e respektoja si zotni atë deli burrë që quhej Theofan…”
Nga ROZI THEOHARI, Boston
Në kishën shqiptare të Shën Mërisë në Worcester, MASS
predikon prifti i nderuar me origjine dardhare, Spiro Paze.
Zoti Spiro është shqiptari i fundit në Amerikë i dorëzuar prift
nga peshkopi Fan Noli, në vitin 1962. Spiroja më tregonte
mbresat nga ajo e diel e paharruar plot emocion, gëzim, por
dhe krenari, kur po kurorëzohej nga duart e bekuara dhe
zëri lumturues i të përndriturit imzot Nolit.
“Gjatë veprimtarisë sime si prift, – thotë zoti Spiro, – jam
përpjekur të predikoj e të kryej shërbesën kishtare sipas
mësimeve dhe shëmbëllesës së të paharruarit tonë imzot
Nolit.” Ai kujton e tregon me humor kur At Noli dorëzonte
priftërinj të rinj shqiptarë që nuk e kishin arsimin e nevojshëm.
I përndritshmi Noli i mësonte: “I këndoni lutjet ashtu si dini,
shqip, po pastaj lart i rregullon perëndia.” Peshkopi Noli i
zgjidhte priftërinjtë e rinj ndër njerëzit e ndershëm e patriotë.
Në rolin e mësuesit ai u jepte mësimet e nevojshme teorike
dhe si predikues, si të zhvillonin meshën e të lexonin liturgjinë.
Zoti Spiro tregon se ishte 35 vjeç kur u dorëzua prift, në
vitin 1962. Ai përfundoi shkollën një -vjeçare të teologjisë dhe
Fan Noli i propozoi të bëhej prift, mbasi nevojitej një i tillë në
kishën shqiptare ortodokse të Filadelfias.
“Para se të vinte dita e shugurimit, bëra përgatitjen e
duhur, – thotë zoti Paze. – Ditën praktikoja shërbesën kishtare
me dy priftërinj shqiptarë, Harallamb Dode dhe at Sotir
Dillogjika, kurse natën takohesha me Fan Nolin në
apartamentin e tij në Boston, për të studiuar më thellë
shërbesën kishtare.
“Çfarë të bëri përshtypje, – e pyes, – në vizitën e parë tek
Fan Noli?
“Librat… një dynja me libra që të zinin frymën…, një
piano, fletore me nota muzikore…, përsëri libra… Dhe, e dyta,
s’më harrohet humori i imzot Fan Nolit. Unë jam rritur në
Amerikë dhe gjuhën shqipe nuk para e dija mirë. Fan Noli u
llahtaris kur më dëgjoi në fillim, “Ti llafosesh shqip si një çoban,
o Spiro!”, – më tha.
Kaluan shumë net kur Noli, si një mësues i mirë i
shpjegonte Spiros me durim historinë e gjeografinë e
Shqipërisë, i diktonte rregullat e gramatikës shqipe, i jepte
për të lexuar librat e shkruar ose të përkthyer nga ai vetë, i
tregonte përralla shqiptare deri tek aventurat e Nastradin
Hoxhës. Po ashtu i tregonte ngjarje të jetuara kur Noli ishte
në Shqipëri.
Arriti dita e fundit e vizitës tek apartamenti i Nolit. Ishte
e shtunë në darkë. “Tek i ngjitja shkallët e shtëpisë së Nolit, –
kujton Spiroja, – më dridheshin këmbët. Apo, nga që vija i
dobët nga shëndeti, i uruari, ma kishte ngjitur dhe nofkën
“Cirimingo” e qeshte me lot sa herë më emërtonte me këtë
fjalë.”
Por atë natë Noli i madh ishte serioz, nuk bëri shakara
me dardharin trup-imët. U takuan si burri me burrin dhe
Spiroja bëri “konfeshën”—rrëfimin para peshkopit.
“Gjatë rrëfimit Noli i madh më dha një këshillë: “ Dëgjo, Spiro, kur
nga disa besimtarë nuk do të dëgjosh fjalë të mira, gëlltiti!…
Kur të të shajnë…, gëlltiti!… Mos lufto me njerëzit dhe
“continue working”—vazhdo punën tënde.”
Sigurisht, atë të shtunë mbrëma Spiroja nuk fjeti mirë dhe
kur erdhi e diela në mëngjes, ai e ndiente trupin e trurin të
ngrirë. Por emocionet e tij u shkrinë sapo peshkop Noli hapi
ceremoninë. Kisha ishte mbushur plot e përplot me shqiptarë
e amerikanë dhe Spiroja dalloi të ulur në rreshtin e parë Anton
Athanasin dhe zonjën e tij, Esterin.
Pas dorëzimit prift e pasi u përshëndet me të gjithë
besimtarët, në shoqërinë e Fan Nolit, dy priftërinjve të
sipërpërmendur dhe Anton Athanasit me Esterin, zoti Spiro
shtroi një drekë në restorantin e dëgjuar “Pier 4”. “Por Fan
Noli hëngri vetëm zarzavate, – shton Spiroja, – e mua më dukej
sikur gjithë shpenzimet shkuan kot. Sepse e doja si baba dhe
e respektoja si zotni atë deli burrë që quhej Theofan.”