Përfaqsuesit e klerit katolik kanë qenë gjithnjë ajka e patriotizmit dhe nderi i kulturës shqiptare

Nga Llesh Nikolla, Buffalo, NY
Kam lexuar me shumë kujdes shkrimin: “Trieshi, vend frymëzimi për shqipërimet biblike të imzot Simon Filipaj”, me autor z. Gjekë Gjonlekaj New York, duke vlerësuar me shumërespekt një pjesë të shkrimit mbi kujtimet e ofruara, për punën dhe jetën e intelektualit të shquar Mons. Simon Filipaj, theksoi, se ka pasaktësi historike dhe për me keq autori, me tendencë fyese, ka përdorur një fjalor vulgar, bashkëbisedimi, duke i vënë padrejtësisht në gojën e dy personaliteteve të shquara të botës shqiptare.
Edhe sipas Kanunit, nuk mund të flitet apo akuzohet dikush pa qenë prezent të gjithë palët, që t’a deshmojnë vërtetësinë e bisedës, qoftë kjo pozitive apo negative. Ata të dy janë në jetën e amshuar dhe nuk është mirë të përlyen padrejtësisht mbas vdekjes.
Duke qenë sot 80 vjec, unë Llesh Nikolla, që i kam njohur nga afër dy burrat e dashur të komuniteteve fetare respektive Mons. Dr. Zef Oroshi dhe Mons. Simon Filipaj: klerikët e përkushtuar për Fe e Atdhe, të cilët kanë qenë miq në shtëpinë time në Buffalo, ku sëbashku ishim mysafirë tek nacionalisti Ndue Mëlysh. Ata ishin burra, të urtë, të zgjuar, bujarë, shumë të kulturuar dhe me horizont të jashtëzakonshëm bashkëkohorë, dalloheshin për një zemërgjerësi të madhe, fjalë pak dhe punonin shumë si barinj shpirtëor dhe në fushën e letrave.
Gjatë darkës me mysafirët, kemi folur deri në orët e vona, mbi dorëshkrimet e tyre, gjendjen në Shqipëri nën rregjimin komunist ateist, jetën në komunitetin tonë në Amerikë etj.
Kujtoi, se ata janë njëkohsisht dy shqipërues të Shkrimeve të Shenjta, ku, Mons. Dr. Zef Orosh, shqipëroi veprën “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilin ia dhuroi me autograph në Vatikan më 1970, në një audiencë private Papa Pali VI, dhe shqipëruesi tjetër i palodhur i Shkrimit të Shenjtë, Biblës, Mons. Simon Filipaj.
Ajo që të bie në sy, është grindja e pavend, që autori në fjalë, kërkon të fus midis dy klerikëve, që ishin figura të shquara me personalitet dhe respekt të madh në komunitetet shqiptare dhe spikatën gjithnjë në fushën e letrave shqipe, ndërsa nga ana e tjetër ishin udheheqës të nderuar shpirtërorë të grigjës së tyre.
Kështu, është me vend të kujtohet, se i pari Mons. Oroshi, ishte lider udhëheqës shpirtëror dhe ndër figurat më të shquara të nacionalizmit shqiptar për komunitetin shqiptaro-amerikanë. Ai ishte themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare, Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe Buletinit të Përkohshëm “Jeta Katholike Shqiptare” (sot “Jeta Katolike”) në SHBA.
Z. Gjekë Gjonlekaj shkruan: “Dom Simon Filipaj u ballafaqua ashpër me kundërshtarët e gjuhës letrare kombëtare, bile edhe këtu në New York hasi në kundërshtime të mëdha nga Mons. Zef Oroshi i cili kishte përkthyer në gjuhën shqipe Besëlidhjen e Re, por në dialektin gegë. Mons. Zef Oroshi e kishte fyer rëndë duke i thënë më në fund: Dom. Simon mos u ba qenef. Por fyerjes së tij banale Dom Simoni ishte përgjigjur ashpër: Dëgjo Zef Orosh: Klerikët shqiptarë të vërtetë nuk i kanë braktisur famullitë e tyre siç e ke braktisur ti. Ata qëndruan në Shqipëri pavarësisht dënimeve të rënda bile edhe me vdekje. Kishte qenë një duel i vërtetë fjalësh midis këtyre dy prelatëve shqiptarë. Kjo ndodhi në vitin 1978 në kohën kur ishte ftuar për përurimin e kishës në New York…”
Autori, është munduar të sqaroi, se midis dy klerikëve Mons. Zef Oroshi dhe Mons. Simon Filipaj, ka pasur mosmarreveshje, në lidhje mes dy dialekteve të gjuhës shqipe, që jane përdorur në Shqipëri qysh nga Kongresi i Drejtëshkrimit të vitit 1972, ku, diktatori Enver Hoxha, politikisht vendosi se si gjuhë letrare e unjisuar duhet të jetë dialekti toskë. Sipas autorit të shkrimit, Mons. Filipaj, ka qenë partizan apo përkrahës i dialektit toskë (e ashtëquajutur gjuhë letrare) dhe Mons. Oroshi, përkrahës i gjuhës së përditshme të folur normalisht në shtëpinë e vet atë të dialektit gegë. Në asnjë rast dy klerikët, nuk kanë shkëmbyer fyerje ndaj njeri-tjetrit edhe pse mund të kenë pas qëndrime të ndryshme në lidhje më gjuhën zyrtare, që flitej e shkruhej askohe në Shqipëri.
Kjo nuk qëndron për faktin se Mons. Filipaj ka qenë një njohës shumë i mireë i historisë se lavdishme të klerit katolik dhe prelatëve, që kanë mbajturt gjallë më gjuhën shqipe identitetin kombëtar shqiptar.
Dihet, se figurat e shquar kombëtare të klerit katolik, kanë shkruar asokohe në dialektin gegë të gjuhës shqipe, ose më mirë të them se ¾ e territorit të trojeve shqiptare e kanë folur këtë gjuhë, qysh nga Kosova, shqiptarët e Malit të Zi dhe deri në brigjet e lumit Shkumbin në Shqipërine e Mesme ose si kufi ka qenë Elbasani. Autori, vë në gojë të meshtarit të kulturuar dhe lider i komunitetit shqiptar në Amerikë askohe një fjalë të padenjë për t’u menduar dhe jo më për t’u përdorur nga një meshtar dhe shqiptar shumë i mirë.
Për më tej, ai e thellon argumentin e tij në shkrim, sikur edhe Mons. Filipaj i është përgjigjur me të njëjten monedhë. Fakti që të dy klerikët katolikë të nderuar kanë ndërruar jetë dhe nuk mund t’a vërtetojnë këtë gjë prej jetës së amshuar ku ato ndodhen. Edhe sikur të mendojmë për momentin se është ashtu sikurse thotë artikullshkruesi, ai nuk sjellë asnjë dëshmitar tjetër, që ka qenë aty present gjatë debatit të padenjë gjoja të zhvilluar mdis dy klerikëve.
Meqenëse se dy personalitetet nuk jetojnë më, që shkrimi i tij të ishte më i besueshëm, autori, duhet të kishte sjellë edhe emrat e dëshmitarëve dhe jo të shkruaj fantazi, duke ulur të dy klerikët me fjalorin që ai u ka vënë atyre në “debatin” e ashpër “fyes” midis tyre. Sipas autori del se njeri ka qenë simpatizan i dialektit zyrtar të qeverisë komuniste, kurse tjetri i dialektit të nënës dhe vendlindjes së tij.
Është e vërtetë se Mons. Oroshi është arratisur nga Shqipëria, mbasi ndiqej për t’u arrestuar ose vrarë më cdo kusht nga forcat e Sigurimit të kryesuar nga Mehmet Shehu me urdhër direkt nga Enver Hoxha. I këshilluar me shumë vendas shumë ditë më parë, në lidhje më fatin e famullisë dhe cfarë duhet të bënte ai nëse kërcenohet sërisht nga komunistët, bashkëluftarët tanë të cetave nacionaliste e këshilluan atë që të largohet sa më shpejt nga Shqipëria, sepse Mirditës i duhet një dëshmitarë për të folur në Perëndim dhe konkretisht në Vatikan në lidhje me persekutimet që komunistët cdo ditë bënin kundër klerit katolik dhe besimtarëve të tij. Ai u plagos me një plumb dhe shpëtoi jetën e një shokut tonë në mal. Mons. Oroshi, ka mbajtur të ndezur luftën kundër komunizmit në malet e Mirditës për sa kohë që ai qëndroi në mal deri sa u arratis në Jugosllavi.
Për mendimin tim, nuk është burrërore dhe në traditën shqiptare që të futën mes klerikëve përcarje dhe dialogje, të cilat ato nuk i kanë menduar dhe për më tepër të fyejnë njeri-tjetrin në mënyrë publike sikurse thotë autori, sepse në radhë të parë ata ishin vëllezër në Krishtin dhe sëdyti ishin shqiptarë të kulturuar dhe se u dhimbsej grigja, që vuante në komunizmin ateist barbar.
Ne, që kemi qëndruar pranë Mons. Oroshit, në Amerikë kemi parë nga afër kontributin e madh, që ai ka dhënë vijueshmërisht, për të mirën e komunitetit tonë për shumë vite deri sa ndërroi jetë në vitin 1989.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *