë si unë pa ardhmëri, pa ëndërra dhe me  shumë luftë brenda vetes, ani pse e dua lirinë për të tjerët. Këtë liri që s`mund ta gëzoj brendësia, trupi dhe shpirti im. Liria ime ka me ardhë kur unë ta takoj engjullin tim.

Amerika qenka engjulli im mbrojtës. Amerika na ka shpëtuar. Amerika qenka paqja.  Amerika e ndali luftën. Amerika qenka engjull!

Të gjithë familja dalim jashtë në oborr dhe bërtasim: Amerika, Amerika, Amerika!

Që atëherë mbaj mend këtë emër, më është ngulitur aq shumë në shpirtë, mendje dhe zemer. Engjujt nuk harrohen. Engjujt na mbrojnë gjithmonë. Engjujt janë shpëtimtarët e kësaj Bote!

Gjithmonë kam ikur, ikur, ikur…

Askush nuk e shihte ikjen time, ikja te ne nuk shihet pa ikur!

Unë vazhdoja të ikja, doja të tretesha, avullohesha dhe të shëndërrohesha në një hiç gjë, gjersa erdha këtu…

Lufta me vetveten që më nuk e dua, lira me të tjerët bashkë me veten qenka më e bukura liri që vjen. Liria që din ta sjell vetëm një engjull nga qielli me paqe. Se në qiell jetojnë engjujt këtë ende e besoj, s`ka kush që e mohon se në tokë atëherë bie paqja.

Qielli me tokën kurrë nuk kanë qenë në luftë!

Ky është engjulli im me emrin Amerika, që unë e kam takuar para dy muajve.  Amerika qenka një vend i mahnitshëm, më i bukur sesa e kisha ëndërruar. Më i ndritshëm se e kisha parë në qiell. Me më shumë paqe dhe liri që ne kishim kërkuar.

AMERIKA QENKA DRITE. AMERIKA QENKA LIRI. AMERIKA QENKA PAQE!

Tani jam te engjulli im, tani jam në mbrojtje, liri, paqe dhe dritë. Nuk kam frikë më nga lufta me luftën, as lufta me veten.  Nga paqja njerzit nuk frikësohen. Paqja që e sjellin nga qielli engjujt për njerzit fëmijë!

Lum si unë që takova këtë engjull, engjulli im i fëmijërisë së luftës dhe ardhmërisë së paqes!

Besoni te engjulli im, engjulli juaj, engjulli jonë!

Amerika ime, Amerika juaj, Amerika jonë!

 

Detroit, MI 2014!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *