Ne foto Dritero Agolli
NDUE DEDAJ
Dritëroi flet herë pas here për njerëzit e këtij vendi, ngjarjet bashkëkohore dhe zhvillimet politike, i këshillon e qorton politikanët, të majtë e të djathtë, është nga ata burra që siç thotë populli nuk u bie fjala në tokë. Në të vërtetë ai është një patriark që nuk mplaket kurrë, me pamje profeti. Tregimtari i sagave mirditase, Bardhok Pulaj, teksa ecim rrugës së re të Burrelit (nga Uraka) kujtohet për një dokumentar të hershëm, ku gazetari i ri Dritëro Agolli, në minierën e Kurbneshit në vitet ’60, shihet për pak çaste “udhëtar” në krah të makinistit në elektrovozin (trenin e vogël) që shpiente mineralin e bakrit nga gryka e galerisë kryesore në fabrikën e pasurimit. Atëherë ajo ishte nga minierat më të mëdha të vendit dhe një kujtim i tillë ka dhe nostalgji. “Nga ura e Fanit në Gurin e Gjonit” është njëri nga reportazhet e Agollit i vitit 1964. Është po ashtu nga publicitika e tij e atyre viteve dhe një përshkrim brilant për gruan mirditore, jeta e së cilës shkruan ai ka qenë në kufijtë e legjendës, “me djepin e saj shekullor në shpinë”, “se mos vetëm djepin ka mbajtur shpina e saj?”, “të duket sikur gjithë malet kanë qenë mbi atë shpinë”. Është kthyer shkrimtari dhe në vitet e mëvonshme mes njerëzve fisnikë të Selitës, ja me Bardhokun, me Ndre Legisin e të tjerë, kur miniera tashmë po shuhej, por po bënte përpara e mbrapa politika, ka pirë ndonjë gotë raki a birrë me ta, ka qerasur fëmijët me karamele, ka folur për politikën pluraliste, ka recituar Fishtën e Bërnsin, shkurt, asnjëherë nuk ka harruar të bëjë zakonin e tij prej poeti të lindur. Kush e ka ndjekur poezinë e tij prej kohësh, kujton motivet nga Munella “ku rënkon një sharrë e një qysqy”, pasi ai ishte poeti i “shtigje malesh dhe trotuare”. Ishte koha kur udhëtimet prej gazetari i falnin Agollit lirika të ndjera pa fund. “Është e pabesueshme, por unë, kur isha gazetar, më shumë shkoja në veri, sesa në jug”, thotë ai në një intervistë për mirditorët.
Them se nuk është pa vend të rrëfej me dy fjalë se si kryetari Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e ka pritur gjithë mirësi autorin e këtyre radhëve në Tiranë, në studion e tij, në vitin e largët 1978, ku kisha shkuar për t’i kërkuar ndihmë për të drejtën e studimit për letërsi, siç asokohe ngjiste jo rrallë me letrarët e rinj, që kishin një pengesë a një tjetër për shkollimin e tyre. “Ç’ka ajo partia e Mirditës me ty?” ishte shprehja befasuese e dalë nga goja e Dritëroit, mes tymit të cigares, si nga një realitet tjetër, ku ai që fliste nuk mbante përgjegjësi për atë që thoshte; dhe pse unë, merret me mend, s’kisha shkuar t’i ankohesha atij për partinë, por ai nën rreshta e kishte kapur se nyja ishte lidhur aty. Mundej që atë çast ai të ketë thënë me vete, po ç’kanë ata të Mirditës kështu, a nuk ndërhyra deri lart që të rehabilitohej poeti Gjok Beci, pas disa vitesh që e kishin çuar për riedukim punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit, që të shkruante këngë për Festivalin e Gjirokastrës? Histori të tilla me Dritëroin kanë jo pak shkrimtarë dhe letrarë të rinj të asaj kohe dhe sot ato nuk rrëfehen për t’i bërë ndonjë nder atij, por për të vënë në dukje se gjithnjë ka patur personalitete të kulturës e shkencës me renomë kombëtare, para të cilëve politika, sado e ashpër të ketë qenë, është menduar, prej fjalës së tyre ka bërë ndonjëherë dhe mbrapsht nga qendrimet politike tepruese, gjithsesi diçka e mirë nga kjo ka mundur të ngjasë.
Dritëroi ka bërë letërsinë e tij të qendrueshme përtej çdo kohe, lirikën shqiptare të njeriut dhe tokës, me simbolikën e baltës së Devollit, poemën naltuese të baballarëve, portrete njerëzish të krisur dhe komisarësh të Luftës, ka pikturuar me ngjyra groteske tejet origjinale “shokun Zylo”, në shkëlqimin dhe mjerimin e tij, dhe kjo letërsi asgjë tjetër nuk kërkon, veçse të lexohet nga të rinjtë e shkollave. Agolli ka shkruar dhe romanin “Trëndafili në gotë”, botuar me 1980 dhe ribotuar pas afro njëzet vitesh pa ndryshuar asgjë. E kam lexuar atëherë, madje si studentë e kemi bërë seminar special në Fakultetin e Letërsisë, Shkodër, e kam lexuar dhe pas 90-ës, ua kam rekomanduar miqve dhe pres ta rilexoj prapë një ditë. Jam habitur atë kohë si romani pati kaluar pa jehonën e veprave të tjera të Dritëroit dhe jam ndjerë mirë kur Mustafa Nano para pak vitesh ka shkruar për këtë roman si për një xhevahir të letërsisë sonë. Tash e di pse ky libër atëherë nuk është vlerësuar si një roman i “fortë”, nga ata që kritika nganjëherë i kthente në “best-seller” të soc-realizmit, pikërisht ngaqë nuk ishte i atillë, madje tingëllonte një vepër jashtë atij konteksti. Minai, protagonisti i romanit, është një shkrimtar që shkon në sharrat e Pukës me leje krijuese, njeh tipa dhe karaktere sharrëtarësh që nuk janë nga ata “heronjtë pozitivë”, si në disa filma të asaj kohe, shpesh sipas modeleve sovjetike, por personazhe disi të “krisur”. Vetë shkrimtari, hero i romanit, nuk ishte një zhdanovist, por njeriu i lirë dhe pa komplekse që Agolli kishte në kokë, si një alter ego i tij krijues.
Nuk është ky një shkrim që mund të bëjë analizën e një romani lirik si “Trëndafili në gotë”, këto pasazhe janë veçse një kujtesë për autorin, romanin dhe ata njerëz mes të cilëve ai rroi si gazetar, e “për të cilët rroi”, do të shtonte poeti Spiro Dede. Është e trishtueshme sot të shkosh aty ku u mbruajt ky roman i bukur, pasi nuk është më as bjeshka me ahe e pisha, as njerëzit e saj të punës, as lirizmi që një poet e zbulon dhe në një fije bari, por një braktisje e pamëshirshme ka ndodhur. “Gri” është një metaforë agolliane, nga më të spikaturat e poezisë së tij të vonë, ndaj është e kuptueshme të kesh nostalgji për atë që ishte dhe u zhbë. Nostalgjia është për njeriun e jo për kantieret e pankartat me grushtet lart dhe Dritëro Agolli është një këngëtar i madh i shpirtit njerëzor. Ai është një “pelegrin” i letërsisë shqipe, poezisë me motive të pavdekshme universale, deradiane, serembiane, naimjane, mjediane, fishtiane, lasgushiane etj. Nuk është e rastit që Agolli është nga të rrallët poetë sot që i huajtën poezitë nga librat dhe përcillen nga njëri lexues te tjetri, përmes Facebook-ut etj., apo afishohen në mure zyrash, si thëniet e urta të Nënë Terezës, Ismail Kadaresë etj.
Prozatori mirditor me të cilën e nisëm shkrimin, Bardhok Pulaj, i vlerësuar nga Agolli për njërin nga librat e tij, ka botuar dhe një tregim me titullin “Kolla”, kushtuar minitorëve të Kurbneshit (Selitës), vendlindjes së tij. Ata e kishin kollën pëshqesh nga lagështira e nëntokës, por kjo ishte më e pakta, pasi vdekja e tyre e paralajmëruar ishte fshehur te silikoza, përndryshe sëmundja e mushkërive nga pluhurat e silicit, në frontet e minierës. Por për atë, ashtu si për gjithë gjeneratën letrare pararendëse, Dritëro Agollin, Dhimitër Xhuvanin, Zija Çelën e të tjerë, që kanë shkruar për dramat dhe kumtet e punëtorisë shqiptare, ashtu si dhe për Emil Zolanë e “Zherminal-it”, miniera e vërtetë nuk kanë qenë galeritë dhe puset e nëntokës, por njeriu. “Miniera e bën njeriun minierë”, na vjen ndërmend një reportazh yni i atyre viteve, në kuptimin që miniera e pasuronte njeriun me virtytin e punës, pse jo dhe heroizmit (konteksti i kohës), ku sot mund të shtohet se e “pasuronte” dhe me mundimet prej Krishti. Njeriu i punës që e kryqëzoi ajo kohë dhe që e “vrau” kjo kohë. Le të mërzitet mbase politika nga këto rreshta të fundit, duke nxituar të rrështojë fitoret e demokracisë, që natyrisht i dimë dhe i çmojmë fort, por kjo nuk e bën të paqenë realitetin e përmbysur të maleve tona në këto 20 e ca vite. Derisa një ditë, falë politikave moderne të zhvillimit, ato të rilindin përmes veprash si Rruga e Kombit, që Dritëroi e pati bekuar në kohën që ndërtohej, duke thënë se pas njëzet vitesh do të harrohej përfolja e saj dhe do të shihej vetëm vlera që rruga kishte për shqiptarët dhe zhvillimin rajonal ballkanik. Nuk thonë më kot se poetët janë si profetët, Agolli kur bënte “apologjinë” e asaj rruge, duhej t’i kishte paraparë nismat, projektet, apo mbledhjet e përbashkëta mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ku e para mbledhje u mbajt në Prizren.
Dritëroi është aty, në shtëpinë e tij, i vizituar nga gazetarët e më pak nga politikanët, si gjithnjë besnik i fjalës së lirë, “tështimë” e lirisë. Ai ka në stilin e tij ligjërues dhe humorin, po ku t’i gjesh sot batudat e Agollit, kur parlamenti shpesh përfshihet nga një gjuhë e shthurur sa të vjen ndot. Edhe për këtë shkrimtari deputet ishte një model për t’u ndjekur, madje deputetëve të tillë nuk iu mbaron kurrë mandati, fisnikëria e fjalës veçsa shtohet me vitet e thinjat…