Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.
Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të te bananes ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.
Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi.
Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.
Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”.
Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.
Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij
Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962).
Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë.