Nëse libri nuk ka të tashmën e tij në çdo kohë, kot që shkruhet. Vetëm të qënit në kohë me lexuesin e çdo kohe merr vlera të përjetshme.
A mund të mundësohen të gjitha këto cilësi në një libër, që të jetë përherë në kohë dhe, që të lexohet sikur ai është shkruar sot, me mendimin për t’a ndjerë lexuesi i cilësdo kohë njëkohëshmërinë me vepren?
Pikërisht këtu ndodhet e panjohura dhe tundimi i lexuesit për ta filluar leximin e tij, ose për ta lënë në dënimin e harresës. Kjo e dyta nuk ndodh me librin e sipërcituar, edhe pse mban botimin e vitit 2003, pothuajse dhjetë vjet më parë. Libri ka një strukturim miks, në përmbajtje të të cilit ka prozën poetike, poezinë dhe publicistiken. Persiatjet, meditimet filozofiko – letrare, shenimet dhe portretizimet e heronjëve konkret, përbëjnë më së shumti lënden e këtij libri.
Të jetosh jo vetëm jeten tënde, por edhe dhimbjen e tjetrit është përgjithësisht motoja e prozës poetike të Flora Nikollës. “ Asnjë nuk mund të provojë imazhin tim për të shkuaren e viteve të ikura, deri kur unë të tregoj mbi njerëzit që shoqëruan vitet e mia…” Autorja nuk mund ta durojë vibrimin e shoqërive mediokre dhe këtë e përcjellë pa e fyer lexuesin, pa e fyer shoqërinë, duke i folur përherë unit të saj, rrebelimit të shiut, botës së zhevshur, dhe mjegullës vështruese të secilit, që “detyrueshëm” i flet gjithëkujt, veçëse rrallëherë njeriut. E folura nuk është vetëm një mjet për të thyer heshtjen, por edhe një mundësi për të shfaqur veten, për të dëbuar trishtimin ngjyrues në pritjen e një dite të pambaruar.
Pikërish me këto persiatje e fillon Flora librin e saj, që fillim e fund është një metaforë, edhe pse në dukje një libër i shkruar rrembimthi, vetëm si testim e aspak për t’u shitur. Autorja nuk ka pse të bëj parathënie të shkruar, hyrje e dalje, ku e thëna nënkuptuese të përcjellë në të gjitha skicat e prozës poetike, që më shumë janë poezi se prozë. Autorja, librin e quan me të drjetë një muzikë të përjetshme. Vdekja mavi sikur e përcillte përsonazhin artist, në një rrugë pa kthim, në një kurth të pashmangshëm, në një trajektore vetërrethuese, për të rënë në humneren e pakthyeshme të një ishulli marramendës, që përfunduar në ndezjen e një qiriri mbi varrin e njeriut që duhej të jetonte. A mjafton të ndezesh vetëm një qiri mbi dritën e syve të tij të shuar e të shkuar? Sa pak! Me shumë dhimbje autorja kujton Tedor Kekon, shkrimtarin e poetin, mikun e saj të fjalës së shkruar, teksa i drejtohet si ta kishte përballë. Notat e dhimbjes, të fiksuara me fjalë aq të zgjedhura, ia kanë lënë vendin mungesës. Dhimbja për mosqenien e tij fizike zbutet, sikur ai po shkon për t’u kthyer të nesërmen, ashtu pa bujë dhe pa i thënë askujt. Fjalët “Liri” dhe e “drejtë për të jetuar në këtë botë” kanë një kuptimi tepër të mugët dhe enigmatik, e domethenien se, të gjithë njerëzit që duan të punojnë dhe ta lënë vetën përherë në jetën e sipërme, të mendojnë sikur po ikin në pakthim nga çasti në çast.
Letërsia është një trajtesë në vete, që para lindjes së shkrimit. Njeriu bëri letërsi edhe me fjalën e folur. Edhe vetëm në një fabul të thënë, pa ndonjë tjerrje metaforike, të cilën e kujtonte nga i ati, autorja na tregon shumë për nivelin e qeveritave, ndonjëherë të pazgjedhur. Tregohet se në një vend X në ditët e sotme e kishin pyetur ministrin e brendshëm se kush kishte qënë ministër i brendshëm në kohën e Shekspirit, një pyetje kjo çoroditëse. Ministri i ishte përgjigjur se nuk e dinte, në vend që ta pyeste se për cilin vend po pyetej?
– Po kur nuk e di ti që je ministër, kush mund ta dijë tjetër? – i ishte përgjigjur njeriu që etapat e historisë i kishte të lidhura me emra të mëdhenj të letërsisë.
Ky fakt domethënës, i përdorur me disa qëllime na vë në lojë mediokritetin e një qeveritari, na thotë rëndësinë e letërsisë dhe lidhjen e saj me historinë. A nuk është historia që i referohet vetëm fjalës së shkruar, qoftë edhe një mbishkrimi mijëravjeçar të gjetur në pllakën e një varri? Me këtë episod Flora respekton babanë, mjeshtrin e fjalës, i cili qe udhëzuesi i parë për ta dërguar Floren te libri.
Vetëm aftësia krijuese mund t’i japë formë mendimit, pa t’u imponuar në asnjë rrethanë, në çfarëdo mjetesh që të ofrojë, qofshin ato edhe delikate si të Mitrushit të njohur, që regjimi i katranosur u mundua t’a mbulojë fytyrën e tij të shëndritshem letrare.
Të bësh letërsi është një mundim i madh, ndërsa të shkruash është një lehtësi mekanike, mjafton të përdoresh lapsin, ose tastieren. Letërsia jo vetëm që nuk krijohet, por as nuk mund të lexohet vetëm. Pikërisht me këtë gjykim më vjen të përdor një thënie brilante të Thornton Uajllde “Letërsia është orkestracioni i thënieve.” Autorja e vuan vetminë e krijimit. Vetmia e ngarkon me më shumë fytyra, me më shumë jetë, që herë herë zvarriten për t’u ngjitur, e herë të tjera zbresin picingul. Pikërisht këtij njeriu i drejtohet në prozat e saj, që janë më shumë poezi në radhitje horizontale, se sa prozë e të treguarit në veten e tretë. Ajo flet me heshtjen, me diellin, me mjegullen, me gjithçka që nuk ka gojë, që nuk shkruan as nuk tingëllon, por që në shumë raste thotë shumë.
Për krijuesin ka ngjyrë çdo gjë, edhe heshtja ngjyroset, edhe shiu, edhe mendimi.
Shiu nuk është vetëm një epitet që autorja ia vesh ngajrjeve përsonale, por edhe jetës kombëtare të një vendi. Shiu nuk është vetëm lagështi, shiu është edhe fjalë, biles grindavec, shiu nuk është pendesë, ai është edhe rrebelim, ai është edhe meditim, edhe dhimbje e përjetuar me nostalgji. Njeriu shpesh ka nevojë t’i tregojë vetes, çfarë i shkoi dhe si, dhe pse, dhe kur!
Ndër prozat poetike me të realizuar, do të veçoja atë me titull “ Ajo që nuk është, nuk është”. Përsonazhi pa emër dhe pa subjekt, ulur në një karrige kashte, mediton dhe i drejtohet vetes ; Çfarë ndodh nëse një njeri nuk vdes? A nuk është kjo një pyetje interesante për këdo? A nuk mund të pyesni dhe ju kështu? Hë, pra, çfarë mund të ndodh me një njeri që nuk vdes? Përveçëse të mbetet i pavdekshëm asgjë tjetër! Po si mund të mbetët i pavdekshëm, se? Pikërisht këtu, autorja i jep mundësi lexuesit të bëj diçka, që të sigurojë pavdekësinë. E pra, atij, njeriut në karrigen prej kashte nuk po i sugjeronte mendimin shishja, as ngrohja përvëluese e një ditë vere.
Po ashtu, proza “ Hipokrizi”, në qendër të së cilës mbahet subjekti i një romani. Përsonazhi pa emër përsëriste pafundësisht, deri në bezdisje shejtërinë e familjes, në kohën që të gjitha femrat që ia prezantonte gruas si shoqe, i kishte dashnore. Njeriu i tjetërsuar tashmë është në modë.
Poezia është e pranishme, gërshetuar bukur me publicistiken. Të rrëfyerit shkurt dhe pa veshje të tepruara e rënduese e bëjnë prozën poetike poezi. Me fare pak punë kjo llojë proze mund të kthehet në poezi. Mjafton t’i ndryshosh renditjen nga horizontale në vertikale. Ja vetëm një shembull: Le të marrim prozën poetike “Dimër 2003”, fq.55
Dimër.
Dimër që mban erë të ftohtë,
Që nxjerr gjuhën e ngrirë
Gjuhën që të godet në fytyrë.
Të mardh trupin e nxehtë,
Kur gjaku nuk ka ngrohje.
Frynë erë mitologjike
Në sytë e ngrirë.
Mbi këpucë uji bëhët akull
Ecën mbi trishtimin
Që ndjell toka e mardhur!
Nga mediokriteti zyrtar,
Nuk ka zajrr.
Kur ka zjarr,
E ngrohta
mban erë gaz helmues.
Nuk ka drita,
Kur ka drita,
Ajo mban erë naftë.
Nuk ka ujë,
Kur ka ujë,
Uji mban erë fekale.
Simfonia hyjnore
E miliona njerëzve;
Ujë, drita, zjarr.
Pasioni për letërsinë e nxit të shkruaj për latino-amerikanët e njohur, Maria Llosa, Gabriel Marquez, Allenden dhe Borgesin, por edhe për Sabaton shqiptar, specialistin për të bërë armiq, siç ndodh pothuajse me çdo krijues të nivelit të tij.
Autorja e këtij libri nuk mund të rri pa shkruar për “Shtëpinë e shpirtrave” të Allendes, për historitë e saj që u bënë letërsi, dhe për letërsinë që u be jo vetëm art, por edhe një pjesë e historisë, memorizuar në kujtesën e miljona lexuesve. E, ky pra, është arti, që vjen nga nje letër gjyshit e përfundon pa u mbyllur kurrë te “Paula” dhe “ Bija e fatit’, pothuajse të gjitha ndodhi përsonale të përjetësuara. Gjithashtu, autorja nuk hesht as kur është puna për përkthyesin e njohur, Robert Zhvarc, që bëri dhjetra autor të njohur të botës të flasin në shqip, të tingëllojnë shqip. Flora, “harron” të shkruaj letërsisë e saj, kur lexon letërsi të tillë.
Poezia e këtij libri dhe Flora poete
Flora nuk pretendon të jetë poete e të trumbetojë krijimtarinë e saj. Edhe publicistika e saj është poezi, është gjetje, është ndjenjë, është metaforë, është nëntekst, krahasim, por jo shumë hiperbolë. Ajo i ruhet masës dhe, të shprehurit e koncentruar e konciziteti përbëjnë krijimtarinë e saj. Edhe kur shkruan për Alenden e Sabaton, Flora është poete, mënyra se si e trajton një temë, edhe nëse nuk ka lidhje me poezinë, të bën të ndjesh poeten para vetës e jo publicisten as prozatoren. “Letërsia është të fitosh mbi harresen”, – thotë nënkuptueshëm autorja.
Poezia nuk është vetëm të dashuruarit me qetësinë, të folurit e heshtjes, as metafora të asfiksuara. Poezia e Florës buron prej një shpirti të plotë, me një vetëdije dhe paqe që e ndanë bujarisht me lexuesin. Pa u sforcuar, lexuesi dhe libri gjejnë njëri tjetrin, ashtu siç ndodhi me mua pas nëntë vjetësh nga ky botim.
Flora, në poezinë e saj, komunikon më së shumti me veten, por ky komunikim transmeton ndjesi. Në shkrimin ndjesor për Lasgushim, autorja me të drejtë nënkupton: “ Pikërisht me vdekjen, poetët lindin!”, por poetët ama! Në poezinë e Florës edhe koha ka frikë, nga zhurma dhe vetmia e një gruaje, kur edhe zogjtë janë më të lirë, duke levizur si zot të hapsirës. Poezitë “ Natë” kushtuar nënës, “ Dhe zogjtë djegin erën”, Fjalë”, “ Të ishim bashkë”, “Dy”, “Autoportret” e ndonjë tjetër, tregojnë jo vetëm poezinë shpirtërore, por edhe poezinë si krijim, si mjeshtri.
“ Frikë për të qënë dy./ tmerr për të jetuar dy./ Çmenduri për të qënë dy./
pasqyrë frike sytë e tij,/ për të qënë dy…/ etj Poezia “ Dy”, fq. 127
Poezia “Autoportret” shpreh natyrën, ose të qënit femër e kohës së sotme, një shprehje trokitëse e përshkallëzuar, një antitezë noliane;
“ ose pa jetë,/ose pa gjak/ ose pa ty/ose pa zë/ose pa qeshje/ ose pa dhimbje/ose me lotë/ose me vrap/ose me klithma/ose me shpirt/ose me punë/
ose me gjak;/ unë eci ditën/kur natën fle/ dhe mëngjesi më gjen të lodhur.”
Portretet – një poezi përshkruese në prozën publicistike
Sipas Florës, njeriu i jep fytyren e vet maleve, sidomos artistët, me të cilët i ka takuar të punojë. Ngado që të shkojë, Flores nuk i ndahet Pogradeci, si një përqafim i përhershëm. Në poezinë dhe propzën e saj nuk do të mungojë asnjëherë pak Pogradec. Aty fillojnë dhe mbarojnë historitë, aty fillojnë dhe mbarojnë poezitë. Gjithëçka është e lidhur me këtë qytet. Kjo frymë shoqëron protretizimin e disa artistëve, si Vera Grabocka, Palton Vasi, Bujar Kokonozi, Pali Kuke dhe Stefan Gajo. Në secilin prej tyre ka dashuri, për atë çka atë bëjnë në të mirë të kultures shqiptare, duke i vlerësuar me superlativat e merituara, kur disa prej tyre, prej viteve ecin mbi gjemba, herë herë nuk kuptohen, puna e tyre quhet një specialitet rutinor, kur në të vërtetë është punë e mirëfilltë krijuese. Skeptikët nuk mund ta shihni femren regjizore dhe, as që e mendonin. Emancipimi dhe elganca e punës, vrulli me të cilin vepron, të menduarit para se të veprojë, e bëjnë atë një nga femrat ndryshe, saqë në ndonjë rast, Vera shprehet në kundërshtim me veten : “ Unë thëm diçka të parealizueshme dhe ajo arrihet.”
Individualiteti artistik shihet tek secili prej këtyre artistëve të zgjedhur. Në përgjithësi, ata kanë vizion, nuk ecin pa e ditur ku shkojnë. Kamera e tyre bën histori, mbushen arshivat për historianët, hulumtuesit dhe profesorët e së nesërmes. Nuk mund të bësh asnjë punë, pa patur më parë ide. Festivali i fyejve dhe Pluton Vasi. Një gjetje e veçantë, një realizim i mrekullueshëm!
Një skllav i bindur i punës si Bujar Kokonozi rrallë gjëndet. Deshiren e ka në të sotmen dhe mendimin larg, se ç’do të bëj nesër. Ai është artisti , ndërsa kamera është skllavja e tij, me të cilën fikson një dramë edhe në rënien e një gjethi. Në një mendim shfaqen përherë disa imazhe, të cilat duhen përzgjedhur dhe, këtë nuk mund ta bëje kushdo!
Po kështu, në llojet e tyre vlerësohen edhe Pali Kuke, një emër i njohur dhe Stefan Gajo, i riu i përjetëshm.
Intervista me veten është mbyllja më e gjetur për një libër miks si ky i Flora Nikollës. Larg klisheve para e pas thënie, ajo i ka treguar lexuesit se kush është Flora. Kush më mirë se Flora e ofron Flora Nikollen?