Një nobeliste për Shqipërinë

Nga Arta Marku

Asokohe ishte thjesht një libërth në raftet e tejmbushura të librarive. Lexuesve që u ra në sy dhe e morën me vete, e shijuan. Të tjerët, vështirë ta kenë njohur shkrimtaren që kish që kish zënë vend modestisht, vetëm me një copëz të veprës së saj, në libraritë shqiptare. Një libërth me titullin “Virgjëresha shqiptare”, edhe pse togfjalëshi ngacmon, nuk do të thotë se ia vlen të lexohet. Fundja vështirë të dihej thjesht me aq informacion sa jep kopertina (titulli dhe emri i autores) se rreshtave të librit kishin ngritur pritë me të vërtetë shumë të papritura… 
Tani është një kohë tjetër. Togfjalëshi ngacmues u kthye në qendër të vëmendjes. Shkaku: Nobeli që mori autorja. Me të drejtë, Alice Munro, nobelistja e saposhpallur, iu paraqit lexuesve shqiptarë të gazetave si autorja e “Virgjëreshës shqiptare” ani pse nuk bëhet fjalë veçse për një prej tregimeve të pafundme të krijimtarisë së gruas që iu shfaq për herë të parë publikut (të vendit të saj) në 1968-ën e largët. 

*** 
Por ç’është ky libër? Çfarë fshihet pas tij, titullit, rreshtave të subjektit të tij? Ç’është kjo virgjëreshë shqiptare, aspak e shkruar në shqip e që vjen nga përtej oqeanit? 
Thuajse një dekadë të shkuar, kish qenë krejt i rastësishëm “kontakti” i përkthyesit (Piro Dollani) me autoren. E kush mund të ishte aq profet e të parashikonte se pas emrit Alice Munro (pavarësisht çmimeve të shumta letrare që ka merituar) fshihej nobelistja e ardhshme. Gjithsesi, befasia e parë ishte shkrimtarja e “saponjohur”. Por akoma më e madhe befasia e dytë: tregimi që e lidh çuditshmërisht shkrimtaren kanadeze me Shqipërinë. Pastaj, vjen natyrshëm dëshira për ta përkthyer, për t’ia dhënë edhe lexuesve shqiptarë një autore që vlen dhe një copëz krijimtarie të saj, ku Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e rëndësishme. 
Kështu u shfaq “Virgjëresha shqiptare” në vitrinat shqiptare të librarive, më 2005. Një libër me kopertinë më vete porse brenda saj një tregim i vetëm (edhe pse ka gjasë që prej kësaj fare mund të kish mbirë e rritur një prozë e gjatë, aspak për tu shpërfillur), ama një ndër tregimet që shkrimtarja kishte përzemër; ndoshta për frymën ekzotike të këtij krijimi, falë faktit që ishte ngjyer me nektar Shqipërie, me nektarin e Shqipërisë së fillimit të shekullit të shkuar, kur atmosfera e gjithçka tjetër ishte vështirë-e-gjindshme gjetiu, së paku në pjesën e qytetëruar të globit. Ku ta dish… 
Nëse do t’i referoheshim autores, ishte rastësore rënia në kontakt me një material kaq joshës siç mund të jetë gjithë çfarë ka futur prej Shqipërie në tregimin e saj. Por shumë shpesh rastësia është mbret i fatit. Dhe fati për Munro-së, në këtë rast, ishte “Virgjëresha shqiptare”. 

*** 
Protagonistja e librit nuk është as virgjëreshë e as shqiptare, e megjithatë togfjalëshi “Virgjëresha shqiptare” nuk është thjesht për të ngacmuar vëmendjen. Sharlota, ose “virgjëresha” që i ka dhënë titullin tregimit, është një kureshtare që kërkon të zbulojë e njohë edhe atë që nuk është e lehtë të zbulohet e njihet. I kishin thënë se është e vështirë, madje e rrezikshme, të kapërcente kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të zi. Andej, matanë vijës ndarëse me vendin ku ajo si turiste po mërzitej në shoqërinë e një grupi njerëzish pasivë që kënaqeshin duke luajtur letrash, thuhej se ishte një botë tjetër. Një botë ku koha kishte ndalur e nuk lëvizte. Dhe ajo, e joshur, niset me një shoqërues të rreckosur dhe një kalë. Por aventura i ka zënë pritë. Është gjaksi i shoqëruesit të saj, por Sharlota është ende larg të kuptuarit të këtyre gjërave. Shoqëruesi mbetet i vrarë vetëm pak pasi kishin kapërcyer kufirin, kali i saj trembet dhe e rrëzon, ajo bie mbi një gur të thepisur dhe humb ndjenjat. 
Këtu fillon tregimi i Sharlotës… 

*** 
Qëllimi i shkrimtares nuk është të përshkruajë e tu tregojë lexuesve të vendit të saj një botë ekzotike që të le me gojë hapur. Jo vetëm se e ka bërë sakaq Edith Durhami, libri i së cilës iu bë “udhërrëfyes” Munro-së, por mbi të gjitha se është shumë pak për një shkrimtar, paraqitja e një reportazhi. Gjetiu e ka hedhur spirancën Munro-ja: në humbellat e padeshifrueshme të shpirtit të qenies njerëzore. Kërkon të flasë, tregojë, shpjegojë duke i lënë sakaq lexuesit të përsiasin dhe bëjnë interpretimet e veta, për DASHURINË, ekzistencën, domethënien, thelbin e saj… 
Kjo është arsyeja pse Munro e çon personazhin e saj, Sharlotën (Lotarën siç i thirrën malësorët shqiptarë) në Shqipërinë e viteve ’20 të shekullit XX, madje mu mes maleve të izoluara prej nga ikja është e pamundur në mos qofsh zog. Për të njëjtën arsye përballë saj vendos një tjetër protagoniste, një grua të re, pronare e një librarie, të lirë për ikur ku e kur të dojë… 
Dy gratë që përbëjnë boshtet e librit, dy paralele që nuk mund të priten në asnjë pikë, tek rrëfejnë për veten, jetët e tyre, HISTORITË RIVALE, rreshtave e mes rreshtave vulosin konkluzione, japin përgjigje (relative padyshim) për pyetjet e pashpallura por të nënkuptuara: mbi DASHURINË. 

*** 
Gruaja a e parë, tashmë në zgrip të jetës, ka një burrë në krah. Të dy, njëri më i çuditshëm se tjetri (edhe për hir të asaj copëzjete në një vend të çuditshëm). Janë bashkë qysh në krye të herës, dhe lidhja e tyre ngjan si një fill që, edhe pse i pakapshëm nga syri, i ka shtrënguar fort e i mban kësisoj edhe tani, në muzg të jetës së tyre. 
E dyta ka një bagazh jetësor të trazuar, një martesë të prishur, një tradhti të dyfishtë… I beson shprehjes që diku e ka dëgjuar se “një nga gjërat më të bukura të martesës është se të krijon mundësi për marrëdhënie të tilla ku lulëzon dashuria e vërtetë. Ndërsa ato paramartesore nuk janë gjë tjetër, veçse kopje të dashurisë së vërtetë”. Ajo është vetëm dhe e vetmuar. 
Historia e dashurisë së gruas së parë ka rrënjë shqiptare. Lind çuditshëm mes maleve të izoluar, ftohtë dhe e padukshme, zhvillohet në një terren aspak të favorshëm. Vonë konsumohet por në ndërkohën parapërgatitore rrënjët që nis e lëshon fara, gjejnë humus të përshtatshëm për tu bërë të pashkulshme, për ta bërë historinë të pafund dhe të vërtetë. Tashmë dy pleq të dashuruar, thellësisht varfanjakë, por të pasur në dashuri, duke fantazuar apo duke u rrekur ta bëjnë fantazinë realitet, kërkojnë me të gjitha mënyrat (e çuditshme) veç një grusht para për të shijuar ditët e fundit të dashurisë së tyre mbi tokë. 
Historia e gruas së dytë, më shumë sesa histori dashurie është histori tradhtie. Vjen prej perëndimit. Protagonistja, e turbullt dhe e paqartë, s’di ç’të bëjë me veten, nuk e di se ç’e çoi drejt burrit të saj e ç’e bëri më pas ta tradhtojë. Aludon se ka kërkuar tek i shoqi, më shumë se sa burrin, prindërit e munguar dhe rreket ta përligjë tradhtinë, me një lloj akti braktisjeje, si hakmarrje ndaj braktisjes që i bënë prindërit dikur, duke e lënë vetëm në botën e të gjallëve. Kalamendet pra, nga një sofistikim në tjetrin, e po kështu vijon edhe tek fantazon të ardhmen: sheh me sy hapur plot lidhje të tjera jashtëmartesore, konflikte që edhe pse zbuten, paralajmërojnë rutinën e jetës së saj në çift. 
Të dyja janë histori paralele, lidhje intime që qëndrojnë përkundër njëra- tjetrës, të zhvilluara skajshmërisht, mu për të rivalizuar. 

*** 
Por pse terreni i ngjizjes së dashurisë së parë (asaj të vërtetës) është pjesa e izoluar e Shqipërisë së 100 vjetëve të shkuara? Një pyetje që ka për përgjigje një tjetër pyetje. E ku tjetër? Ndërsa historia e gruas moderne është e lehtë të gjendet kudo, sepse një grua bashkëkohore, ngarkuar me paqartësi që e çojnë të tradhtojë pa vramendje e të përfytyrojë krejt e qetë tradhti të reja, mund t’i vërë këmbët e të lëvizë në çdo hapësirë gjeografike të kohës sonë. Një histori dashurie e thellë dhe e thjeshtë, duhet gjetur vetëm në një vend të thjeshtë. Pra, primitivizmi i ka interesuar autores në Shqipërinë me ca pak rregulla të mirëpërcaktuara, me kufij të caktuar qartë. Ky është magneti: mundësia për të hequr paralele. Primitivizmi shqiptar i bën gjërat e thjeshta, i shkon qenies njerëzore në thelb duke e zhveshur nga sofistikimet e modernitetit që nganjëherë ngatërrojnë më shumë se sa qartësojnë. Civilizimi perëndimor, përkundrazi ushqen egoizmin, harrimin e tjetrit, dhe vetja shndërrohet në mos në diell, në planet rreth të cilit tjetri përsillet si satelit. Shkurt: skajshmëria e dy terreneve do që të vërtetojë se: primitivizmi dhe modernizimi janë rivalë në dashuri! 

Në rastin konkret çështja është që prania e terrenit primitiv të përligjet. Dhe Munro ia ka dalë. Pra, e ka një arsye pse një e huaj gjendet maleve të veriut shqiptar: kureshtja e turistes për një vend që nuk është si të tjerët; një arsye pse i vrasin shoqëruesin: gjakmarrja; një arsye pse mbetet e paprekur nga vrasësi: kanuni nuk lejon të shtihet mbi një grua; një arsye pse bie në duart e malësoreve që e marrin në shtëpi të vet: e rrëzuar nga kali ka humbur ndjenjat; një arsye pse kërkon të rrijë me priftin: është i vetmi në atë vend të izoluar me të cilin mund të komunikojë në një gjuhë që e njohin të dy; një arsye pse ajo zbulon se ç’është një “virgjëreshë”: detyrohet të bëhet e tillë për t’i shpëtuar një martese-shitje; një arsye pse mbetet një vit mes maleve duke u përshtatur me jetën dhe rregullat e banoreve të zonës: askush nuk mund të shkojë në qytet të lajmërojë në konsullatë a polici, për shkak të distancave pothuaj të papërshkueshme, izolimit natyror dhe mendor. 
Tani shinat janë shtruar. Është e “lehtë” të bëhen krahasimet e tipit: librarja e re, gruaja bashkëkohore, fantazon se e martuar për herë të dytë bie në dashuri me një mjek praktikant kur shkon të lindë fëmijën e saj të parë – teksa protagonistja e historisë tjetër, sqaron se në Shqipëri gratë lindnin kudo ku të ndodheshin, me ngarkesën e druve a bucelën e ujit mbi shpinë… 

*** 
Vetë shkrimtarja nuk e njeh në mënyrë të drejtpërdrejtë vendin e vogël të Ballkanit, këtë pikë në glob që i shërben si terren të ngjizjes së një dashurie të përjetshme. E megjithatë në gjysmëlibrin që i takon Shqipërisë, Munro, pa rrezikuar të hyjë në detaje thellësisht fine, deri në nivelin që zgjedh të shkojë, duket e saktë. Po, fokusi është thelbi i marrëdhënies dashurore, pjesa tjetër vlen sa për të stolisur sfondin. Por, përderisa atij sfondi shkrimtarja i ka vënë emër real, përderisa ai sfond është territor gjeografik i vërtetë, atëherë gjithçka duhet të jetë e vërtetë. Dhe të vërteta janë në librin e autores kanadeze: kanuni me rregullat e tij (edhe magjepsjen, përtej problematikes); malësorët me tragjizmin që i përndjek, shaminë e bardhë e mbështjellë rreth kokës dhe krenarinë e tyre, pushkën me zbukurime argjendi; meshkujt që i bën të tillë pikërisht pushka (e cila vajzë pranonte të martohej me një burrë që ka goditë mbi gjaksin pa mundur që ta cikë me plumbat e tij?); malësoret me feminitetin e përzier me forcë dhe energji (duart e të cilave nuk duhej të rrinin kurrë bosh e supet kurrë pa ngarkesë); rregullat e jetës (duhet të jesh vetëm njëri prej tyre që t’i kuptosh pa i gjykuar); prifti, që edhe i izoluar mes maleve, i ndjen sytë e Zotit tek e vëzhgojnë që të mos mëkatojë… deri edhe virgjëresha, “burri” i veshur me tirqe, me duhanin e dredhur gjithnjë në buzë, llërët e mjekrën aspak mashkullore… virgjëresha shqiptare që mori rrugën, kapërceu oqeanin, e iu bë lëndë një shkrimtareje të madhe… së fundmi një nobelisteje, Alice Munro-së.

Ne foto: Alisa Munro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *