Nga Valerie Hopkins / Ukrainë / Prill 14, 201416:14
© Të drejtat autoriale
Larg nga mëmëdheu i tyre shekullor, ky minoritet i vogël përballet me numra të paqëndrueshëm, asimilim dhe ndarje, sa i përket aleancës me Moskën apo Kievin.
Të qenët shqiptar në Ukrainë është gjë e ndërlikuar. Për këtë mund ta pyesni 19-vjeçarin Sasha Popov.
“Unë e kuptoj gjuhën shqipe dhe jam rritur duke e folur atë, duke qenë senëna ime është shqiptare, ndërsa babai është bullgar”, thotë ai.
“Por unë kam filluar ta flas atë tek në moshën adoleshente, kur fillova të shoqërohem me miqtë e mi shqiptarë. Preferoj që me ta të flas shqip”, shtoi ai.
Popovi vjen nga Zhovtneve, një qytezë e vogël në rajonin e Odesas në Ukrainë, e cila ndodhet nën Moldavi dhe pranë Rumanisë.
Zhovtneve është vend unik në Ukrainë pasi që 60 për qind të banorëve të tij janë shqiptarë. Tjerët janë bullgarë dhe gagauzë, me etni turq, gjë që dëshmon se për këtë pjesë të Detit të Zi kanë pasur pretendime fuqi e kombësi të shumta.
“Unë identifikohem si shqiptar, edhe pse flas bullgarisht. Unë kurrë nuk kam ngurruar të them se jam shqiptar”, thotë Popovi, duke u krekosur dhe qeshur pak.
Popovi studion teknologjinë informative në qytetin më të madh të rajonit – Izmail, por fundjavat i kalon në Zhovtneve, ku udhëton së bashku me mikun e tij të përkatësisë etnike bullgare, Vlad Zhlyaskov, 18-vjeçarin i cili në Izmail studion në akademinë detare.
Në Zhovtneve, ata rrinë në qendrën e kulturës, në të cilën ndodhet një kafiteri e cila frekuentohet nga shqiptarët e rinj të cilët kthehen nëpër shtëpitë e tyre për fundjava. Ajo shërben edhe si pikë takimi në të cilën kultivohet trashëgimia e tyre e përbashkët.
Në kat gjendet një dhomë e shndërruar në muze historik dhe qendër kulturore shqiptare, me fotografi moderne dhe harta nga të gjitha viset e Shqipërisë.
Të rinjtë janë të lidhur me njëri-tjetrin, por jo edhe aq shumë në baza kombëtare, pasi që shpesh njohuritë e tyre për Ballkanin janë minimale.
Shumica prej tyre të vetmen gjë që mund ta thonë për Shqipërinë është ta përmendin vizitën e ambasadorit shqiptar para disa vitesh.
Një tjetër mik shqiptar i Popovit, Afonya Gridur 19-vjeçar, thotë se ka qenë anëtar i grupit valltar “Rilindja” që performon në qendrën e kulturës.
Por, edhe ai ngurron që t’i tregojë shkathtësitë e tija prej valltari, duke preferuar që të ngrehë edhe një tym në cigaren e tij.
Në fund të rrugës ku ndodhet qendra e kulturës, gjendet shkolla fillore e Zhovtneves, në të cilën i zhvillojnë mësimet nxënësit që flasin pesë gjuhë të ndryshme. Në panon e vendosur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, kaltër dhe verdh, shkruan “mirë se vini” në gjuhën gagauziane, e ngjashme me gjuhën turke, në bullgarisht, në shqip (shkruar në alfabet cirilik), rusisht dhe mbi të gjitha me shkronja më të mëdha në gjuhën ukrainase.
Në shkollë mësimin e vijojnë nxënësit nga këto pesë etni duke ndjekur ligjërata në rusisht, gjuhën dhe letërsinë ukrainase, ndërsa disa prej tyre flasin në gjuhët e tyre amtare nëpër korridore, edhe pse për shkak të ndikimit të televizionit dhe pop-kulturës, shumica prej tyre e kanë më lehtë të flasin në gjuhën që e dinë të gjithë – rusisht.
“Çdo herë e më pak të rinjtë në korridor i drejtohen njëri-tjetrit në gjuhët e tyre amtare”, thotë një nga mësimdhënësit. Shumë prej tyre preferojë të flasin në gjuhën të cilën e njohin të gjithë – në rusisht.
Përballë shkollës, pranë një pemishteje qëndron i lidhur një gomar. Fshatarët ndjekin punët e tyre, ndërsa buzë rrugës të moshuarit qëndrojnë të ulur në bankat jashtë pronave të tyre me gardhe dhe mure të larta, përshëndesin njëri-tjetrin dhe diskutojnë mbi dhunën e fundit dhe rrëmujën në Kiev, Moskë dhe vendeve mes tyre.
Shqiptarët kryesisht flasin në dialektin toskë të shqipes, të cilin e përziejnë me disa fjalë ruse. Por fjalët si “faleminderit” dhe “nuk ka përse” shumë më shpesh përdoren në versionet ruse sesa shqipe.
Në vend të “gëzuar”, e cila përdoret në shqipen moderne, ata përdorin “shindet” dhe “beriket”, një frazë më të vjetër e cila ende përdoret nga shqipfolësit në Ballkan, të cilët i dëshirojnë dikujt shëndet të mirë.
Pas shkollës, 15-vjeçari Oleh luan jashtë me Islamin, i cili me përkatësi etnike është bullgar, teksa presin që bariu t’ua kthejë delet nga kullosat.
“Kur luaj me vëllanë tim, luajmë në shqip”, thotë ai. “Por kur jemi të gjithë bashkë, atëherë luajmë në rusisht”. Kur i kërkuam që ta prezantojë veten në shqip, ai pati vështirësi derisa nuk u ndihmua nga një grup grash më të vjetra.”
Një e tillë e përkrah dhe inkurajon Olehin, ndërsa ky i fundit i përsërit fjalët pas saj. Pa kurse, libra, ose TV, Oleh mëson gjuhën e të parëve të tij vetëm nga prindërit dhe të vjetrit e komunitetit të tij.
Në Zhovtneve, ku toleranca dhe martesat e përziera kanë mbijetuar të gjitha luftërat, okupimet dhe kolektivizimin bujqësor, shqiptarët janë duke u munduar që ta ruajnë identitetin e vet pa u lidhur shumë me ndonjë vend tjetër përveç Ukrainës, ose me një gjuhë të cilën nuk dinë se si ta shkruajnë.
Sasha Popov ka disa libra të thjeshtë në shqip, por ai nuk mund të shkruajë ose ta avancojë njohurinë e vet të gjuhës shqipe më tej, pa u ndihmuar nga dikush. “Unë i kam në shtëpi ca libra në shqip, ca libra shkollorë, por jo më shumë se kaq”, thotë ai.
Fqinji i Olehit, Pyotr Kirpik, thotë se ai është përpjekur që të shikojë televizione shqiptare, por nuk mund t’i përcillte ato. “Ne mund të komunikojmë me shqiptarët (nga Shqipëria ose Kosova) vetëm personalisht, sepse ne disi kuptojmë njëri-tjetrin nëse flasim ngadalë dhe gjestikojmë”, thotë ai.
“Ne kemi shikuar televizione satelitore shqiptare, por nuk mund t’i kuptonim ato, sepse njerëzit në to flasin shumë shpejt dhe gjuha e tyre ka evoluar në këto 200 vjetët e fundit”, shton Kirpik.
Larg nga vatra e vjetër
Komuniteti bullgar i Ukrainës, i cili numëron rreth 140,000 qytetarë dhe është i përqendruar në rajonin e Odesas, ka lidhje të ngushta me Bullgarinë. Ai merr ndihma nga organizata të cilat përkrahin kulturën bullgare, gjuhën dhe shkollimin në të gjitha nivelet, ndërsa që në tërë Ukrainën ka qendra të shumta kulturore bullgare.
Shumica e gagauzianëve, me etni turke dhe me fe ortodokse, jetojnë në afërsi të Gagauzisë, pjesën e cila mëton të shkëputet nga Moldavia dhe ndodhet në anën tjetër të kufirit, ku mund të udhëtojnë me lehtësi. Por, disa mijëra shqiptarë të Ukrainës kanë qenë larg vatrës së tyre për më shumë se 200 vjet, të shkëputur nga shqiptarët e Ballkanit.
Megjithatë, ata tani nuk janë më të grumbulluar vetëm në lagjen shqiptare të Zhovtneves (Albanskaya Mahala).
Ky komunitet ka shfrytëzuar internetin për t’u lidhur me komunitet tjera të shqiptarëve në Ukrainë, si dhe me Kosovën dhe Shqipërinë, duke u përpjekur kësisoj që të edukojë gjeneratën e re të shqiptarëve në vend lidhur me kulturën dhe gjuhën e vet.
Shqiptarët të cilët kanë mbetur në Ukrainë ishin të krishterë ortodoksë të cilët iu bashkuan forcave të Rusisë Cariste për të luftuar kundër Perandorisë Osmane. Në shekullin XVIII, një grup shqiptarësh u larguan nga qyteti jugor i Shqipërisë – Korça, kujton Sasha Dementli, një shqiptar nga Zhovtneve, i cili rishtas ka publikuar një libër mbi shqiptarët në Ukrainë.
Pas formimit të regjimentit në ushtrinë perandorake ruse, ata u shpaguan për shërbimin e tyre me ngastra në Besarabinë Jugore, ku ndodhet Zhotvneve, si dhe në verilindje të këtij rajoni në Krime.
Në vitin 1811 ata themeluan Karakurtin, që në turqisht do të thotë “krimbi i zi”, për shkak të merimangave ‘të veja të zeza’ të cilat gjendeshin në numra të mëdhenj në këtë rajon.
Ky territor ndërroi zotëruesit disa herë gjatë shekullit XIX, duke kaluar nga otomanët tek rusët e më pas tek rumunët, ndërsa pas fundit të Luftës së Dytë Botërore u bë pjesë e Ukrainës sovjetike.
Para kësaj lufte, autoritet rumune kishin hapur shkollën e parë të fshatit, e cila ndodhej në një godinë që tani po shembet prapa kishës ortodokse të rindërtuar. Shumica e të moshuarve e kuptojnë rumanishten, edhe pse epokën e pushtetit rumun e konsiderojnë periudhë okupimi.
Traditat e lëkundura
Shqiptarët lokalë kanë ruajtur gjuhën e tyre, disa ushqime dhe disa tradita. Më çdo 6 maj ata festojnë “Kurbanin” duke i dhënë emërtim mysliman festës ortodokse të Shëngjergjit.
“Të parët tanë i kanë ruajtur këto tradita dhe unë u jam mirënjohës për këtë”, thotë Dementli. Kira Syupyur, shqiptar nga Zhovtneve që tani jeton në Izmail, përmend edhe kuzhinën tradicionale dhe ushqimet si “mamaliku”, një pjatë që i ngjan kaçamakut, një tave bullgare të quajtur “kavarma” dhe sarmat, një variacion të versionit të përhapur në Ballkan dhe Evropë Lindore ku fletët e lakrës turshi mbushen me mish dhe oriz.
Por, shumë nga traditat kanë humbur me transferimin e territorit nga një shtet tek shteti tjetër që nga fillimi i shekullit XIX.
Revolucioni rus i vitit 1917 solli sfida të reja. Bashkëshorti i Kiras, Misha, flet për gjyshin që nuk e ka takuar kurrë. Ai ishte kulak, apo bujk-pronar i tokave, i cili posedonte toka dhe kafshë private dhe i cili për shkak të kësaj, u dërgua në kampet e punës në Siberi dhe nga atje nuk u kthye kurrë.
Si aleate e Gjermanisë Naziste, Rumania mori prapë territorin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi që ajo ishte bërë pjesë e Ukrainës. Në vitin 1947, sovjetët ia ndërruan emrin nga Karakurt në Zhovtneve, që në gjuhën ukrainase do të thotë tetor, si homazh për revolucionin e tetorit të vitit 1917.
Gjatë periudhës sovjetike shumë fshatrave iu ndërruan emrat. Për shembull, një fshat tjetër në afërsi quhet Chernoarmenskaya, apo “Armata e Kuqe.”
Megjithatë, banorët e Zhovtneves po përpiqen që ta kthejnë emrin e vjetër. Ka grupe në Facebook dhe rrjete sociale tjera të cilat e quajnë Karakurt, ndërsa edhe në festimin e dyqindvjetorit të këtij fshati në vitin 2011, atij iu referuan me emrin e vjetër.
Zhovtneve ishte një fshat i vogël, por gjatë periudhës nën Bashkimin Sovjetik, jeta në të ndryshoi në mënyrë dramatike.
Shumica e banorëve u detyruan të punojnë në Kholkhoz, apo në fermën kolektive. Kira Sypyur kujton se atëbotë fëmijët e moshës mes 10 dhe 12 vjeç liroheshin nga mësimi në shkollë për të grumbulluar rrush në vreshta.
Por në pamjen e fshatit nuk ndryshoi shumëçka. “Janë pesë rrugë”, thotë Misha Syupyur. “Një njihet si “Zarechnaya”, apo “tej lumit”, ku jetojnë gagauzët, të cilët njihen edhe si qitapi. Në njërën anë të rrugës janë bullgarët, ndërsa në tjetrën shqiptarët”, shton ai.
Ndërkohë, shqiptarët në Ukrainë kanë lëvizur dhe janë martuar me persona të përkatësive tjera, që do të thotë se numri i personave që deklarohen si shqiptarë është zvogëluar.
Në Bashkimin Sovjetik në vitin 1958 letonin 5,258 shqiptarë, të përqendruar në Ukrainë. Në vitin 1970, ky numër kishte rënë në 4,402, ndërsa në vitin 1989 kishin mbetur vetëm 4,085, duke mbetur një nga pakicat më të vogla të njohura.
Të dhënat e fundit nga regjistrimi i popullsisë në Ukrainë i vitit 2001 numërojnë 3,308 shqiptarë, 1,740 nga të cilët flasin gjuhën shqipe si gjuhë të parë.
Historiani Dementli ka kaluar disa vite duke kryer hulumtime për librin e tij për shqiptarët në Ukrainë dhe mëton të promovojë kulturën dhe gjuhën shqipe.
Por, autoritetet aktuale nuk brengosen shumë për pakicat e vogla kombëtare, thotë ai. Ai shpreson se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të ofrojnë ndihmë dhe sponsorime për shqiptarët e atjeshëm.
“Për fat të keq, askush nuk dëshiron që të merret me këtë punë, apo ta financojë atë”, thotë ai. “Ne kishim një qendër kulturore në Odesë, por ajo u mbyll.
Ekzistonte një qendër në fshat, por edhe ajo u mbyll. Me entuziazmin që mbretëron tani, nuk mund të pritet rihapja e tyre”, qahet ai. “Nevojiten para dhe energji që te të rinjtë të ngrejnë interesin për të kaluarën e tyre”, shton ai.
“Fëmijët dhe nipërit e mbesat tona duhet të dinë se nga kemi ardhur. Ata nuk dinë të shkruajnë në shqip, por do të ishte e mrekullueshme që të kenë mundësinë që të udhëtojnë në trevat shqiptare dhe të mësojnë ta shkruajnë gjuhën e tyre.”
Muzeu kulturor njëdhomësh i Zhovtneves përbëhet nga disa gjergjefë, tepihë, mobilie, veshmbathje dhe pajisje shtëpiake. Aty janë të ekspozuara edhe një palë këpucë tradicionale, apo opinga.
Edhe pse shumica e këngëve, valleve, ose poemave shqipe janë humbur, Yuliya Karanyeva është duke bërë përpjekje për ta ringjallur trashëgiminë shqiptare te të rinjtë, përmes një trupe valltarësh të quajtur “Rilindja”.
“Ne tani mund të mësojmë këngë dhe valle të reja përmes internetit dhe televizionit”, thotë ajo, teksa i pastron kostumet tradicionale që mbahen nga trupa e valltarëve të saj.
“Rilindja” shfaqi valle dhe këngë tradicionale shqipe të mësuara kësisoj edhe në qendrën kulturore me rastin e dyqindvjetorit të fshatit. Vallëzimi paraqet një mënyrë për banorët për të rikthyer trashëgiminë dhe historinë e tyre, thotë ajo. Një mënyrë tjetër është përpjekja për ta rikthyer emrin e vjetër të fshatit.
“Të gjithë ne tani themi se jemi nga Karakurti dhe jo Zhovtneve”, shton Karanyeva.
Lojaliteti i ndarë
Ndarjet aktuale politike në Ukrainë kanë shkaktuar konfuzion të mëtejmë te personat me identitet shqiptar në këtë vend.
Në Zhovtneve, brenda kopshtit të njërës nga shtëpitë me gardh me mure të larta, Pyotr Kirpik dhe bashkëshortja e tij Lena punojnë në kopsht, kujdesen për bletët, ushqejnë pulat dhe mbjellin farat. Udhëzimet Sofisë, e cila është një grua e vjetër shqiptare që u ndihmon atyre me punë në vreshta, ai ia jep në shqip.
“Kjo pjesë e botës gjithmonë ka qenë vatër e dallimeve, ne flasim gjuhë të ndryshme, por gjithmonë kemi folur mes vete në rusisht, e kështu duam të bëjmë edhe më tej”, thotë ai teksa shikon një seri ruse, me titra në gjuhën ukrainase, ngjarja e së cilës është e vendosur në periudhën e Rusisë cariste.
Anëtarët e komunitetit të cilët janë miq prej vitesh kanë mendime të ndryshme lidhur me atë se në cilin vend do dëshironin të jetonin. Lena do që të ketë lidhje më të ngushta me Rusinë, për shkak të sigurisë që kishin gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik.
“Ne jemi shumë, shumë larg nga Kievi”, thotë ajo, derisa mbjell lakrat. “Kjo që po ndodh është e tmerrshme. Vajza jonë është në Rusi, ne kemi kushërinj atje dhe tërë jetën kemi qenë me Rusinë, ashtu siç jemi edhe tani,” shton ajo.
“Unë nuk dua të dëgjoj më se si po ndahemi nga Rusia”. Bashkëshorti i saj do të ishte i lumtur nëse Rusia do ta aneksonte territorin e tyre, duke e përfshirë atë në një korridor territori që përbëhet nga Ukraina Jugore në bregun e Detit të Zi, nga Krimea deri në Izmail dhe rajonet moldave të Transnistrisë dhe Gagauzisë.
“Unë dua të jem pjesë e Rusisë”, thotë ai. “Ukraina Perëndimore dhe Ukraina Lindore janë dy kombe të ndryshme – dy kultura të ndryshme”.
Së paku, shton Kirpik, Ukraina duhet të shndërrohet në një federatë liberale, ashtu siç ka kërkuar qeveria ruse.
Ai kujton me ëndje kohën e Bashkimit Sovjetik dhe mënyrën se si ai ndjente se të gjitha kombësitë pranoheshin pa përjashtim, gjë që nuk përkon me ndjenjat nacionaliste të cilat po rriten në kryeqytetin e Ukrainës – në Kiev.
“Atëbotë, të gjithë rrinin bashkë… të gjithë u ndihmonin të gjithëve… nuk kishte rëndësi nëse ishe shqiptar, bullgar, gagauz, rus, ukrainas, hebre”, thotë Kirpik.
“Si mund të bëhem ukrainas nëse tërë jetën time kam qenë shqiptar?” pyet ai. Por, nuk mendojnë të gjithë shqiptarët lokalë si ai. Kirpik ka qenë nun i Misha dhe Kira Syupyur.
Ata shikojnë televizionin në gjuhë ukrainase dhe mbajnë një fotografi të vogël të ish-kryeministres së Ukrainës, Yuliya Tymoshenko, në dhomën e tyre të ngrënies.
“Unë nuk dua të jem me Rusinë, dua të jem me Evropën”, thotë Kira Syupyur. “Njerëzit duhet të ndryshojnë, të përparojnë”.
Zhlyaskov ruan fjalët lidhur me atë që i dëshiron vendit të tij në të ardhmen, duke shprehur vetëm brengën e tij për faktin se kolegët e tij në akademinë e detarisë do të mund të mobilizoheshin në rast të përshkallëzimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Për sa i përket Popovit 19-vjeçar, kur e pyetëm se çfarë të ardhme dëshiron të ketë, ai u përgjigj me buzëqeshje: “Ndoshta do të shkoj në Shqipëri.”
“Fëmijët dhe nipërit e mbesat tona duhet ta dinë se nga kemi ardhur. Ata nuk dinë të shkruajnë në gjuhën shqipe. Do të ishte mrekulli nëse udhëtojnë atje dhe flasin me njerëz në shqip, e kësisoj edhe mësohen të shkruajnë shqip”, thotë historiani Sasha Dementli.