Mjerisht, historia jonë zyrtare ka qenë e shkruar keq

Eduard Grishaj

 

–         Fjala ne 102 vjetorin e Pavarësisë, mbajtur në Kishën e  Shën Palit Detroit

 

Shenim në hyrje:

 

Po e publikojmë pak me vonesë fjalën e muzeologut të njohur Eduard Grishaj në Festën e 102 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë , mbajtur në Kishën e Shën Palit në Detroit për dy arsye:

E para: për modelin e  një përshëndetje argumentuese me të dhëna historike precize dhe me disa orientime që historia shqiptare ka nevojë për to, lidhur me rishikimin e deomosdoshem të saj.

E dyta: për disa komente të pabazuara në lidhje me “zbulimin e armiqëve”  në komunitetin shqiptar të Detroitit, pas mbërritjes së autorit të kësaj fjale këtu. Përkujtimi i çdo përvjetori të Pavërsisë është plotësisht i përligjur nga Qendra e Shën Palit, e cila në këto raste është një qendër  e vërtete komunitare, që ka të drejtën e pamhohueshme të përkujtojë ngjarje historike të kësaj përmase, pasi ka qënë e para  qendër shqiptare, që sipas një rregullorje të veçantë, hartuar dhe firmosur në Nëntorin e vitit 1984, kremtoi vit për vit Kryengritjen e Malësisë dhe  Diten e Pavarësisë, duke përjashtuar flamurin shqiptar me yll të komunizmit!

 

P.Jaku

 

I nderuar Don Fran Kola, prijës shpirtëror dhe pikë e çmuar referimi për atdhetarizmin këtu në diasporë!

Të nderuar klerikë!

I nderuar Z. Bardha, Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë këtu, dhe patriark i atdhetarisë në diasporë!

Të dashur vëllezër dhe motra bashkatdhetarë!

Ndjehem i privilegjuar, që ndodhem sonte në mes jush, në këtë kremtim përkujtimor të 102 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, prandaj, më lejoni ju lutem, të shpreh falenderimet e mia më të sinqerta për Komunitetin e Kishës së Shën Palit,dhe posaçërisht për administratorin e saj, të nderuarin Don Fran Kola, për ftesën që më dha mundësinë të shoh kaq të gjallë identitetin tonë kombëtar këtu në Sh.B.A.

Kisha menduar që ligjëratës sime t’i jepja një qasje vetëm akademike, por gjatë ditëve të qendrimit tim këtu, kuptova se duhej ta modifikoja pak fjalën, në funksion të një qendrimi të drejtë. Ndjeva që,përkundër disa zërave kinse unitaristë, të përligj të drejtën e Komunitetit të Shën Palit, për ta kremtuar përkujtimoren në nderim të shpalljes së pavarësisë.

Së pari, sepse traditën e përkujtimit të shpalljes së Pavarësisë e kanë inicuar etërit françeskanë të Shkodrës, të cilët, nëpërmjet pendës mjeshtërore të At Gjergj Fishtës[1], i hynë punës për dokumentimin e saj në faqet e Hyllit të Dritës, që në numrin e parë, për të mos ua lënë “ekskluzivin” në dorë fallsifikatorëve, të cilët, kanë predispozitën të shtrembërojnë faktet e të përmbysin vlerat.

Ne e dimë që shtrembërimi i historisë u intereson atyre që kërkojnë pushtet të pamerituar, sepse, asnjë politikan nuk mund të bëhet i pushtetshëm, pa pasur një kontribut që ia njeh dhe ia vlerëson historia. Mjerisht,historia jonë zyrtare ka qenë e shkruar keq, dhe ne si popull, i kemi ende të freskëta pasojat e shtrembërimit të saj, ndaj dhe gjendemi ende në përpjekje për ta rishkruar atë.

Edhe diçka tjetër: Kurrë më parë nuk është çmuar roli i prelatëve katolikë në Pavarësinë e Shqipërisë. Rëndom është pohuar një kontribut i përgjithshëm në veprimtarinë patriotike të klerit, por nuk janë përmendur, edhe pse diheshin aktet e Imzot Jakë Serreqit, Imzot Preng Bardhit dhe Imzot Lazër Mjedës. E pra, me veprimtarinë e Imzot Mjedës lidhet pika e kthesës në politikën austro-hungareze në raport me të ardhmen e popullit shqiptar.Vërtet që ka qenë Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Konti Berthold ai që ka artikuluar i pari të drejtën e Shqipërisë për Pavarësi, por vendimi është marrë në këshillin e shtetit, dhe atje Arqipeshkëvit të Vienës, Kardinal Franz Nagl, mik personal i Imzot Mjedës, i është dashur të debatojë intensivisht me këshilltarët filosllavë.[2]

Sot është e nevojshme që të theksohet, se një nga shkaqet, që persekucioni mbi klerin katolik ka qenë aq çnjerëzor dhe aq djallëzor nga diktatura, ka të bëjë dhe me faktin,se askush nuk e ka njohur historinë më mirë se klerikët tanë, kështuqë bashkë me ta duhej të vritej edhe historia. (Në ilustrim të kësaj teze, duhet të evokojmë edhe një fakt tjetër të pakundërshtueshëm:) Nuk është e rastit, që në të gjitha botimet përkujtimore jubilare, përfshi sigurisht edhe ato akademike me rastin e  50 apo 100 vjetorit të pavarësisë, ende sot e kësaj dite, botimi i vetëm i mirë, i plotë dhe i saktë nga çdo pikëpamje historiografike mbetet ai i vitit 1937, realizuar me rigorozitet të padiskutueshëm shkencor nga etërit jezuitë, në faqet e revistës së tyre prestigjoze, LEKA[3], me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Së fundi, kur e sheh këtë qendër, e cila, i ka të gjitha dimensionet përbashkuese shqiptare, patriotike, kulturore, arsimore dhe shpirtërore, si mund të thuhet  atëherë se nuk është mirë që Komuniteti i Shën Palit këtu në Michigan të organizojë një kremtim përkujtimor në nderim të Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit, apo dhe të aludohet se kjo shkakton përçarje?

Zëra të tillë do të doja t’i konsideroja lajthitje dhe jo dashakeqësi.

 

Pavarësia, kushtet historike, lëvizja patriotike.

 

Vellezer e motra!

Pavarësia në jetën e një populli nuk vjen vetvetiu. Ajo është shprehja më e lartë e pjekurisë së tij dhe që të realizohet, më parë, duhen kapërcyer një varg i pafund etapash e procesesh historike, të cilat, shërbejnë për të kristalizuar një vetdije kolektive, që ushqen pandërprerë shpirtin veprues me frymën e lirisë. Nga vepra e Barletit[4], dimë që shpirti veprues arbëror, nën drejtimin e Kastriotit, por edhe një dekadë pas vdekjes së tij, me frymën e lirisë që ushqehej nga një vetdije e lartë identitare,ia doli të zmbrapste, si askush tjetër në Europën Juglindore, hordhitë osmane për më shumë se 36 vjet, përfshi edhe ato të komanduara nga vetë pushtuesi i Konstandinopojës, Sulltan Mehmeti II. Jehona e qëndresës antiosmane në shekullin XV, vazhdonte të frymëzonte në shekujt e mëpasëm shpirtin kryengritës të shqiptarëve. Dy shekuj më vonë, në emër të shpirtit identitar shqiptar, Bogdani do të profetizonte: “se do të vijë dita, kur ndonjëri nga udhëheqësit muslimanë shqiptarë do të ngrihet për lirinë e vendit,ashtu sikur Skënderbeu kundër Sulltan Muratit”[5].Dhe ne mund ta themi, se kjo profeci u vërtetua nga një sërë udhëheqësish, të paktën që nga Kara Mahmud Pashë Bushatlliu e deri tek Ismail Qemali.

Pragu i pavarësisë shënon për historinë shqiptare kulmin e rrezatimit të identitetit kulturor e historik të nacionit tonë. Elementet përbashkuese kombëtare si gjuha, historia, këngët, mitet, kultet, doket, veshjet, kullat, armët, të gjitha vlerat e kulturës shpirtërore e materiale të shqiptarëve, ia kishin dalë të prapësonin politikën asimiluese osmane përgjatë pesë shekujve pushtim. Akti i Kongresit të Manastirit që çoi në njësimin e alfabetit të shqipes me gërma latine u bë preludi i të gjitha ngjarjeve të mëpasme.Ky akt shoqërohej nga një tjetër arritje e kulturës tonë identitare. Njësimi i alfabetit nxiti përpjekjet e patriotëve për të shtuar valën e përhapjes së arsimit kombëtar në mbarë trevat e vendit. Letërsia Shqipe, deri më atëherë një letërsi qarqesh, u shndërrua tërësisht në një letërsi me motive dhe tematikë kombëtare, dhe falë Luigj Gurakuqit[6], poeti i parë të letërsisë shqipe të kultivuar, bardi e poezisë arbëreshe, Jeronim de Rada, deri më atëherë, i njohur dhe i adhuruar vetëm nga arbëreshët e Italisë, zu të lexohej në mbarë hapësirën shqiptare, përkrah Naimit, Fishtës, Çajupit etj., etj. Letërsia e Rilindjes u bë gjeneratorja e ideologjisë kombëtare. Ajo i ushqeu patriotët e rinj me atdhedashuri, duke injektuar në gjakun e tyre kryemitet shqiptare, atë të lashtësisë, të autoktonisë, të qendresës heroike dhe të vijimësisë së pandërprerë në trojet etnike.

Në këtë kontekst, arritje madhore e kulturës sonë në ato vite është shtypi patriotik. Janë mbi tetëdhjetë gazeta dhe revista në gjuhën shqipe,të botuara më së shumti në diasporë, dhe pas 1908, edhe brenda territorit. Roli i shtypit në ato vite është i jashtëzakonshëm. Ai i bëri jehonë ngjarjeve që lidheshin me fatet e vendit, pasqyroi në pikëpamje kulturore e historike vlerat e popullit tonë, dhe përpunoi idetë patriotike, të cilat, u bënë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Shtypi solli në sytë e popullit edhe flamurin autentik shqiptar, flamurin e Kastriotit, atë flamur që për herë të parë në trojet shqiptare, u ringrit krenar nga gjaku i martirëve me 6 Prill 1911, në majën e Bratilës në Deçiq.

 

2. Pengesat

 

Sigurisht, rruga drejt pavarësisë ka qenë e gjatë dhe me pengesa jashtëzakonisht të vështira. Historiografia jonë nuk është marrë kurrë seriozisht me shkaqet pse Pavarësia e Shqipërisë ndodhi me shumë vonesë në raport me popujt e tjerë të Ballkanit.Më së shumti, faji është hedhur në fuqitë ndërkombëtare, ndërsa shkaqet dhe pengesat e brendshme janë injoruar duke bërë që historia në këtë aspekt të mësohej si mos më keq. E vërteta është ndryshe. Faktorët e brendshëm kanë qenë po aq përcaktues.

Edhe pse pavarësia ishte aspirata kryesore e shumicës së shqiptarëve, ajo mbetej në kuadrin e një dëshire dhe jo të një projekti politik. Projekti i vetëm politik i shpallur që nga Lidhja e Prizrenit dhe që tashmë, s’kishte asnjë farë aktualiteti, ishte autonomia e zgjeruar nën suzerenitetin e Portës së Lartë.Nga ana tjetër, kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare përgjatë periudhës nga 1908 deri në verën e 1912, megjithëse heroike dhe të përgjakshme, krijonin herë-herë në arenën diplomatike, perceptimin e rebelimeve të organizuara në mbështetje të krahëve të caktuar politikë të Stambollit. Xhonturqit nga njëra dhe Sulltanistët nga ana tjetër, u përpoqën t’i tërhiqnin pas vetes shqiptarët, të cilëve, edhe pse përvoja historike pesë shekullore u dëshmonte të kundërtën,shpresa se realizimi i projektit të autonomisë, ishte një çështje afatshkurtër, veçmas kur ndonjë lëshim i bërë aty-këtu nga Qeveria e Stambollit, paradoksalisht u ushqente përshtypjen se me turqit mund të merreshin vesh ende.

Pengesë tjetër serioze për projektin e pavarësisë së Shqipërisë mbetej sulltanizmi, për shkak se sulltani, për disa shqiptarë të besimit synit me ndikim të gjerë, sadoqë përfaqësonte një mbretërim të keq, mbetej gjithnjë khalifi, drejtuesi shpirtëror i të gjithë muslimanëve. Historia ka “harruar” të përmendë që myftiu i Tiranës, Musa Qazimi, i cili, kishte rënë dakord për statusin e një autonomie të zgjeruar për Shqipërinë, teksa ushtritë serbe avanconin furishëm në drejtim të Durrësit, hezitonte të nënshkruante deklaratën e Pavarësisë, ndërkohë që vaporri që kishte sjellë nga Triestja Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin etj,priste  nga krerët e mbledhur në Durrës,për ta vënë urgjentisht në duart e kontit Berthold, dokumentin që shprehte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, vullnetin e Shqipërisë për të jetuar si shtet më vete, të lirë e të pavarur.

Por pengesa kryesore mbetej mungesa e një projekti politik në përputhje me aktualitetin historik. Dhe me synime të qarta afatshkurtra dhe afatgjata. Projektet politike të një populli janë sigurisht çështje elite. Elita shqiptare, e ndarë në atë intelektuale dhe politike, nuk gjendej e unifikuar në një program thelbësisht nacional, që nuk do të thotë tjetër veçse krijimi i shtetit komb.Problemi ishte i mprehtë dhe kishte karakter ideologjik. Divergjenca konsistonte në qasjet e ndryshme perëndimore, dhe e formuar nën ndikimin e ideve të lirisë, që ishin bërë themeli i shoqërive europiane,elita intelektuale, nuk mund të pajtohej me elitën politike, osmanofone nga formimi kulturor, e për rrjedhojë, e lidhur me ato ide thuajse mesjetaro-lindore, zbatimi i të cilave, e kishte lënë Perandorinë Osmane shumë prapa nga kombet e qytetëruara. E vetdijshme se e ardhmja e Shqipërisë nuk duhej lënë më në duart e Stambollit,elita intelektuale, nxiti patriotët që çështjen shqiptare ta bënin ndërkombëtarisht të njohur me zërin i armëve.

 

Ndërkombëtarizimi i çështjes nacionale shqiptare.

 

“Përpara lëvizjevet kombtare qi ngjanë në Kosovë, në Malsin e Madhe të Shkodrës e aty-këtu edhe në ndonji qytet të Shqipnis së Jugut, mund të thomi se popujt e Evropës nuk dijshin qi ekziston nji komb Shqiptar. Shqiptarët nisën të tregojnë gjallsin e vet e të faqin ndiesit e andjen për liri vetëm kur zhonturqit deshtën t’u ndrydhnin virtytet, doket e ligjet e të parvet e t’u zhduknin edhe të vetmin shej të njisis kombtare, gjuhën.”[7]Shkruante revista Leka në vitin 1932, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Veçmas, Kryengritja antiosmane e Malësisë së Madhe u bë pasqyra ndërkombëtare e së drejtës së popullit shqiptar për vetvendosje. Me qendresën heroike dhe me Memorandumin e Greçës, ajo u bë burim frymëzimi për një varg betejash e luftrash anë e kënd vendit, në Kosovë, Dukagjin, Mirditë, Lezhë, Durrës, Kolonjë, Gjirokastër, Korçë, Vlorë etj., por, mjerisht nuk u shndërrua në një kryengritje të përgjithshme, edhe pse Fatosi i Traboinit, Dedë Gjo’ Luli do t’i deklaronte prerazi të dërguarit të Portës së Lartë se Librin e kuq siç njihej ndryshe memorandumi, nuk e duem veç për vete, por për tanë Shqipninë. Vetë Ismail Qemali në intervistat e tij dhënë gazetave të huaja e artikulonte Memorandumin e Gërçes si dokumentin që shprehte vetdijen nacionale dhe aspiratën e të gjithë shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

 

Lufta ballkanike dhe orientimi i shqiptarëve.

 

Kryengritja e përgjithshme u bë domosdoshmëri historike në mesin e vitit 1912, kur kriza politike osmane nuk kishte ç’t’u ofronte më shqiptarëve.Vendimi për kryengritjen e përgjithshme u mor në Stamboll nga grupi i deputetëve shqiptarë. Ismail Qemali u ngarkua me detyrën e sigurimit të mbështetjes ndërkombëtare, kurse Hasan Prishtina dhe të tjerë me pregatitjen e kryengritjes në terren. Por, organizmi mori shumë kohë ndërsa ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Masakrimi i sllavëve ortodoksë nga turqit në Beran, u dha mbretërive ballkanike pretekstin për të shporrur ushtritë osmane nga gadishulli i Ballkanit. Status-Quoja, që nënkuptonte ekzistencën e patjetërsueshme të Perandorisë Osmane në gadishullin tonë, ishte tashmë e pavlefshme. Lufta Ballkanike i kapi shqiptarët në befasi nën rrezikun e dy zjarreve eventuale nga njëra anë, dhe, nën rrezikun eventual të kompromentimit historik të armëve, nga ana tjetër. Ushtritë shoviniste përparuan furishëm në brendësi të territorit shqiptar, duke djegur, plaçkitur, masakruar dhe dëbuar popullsinë civile. Shpallja e Pavarësisë ishte i vetmi akt për shpëtimin e trojeve shqiptare nga pushtimi i ri, apo më saktë, nga coptimi i trojeve.Mbledhja e një kuvendi mbarëkombëtar me përfaqësues nga të gjitha trojet,duhej bërë me një urgjencë jetike. Inisiativën për këtë veprim e morën Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe mjaft patriotë të tjerë. Ata u nisën nga Stambolli për në Bukuresht, ku me 5 nëntor organizuan mbledhjen e diasporës shqiptare të atjeshme, duke nxjerrë në pah rolin historik të luajtur në tërësi nga atdhetarët në mërgim, përfshirë sigurisht edhe kontributin e Federatës Vatra, këtu në Sh.B.A.

Vendimet e Bukureshtit kanë qenë programatike për ngjarjet në vijim. Ismail Qemali, si diplomat me eksperiencë të gjatë, u caktua të paraqiste pranë kancelarive të Europës, të drejtat e popullit shqiptar. Delegacioni i drejtuar prej tij, udhëtoi deri në Vienë, ku u sigurua për mbështetjen e Pavarësisë. Por, ngjarjet në Shqipëri e detyruan delegacionin të kthehej urgjentisht për të shpallur pavarësinë, me qëllim që t’ia paraqisnin sa më parë dokumentin autoriteteve ndërkombëtare. Ata udhëtuan nga Triestja për në Durrës, me një vaporr të posaçëm të shoqërisë Lloyd, por, kuvendi i parashikuar në Durrës,me mungesë të theksuar delegatësh, e zvarriti miratimin e dokumentit, nga data 21 deri më 26 nëntor. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë nuk mund të prisnin e të qendroninnë ato kushte në Durrës, teksa ushtritë serbe po pregatiteshin për sulmin final. Në krye të delegatëve të disa rretheve, u nis për në Vlorë,për të mbërritur atje më datën 25, ku u prit me një entuziasëm festiv. Kuvendi i mbledhur me 28 nëntor në orën 14, me praninë e 37 delegatëve, e kreu misionin e vet historik duke shpallur Shqipërinë më vete, të lirë dhe të mosvarme.

Dita e Pavarësisë dhe e flamurit është një ditë e shenjtë për ne. Vërtet ajo nuk i dha vendit një qeveri jetëgjatë, e cila, as ia doli të shtrinte autoritetin në më shumë se 4000 km katror. Por vendimet e Vlorës mbeten historike. Ato janë vendime që përmblidhen vetëm në një kuptim të vetëm, një shtet komb, një shtet për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre etnike, pavarësisht se Konferenca e Londrës, na dha vetëm një hapësirë prej 28 km katror, disa herë më pak se hapësira e trojeve etnike. Në fakt, ngritja e flamurit nuk u realizua në 84 kazatë e parashikuara, madje, nuk u ngrit në asnjërën nga katër qendrat e vilajeteve. Kjo gjë, ka pasur peshën e vet në përcaktimin e fatit të trojeve tona, dhe për këtë faji i mbetet autoriteteve osmane, të cilat, edhe në çastin e mbramë, deshën ta pengonin pavarësinë e Shqipërisë. Sot, pas njëqind e dy vjetësh, ne kemi dy shtete shqiptare, dhe njëri prej tyre, zyrtarisht, mban një flamur konvencional. Ka zëra sot që na këshillojnë të jemi optimistë, se Shqiptarët do të jenë të bashkuar në Unionin e Shteteve Europiane. Sigurisht, nuk mund mund të bëhet analogji me katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Osmane, por një shtet shqiptar sipas vendimeve të Kuvendit të Vlorës, është detyrimi ynë, dhe e vetmja perspektivë e jona. Një nacion i bashkuar me energji të plota në një shtet të vetëm mund ta ndërtojë demokracinë e vërtetë, drejtësinë shoqërore dhe mirëqenien e përgjithshme, sfida të cilat, ne shqiptarët ende nuk i kemi fituar. Veçse ky proces, të dashur bashkatdhetarë, nuk mund të realizohet pa kontributin tuaj, pa miqtë e mëdhenj që ju i siguroni çështjes shqiptare në tërësi.

Në këtë kremtim përkujtimor, ne kemi detyrimin të nderojmë,njëlloj të lavdishme si veprën burrave të mençur, që projektuan idenë e pavarësisë ashtu dhe burrave të armëve.  Ismail Qemali, Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Imzot Nikoll Kaçorri, Bajram Curri, Faik Konica, Hasan Prishtina, Imzot Preng Doçi, Aqif Pashë Elbasani, Bajo Topulli, At Gjergj Fishta, Preng Bibdoda, Dom Ndoc Nikaj, Fan Noli, Nikollë Ivanaj, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri, Spiro Bellkameni, Dervish Hima, Josif Bagëri, Themistokli Gërmenji, Mati Logoreci, Shtjefën Gjeçovi, Petro Nini Luarasi, Hilë Mosi, Sali e Gani Butka, Risto Siliqi, Papa Kristo Negovani, Sotir Peci e shumë e shumë të tjerë.

Lavdi veprës së Rilindasve!

Rroftë Flamuri!

E paçim të shpejtë ditën e Shqipërisë së Bashkuar!

Faleminderit!

 

 

[1]Hylli I DritësLot gjaku, Shkodër 1913.

[2]Leka, Numërkujtimuer I XXV-vjetorittëpavarsiskomtare

[3]Leka, Numërkujtimuer I XXV-vjetorittëpavarsiskomtare 28.XI (vjeti IX numrat VIII – IX) bleni I Shkodër, 1937

[4]Barleti Marin

[5]LuigjMarleka, Bogdani.

[6]LuigjGurakuqi: Albania. Hyeronim de Rada

[7]Leka, Dita 28 Nanduer e Kryengritja e MalcissëMadhe, Shkodër 1932, Viti IV – Nr. 11, f. 343

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *