VETËGJYQËSI BALLKANIKE

NDUE DEDAJ

 

Drejtësia greke ka formuluar akuzën mbi fajësinë e gardianëve të burgut të Nigritas për vdekjen përmes torturës të shqiptarit të dënuar Ilia Kareli pa vënë mirë këmbën aty, teksa mbartej nga burgu i Malandrinos, ku ai kishte kryer një vrasje të paprecedentë, atë të një gardiani gjatë ushtrimit të detyrës, familjes së të cilit i përcjellim ngushëllime dhe prej këndej. Por disa pyetje që kanë të bëjnë me këtë proces zor se do të marrin ndonjëherë përgjigje, sado të përpiqen hetuesit, prokurorët, Avokatët e Popullit të të dy shteteve, të shkruajnë mediat andej dhe këndej kufirit grek, pasi ato e kapërcejnë cakun e kësaj kohe dhe të ligjit modern. Si ndodhi që shqiptari i dënuar arriti deri aty sa të vriste gardianin e tij, pa patur ndonjë konflikt vetjak me të, por ngaqë organet e vuajtjes së dënimit nuk e kishin lejuar atë të shihte nënën e sëmurë, dhe ai i rënduar psikologjikisht ishte hakmarrë duke bërë vetëgjyqësi ndaj një njeriu me uniformën e shtetit. Të tjerë të dënuar shqiptarë kishin thyer burgjet, kurse ky zgjodhi mënyrën e shpagimit të lashtë, siç kaherë kishte ndodhur në Ballkan, në vendin e tij të lindjes dhe në vendin fqinj ku e kishte çuar fati të ishte emigrant dhe vuajtës i një dënimi. Ja, kjo është gjëja e parë që nuk do të marrë përgjigje në procesin e hapur në shtetin fqinj për vrasjen e tij, jo se gjykatësit atje nuk e dinë se ai vinte nga vendi i një kanuni që e përmbante vetëgjyqësinë, porse kjo nuk i intereson gjyqit grek për diçka në pamje të parë të pabesueshme, që dhe vdekja e shqiptarit erdhi nga vetëgjyqësia… veçse kësaj here nga ajo shtetërore!? Shumë herë më e paprecedentë se vrasja e parë, e kryer nga rrogëtarë të një shteti anëtar i Bashkimit Europian, për më tepër në mënyrë të organizuar, në grupazh, si te Franc Kafka i viteve ’20 të shekullit të kaluar. Nëse vetëgjyqësia e kryer nga një njeri i dëshpëruar, me depresion, në qeli prej shumë vitesh, mund të shpjegohet (në paarsyen e vet) me revoltën e njeriut që e ka humbur lirinë dhe besimin se ajo mund të vijë një ditë, si mund të kuptohet në botën e qytetëruar, në atdheun e Homerit, që një i dënuar i cilësdo kombësi merret me makinën e shtetit, me gardianët e tij për t’u transportuar në një burg me siguri më të lartë (kinse për ta marrë në mbrojtje, që të mos i ndodhte gjë aty ku ai kishte kryer krimin e tij) dhe pikërisht në dorën e njerëzve të ligjit dhe “besën” e shtetit gjen vdekjen e papritur nga marrësit e tij në ruajtje? Gjëma ndodh si të ishte e orkestruar, me shpejtësi, me anë të torturës që nuk është një “institucion” i ligjshëm si në mesjtetë, një vetëgjyqësi e vërber, që kapërcen ligjin grek dhe çdo ligj të të drejtave të njeriut në Europë.

Ky është problem i madh, që asgjë nuk ka ndryshuar nga fillesa e shoqërisë njerëzore kur është fjala për vetëgjyqësinë, atë e bën si një qytetar i thjeshtë i pashpresë, që rastësisht i gjenden në duar mjete të forta, si një grup policësh që kanë gjithë ç’iu duhet për të mos e shkuar as ndërmend vetëgjyqësinë. Por jemi në Ballkan dhe gjerat nuk janë aq europiane sa duken. Kemi dëgjuar këngë të kënduara nga ushtarët grekë që do t’iu “pinin gjakun” shqiptarëve dhe mbase as notë proteste nga qeveria jonë nuk ka patur. Nuk kanë mjaftuar marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve dhe grekëve në këto njëzet e katër vite, kur njerëzit tanë gjetën në tokën helene punë, para e shpesh dhe bujari, që të mos ketë shfaqje nacionaliste etj. Nuk ka mjaftuar statusi i shtetit anëtar i BE-së që ushtarët e tij të mos vrasin në kufi shqiptarë, siç ka ndodhur para disa vitesh, apo që të mos ketë tortura në burgjet greke. Pas vdekjes së Ilias, dikush nga grekët që kishte qenë i dënuar në Nigrita, dëshmoi se aty të dënuarit torturoheshin. Organizata e njohur e të drejtave të njeriut Amnesty International vëren se në policinë greke ka zënë rrënjë prej kohësh kultura e mosndëshkimit, racizmit dhe dhunës, duke iu referuar dhe rastit të fundit të Karelit, “autopsia e të cilit zbuloi se ishte rrahur për vdekje në qeli në shputat e këmbëve dhe në gjoks dhe se kishte djegie në duar”, sipas deklaratës për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të kësaj organizate. Përndryshe tortura është quajtur si një shtet brenda shtetit në burgjet e Malandrinos, Nigritas, apo Trikallas. “Rasti i Ilia Karelit nuk është i vetmi që një i dënuar shqiptar vdes nga torturat në qelitë e burgjeve greke, ka plot raste të tjera që të dënuarit shqiptarë në Greqi janë dhunuar për vdekje dhe janë deklaruar sikur janë vetëvarur”, shprehet i denuari A. R. nga burgu ku vuan dënimin. Ndërsa një tjetër shqiptar i dënuar, në një burg të Kretës, rrëfen torturat që gardianët grekë ushtrojnë ndaj shqiptarëve: ata na torturojnë, diskriminojnë, madje dhe flamurin shqiptar që mbajmë në qeli na e pështyjnë dhe grisin”, thotë ai. Të duket se flitet për të tjera kohëra, për njerëz dhe ngjarje në kufijtë e legjendës, por jo, është rajoni ballkanik ku ti je banor përherë i trazuar nga rrokullimat politike, ndëretnike, antiligjore.

Në një kundrajë më të gjerë, Ballkani do kohë të shpëlahet nga krimi kundër njeriut në burgje. Ende nuk janë shuar plagët e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, dhuna e torturat e ushtruara në qeli e gjer asgjësimi në burgje i tyre. Dhuna ndaj shqiptarëve etnikë ka qenë e dukshme dhe në ngjarjet e Maqedonisë në vitin 2001 etj. Në vendet pa demokraci është vetëgjyqësia shtetërore që e bën ligjin herë pas here, dhe se jemi në shekullin XXI dhe formula politike e ditës është integrimi europian. Ndaj organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ia vlen të ndërmarrin një vëzhgim a inspektim të përgjithshëm në burgjet ballkanase, përtej rastit të fundit grek. Çfarë psikologjie kanë policitë e këtyre vendeve, çfarë trajnimi dhe vetëdijesimi të ligjit ka në një burg, kur 15 veta me uniformë bien në ujdi për t’i marrë shpirtin një njeriu të vetëm të pambrojtur? Dëshmitë e gardianëve të Nigritas në prokurorinë greke janë shokuese. Ajo që ka ndodhur nuk është një histori e errët mesjetare, kur korbat e zez të nxirrnin sytë në shkretëtirë, ty shtegtarit fatkeq që endeshe në dhera të tjerë, por një krim sh’njerëzor i ditëve të sotme ku merr pjesë një skuadër e tërë “pushkatimi” pa  gjyq. Kudreti/Ilia e humbi jetën në rrethana misterioze, në një zyrë shteti ku ishte në tavolinë Kushtetuta dhe Kodi Penal i një republike demokratike, parimet e së cilës kishin qenë shkruar që nga Platoni dhe që kishin qenë bash ato të drejtësisë.

Ndërsa analizojmë rastin e dhënë, mund thotë ndokush se ngjarje kësodore mund të ndodhin dhe në shtete të zhvilluara, njerëz me uniformë që për një çast pushtohen nga ndjesia e dhunës ekstreme ka dhe tjetërkund, “Guantenamo” nuk ështe vetëm greke etj. Krime të tilla monstruoze me rrobë shtetërore ndodhin vetëm në vende ku demokracia nuk ështe reale, ku nacionalizmi nuk është fashitur jo vetëm të gardianë të thjeshtë burgjesh, por as te deputetë të ndonjë partie si Agimi i Artë. Një shtet që sindromin e dhunës e ka ende në politikë, e ka të vështitirë që ta heqë torturën nga qelitë e burgjeve pa diell dhe pa kamera. Pa thënë se kriza ekonomike që e ka përshkuar Greqinë vitet e fundit e ka lënë gjurmën e vet dhe në rojat e burgjeve, komandot dhe komandantët e tyre. Sepse, merret me mend, që kjo nuk është një irritim gardianësh dhe aq.

Shteti shqiptar, dhe pse e ka të domosdoshme votën greke në qershor në Bruksel, lypet të sillet më të gjithë dinjitetin e nevojshëm ndaj rastit “Kareli”. Ballkani perëndimor vetëm kështu do të nisë të dalë nga e kaluara e vet jo pak tragjike…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *