SHQIPËRIA E MADHE

NDUE DEDAJ

 

Përherë e më shumë po i rrokim të plota përmasat e Shqipërisë natyrore, me sy, me veshë, me zemër, pasi përditë zbulojmë anë të panjohura të saj. Tash pa ndonjë vështirësi kushedi mund të shkelim në të gjithë hapësirën gjeografike etnike shqiptare. Por të kapërthyer në ngërçin e përditshmërisë, zvetnimit moral, zhaurimës politikës, dhunës verbale në Parlament e herë-herë dhe asaj të tritolit, sikur nuk e përcjellim me gjithë vëmendjen e duhur këtë ngjarje, që nuk ka ndodhur në një ditë, por me zhvillimet politike të mbas Luftës së Ftohtë. E kishim të ndaluar Shqipërinë e madhe për njëqind e tridhjetë vjet dhe tash që e kemi të mundur për ta kundruar skaj më skaj, nuk vemi sa duhet kudo ku ajo është. A thua ngaqë jemi bërë modernë e malet tash na duken “arkaike”? Sidoqoftë, e mira ka ndodhur, Radika nuk është vetëm një problem i shqiptarëve në shtetin maqedonas, siç mund të ishte vite më parë, po dhe problem shqiptar e i shqiptarëve këndej. Nëse flet sot për këtë lumë në Tiranë nuk do të thotë se ke ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit fqinj. As nëse flet për historinë e shqiptarëve të Ulqinit, nëse jep një koncert të përbashkët me artistët e Tuzit, por dhe nëse si qeveri jep ca lekë për një shtëpi lindje në Preshevë. Kjo sot është e mundur e nesër do të jetë dhe më shumë. Është fjala Shqipërinë pa kornizë. Gazetari i Televizionit Shqiptar, Ilir Buçpapaj, para një viti e gjysmë realizon një dokumentar mjaft të vlefshëm për Plavën e Gucinë, duke u ngjitur deri në majën e Jezercës. Për një orë shikuesi njihet me shumëçka të një treve shqiptare etnike, si të kishte shkelur vetë në ato vise të parrokura me parë nga kamerat e televizioneve të Tiranës. Por një i vuthjan, i Gjonbalaj, që kishte dalë në Alpet shqiptare bashkë me të afërmit e tij, përfshi dhe fëmijët, u shpreh se ato vende vizitohen më shmë nga të huajt sesa nga vendasit dhe kjo është e trishtueshme. Ne ende nuk i kemi çelur udhët për tek ajo që është e jona shpirtërisht, historikisht, kulturalisht, ani se jo gjithkund dhe territorialisht. Të jetë tranzicioni, hutia e dalldia tij, apo kështu indiferentë kemi qenë dhe më parë ndaj viseve tona? Studiuesi i njohur korçar Stavri Frashëri, që në vitin 1930 shoqëronte nëpër Shqipërinë e Veriut një antropolog amerikan, në një nga veprat e tij të asaj kohe na qorton vendçe: “Shqiptarë jemi e Shqipërinë nuk e njohim.” Janë të pakët ata që përpiqen ta kryejnë këtë njohje për vete dhe për ne. Monika Stafa, përmes kameras së Top Channel-it, na ka marrë “përdore” nëpër vendet historike të harruara të Ulqinit, duke na i rrëfyer një e nga një monumentet e qytetërimit ilir të Shasit, fshehur nga sllavët deri në kohët e vona, kur rajoni ynë pësoi ndryshime të thella politike, apo Ilir Ikonomi na ka çuar nëpër gjurmët e të parëve të Faik Konicës, matanë kufirit me Greqinë. Pa ndonjë tharm nacionalist gazetarë të tillë të përvutë kanë sjellë dëshmi autentike të Shqipërisë historike nga mbarë trojet etnike. Ashtu si televizioni 21 i Kosovës na shëtit përmes telereportazheve të tij nëpër bjeshkët e Tetovës, mes barinjve e blegtorëve, bukurive të pashoqe të bjeshkëve amë. Nuk është më një ekzotikë kreshnikësh, me orë e zana, por ajo Shqipëria pa kornizë që lypet ta njohin jo vetëm ekspertët e gjeografisë, pyjeve, mineraleve, ujërave, ekologjisë, mjedisit, turizmit, por në radhë të parë nxënësit dhe studentët, që duhet ta mësojnë visarin shqiptar pa u frikur se ajo copë Shqipëri andej është e huaj. Kjo që themi nuk prish as nuk vendos kufinj. Koha e kufinjve klasikë ka kaluar. Vendet tona bjeshkëtare nuk i kanë liqenet, lumenjtë, burimet ujore, rudinat më të pabukura se Zvicra, por këtyre u ka munguar zhvillimi urbanistik e turistik. Ndaj lajmi nuk është dhe aq se u mblodhën dy qeveri shqiptare në Prizren, njëqind vjet pas 1913-s, por se ato folën e venduan dhe për një status tjetër ekonomik të këtyre rajoneve shqiptare. Ndryshimi mund të nisë nga gjera në dukje të vogla: vendosja në librat shkollorë e ca toponimeve shqipe (padrejtësisht të sllavizuara), ca udhëtime më shumë nga studentët e profesorët, ca guida e bujtina për turistët, pastaj projektet e mëdha të zhvillimit rajonal, jo për t’iu bërë nder atyre vendeve të epërme, por për të përmbushur detyrimin shqiptar ndaj asaj çka është shqiptare. Dëgjojmë prej njëzet vitesh të flitet për strategji zhvillimi të zonave malore e strategji nuk ka, vetëm projekte të pjesshme. Apo në ligjërimin e tranzicionit strategjitë janë fjalë pa fund e pa peshë dhe jo realizime të prekshme për komunitetin e banorëve. Në Plavë e Guci, ashtu si në Theth e Rugovë duhet shkuar përmes rrugësh bjeshkëtare në standarde, e jo veç duke kënduar “Lahutën e Malcis” se si kemi qenë trima. Ne duam të ndihmojmë Preshevën shqiptare, nën shtetësinë serbe, por atje nuk vemi dot lehtësisht, qoftë dhe për një darkë a dasmë te të afërmit, ndërkohë që nuk ka asnjë vështirësi për të shkuar në vende e popuj të tjerë të Europës, Azisë, Afrikës. Përndryshe integrimi europian do të ishte një formalitet burokratik me fjalë të mëdha. Logjike është që së pari të hysh e dalësh lirisht te vëllau yt, apo fqinji, jo jetëm si vizitor kështjellash a për plazh gjatë verës, por i përfshirë në tregjet, sipërmarrjet, natyrisht dhe në institucionet europiane, në Bruksel, Vjenë, Strasburg etj. Shqiptarët e duan me një vokacion të veçantë Ulqinin, por kanë mjaft joshje për të shkuar si turistë dhe në Budva etj.

Studiuesit shqiptarë nga Tirana, Prishtina etj. u mblodhën në Plavë në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe kumtuan për historinë, gjeografinë, folklorin, etnologjinë, pa cenuar askënd nga fqinjët, thjeshtë treguan se ç’kishte qenë Kelmendi, atëherë kur shqiptarët ishin një dhe mes tyre nuk kishte kufi. Por do të kishim dashur që atje të mblidhej dhe ndonjë forum ekonomik, pasi problemi është e sotmja. Njerëzit e asaj malësie në zë kanë dalë me kohë në Amerikë etj., por dhe malësitë këndej të njëjtin fat kanë patur, braktisjen masive të trojeve e bashtinave, si Vuthajt matanë kufirit, si Valbona e Thethi këndej, një bukuri që vret, një bukuri pa njerëz, një bukuri që thërret për ta shpëtuar e që pak e dëgjojmë. Fjalët e thjeshta të malësorëve janë nganjëherë më prekëse dhe programatike se vetë forumet në salla mondane qeveritare e ndërqeveritare. “Kur vijnë për pushime nipat tanë, që kanë emigruar me familjet, më shumë flasin në gjuhë të huaj se në shqip, ndaj kam frikë se kur të mos jemi ne të vjetrit dhe prindërit e tyre, ata do ta harrojnë këtë vend dhe nuk do të vijnë më këtu”, thotë njëri prej tyre. Kjo është drama kombëtare e sotme dhe në gjykimin tim kjo është Shqipëria e madhe që nuk duhet të shuhet në vlerat e saj njerëzore e etnokulturore, dhe përtej kufijve të saj natyrorë, në disporë e emigracion, kudo ku rrojnë shqiptarët, të cilët bash për të ndalur këtë bjerrje organizojnë festivale popullore në Malt të Zi e Maqedoni, në Angli etj. Për diçka të tillë do të përpiqej me armët e kulturës e integrimit çdo shtet e komb europian për të vetët dhe jo vetëm. Ka një mënyrë që kjo zhbimje të mos ndodhë, që t’i zhvillojmë këto vende dhe pasardhësit tanë të mos lakmojnë vetëm alpet e Europës, por dhe ato të origjinës, si dhe Lurën, Voskopojën etj. Prej tre vitesh zhvillohet projekti “Majat e Ballkanit”, ku njerëz të pasionuar pas turizmit malor kalojnë shtigjeve nëpër bukuritë alpine shqiptare, dhe pse ato janë në tre shtete. Duhen vetëm pak orë në këmbë për të kaluar nga Peja në Vuthaj e nga Vuthajt në Theth. Ministria e Turizmit e Shqipërisë, që merret dhe me zhvillimin urban, si dhe ato të Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë të linjës, mund t’i bëjnë këto territore të “Shqipërisë së madhe” të jetueshme për banorët dhe të kërkuara nga vizitorët, me infrastrukturë bashkëkohore, turizëm të zhvilluar etj., në kuadrin e një zhvillimi ballkanik, në partneritet me shtete të tjera të rajonit etj. Pritet që së afërmi kreu i qeverisë shqiptare të shkojë për vizitë në Beograd. Në fakt nuk duhej që kjo të ndodhte kaq vonë, pas afro 70 vitesh që një tjetër kryeministër shqiptar kishte qenë atje. Apo më mirë vonë se kurrë? Merret me mend se thelbi i vizitës do të jetë bashkëpunimi midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë. Rajoni ballkanik, më vështirësi, por po shkon drejt europeizmit, përmes një politike ndryshe nga ajo e shkuar me konflikte të shumta shekullore. Ndaj dhe “Shqipëria e madhe” do të ishte një konvencion i ri në botën moderne, sot përherë e më shumë flitet për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë e Kosovës e nesër dhe me të tjerët. Por ia vlen të veprohet dhe në rrafshin kulturor, që librat shqip të lëvizin pa kurrëfarë pengimi nga Tirana në Manastir, nga Shkodra në Shkup, nga Saranda në Mitrovicë, nga Elbasani në Preshevë, nga Tetova në Tuz dhe jo vetëm mes shqiptarësh. Diplomacia ekonomike dhe diplomacia kulturore janë ato që vendosin disa kufij të paparagjykueshëm, as nga Kongresi i Berlinit, as Konferenca e Ambadorëve…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *