Të ndihmojmë Gary Peters në fushatën elektorale për Senatin Amerikan!

Pjetër Jaku

Në mjediset e “American Albanian Club” të Kishës së Shën Palit, të dielen me 28 Korrik 2013, nga ora 2:00 deri 5:00 Pm, u takua një përfaqësi e  Komunitetit Shqiptar të Detroitit për të diskutuar në lidhje me përkrahjen dhe ndihmën që do i jepej Kongresmenit  Amerikan, Gary Peters në garën e tij për Senator.

Kongresmeni Peters prej vitesh është mik i shqiptarëve. Ai ka vizituar, pothuajse të gjitha trojet shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në Kosovë e  Shqipëri, por gjithënjë ka ngritur zërin për të drejtat e malësorëve dhe Malsisë nën Mal të Zi.

“Kongresmeni Peters, nesër Senatori Peters, do të jetë krejt ndryshe në mundësitë që ka për të ndihmuar shqiptarët dhe  çeshtjen shqiptare në përgjithësi. Ai i njeh dhe i do shqiptarët, çdo ditë e më shumë po njeh historinë dhe problemet e tyre, sidomos të  atyre pjesëve që nuk janë ende të lira dhe do i ndihmoi e do jetë zëri i tyre në Senatin  Amerikan, do të ngre problemet e emigracionit, pasi në përgjithësi shqiptarët e meritojnë, falë punës dhe vuajtjeve të tyre,- tha Hy Safran, menaxher i fushatës elektorale të Peters në garën për Senator.”

Në takim foli dhe bashkëkoordinatorja e zgjedhur nga zyra e Peters, Donika Bardha, e cila  me Mondi Rakaj, edhe  ky i zgjedhur nga zyra e Kongresmenit po punojne per takimin ndihmues te kesaj fushate qe do behet me 04 Gusht 2013.

Donika vuri në dukje rëndësinë që ka ndihma e  Peters në këtë garë të rëndësishme. “Fitimi i kësaj gare  është edhe në  të mirë të shqiptarëve. Pasja e një miku të këtij rangu, gjithësesi, – vijoi Donika, – është në nderin tonë, por edhe në të mirën tonë.”

Takimin e përshëndeti Famullitari i Qendrës së Shën Palit, Don Fran Kola, i cili e vuri theksin në rëndësinë që ka zeri i shqiptarëve në  Senatin  Amerikan nëpërmjet Gary Peters.

Ekrem Bardha, Konsulli i Nderit, theksoi njohjen me Gary Peters dhe se si e ka tërhequr në  problemet shqiptare. “Është në nderin e secilit shqiptar që ka mundësi ta ndihmoi këtë  burrë shteti. Eshtë ndër të rrallët amerikan, që në të vërtetë e don Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur thëm Shqipërinë dhe shqiptarët, kam parasysh kudo që të jenë ata, në Preshevë e në Malësi, në Mitrovicë e Çamëri, në diasporë e gjetkë”, – përfundoi në fjalën e tij Ekremi.

Në këtë takim një përshëndetje shumë efikase qe ajo e aktivistit dhe publicistit të njohur Nevrus Nazarko si dhe aktivisteve të tjerë dhe të zgjedhurve në krye te disa nga shoqatat më të njohura të komunitetit, si: Alfons Grishaj,  Kujtim Qafa, Pashko Gjokaj, Nikoll Vneshtaj, Luigj Gjokaj, Ndue Grabanica dhe Kolë Gjokaj.

Nga të gjithë diskutantët u vu në dukje rëndësia  e takimit me Kongresmenin Peters ditën e dielë me datën 04 Gusht 2013, nga ora 2:00 Pm deri në 4:00 Pm, në sallën Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu të “ American Albanian Club” të Qendres së Shën Palit dhe suportimin e tij në zgjedhjet për Senatin Amerikan.

Foto nga takimi:

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *