studiues i Letërsisë, Kosovë
(Marrë me shkurtime nga “Amëza e Rrëfimit”(Shkrime kritiko-letrare/proza e sotme shqipe), “ROZAFA”, Prishtinë 2012.)
Shembjet nuk na janë vetëm ato të një kthese historike, por dhe thyerjet e brendshme që ndodhin në qenien e njeriut… Semantika e shembjes në këtë roman është tejet e ndërliqshme dhe e pasur. Të duket sikur minierat përbëjnë një yjësi, ku siç shprehet rrëfimtari, në këtë qasje edhe toka, edhe mbitoka edhe qielli duket sikur komunikojnë ndërmjetvetshëm.
I njohur më parë në shtresat e lexuesve si poet me librat poetikë: “Ajsbergu i hanës”, “Këndej kaloi koha” dhe “Planetare”; me studimet monografike “Toka e Katedraleve”, “Kanuni dhe koha e sotme”, “Fabian Barcata dhe ditari i tij shqiptar” etj., i njohur qysh herët dhe si publicist, lëvrues i reportazhit e opinionit, Ndue Dedaj në prozë erdhi me vëllimet me tregime “Dashuri në kullën e ngujimit” dhe “Hyjnesha e Pyllit” (ky i fundit për fëmijë) dhe pastaj me romanin “Shembja”, pas një përvoje të mirëfilltë krijuese në disa fusha të krijimtarisë mendore e letrare. Ky roman nuk është thjesht një histori miniere, por aty ngërthehet bota njerëzore e nëndheshme dhe e mbidheshme, me dhimbjet e fshehta e vuajtjet e thekshme në skenën e hapur të jetës. Autori e zhdrivillon rrëfimin nga perspektiva e ligjërimit të kohë-hapësirës së sotme (aktualiteti dramatik shqiptar i viteve ’90), nga një situatë gjithë tensione kthesash të mëdha dhe përmbysjesh tronditëse historike, shoqërore dhe personale. Peshën e rëndë të rrëfimit romanor e merr zëri autorial, i padukshëm, në rolin e rrëfimtarit të gjithëdijshëm, që përfaqëson ideografinë autoriale të personazhit kryesor.
Romanet e reja karakterizohen nga një mënyrë e re e shkrimit, si “Rrathë” i Camajt, “Odin Mondvalsen” i Trebeshinës, “Ulku dhe Uilli” i Vath Koreshit, “Las varrezas” i Zija Çelës, “I humburi” e “Kufoma” të Fatos Kongolit, “Piramida” e “Hija” të Kadaresë, “Stina e ujkut” e “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” të Ridvan Dibrës, apo “Dueli” i A. Tufës etj, ku këta autorë ndërtuan shijen e re të lexuesit, nxitën studimet letrare për fenomene e dukuri estetike e artistike dhe sollën vlera të reja të romanit tonë. Ndër këto vepra, romani “Shembja” hyn në portën e madhe të artit letrar, me botën e vet të pasur artistike, me sigurinë e poetikës vetanake, me tematikën, përmbajtjen e strukturën kompozicionale të gjetur, me larushinë e personazheve të ndërliqshëm, me ndërthurjet komplekse të rrëfimit. Kjo vepër tashmë është jetësuar dhe e bën jetën e vet përmes lexuesit dhe interpretimeve e leximeve të shumta të kritikës letrare që i janë bërë asaj.
Nuk është e habitshme pse dhe personazhet e këtij romani i zgjerojnë cilësitë e veçoritë e tyre të karakterit, natyrën e tyre psikologjike e enigmatike në përmasa të pakufishme, mu ashtu sikundër begatohet përvoja njerëzore në qenien e tyre shoqërore, historike e shpirtërore. Autori mban më shumë anë kah tematologjia estetike realiste e vetësore, siç janë mali, miniera, shpella, ujët, fshati, qyteti, gjaku, koha, kulla, vdekjet, bari, vatra e ngrohtë familjare, mjedisi malor i ngjarjeve epike e mjedisi urban me përvojat bashkëkohore; me një ndjenjë të përhershme të melankolisë, me vuajtjet, dhembjet, varfërinë e vetminë; me pësim-mësimet e historisë e të jetës, me zhgënjimet që sjellin thyerjet shoqërore të tranzicionit ku bashkëjetojnë ende jehonat e gjëmimet e shpirtit dhe shenjat e rezistencës anteike.
Marku i Bardhë, protagonisti i romanit, dëshiron të shquajë edhe një dëshmi tjetër, atë të mbijetesës së dinjitetit njerëzor e të vlerave pavarësisht nga kohët e regjimet, dëshminë e shtyllave të etnisë dhe atë të vlerave të qytetarisë. Prandaj ka kaq shumë trandje e lëkundje jete e shpirti, ndërgjegjeje e etike, si për ta thirrur edhe njëherë së brendshmi atë zërin e thellë të ndërdijes, njëlloj si tek përmbytja mitike e mbretërisë së përjetshme. Teksa duket se miniera shërben si personifikim i vetë Shqipërisë dhe historisë së saj.
Shembjet janë ciklike, historikisht dhe qenësisht, mu si ajo puna e Sizifit, që e çon vazhdimisht gurin përpjetëzës së malit dhe, pa arritur në maje, vazhdimisht guri bie teposhtë… Sizifiana shqiptare e këtij romani e ka kuptimin e vet. Dhe protagonistët e këtij romani, sado që e kanë vatrën e tyre të ngrohtë të gjallimit e të ekzistimit, megjithatë, ata sikur jetojnë vazhdimisht nën një tension ngjarjesh, shembjesh tokësore e nëntokësore, shoqërore e historike, kombëtare e personale… “Nuk është pak që ata të shkojnë drejt shembjes, me vetëdijen për ta tejkaluar atë, për ta mundur.” (fq, 149).
Kategoria e tragjikes plekset me atë të së bukurës, të madhërishmes, heroikes së jetës dhe ku personazhet e tillë shfaqen shpesh si heronj tragjikë të humbjeve, shpartallimeve, sakrificave, dramave të trandshme jetësore. Ata në këtë roman janë një galeri e tërë: Lirika, Tefë Shiroka, Lul Kryeziu, Gjergj Matia, Gjergjagjoni etj., ku personifikimi i tragjikes shfaqet dhe te vdekja e papritur e Sarës, që ashtu si miniera, as ajo nuk kishte mundur të lindte. “Sara kishte qenë e dashura e minierës dhe kishte mbetur shtatzënë me të.” (fq. 180). Prandaj nuk është e habitshme pse romansieri jepet në kërkim të njeriut heroik, aq sa edhe në hulumtim të personazhit lirik. I pari, gjithsesi me përmasën e tragjikes, i dyti me përmasën e së bukurës dhe dashurisë. Skenat e pamjet tragjike shpesh këmbehen me skenat lirike. Ndërthurja e tillë ngjet në një kompozim simfonik, në modelin e atij muzikor, ku notat e trishtueshme shkallëzohen me ato të hareshme, entuziaste, poetike, me palete muzikore të padëgjuara që i shfaq teatri i një peizazhi tragjikisht lirik mirditor. Lirizmi narrativ shërben si paralelizëm semantik e kompozicional për të theksuar gjendjen jetësore e ekzistenciale të personazheve të veçantë, ashtu sikundër dhe për të shquar unitetin kuptimor dhe imagjinativ të përshkrimit a rrëfimit.
Romansieri Dedaj arrin me saktësi të bëjë portretin e përbashkët të shoqërisë shqiptare e të realitetit shqiptar, në kapërcyell sistemesh e rendesh shoqërore. Aty ndërthuret komunikimi i ri letrar në përqasje me kundërshtitë e rrjedhave shoqërore, me dritat dhe hijet e këtij realiteti. Loja dialogjike-tekstore e personazheve, si ajo e Lukut me Lokun, apo e Rexhë Zallit, që shënjojnë tekste paralele komentuese, herë nga këndvështrimi grotesk e herë nga ai i një naivizmi artistik jashtëzakonisht të gjetur; por ato tekste dialoguese a vargëzuese, përbëjnë shtresa më vete jo vetëm tematike, por edhe stilistike. Autori arrin të krijojë neologjizma artistike për të shenjuar dukuri e situata, pamje e gjendje, si: gropnajë, zian-i, shkretan-i, prapaskenës-it, ndajvoni, fjali blindëshpuese, arkëvarri…
Romani përbëhet nga një rrjetë e tërë imazhesh metaforike, metaforash të jashtëzakonshme, me një vetëdije ekzistencialiste-spirituale. Është një diskurs lirik-metaforik, optika e të cilit e ngjyros edhe dialogun, edhe rrëfimin, edhe dramatizmin e monologut të brendshëm në dialog. Nga ana tjetër, vepra dëshmon se Ndue Dedaj ka prirje të një prozatori të mirëfilltë modern, duke i çliruar, nëpërmes strukturës romanore, mundësi të shumta shprehëse. Prirjet e tij të përparshme që i ka shfaqur në lirikë, në tregime, në publicistikë, apo në ese e studime, tashmë thellohen e zgjerohen në strukturën e prozës së gjatë, pikërisht pse romani i tillë zgjon interesim për idetë e shfaqura guximshëm e me intelekt krijues; për vizionet shqiptuara nëpërmes një vetëdijeje kritike që hap shtegun kah vizionet dhe rrugëzgjidhjet shoqërore, historike, kombëtare e njerëzore.
________
Gazeta SHQIPTARJA.COM, Tiranë, 27 janar 2014.
(Marrë me shkurtime nga “Amëza e Rrëfimit”(Shkrime kritiko-letrare/proza e sotme shqipe), “ROZAFA”, Prishtinë 2012.)