RAMUSH HARADINAJ: MISION I PAMBARUAR!

1.

Në historinë e botës ka familje që kanë nxjerrë lider epokal, ushtarak epope, po askund nuk gjen një të tillë sui generis: dera, kulla Hilmi Haradinaj i ka dhanë kombit tre gjeneralë të luftës të veçantë të Kosovës. Dy prej tyre heronj të lirisë, gjeneral Luan Haradinaj (6 maj 1997), gjeneral-kolonel Shkëlzen Haradinaj (19 prill 1999). Si emrat e tyre edhe vet jeta, betejat e rënia heroike.

Tjetri vlla, gjeneral Ramush Haradinaj, një legjendë e gjallë. Përndryshe, edhe “Kalorës i Lirisë”,si e çmon denjësisht një titull nderi dhanë këto ditë pranvere nga UAKSH. Ishte komandant i ZO të Rrafshit të Dukagjinit. Kreu detyrën e nënkomandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Prej 29 prillit 2000 kalorës edhe i politikës: kryetar i partisë së re Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Prej 3 dhjetorit 2005, mbi tre muaj, edhe kryeministër i Kosovës.

Ky burrështetas panshqiptar, pas triumfalizmit ekselencial në Hagë, i nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, po pegason në vizione e aksione të Rilindjes Kombëtare Moderne Shqiptare si një maratonamak kombëtar politik shqiptar i dy shekujve të fundit.

2.

Deçani ka frymën e vet pellazgjike, si tokë etnike dardane në çdo kohë ka lind luftëtar e heronj yjetar në qiellin e historisë shqiptare të brezave.

Kësaj ane, kah magjistralja e sotme Pejë-Gjakovë, legjendat flasin se trokoi heroi Gjergj Elez Alia me fustanellë e me kalin e bardhë të betejave. Në Grykën e Deçanit thonë se kanë luftue kreshnikët Muja e Halili të ramun nga pellget natyrore të Plavë-Gucisë shekuj ma herët se serbët e Nemanjasë të ngrinin mbi tokën e shqiptarit Hasi Kuçi e me projekt të protomjeshtrit katolik Vita i Kotorrit, mbi themele të kishës katolike të Gashit të Xërxës, manastirin ortodoks të Deçanit që sot UNMIK-ohet me 23 ha sipërfaqe kishtare. Hyu-t pellazgjik, Deçanit, edhe mbretër të Serbisë mesjetare si Stefan Uroshi III deshën me e marrë emrin për mbiemër përvetësor, pasi e ndjenin veten të vogël pa këtë madhështi dardane në brigje të Lumabardhit e lartësi alpine të Gjerovicës.

Heroi i Popullit Sulejman Vokshi, rrënjas nga visi i Vokshit të Deçanit, ka luftuar edhe në Preshevë e në Mitrovicë, si kundër sllavëve edhe otomanëve. Heroi i Popullit Isa Boletini (Maksutaj) i Mitrovicës ka djeplindje të tij Isniqin e Deçanit, po shkoi krah Ismail Qemalit në Vlorën e Flamurit të Pavarësisë, derisa vritet nga hjekësia e pushka malazeze në urën e Ribnicës në Podgoricë. Heroi i Popullit Asim Vokshi, i trungut vokshian, u vra për Spanjën në luftë internacionale. Luftëtari gjoks lufte Demë Ali Pozhari i Deçanit mori pjesë në beteja për mbrojtjen e Sanxhakut Shqiptar në Tregun e Ri dhe në Plavë-Guci po i përndjekur nga serbët u detyrua të emigrojë deri në Turqi.

Rrallëkush e din se kah fundmarsi 1998, pas Drenicës së Adem Jasharit, forca policore e (para)militare të Serbisë e mësynë përflakshëm e përgjakshëm kullën historike të Haradinjave në Gllogjan të Deçanit, ku hasën në një qëndresë luftarake krahinore. Gjatë luftimeve ballëpërballë plagoset randë gjeneral Ramush Haradinaj e, në ato kushte të vështira lufte në Rrafshin e Dukagjinit, shpëtoi mirësisht vetëm nga mjekime me ilaçe tradite, si pshere djathi, etj. Tevona, prapë, për herë të dytë, merr plagë nga plumba të ushtarëve rusë. Sllavët e stepave e të shkrepave e kanë në thep si luftëtar kombëtar.

Ramush Haradinaj me plagë, pranga, hapa, vizione, pegason në luftë e paqe në historinë kombëtare e politike panshqiptare e më përnget si një Gjergj Elez Ali modern.

Në shek. XXI bota nuk ka askund tjetër si Ramush Haradinaj lider me plagë të luftës për liri e pavarësi që të jetë njëherash e kohëpaskohe: gjeneral lufte, lider i partisë parlamentare AAK, kryeministër përkohor i vendit të tij, të ketë shkuar në GjND në Hagë, të jetë me mision kariere politike të pambaruar, të hapur, për ardhmërinë e Kosovës, për bashkimin kombëtar.

3.

Ramush Haradinaj në 8 vite emigrant kryesisht në Zvicër kontribuoi në (i)legalitet me sakrifica në përgaditjet për Luftën e Kosovës, të Maqedonisë e të Preshevës, sëbashku me Ali Ahmetin, Hashim Thaçin, e gjithata të tjerë të diasporës shqiptare.

Ramush Haradinaj ishte nga ata strategë ushtarak që kur drejtonte e luftonte me UÇK-në në Rrafshin e Dukagjinit, në kohë “Betejën e Koshares”- në këtë “Termopile Shqiptare”, i kontribuoi thyerjes më 9 prill 1999, pas një gjysëm shekulli, të kufinit shqiptaro-shqiptar në mes Shqipërisë e Kosovës.

Ramush Haradinaj me 8 vite qëndrestari e apologji në GjN në Hagë, pas dy burgosjeve e gjyqeve të gjata, me lirinë e pafajësinë e tij, u kthye në një tjetër fakt/or (ndër)kombëtar të çertifikimit të luftës të UÇK-së në Kosovë.

Ramush Haradinaj ka plot një çerek shekulli veprimtari kombëtare politike kontributore meritore në Zvicër e Hagë, në Deçan e Prishtinë, në çdo vis të Kosovës, si edhe në gjithato vise të trojeve etnike shqiptare në Ballkan, në disa diaspora shqiptare në botë, saqë është kthye, si e portretizon saktë edhe ish-deputeti e presidenti i UAKSH, Azgan Haklaj, në një “De Gol Shqiptar”.

4.

Ramush Haradinaj, tri herë gjeneral: në luftë, në Hagë, në politikë; është një politikan i formatit të madh (ndër)kombëtar.

Kur ishte kryeministër me mandat të papërfunduar, kur shkoi në Hagë herën e parë dhe herën e dytë, kur u kthye në Kosovë, ka marrë gjithato vlerësime ndërkombëtare si nga ish ministra të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madlen Ollbrajt, i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Robin Kuk etj. Disa herë edhe ish senatori e tani Zëvendës President i ShBA, Joe Biden ka mbajt qëndrime të drejta për mirë ndaj Ramush Haradinaj, edhe kur u thirr në Hagë qyshse herën e parë, edhe kur u lirua i pafajshëm në bankën e nga dyert e saj.

Një grup kryengritësish revolucionarë i “Aleanca Forca Demokratike” në Uganda e ka lyp “gjeneralin e politikës” Ramush Haradinaj në shkurt 2009 që të jetë ndërmjetës në bisedime ndërmjet tyre e Qeverisë Ugandase në Kampala.

Gjithato qytete në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, etj. e kanë shpallë “Qytetar Nderi” të tyre si Kruja e Skënderbeut, Vlora e Ismail Qemalit, Tropoja e Sali Berishës, etj.

Ramush Haradinaj në qënien e tij, në vetëdijen e udhën e tij, ka një lumë “Lumabardh” e një mal “Gjerovicë”. Askush nuk mund ta ndalin të jetë një “lumabardh” i kohës, ashtu sikurse e vështirë ta pengojnë të bahet një “gjerovicë” apo një nga “gjerovicat” e Kosovës e të Kombit Shqiptar.

5.

Ramush Haradinaj, i deçanas, kryetar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe qytetar i lagjes “Arbëria” në Prishtinë, është nga ato personalitete kombëtare, nga ta burrështetas shqiptar, që qëndron vargni e lartësi tek germa “A” e Lirisë e Pavarësisë, zhvillimit e progresit të Kosovës së sotme.

Lideri historik e biblik Ramush Haradinaj ka një mision të pambaruar: Vetëm 96 ditë ndejti kryeministër i Kosovës. Nuk e plotësoi as 100-ditëshin e parë të qeverisjes, “100 ditëshin Ruzveltian” të përcaktuar sipas presidentit amerikan Franklin D. Ruzvletit (Ruzvelti i LDB). Nuk ia mbrrini me e ba bilancin e mirë të punëve të tij si kryeministër. Nuk pati kohë e mundësi të na e baj publike ai vetë, sepse shkoi vullnetarisht në Hagë, në një mision tjetër për Kosovën e Kombin.

Ramush Haradinaj është një nga emblemat kombëtare, politike, ushtarake e shoqërore të Kosovës që në rrugëtimin e tij bashkëkohor burimon energji e vitalitet, prodhon ide, udhëheq veprime, ka plot vizione për të shkrue Alfabetin e tij politik deri tek germa “Zh”.

Ramush Haradinaj i pandalur nga plumbat e luftës me Sllavët e Jugut, i papenguar nga prangat e GJN në Hagë, ka asish e kësish që duan ta rrethatojnë tek germa “Z” në pamundësi reale e imagjinare për ta ndalë krejt, qoftë edhe në hapin e parafundit, para finales politike horizont hapur.

Kjo simbolika politike “Z” në historinë moderne shqiptare është “Zona Asnjanëse e Junikut”, e krijuar juridikisht me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Paris në nëntor 1921 si zonë ndarëse mes Shqipërisë Londineze e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (MSKS). Kjo “Z.A.J” (që përfshinte 18 fshatra të Junikut, Deçanit, etj. në mes të cilëve edhe Gllogjani i Ramush Haradinajt). Kjo qëndroi si e tillë nën mbikqyrjen e Këshillit të Lidhjes së Kombeve deri në caktimin përfundimtar të kufirit në mes këtyre dy shteteve nga delegatë komisionierë të Anglisë, Francës, Italisë e Japonisë. Zona Asnjanëse e Junikut” ishte vis e vatër e mbi 2.000 atdhetarëve shqiptarë me prijës Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Azem Galicën e të tjerë që kërkonin bashkimin kombëtar shqiptar, por në janar 1923, edhe nga diplomacia e Fuqive të Mëdha pushoi së ekzistuari e u aneksua nga Serbia.

A thue kësisoj, këso forme, po iu lypset Prishtinës zyrtare a ndokujt tjetër me e kantonue në një oaz politik në “Zonën Junik-Deçan” edhe gjeneralin e luftës e të paqes, të kombit e politikës, Ramush Haradinaj?! Iu duket kundërshtarëve se ia mbrrinë kësaj “fitoreje” ndaj tij në zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, ku u “rrudh” në vetëm dy komuna: Deçan e Junik, e me vende për këshilltarë të AAK në disa komuna të tjera. Mirëpo kjo i avitet “Fitores së Pirros”.

Ramush Haradinaj i ka thye disa herë kufijtë: e “theu” kufinin e Serbisë e shkoi në Zvicër (1990); e theu kufinin mes Shqipërisë e Kosovës në Koshare (9 prill 1999); e “theu”kufinin prangor të Hagës me pafajësinë e tij, e theu kufinin…me Preshevën, me Maqedoninë edhe përtej Marrëveshjes së Ohrit. Po e “thyen” kufirin me Malin e Zi në mënyrë institucionale shtetërore me hapjen e rrugës së munguar Deçan-Plavë. Në zgjedhjet e sivjetme Parlamentare në Kosovë Ramush Haradinaj me partinë e tij, me aleancat e tij, ka me e thye këtë kufi politik “Z” të përkohshëm të “Lokaleve, 2013”, si dikur në marsin 1998 të Gllogjanit, në pranverën 1999 të Deçanit, në dimrin e 3 dhjetorit 2005 të Prishtinës, në nëntorin 2012 të Hagës, e ka me mbrri deri tek germa Zh”…

“Lumabardhi”Ramush Haradinaj, apostull biblik i Kosovës e Kombit qyshse në Zvicër, Ante në rritje me plagët e luftës në trup, kreshniku “Gjergj Elez Alia” i kohës moderne, “Prometheu” i Hagës, “De Goli Shqiptar”, gjenerali i luftës e i paqes, i ka vargit “Gjerovicat” e veta. E pret Kosova në piedestale të reja, sepse ky njeri epope e epokal, i lartësive e vazhdimësive, tashma është kthye në Simbol, është Institucion më vete, ka emrin e mbiemrin e tij: “Ramush Haradinaj i Deçanit, i Kosovës, i Kombit”.

 

Ramiz LUSHAJ

Drejtor Ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike,

Tiranë

Foto1 Mbremje festive nga Fondacioni Plave-Guci ne New York SHBA per lirim e Ramush Haradinaj. Dhjetor 2012.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *