Republika e dytë Parlamentare shqiptare e tranzicionit është në një krizë të rëndë. Tatëpjetën e Republikës, në pikëpamje të ruajtjes së parametrave të të qenit shtet, mund ta shpëtojë frenimi i rënies së mëtutjeshme, përmes reformimit të institucioneve kushtetuese dhe skemës institucionale.
Në fakt, nuk është për t’u befasuar, por goditjet që iu dhanë sistemit parlamentar (edhe ashtu jo i përplotësuar, të krijuar nga Kushtetuta e vitit 1998), në vitin 2008, prodhuan zhbalancim institucional, zbrazëtira procedurale, transformizëm politik të paprinciptë, mungesë mbrojtjeje edhe formale të lirive civile përmes dobësimit të pavarësisë dhe profesionalizmit të institucioneve të ruajtjes së rendit e të ligjit, pasiguri rrënuese në funksionimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, dobësim deri në minimumin historik të përgjegjësisë publike dhe të përgjegjësisë ndaj Respublica-s, dhe në fund, edhe në kapje të segmenteve të caktuara. Sot, brenda këtij vendi, në jetën aktive politike, nuk ekziston një kastë politike e aftë të prodhojë, së paku, 10 wise man within the Parliament që të kuptojnë jo vetëm shembjen që po ndodh para syve tanë dhe të rindërtojë skemën institucionale të shpëtimit, por që edhe të gëzojë besimin masiv të publikut me burrninë e shtetarëve të vërtetë.
Ajo që po ndodh këto tri ditët e fundit është vetëm rrjedhë logjike e gjithë historisë së këtyre viteve në politikën shqiptare, pasojë e informalizimit të jetës politike, në një shkëmbim të mirëfilltë material, pasojë e klientelizimit të segmenteve të politikës në një periudhë relativisht të gjatë të 22 viteve tranzicion. Nuk është për t’u çuditur që transformizmi i para tri ditëve të riciklohet shumë shpejt ditët në vijim si shenjë e prishjes së ekuilibrave brenda Parësisë tiranase.
Në një vend normal me demokraci liberale parlamentare nuk mund të ndodhë asnjëherë që një pjesë e koalicionit qeveritar të pranohet nga opozita në radhët e veta, 83 ditë para zgjedhjeve të caktuara. Nuk di ndonjë rast që një pjesë e koalicionit e shkëputur dhe e drejtuar në prehrin e një opozite mjaft të vendosur, të hamendësojë se mund ta votojë sërish qeverinë, apo edhe të abstenojë, të mbajë përfaqësuesit e vet në administratën lokale dhe të emëruarit në administratën e lartë qeveritare. Nuk ndodh që të supozohet opsioni i shmangies së votëbesimit parlamentar të qeverisë kur koalicioni tronditet. Nga ana tjetër, të pretendosh se nëpërmjet transformizmit do të synosh maksimalizmin e fitores, do të thotë se ke thënë një sofizëm të kulluar, i cili nuk fsheh dot etjen për rimarrje me çdo kusht e çmim, pa marrë parasysh idealet dhe nevojat e publikut.
Në qoftë se gjërat do të funksionojnë kështu, me normalitet në dukje, do të na duhet të pranojmë se Republika Parlamentare është formalizuar e, për rrjedhojë, po shkon drejt rënies, në kushtet e këtij kuadri konstitucional.
Kjo sepse kësaj republike i mungojnë procedurat ose rregullat zakonore konstitucionale për të sistemuar, mbi të drejtën, raste të tilla të çuditshme allashqiptare; i mungon e drejta procedurale e krijimit të një qeverie të fortë teknicienësh të paanshëm tranzicioni politik që garanton paanshmëri; sistemit nuk i funksionon më përfaqësimi i përputhshëm i elektoratit, i shprehur në orientimet e përcaktuara nga partitë politike në momentin e votimit; llogaridhënia qeverisë ndaj Parlamentit ka ardhur duke u fikur (formalizuar) (accountability of the government to parliament); pozicionimet normale pozitë-opozitë janë deformuar nga interesat e padukshme; balancat institucionale janë shtrembëruar frikshëm; ndërrimi i pakthyeshëm i elitave në pushtetet e pavarura është shndërruar në një këmbim rotativ; transformizmi politik në një zakon të përsëritur që nuk bën asnjë çudi. Ndërkaq, roli institucional i Presidentit të Republikës si kreu i shtetit, në vend që të vinte duke u përforcuar dhe të bëhej një institucion mbizotërues mbi palët, të bëhej korrektiv dhe kryesues i zgjidhjeve politike (parliamentary system with a presidential corrective), sikurse ndodh në kontekstin bashkëkohor parlamentar të vendeve postkomuniste, është dobësuar e thjeshtëzuar deri në përmasa të pangjashme me çdo vend parlamentar të shekullit XXI (parliamentary system with figurehead president).
Në periudhën pas rënies së Murit të Berlinit, sistemet parlamentare janë korrigjuar jo duke forcuar Ekzekutivin dhe duke e bërë atë jokolegjial, moskokëçarës dhe më pak të përgjegjshëm dhe të shpjegueshëm, por duke bërë të kundërtën: duke rritur përgjegjshmërinë, shpjegueshmërinë e transparencën ndaj sovranit dhe publikut, duke forcuar balancën e pushteteve, ndarjen dhe kontrollin reciprok, duke forcuar rolin e Presidentit të Republikës Parlamentare në mbizotërim mbi palët, në korrektim, në udhëheqjen e zgjidhjes së konflikteve politike, në lidershipin politik të vendit në aspektin e politikave të sigurisë dhe në marrëdhëniet me jashtë, në mbrojtje të padallimtë të interesave të publikut. Në Shqipëri, në vend që të ecej në prirjen e sistemeve bashkëkohore institucionale të republikave parlamentare, duke forcuar indikacionet e mësipërme, është bërë e kundërta: sistemet kontrolluese dhe balancuese mes institucioneve janë dobësuar, boshllëqet ligjore themeltare janë zgjeruar, zgjedhjet mbeten gjithnjë problematike etj. Nga ana tjetër, sistemi zgjedhor proporcional, që në një vend parlamentar normal krijon qeverisje parlamentare me spikatje të asamblesë përfaqësuese, në Shqipëri ka krijuar në mënyrë paradoksale një reaksion të kundërt: ka çuar në mënyrë të zhdrejtë në spikatje të Ekzekutivit. Ligji zgjedhor, në vend që të krijonte një përfaqësim adekuat të bashkësive të qytetarëve shqiptarë, qëndrueshmëri politike përmes votimit një-emëror maxhoritar, që eliminon rolin e partizave personale, familjare e klienteliste, ka çuar në shmangie të nevojave të një vendi që dëshiron stabilitet, duke prodhuar transformizëm elektoral si ky që na u riciklua këto ditë jo befasisht dhe që nuk do të ndalet këtu.
Opozitat në vendet parlamentare kanë ardhur në pushtet duke u mbështetur mbi një kauzë të caktuar politike, mbi një ripërtëritje të burimeve humane politike dhe intelektuale (siç bëri saktësisht me shumë të drejtë PD në vitin 2005), dhe jo duke u mbështetur në transformizmin e një segmenti të rëndësishëm të pushtetit me anën e një martese politike të paparimtë.
Zakonisht, spektaklet e tilla transformuese politike janë rrjedhojë e foshnjërisë dhe e dobësisë së institucioneve, e amortizimit të sistemit elektoral, qasjes korrupsioniste të partive politike, e në rastin e Shqipërisë, edhe të një inskenimi uniteti në prapaskene që mund të vijë si nga ish-falangat e diktaturës, ashtu edhe nga konsorciumet monopoliste (Mafiokracia emërtohet në literaturë). Ajo që ndodhi këto ditë më ngjan të jetë një sponsorizim më së shumti i ithtarëve të hoxhizmit dhe i konsorciumeve të ndërlidhura me një mijë fije të padukshme.
Të humburit e mëdhenj e gjithë kësaj që po ndodh do të jenë qytetarët e thjeshtë shqiptarë që do vazhdojnë të vuajnë paqëndrueshmërinë politike dhe mungesën e ripërtëritjes ekonomike; do të jenë forcat liberal-demokrate (qoftë edhe brenda Partisë Socialiste, që nën Rilindje edhe besuan për ripërtëritje të parametrave të shtetit), që aspirojnë një Shqipëri europiane; e djathta tradicionale shqiptare, elektorati që nuk pa një ditë të mirë nën regjimin komunist dhe që nuk u kompensua asnjëherë në mënyrë adekuate nga shteti i tranzicionit, bijtë e familjeve që u vranë, u burgosën, u internuan dhe u dëbuan nga shtëpitë dhe vatrat familjare dhe sot mbeten të papërfaqësuem, të harruem, të denigruem e të nëpërkambun. Kjo sepse kostoja e martesës politike me partitë e majta me tradicion komunist është e tillë. Kjo sepse zhvendosja në gjirin e opozitës që doli me flamur liberal, e së njëjtës, përveç vyshkjes që i sjell menjëherë pjesës idealiste të veprimtarisë opozitare, do t’i përcjellë linjës politike të saj edhe inatet provinciale ndaj kulturës perëndimore, ndaj liberal-demokracisë tradicionale, botës qytetare shqiptare dhe do mbartë veçanërisht paragjykimin e mirënjohur të kësaj pjese të Zonës së Parë Operative ndaj Shqipërisë Veriperëndimore. Shkrirja kësisoj do të dobësojë qasjet e njëmendta europianizuese dhe perëndimizuese, të linjës së politikës socialiste shqiptare, duke vonuar edhe në të ardhmen proceset integruese.
Por kjo është Shqipëria e postkomunizmit: e ngërthyer nga fantazmat e tij të “reformuara”, nga një botë e padukshme që luan lojtarët e politikës së përditshme në kahun e dobësimit të shtetit.
Sot sistemi parlamentar me ngjan të jetë në rënie të lirë drejt së panjohurës në qoftë se mbi këtë sistem nuk vendoset dorë për ta korrektuar në ADN-në e vet, në Kushtetutë. Korrektimi mund të ndodhë si brenda kuadrit të Republikës Parlamentare, duke e bërë atë me të vërtetë Republikë të një parliamentary system with a presidential corrective, ashtu edhe duke transformuar Republikën tonë drejt një parliamentary with president.
Pra, Republika jonë mund të mbetet parlamentare, por të bëhet më shumë funksionale në aspektin e rritjes së rolit të institucioneve kontrolluese, balancuese dhe drejtuese, në aspektin e krijimit të një qeverie shumë më të shpjegueshme në planin praktik dhe në ngritjen deri në përmasat udhërrëfyese e korrektuese të rolit të kreut të shtetit, që pikërisht për këtë arsye më të lartë funksionale, mund të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Shqipëria ka nevojë për një ndërhyrje në sistemin zgjedhor për ta bërë atë më përfaqësues, por edhe më produktiv në aspektin e prodhimit të qëndrueshmërisë dhe shmangies së transformizmit politik të paprinciptë dhe gjithëpërfaqësimit të elektoratit dhe bashkësive të veçanta të shtetasve shqiptarë.
Shqipëria ka nevojë për një ndërhyrje fort mirë të studiuar në forcimin e laicitetit dhe shekullarizmit, që të rregullojë jo vetëm aspektet e brendshme të sjelljes politike në përgjithësi, të sjelljes së politikanëve brenda në institucionet shtetërore, por edhe ato të marrëdhënieve me jashtë.
Ndër hapat e parë që mund të ndërmerren në legjislaturën e ardhshme do të duhet të jetë ndryshimi i ligjit mbi partitë politike, në të gjithë aspektet, ligj që duhet t’i shndërrojë ato në koalicione të mëdha interesash programore nacionale. Kjo sepse historia politike në një vend demokratik është histori e elektorateve dhe e përzgjedhjeve të tyre të lira, dhe jo fryt i vendimeve imponuese personale, i politikave transformative, deformuese të individeve që drejtojnë forcat politike, siç po ngjan me dhimbje në ditët tona. Një demokraci zgjedhore është në thelb një shtet me konkurrim të partive politike, me zgjedhje të lira konkurrenciale dhe me ndarje të pushteteve midis degëve të ndryshme të qeverisë, një shtet që mbron plotësisht të drejtat e liritë civile universale dhe imponon shtetin e së drejtës dhe barazinë e qytetarëve para ligjit. Një mision i tillë nuk mund të jetë funksional pa demokratizimin e partive politike shqiptare dhe pa ngritjen e nivelit të tyre të ekspertizës profesionale.
Shqipëria jonë ngjan të jetë ende larg asaj çfarë pret qytetari i thjeshtë i këtij vendi, ngjan të jetë ende larg prirjeve rregulluese institucionale të vendeve europiane postkomuniste, madje edhe në kah të kundërt me ato.
*Instituti i Historisë Bashkëkohore
Universiteti Europian i Tiranës