Çdo 27 janar Shqipëria përkujton Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holocaust-it. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë caktoi vite më parë këtë datë si “Dita e Kujtesës”, në përgjigje të vendimit të OKB-së, që në janar të 2005-ës. Kjo datë i jep përgjigjen më të merituar ndonjë lideri të çmendur në botë, ku marrëzia apo racizmi e çonte deri në mohimin e Holocaust-it dhe të drejtën e popullit hebre për të patur shtetin e vet. Liderë të tillë, në shumë raste kanë artikuluar hapur dhe drejtpërdrejt thirrje antisemite, pikëpamje thellësisht raciste, duke mohuar Holocaust-in dhe hedhur poshtë të drejtën e Shtetit të Izraelit për të ekzistuar, me formulën e njohur anti-semite: Një botë pa Izraelin në hartë.
Ndoshta një prej momenteve më prekëse në jetën time ka qenë vizita e parë në Tokën e Shenjtë, diku në qershor të 2007-ës (pak më shumë se një muaj para se të merrja detyrën e ambasadorit atje), kur vizitova Muzeun Yad Vashem në Jerusalem dhe aty pashë me sytë e mi, lexova i pikëlluar emrat e miliona hebrenjve të vrarë gjatë Holocaust-it por, në veçanti, emrat e 1.5 milionë fëmijëve viktima të atij krimi.
Këto janë fakte tronditëse, që ekzistojnë objektivisht dhe nuk janë opinione, as në formën e gjykimit, as në formën e pëlqimit prej dikujt. Lidhja midis popullit hebre dhe tokës së Izraelit daton për më shumë se 3500 vjet. Judea dhe Samaria janë vende ku kanë jetuar Abrahami, Isaku, Jozefi, Jakobi, Davidi, Solomoni etj. Për rreth 2000 vjet hebrenjtë u masakruan, u shpërndanë me forcë në të gjithë botën dhe u dëbuan nga toka e tyre, duke kulmuar me Holocaust-in, një ngjarje makabre, shfarosëse dhe e paprecedentë në historinë e kombeve. Jo rrallë është mbrojtur teza se, nëse nuk do të kishte ndodhur Holocaust-i, shteti i Izraelit nuk do të ishte krijuar, por në fakt, e kundërta do të ishte e vërtetë: nëse do të kishte ekzistuar shteti i Izraelit, Holocaust-i mund të mos kishte ndodhur. Historia tragjike e hebrenjve është e provuar botërisht, historikisht dhe shkencërisht.
Sipas Hannah Arendt, ngjarjet, të kaluarat dhe të tashmet, janë mësuesit e vërtetë dhe të vetmit ku shkencëtarët politikë mbështeten dhe ne duhet t’i besojmë historisë, sepse siç thotë Hegeli, “është e vetmja shkencë e saktë”, pavarësisht se nga ana tjetër, siç shprehet Presidenti i Shtetit të Izraelit, Shimon Peres, historia përbën një keqkuptim të gjatë.
Hebrenjtë, me moralin e tyre të fortë “ballë për ballë”, u ngritën nga hiçi dhe arritën majat e shkencës dhe inovacionit, lirisë dhe demokracisë, dhe kudo tjetër, madje duke i dhënë kuptimin e duhur, ndoshta si askush tjetër, të drejtës, pronësisë dhe demokracisë. Është shembulli par excellence indarjes së pushteteve, i respektimit dhe paprekshmërisë së gjyqësorit dhe medias. Ata kanë një raport të drejtë më shtetin, të kontributit që ata japin për të, por dhe të një marrëveshjeje të kushtëzuar me të, bazuar në ekuacionin, pa hezitim, “m’jep, t’jap”. Ata janë këmbëngulës. Kanë luftuar gjithnjë për mbijetesë, duke qenë të përgatitur për më të keqen, por kanë shkëlqyer kur janë shfaqur. Janë të fiksuar prej faktit që të tjerët kanë dashur dhe duan t’i shkatërrojnë dhe kanë të drejtë, pasi rrethohen nga vende aspak miqësore me ta. Në një mbledhje të Kabinetit të tij, ish-kryeministri Ehud Olmert, më 17 mars 2009, do të deklaronte: “Gjithnjë jam përgjigjur se hebrenjtë ruajnë kujtime të ndryshme dhe dhimbje të tjera. Kam replikuar se ne jetojmë me plagë që të tjerët nuk i kanë përjetuar ose vuajtur”. Hebrenjtë kanë patur dhe kanë besim vetëm tek Zoti, që do t’i shpëtojë përfundimisht një ditë, dhe nuk kanë besim tek askush tjetër, madje “mos u besoni as gjenerozëve dhe mos shpresoni se gurët do të zbuten”– pat thënë kryeministri Benjamin Netanjahu në një tjetër mbledhje qeverie, më 18 prill 2010, duke cituar Binyamin Zeev Hertzl.
Por nga ana tjetër, hebrenjtë janë shumë informalë, miq të ngushtë, krejt të lirë, madje janë të bindur se është e mundur të ketë një diskurs informal me këdo, kudo qoftë ai/ajo, në jetën private apo atë publike. Pikëpamja e tyre mbi botën është si një “post-traumë”, sipas Prof. Gad Yair. Të qenit izraelit, apo Izraelizma lidhet me të qenit një hebre që ka përballuar miliona gjëra, që prej eksodit në Egjipt deri tek Shoah. Të qenit izraelit, në subkoshiencë, është ende një vazhdim i drejtpërdrejtë i kësaj. Në këtë kuptim, çdo izraelit sheh vetën e vet si hebre, por gjithnjë me karakter fituesi.
Për të kuptuar sa më mirë historinë e njerëzimit, duhet të kuptojmë historinë e hebrenjve, pasi, sipas historianit Paul Johnson, ata kanë penetruar dhe janë të pranishëm pothuajse në të gjitha shoqëritë.
Ne shqiptarët nuk mund të nënvizojmë pafund kontributin që kemi dhënë në shpëtimin e jetëve të hebrenjve, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, pasi kjo dihet ndërkombëtarisht, madje në emër të një qëndrimi edhe më fisnik, nuk duhet ta mbipërdorim këtë akt njerëzor, aq domethënës për kombin tonë, por sa i takon 27 janarit ne të gjithë duhet të reagojmë, të kujtojmë dhe të reflektojmë, që të mos ua lëmë kujtimin e viktimave të Holokaustit vetëm të afërmve të tyre, vetëm hebrenjve, vetëm Shtetit të Izraelit, pasi kështu ata mund të harrohen. 27 janari është dhe duhet të jetë Dita e Kujtesës për Njerëzimin, për mbarë qytetërimet në botë, pavarësisht etnive, racave dhe feve. Holokausti ishte krim dhe duhet të dënohet nga e gjithë bota si i tillë.
Një botë me Izraelin në hartë do të thotë një botë me demokraci funksionale, shembulli më brilant i ndarjes së pushteteve, me një aleat të madh të SHBA-ve, si dhe me një vend mik e shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.
*Prof. asoc. Dr. Tonin Gjuraj ka qenë ambasador i Shqipërisë në Shtetin e Izraelit (2007– 2009). Aktualisht është Rektor i Universitetit Europian të Tiranës.